Kulturë

Albanologjia perëndimore bazë për shtetësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës

“Studimet për shqiptarët në Britani dhe në vendet e Evropës veriore” titullohet Konferenca shkencore e organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, që ka nisur të enjten dhe përfundon punimet sot (e premte). Mbi 50 studiues shqiptarë dhe të huaj janë të pranishëm në ambientet e ASHAK-ut e edhe nëpërmjet lidhjeve online janë duke nxjerrë në pah nëpërmjet kumtesave kontributet e dijeve albanologjike të britanikëve. Njëri prej konstatimeve ka qenë se bazë për njohjen dhe shtetësinë e Shqipërisë dhe Kosovës kanë qenë edhe dijet albanologjike perëndimore

Megjithëse qe shekulli i 18-të kur historiani britanik Edward Gibbon nisi të fliste për Shqipërinë, duhej të vinte fillimi i shekullit të 19-të që të intensifikoheshin kontaktet midis Britanisë dhe Shqipërisë. Dija albanologjike e studiuesve britanikë u përhap me vrull.

Përtej studimit të kulturës e historisë shqiptare, hulumtuesit britanikë me krejt vrojtimet e tyre shkencore lanë gjurmë edhe tek emancipimi perëndimor në raport me shqiptarët, me Shqipërinë dhe Kosovën. Në konferencën e pestë me radhë shkencore sa i përket shoshitjes së studiuesve perëndimorë në raport me albanologjinë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka pasur në fokus britanikët.

“Studimet për shqiptarët në Britani dhe në vendet e Evropës veriore” titullohet konferenca Shkencore e organizuar nga ASHAK-u dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, që ka nisur të enjten dhe përfundon punimet sot (e premte). Mbi 50 studiues shqiptarë dhe të huaj janë të pranishëm në ambientet e ASHAK-ut e edhe nëpërmjet lidhjeve online janë duke nxjerrë në pah nëpërmjet kumtesave kontributet e dijeve albanologjike të britanikëve. Kjo konferencë ka ardhur pas asaj për studimet albanistike në Amerikë, tjetrës për studimet në vendet gjermanofolëse dhe asaj për studimet e shkrimet për shqiptarët në Francë.

Pikërisht këtë rrumbullakim të konferencave e kanë përmendur në fjalët e tyre hapëse akademik Rexhep Ismajli dhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.

Akademik Kraja ka thënë se në këtë konferencë plotësohet harta e studimeve albanologjike në botën perëndimore, e cila në të vërtetë është themeluese e albanologjisë si shkencë dhe si dije gjuhësore dhe historike.

Sipas tij, rëndësia e studiuesve të huaj për albanologjinë nuk ka reshtur asnjëherë dhe të huajt, perëndimorët, ishin ata që vunë themelet e albanologjisë si shkencë.

“Duhet thënë edhe një gjë, më shumë se kaq, studimet e tyre paraqiten të rëndësishme edhe në shtrirje kohore e tematike edhe më të gjerë. Përfshinë edhe dimensione historike të etnogjenezës. Madje kanë pasur edhe rëndësi kulturore dhe politike. Janë këta studiues, shumica syresh që e kanë afirmuar çështjen shqiptare në kushte të vështira të errësirës së plotë studimore, informative e edhe diturore që sundonte në Shqipëri dhe te shqiptarët, por edhe mbi Kosovën”, ka thënë ai. Kraja ka pasur edhe porosi nga foltorja e sallës së konferencave të institucionit që udhëheq.

“Ata që kanë dilema ende rreth përkatësisë perëndimore të kombit tonë, edhe nga kjo foltore dua t’u them se Shqipërinë të tillë siç e bënë me toka të aneksuara e me sovranitet të kufizuar për një kohë të gjatë dhe me përplasje të mëdha interesash të fuqive vendimmarrëse, me konflikte të brendshme permanente, pra të tillë siç e bënë perëndimorët, pikërisht ata që u pajisën me ndjeshmëri mbi çështjen shqiptare nga dijet albanologjike”, ka thënë akademik Kraja.

Në këtë rast ka shtuar se nuk mund të thotë se të gjithë patën njohje pozitive mbi çështjen shqiptare. Ka thënë se ndonjëherë studimet e tyre janë nuhatur ndërmjet urrejtjes dhe përçmimit. Për ata që kanë dilema për përkatësinë perëndimore të shqiptarëve, ka pasur edhe një porosi.

