Edhe një përvjetor i vdekjes së Ali Podrimjes, i gjen bustin e një tjetër vepër në nderim të tij, të harruara si iniciativa. Të mërkurën janë bërë fiks 9 vjet prej kur Podrimja nuk jeton më. Institucionet e nivelit qendror të shtetit nuk janë kujtuar për kurrfarë ngjarjeje përkujtuese. Realisht, asnjëherë s’e kanë organizuar një të tillë, asnjëherë. “Mos vdeksh”, ka thënë shkurt shkrimtari Binak Kelmendi, kryetar i PEN Qendrës së Kosovës. “Nuk ka ndonjë organizim nga MKRS-ja për shënimin e vdekjes së Ali Podrimjes”, ka qenë përgjigja e zakonshme e Ministrisë së Kulturës
Kur flitet për poezinë shqipe e antologjitë për të, emri i Ali Podrimjes zë vend ndër të parët. Krijimtaria e tij është pjesë e programeve të ceremonive të niveleve të larta shtetërore. Por, emri i Podrimjes nuk bën pjesë në listën e njerëzve që përkujtohen e nderohen nga shteti.
Të mërkurën janë bërë fiks 9 vjet prej kur Podrimja nuk jeton më. Institucionet e nivelit qendror të shtetit nuk janë kujtuar për kurrfarë ngjarjeje përkujtuese. Realisht, asnjëherë s’e kanë organizuar një të tillë, asnjëherë. Përjashtim sivjet bën parku kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë që shënon ditëvdekjen e poetit. Vitin e kaluar nuk kishin vepruar kësisoj shkaku i rrethanave të krijuara nga pandemia. Për miqtë e tij, mosveprimi i shtetit është i pakuptimtë. Për dy vjetët e fundit, neglizhencën e arsyetojnë pak edhe me pandeminë.
Podrimja i lindur më 28 gusht 1942 në Gjakovë, u gjet i vdekur të shtunën e 21 korrikut të vitit 2012, në një pyll rreth 4 kilometra larg qendrës së qytetit të qetë e të vogël në jug të Francës, Lodève.
As 9-vjetori i vdekjes nuk e ka gjetur kryeqytetin me bustin e mjeshtrit të vargut poetik. E ideja e vendosjes së penës tetë metra të lartë në oborrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, po ashtu, nuk është realizuar. Bile, ideatori i projektit e realizuesi i bocetës, anëtari korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Luan Mulliqi, në dy vjetët e fundit nuk ia ka mësyrë me ndonjë kërkesë të re për realizmin e këtij projekti.
“Nuk është interesuar kush, e as nuk kam mundur të bëj asgjë”, ka thënë ai të martën. Ka shpresë që vitin tjetër gjërat do të ndryshojnë.
“Edhe pandemia na ka prishur shumë punë. Disi më vinte turp të shkoj të kërkoj ndonjë gjë në gjendjen që ishim shkaku i pandemisë”, ka thënë Mulliqi. Edhe iniciativa për një bust në kryeqytet ishte përmendur nga Mulliqi. Por, më nuk qarkullon as si ide.
Qysh prej vitit 2013, Mulliqi në oborrin e ateliesë së tij mban modelin e penës tetëmetërshe me mbishkrimin “Kryesorja jetën ta jetosh pa e vrarë – Lum Lumi”, varg i Podrimjes nga poezia “Ti dhe uji”. Vepra ka mbetur pa u derdhur në bronz, sepse shteti nuk i kishte paguar 60 mijë euro për finalizimin e saj. Më 2014, MKRS-ja ishte zotuar të ndante 20 mijë euro, por një gjë e tillë nuk është bërë kurrë.
Sipas konceptit të Mulliqit, ideja është që ajo të luhatet nga era që si simbolikë të tregojë se krijimtaria ka vazhduar gjithmonë. Skulptori akademik ndër vite ka thënë se është i zhgënjyer nga qasja institucionale.
“Ali Podrimja ka qenë një zëdhënës shpirtëror i shqiptarëve. Ai ka pasqyruar në art të gjitha ngjarjet”, kishte thënë ai vitin e kaluar. Sipas tij, është mjerim për një shoqëri që nuk kujtohet për figura të tilla.
