Kulturë

Alban Ukaj për “Quo Vadis, Aida?” drejt “Oscarit”: “Kjo është arma jonë të flasim për viktimat”

Me rekorde të shumta, edicioni i sivjetmë i “Oscars” ka sjellë laryshinë më të madhe në historinë e vet mbi nëntëdekadëshe. Gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë të hënën, çifti hollywoodian Priyanka Chopra Jonas dhe Nick Jonas kanë bërë të ditur nominimet në 23 kategoritë garuese të “Academy Awards”. Por historisë i është bashkuar edhe filmi boshnjak për masakrën e Srebrenicës, “Quo Vadis, Aida?”, që ka hyrë në garë për filmin më të mirë ndërkombëtar. Pas sukseseve gjatë vikendit në festivale filmash në Luksemburg e Miami, drama në kohëzgjatje prej 1 orë e 41 minutash është vlerësuar nga aktori shqiptar Alban Ukaj si një thirrje për të zgjuar dinjitetin njerëzor për Srebrenicën. “Kjo është arma jonë e vetme të flasim për viktimat”, ka thënë Ukaj të hënën për KOHËN

Një vit më parë, qilimat e kuq ende mbaheshin në depo. Ceremonia e edicionit të 93-të të “Academy Awards” është caktuar të mbahet më 25 prill. Me një përzgjedhje nominimesh që janë konsideruar historike, shërbimet e streamingut tashmë duket se po e mbizotërojnë edicionin e sivjetmë, qoftë me produksionet e tyre, qoftë me filmat e realizuar nëpërmjet platformave të tyre.

Pas vonesave të shumta në këtë vit pandemik, nominimet për “Oscars” më në fund janë zbardhur të gjitha.

Çifti hollywoodian Priyanka Chopra Jonas dhe Nick Jonas i kanë bërë të ditura të gjitha nominimet gjatë një transmetimi dypjesësh të afishuar në llogaritë e mediave sociale, si dhe në faqen zyrtare të Academy of Motion Picture Sciences.

Rekorde historike

Filmi “Mank”, i cili kryeson me dhjetë nominime, do të jetë në garë për filmin më të mirë tok me “The Father”, “Judas and the Black Messiah”, “Minari,” “Nomadland”, “Promising Young Woman”, “Sound of Metal”, si dhe “The Trial of the Chicago 7”.

Lista pasohet tutje me filma që kanë marrë nga gjashtë nominime, si “The Father”, “Judas and the Black Messiah”, “Minari”, “Nomadland”, “Sound of Metal” dhe “The Trial of the Chicago 7”.

Edicioni i 93-të ka shënuar historinë edhe për faktin që paraqet laryshinë më të madhe në “Oscars” që është bërë ndonjëherë, ku nëntë nga 20 nominimet vijnë nga pakicat etnike.

Po kështu dy gra, Chloé Zhao dhe Emerald Fennell, janë nominuar për kategorinë e regjisë më të mirë – duke shënuar kështu herën e parë ku nominohet më shumë se një grua në historinë 93-vjeçare të çmimeve.

Sivjet “Oscars” hyn në histori edhe me faktin që për të parën herë një ekip producentësh, i tëri me njerëz me ngjyrë, është nominuar për çmimin e filmit më të mirë.

Producentët Shaka King, Ryan Coogler dhe Charles D. King janë vlerësuar për punën e tyre në “Judas and the Black Messiah”.

Njoftimet e së hënës sjellin edhe rekordin tjetër ku për të parën herë dy aktorë me prejardhje aziatike nominohen në kategorinë për aktorin më të mirë (në edicionin e kaluar kishte qenë vetëm një aktor i tillë).

Steven Yeun ka marrë një përnjohje për punën e tij në “Minari” ashtu sikundër edhe Riz Ahmed për “Sound of Metal” – ky i fundit bëhet edhe i nominuari i parë mysliman në këtë kategori.

Vetëm për këtë vit, për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, organizata ka lejuar që të kandidohen edhe filmat që nuk janë shfaqur në kinema, por që kanë debutuar në shërbime streamingu.