“Po ashtu, atyre që ende mund të kenë dilema rreth përkatësisë sonë perëndimore, unë nga kjo foltore duhet t’u them se shteti i Kosovës me të gjitha atributet e tij në fondamentin historik, në konstalacionin e tij shtetëror është bërë dhe funksionon nën përkujdesjen pothuajse atërore të Perëndimit. Një përkujdesje që fillon nga ndalja e gjenocidit dhe vazhdon ende deri në konsolidimin e tij institucional”, ka thënë Kraja. Këtë pjesë e rrumbullakuar duke thënë se janë dijet albanologjike të cilat jo vetëm që kanë shërbyer si bazë të bërjes dhe njohjes së identitetit, por më shumë se kaq kanë shërbyer në plot raste si nxitje për të respektuar dinjitetin e atyre që identifikohen nga një identitet i tillë.

“Kosova u bë nga albanologjia po aq sa nga faktorët e tjerë politikë, historikë e ushtarakë. Albanologjia përveçse dije, në Kosovë ishte frymëzim që nga ditët e para, që nga fillimi”, ka thënë ai. Më pas ka ngritur edhe shqetësimin e numrit të vogël të studentëve të gjuhës shqipe dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Madje ka thënë se sjellja e UP-së ndaj albanologjisë “tani përkufizohet me pabesi”. Sipas tij, Akademia këtë shqetësim duhet ta identifikojë si çështje me prioritet në kuadër të marrëdhënieve që ka me Universitetin e Prishtinës.

Por Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës sa u përket marrëdhënieve me albanologjinë qëndron në nivele të larta qysh prej themelimit të institucionit.

Në hapje të konferencës, akademik Rexhep Ismajli ka thënë se interesimi i britanikëve për shqiptarët ka zgjuar interesin e studiuesve shqiptarë qysh herët. Në këtë rast ka përmendur Mit’hat Frashërin, i cili te “Diturija” në vitet 1927-1930 kishte komentuar shkrimet e një prej udhëtarëve britanikë më të famshëm që i kishte rënë në këto anë, Lordit Byron.

“Sipas Lumo Skëndos, ai ‘ka bërë mbase më të madhen e bujavet – sado që nga pikëpamja shkencore s’pati nonjë fryt si eksplorim dhe zbulime për Shqipërinë’”, ka cituar Ismajli. Më pas ka thënë se Frashëri do të paraqiste për lexuesit edhe një sërë shënimesh, si ato të Hobhouseit, Hollandit, Bestit, Urquhartit e Doduellit. Ka thënë se Frashëri për nga pesha e çmonte sidomos veprën e Edward Learit, “Journals of a landscapes painter in Albania”, si vepër të piktorit që shpërfaqte peizazhet e bukura para opinionit britanik dhe tjetër, duke nxitur kështu kureshtjen për vendin.

“Kjo gjerësi vështrimesh lidhur me botën shqiptare në opinionin shkencor e kulturor britanik ka qenë e ndërlidhur me shumë aspekte të zhvillimeve historike në Evropën e atëhershme, sidomos me aspektet e interesimit të Evropës Perëndimore – Francë, Britani, Itali, në raport me Perandorinë Osmane. Kështu që përshtypjet e Lordit Byron apo të Lear zgjuan kureshtjen e shumë të tjerëve”, ka thënë ai derisa ka përmendur edhe studiues të tjerë që janë marrë me Ballkanin dhe shqiptarët në atë kohë. Sipas Ismajlit, sot në Britaninë e Madhe ka një gjallërim të interesit për studimet shqiptare, si në fushat e historisë ashtu edhe në fushat e filologjisë, përfshirë në kohët tona edhe interesin për kulturën dhe letërsinë. Sipas tij, autorët britanikë tash e tre shekuj kanë dhënë ndihmesë me vlerë për njohjen e botës shqiptare. Më pas akademik Ismajli ka lexuar kumtesën e tij “Shqipja e parë nga veriu europian”, ku ka përmendur shumë studiues dhe materialet e tyre te studimet bashkë me komentet që kanë bërë.

Në seancën e parë punuese online janë lidhur edhe dy studiuesit e njohur Victor Friedman dhe Brian Joseph. Friedman ka paraqitur një pasqyrë të studimeve të gegërishtes në Britaninë e Madhe në fund të shekullit të 20-të dhe në fillim të shekullit të 21-të. Kurse Joseph ka folur për kontributin e Kristian Sandfeld në albanologji. Historia, arkeologjia, gjuhësia e parë dhe studiuar nga britanikët qe në fokus gjatë gjithë ditës ku studiues të ndryshëm si Sabri Hamiti, Gëzim Hoxha, Shykrane Gërmizaj, Dhuara Shehri, Jusuf Bajraktari e Shkumbin Munishi paraqitën kumtesat e tyre, të cilat do të botohen të plota.