As nëntëvjetori i vdekjes nuk e ka gjetur kryeqytetin me bustin e mjeshtrit të vargut poetik. E, ideja e vendosjes së penës tetë metra të lartë në oborrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, po ashtu, nuk është realizuar. Prej vitit 2013 ka mbetur vetëm bocet
Shkrimtari e gazetari veteran, Binak Kelmendi, kryetar i PEN Qendrës së Kosovës, ka kujtuar se në mars të vitit të kaluar kanë mbajtur një takim ku është diskutuar për krijimtarinë e Podrimjes. Të martën ka qenë shumë fjalëshkurtër.
“Mos vdeksh”, ka thënë Kelmendi. Sa i përket heshtjes institucionale në raport me përvjetorin e poetit, ai ka kujtuar atë që kishte thënë në tetëvjetorin e vdekjes së poetit.
“Institucionet tona, qofshin të kulturës apo të ndonjë niveli tjetër, nuk kanë shfaqur kujdes të trajtimit post mortem të personaliteteve të tilla”, kishte thënë Kelmendi. Sipas tij, poeti Podrimja e meriton të kujtohet nga shoqëria për shkak të krijimtarisë poetike, kontributit në fushën e tregimeve edhe në publicistikë.
“Krejt këto duhej të bënin që Podrimja të kujtohet me dashamirësi”, kishte thënë ai. Sipas Kelmendit, neglizhenca, moskujdesi institucional ndaj figurave sikurse Podrimja, dëshmojnë moskujdes edhe ndaj zhvillimeve kulturore dhe emancipimit të kombit.
Ndër vite moskujtimi i Podrimjes ishte parë si i pakuptimtë nga krijuesit letrar që ishin edhe miq të tij.
Shkrimtari Ibrahim Kadriu, në 8-vjetorin e vdekjes së poetit kishte thënë se Podrimja ishte i rebeluar shpirtërisht e asnjëherë nuk ka qenë servil. Sipas tij, Podrimja qysh në poezitë e para ka shprehur revoltën dhe shpirtin kryengritës.
“Ka qenë shumë koprrac në shkrimin e vargut. Aty ishte madhështia e tij si poet”, kishte thënë Kadriu derisa kishte folur në emisionin “Express” të KTV-së dedikuar përvjetorit të Podrimjes. Derisa kishte folur për atë se si institucionet nuk e kujtojnë poetin, kishte thënë se shkrimtarët kur vdesin thuajse harrohen. Ai kishte thënë se ky është fati i krijuesve gjithkund në botë.
“Nuk ka ndonjë organizim institucional për meritat e Podrimjes si poet. Kemi mjaft rrugë në Prishtinë me emra që nuk i njohim. Një rruge që ia kanë vënë emrin e Podrimjes nuk e di a i ka 50 metra në lagjen Ulpiana. Është nivel i ulët i atyre që i kanë propozuar emrat”, kishte thënë ai. Kishte ardhur në përfundim se në raste të tilla shoqëria dështon në raport me krijuesit. “U rrit si poet, jetoi si poet dhe vdiq si poet”, kishte konstatuar ai.
Në amfiteatrin e parkut “Ali Podrimja” në Gjakovë në orën 21:00 do të jepet premiera me titull "Tarkovsky&Bach". Kjo shfaqje, sipas organizatorëve, është unike në Kosovë dhe do të përbëhet nga dy elemente njëherazi: interpretimi i veprave të kompozitorit Johann Sebastian Bach dhe shfaqja e pjesëve filmike të regjisorit Andrei Tarkovsky.
“Kjo ngjarje artistike po mbahet me këtë datë, duke e nderuar trashëgiminë letrare të poetit tonë Ali Podrimja”, shkruhet në njoftim.
Kjo shfaqje artistike është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Por, vetë ministria ka heshtur në raport me kujtimin e Podrimjes.
“Nuk ka ndonjë organizim nga MKRS-ja për shënimin e vdekjes së Ali Podrimjes”, ka thënë Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.
Podrimja vdiq pak pa i mbushur 70 vjet jetë. Në Francë, prej nga edhe u dha kumti për vdekjen e tij, po merrte pjesë në edicionin e 15-të të festivalit të poezisë “Zërat e Mesdheut”, ku po përfaqësonte poezinë shqipe. Poeti i njohur ishte varrosur më 26 korrik, me nderime të larta në varrezat e Prishtinës. Në Francë, më 2013, në vendin ku ishte gjetur i vdekur, qe vendosur një pllakë përkujtimore në nderim të tij. Ajo ishte vendosur pranë lumit ku ai kishte lexuar poezitë e tij. Për ta inauguruar pllakën përkujtimore, në Lodève kishte shkuar një delegacion zyrtarësh i Komunës së Gjakovës.