Kulturë

“Albanian Jazz Society Quartet” në stil unik bashkon veprat shqipe

Misioni mbetet po ai që nga themelimi: të risjellë në jazz thesarin e pasur të muzikës shqipe. E këtë katërshja e “Albanian Jazz Society Quartet” e bën me shije e ndjeshmëri. Gjithë rrugëtimi i tyre është i lidhur ngushtë me skenat ku performojnë e për muzikën e trojeve shqiptare hapin kapituj të rinj

Qysh nga themelimi para më shumë se dhjetë vjetësh, kuarteti e kishte të qartë misionin përtej idesë së krijimit e performimit muzikor: promovimin e veprave shqiptare të jazzit. Kjo e shtyu katërshen që gjurmë të këtij qëllimi të kenë edhe në emërtim. “Albanian Jazz Society Quartet” nëpërmjet themelimit nga kompozitori Gent Rushi e saksofonisti e bateristit Ermal Rodi dhe përfshirjes të më vonshme të bateristit Emilian Dhimo dhe kontrabasitit e basistit Roni Gjura, arritën që namin e tyre përmes gjurmëve historike të copëzave shqiptare ta shtrijnë në vendet e Evropës, duke mbërritur deri në Kinë.

Këtë mision ia kanë ngarkuar vetes, duke qenë ndër grupet e para të muzikës jazz në Shqipëri. Gjithë rrugëtimi i tyre është i lidhur ngushtë me skenat ku performojnë. Për ta vetëm kështu shkruhet historia. Edhe albumet nuk i incizojnë paraprakisht, por një herë ia falin përjetimin e tyre publikut e pastaj e kurorëzojnë si publikim. Njësoj vepruan edhe në koncertin e dytë të edicionit të dytë të “Peja Jazz”, të enjten mbrëma.

Me një përbërje të kompletuar të instrumenteve – kryesisht frymore tradicionale – të pianos, bas kitarës, klarinetit, baterive, saksafonit, fyellit e kavallit – “AJS Quartet” arriti që, ashtu siç ata e thonë, të sjellin 100 për qind muzikë shqiptare, në kinemanë “Jusuf Gërvalla”.

Për një orë, me ritme melodike atraktive ata morën me vete publikun, duke i bërë të rrugëtojnë gjatë koncertit tok me veprat më të njohura shqiptare. Shqipëria e mesme, jugore, veriore e Kosova u bënë bashkë, pikërisht përmes melodive që ata i sollën. Sipas tyre, bashkimi kombëtar muzikalisht është arritur qysh në momentin e themelimit dhe ky koncert ishte një vazhdimësi.

Këngët që këndohen më së shumti në breza nën aranzhimin e vetë kuartetit i sollën përplot mjeshtëri. “Pikë me rrema”, “Folk idea” nën aranzhimin e Ermal Rodit, “Routines” nga Gent Rushi, “Vallja e Osman Takës” e quajtur “Osman Taka’s blues”, “Hajredin Pasha”, “Çaj Marro” nga Emilian Dhimo e “Zare” aranzhuar nga Ermal Rodi e “Vallja e Rrugës”, ishin copëzat që kompletuan mozaikun muzikor. Kështu edhe u bënë bashkë dy albumet e tyre, “Jaalbanian’s” i publikuar më herët dhe “Kabo Projects”, i cili pritet të dalë në pranverën e vitit të ardhshëm e që është frymëzim nga muzika e jugut të Shqipërisë.

Për koncertin, i cili erdhi për të parën herë në këtë formacion në Kosovë, pas rrugëtimit në “Tetova Jazz” dhe në Shqipëri, kompozitori Gent Rushi ka thënë se krijimet e tyre janë një gërshetim me muzikën e Ballkanit.

“Jam shumë i prekur nga bashkëpunimi sepse që nga kontakti i parë unë eci me shumë instinkt dhe e ndieja që do të shkonte përtej pritshmërive të mia. Ka shkuar më shumë se mirë”, ka thënë për KOHËN menjëherë pas koncertit, teksa e ka nënvizuar publikun dhe ambientin që u krijua në Pejë.

“Ishte një skenë ku duhej të luanim. Jam me dëshirën të rikthehem prapë në Pejë. Është diçka e pashpjegueshme që artistët duhet të kthehen në skenë”, ka thënë Rushi.

Eksperiencë të shkëlqyeshme vlerësoi të ketë pasur në skena të ndryshme të botës para pandemisë saksofonisti dhe kompozitori, Ermal Rodi.

“Ardhja për herë të parë në Pejë është kënaqësi për mua. S’kisha qenë ndonjëherë më parë. Gjithmonë i kam rënë vërdallë, nga Gjilani, Gjakova, Prishtina. Por, më mungonte Peja. Ishte ndjesi shumë e mirë”, ka thënë Rodi nga kuarteti i cili edhe organizon “Balkan Jazz ShowCase”. “Jemi gjithmonë pak dhe saktë”, u shpreh ai për gjendjen e krijuar nga pandemia, por që sërish e mira është se njerëzit vinë për t’i dëgjuar. “Çdo e mirë e ka një të keqe dhe çdo e keqe e ka një të mirë. Kjo na solli më shpesh në Prishtinë dhe në trevat shqiptare ku ka Jazz Festival”.

Për albumin “Kaba Project”, të cilin e promovuan në edicionin online të “Nishville Jazz Fest” në Nish të Serbisë vitin e kaluar, Rodi ka thënë se do të jetë një tentativë për përfshirje të muzikës së Ballkanit.

“Kemi albumin e ri të dytë që pritet të dalë sepse jemi përpara me projekte dhe prapa me albumin sepse regjistrojmë më vonë. Projekti i ri, që do të ketë një gamë më të gjerë në repertorin e vetëm, jo vetëm muzikë nga veriu i Shqipërisë, por edhe të Kosovës, duke përfshirë edhe jugun e duke shkuar deri te Çamëria”, ka thënë ai, duke shtuar se shpreson që muzika t’iu lind natyrshëm.

Që në hapje të koncertit, Rina Statovci i cilësoi anëtarët e “AJS Quartet” si artistë të jashtëzakonshëm.

“Ata njihen si një nga grupet më të njohura dhe më të suksesshme të jazz skenës, në të njëjtën kohë edhe avokues të jazzit bashkëkohor në Ballkan”, ka thënë Statovci.