Studiuesi Bardh Rugova ka sjellë një pikëpamje të Noel Malcolmit sa i përket prejardhjes së gjuhës shqipe. Te “Kosova: Një histori e shkurtër”, Malcom merret edhe me këtë çështje. Rugova ka thënë se diskutimet për origjinën e shqipes dhe shqiptarëve nuk kanë një përgjigje të prerë. Ka përmendur se Leibnizi, që kishte shkruar se “sa i përket gjuhës së shqiptarëve” e ka “përshtypjen se është një lloj sllavishteje, meqë flitet përgjatë Adriatikut”. Rugova ka thënë se Malcolmi ka shtruar edhe diskutimin mbi prejardhjen e shqiptarëve. Sipas Rugovës, Malcolmi pranon dy teoritë rivale, atë të Leibnizit dhe të Johan Erick Thunmman, i cili thoshte se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve që nuk janë romanizuar. Sipas Rugovës, Malcolmi mendon se gjasat për shpjegimin e prejardhjes së shqipes dhe të shqiptarëve duhen shikuar përmes gjuhësisë. Ka treguar se Malcolm ka marrë për bazë shumë studiues në këtë rast.

“Sipas Malcolmit origjina e shqiptarëve duhet kërkuar në anën ilire të ndarjes – konkretisht në malet rreth Kosovës, në malësi dhe në vargun e maleve që shtrihen që atje në Mal të Zi. Elementet latine në shqipe mundësojnë që ta konfirmojmë këtë lokacion”, ka thënë Rugova nëpërmjet kumtesës “Noel Malcolmi për prejardhjen e gjuhës shqipe dhe të shqiptarëve”. Sipas Rugovës, deri te ky mendim Malcolm ka ardhur pasi studiuesi britanik ka shkruar se nëse ilirishtja ka mbijetuar si shqipe e ka bërë këtë vetëm me kontraksion fizik, tërheqje e izolim të natyrshëm që mund të bëhej në zonat malore. Por përtej gjuhësisë e historisë, antropologjisë e etnologjisë, studiuesit britanikë janë marrë edhe me arkeologji.

Arkeologu Milot Berisha nëpërmjet kumtesës “Gjurmët dardane të regjistruara në shënimet e Sir Arthur John Evans” ka treguar se arkeologu i shquar anglez i shekullit të 19-të ndërsa udhëtonte nëpër tokat historike dardane, Serbi e jugut, Kosovë dhe Maqedonia Veriore, vëzhgoi, identifikoi, regjistroi dhe vuri në dukje disa lokalitete arkeologjike dhe artefakte të luajtshme arkeologjike që shërbejnë edhe në ditët e sotme si pikë referimi për kërkimet e ardhshme të këtij territori juglindor të gadishullit antik Ilirik.

“Në lidhje me këtë, ai ishte studiuesi i parë që drejtoi gishtin drejt mbetjeve të rrënojave në fshatin Soçanicë, që ndodhet 27 kilometra në verilindje të Mitrovicës, në Komunën e Leposaviqit, ku u zbulua një vendndodhje arkeologjike që përmban mbetjet e një vendbanimi romak. Ky lokalitet arkeologjik përfshin ndërtesa të lashta, sakrale dhe laike, si dhe dëshmi të aktivitetit minerar”, ka thënë Berisha, i cili aktualisht është zëvendësues i drejtorit të Institutit Arkeologjik të Kosovës. Ka sqaruar se këto gjetje u zbuluan gjatë gërmimeve në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të. Sipas tij, vendbanimi, i njohur si Municipium D.D., ose “Municipium Dardanorum/Dardanici”, ndodhet në një shpat pranë bashkimit të lumit Ibër dhe përroit të Soçanicës.

“Studiuesi anglez, Arthur John Evans, ishte i pari që sugjeroi se rrënojat dhe mbetjet arkeologjike të Soçanicës korrespondojnë me Municipium D.D. Gjegjësisht, konstatim ky falë leximit të një mbishkrimi epigrafik, që bën të ditur se statusi i këtij vendbanimi ka qenë i një municipiumi, kurse emri i qytetit ka qenë i antroponimisë vendase dardane, i cili me pushtimin romak, me gjasë është ndërtuar në arealin e territorit të banuar nga popullsia dardane dhe populluar nga kolonët romakë që ngritën një municipium romak”, ka thënë ai.

Konferenca, e cila do të vazhdojë edhe sot (e premte), do të sjellë edhe pasqyra të studiuesve të tjerë britanikë, midis tyre edhe pikëpamje të një prej emrave më të mëdhenj të albanologjisë, antropologes Edith Durham.