“Një ditë e rëndësishme për Bosnjën”

Një sukses në vete ka qenë edhe nominimi i filmit të regjisores boshnjake Jasmila Zhbaniq, “Quo Vadis, Aida?” në kategorinë e filmit ndërkombëtar më të mirë. Filmi boshnjak është në garë me filmat “Another Round” (Danimarkë), “Better Days” (Hong-Kong), “Collective” (Rumani), si dhe “The Man Who Sold His Skin” (Tunizi).

Për shtetin fqinj me mbi tre milionë banorë, ky film bëhet i dyti që hyn në garë për çmimin prestigjioz. Më 2002, filmi i Danis Tanoviqit - “No Man’s Land” kishte fituar të vetmin “Oscar” për Bosnjën, atë të filmit më të mirë në gjuhë të huaj.

Me emocione e ka përjetuar nominimin në “Academy Awards” aktori shqiptar në Sarajevë, Alban Ukaj, i cili nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” vlerësoi se “sot është ditë e rëndësishme për B & H”.

“Çfarë momenti emocionues”, ka shkruar Ukaj në gjuhën boshnjake.

Në fakt, parashikimi i tij i bërë pesë ditë më parë ka qëlluar të jetë plotësisht i saktë. Kur të martën e kaluar drama boshnjake “Quo Vadis, Aida?” u nominua në BAFTA në kategorinë për regjinë më të mirë, si dhe në atë të filmit në një gjuhë tjetër nga anglishtja, aktori 40-vjeçar paralajmëroi se ky lajm ishte një ogur për më shumë.

“Po besoj dhe po shpresoj që është një trampolinë e mirë për nominim për ‘Oscars’”, pati thënë Ukaj përmes një video-lidhjeje të transmetuar në emisionin “Express”.

“Ky është fati ynë”

Në një prononcim për KOHËN, aktori Ukaj ka thënë se sado që tingëllon “pretencioze”, ka besuar thellë që do të arrihej ky sukses.

Ai ka thënë se filmat e tjerë në garë janë fantastikë, porse “QVA” është ndryshe.

“Ka emocion. Ka thirrje për të zgjuar edhe atë pak dinjitet njerëzor që ka mbetur”, ka thënë Ukaj teksa është shprehur i lumtur që Srebrenica po kthehet në arenën ndërkombëtare me një vepër “shumë delikate artistike”.

Duke folur për përmbajtjen e filmit, aktori nga Kosova ka thënë se më me dëshirë do të donte që të mos xhiroheshin filma me këso tema.

“Por ky është fati ynë”, ka thënë Ukaj teksa ka shprehur bindjen që ata që i kanë provokuar luftërat, e që kishin mundësi t’i parandalonin, do të japin herët a vonë llogari për çdo pikë gjaku të derdhur.

“Kjo është arma jonë e vetme të flasim për viktimat. Dhe duhet të besojmë se puna që po e bëjmë e ka qëllimin e vet, në të kundërtën e humb kuptimin e të qenit artist”.

Zhbaniq: “Film që bashkon e jo që ndan”

Ndërsa i është gëzuar nominimit të filmit, regjisorja dhe skenaristja boshnjake, Jasmila Zhbaniq, ka vlerësuar se “ky film është më shumë sesa një film” që përkujton masakrën e Srebrenicës.

“I gjithë stafi i filmit falënderon anëtarët e Akademisë që votuan për ‘Quo Vadis, Aida?’, nënat, gratë dhe të mbijetuarit e tjerë të Srebrenicës që na dhanë mbështetje, inkurajim dhe frymëzim, si dhe shumë miq të tjerë që na përkrahën”, ka thënë Zhbaniq, citojnë mediat boshnjake.

Sipas filmbërëses 46-vjeçare nga Sarajeva, filmi është një përkujtues se gjenocidi i ndodhur në Srebrenicë nuk duhet të mohohet apo të harrohet.

“Ky film nuk është bërë për të ndarë apo konfliktuar njerëzit, por, përkundrazi, për të mirëkuptuar më mirë njëri-tjetrin”, ka thënë Zhbaniq.

Drama në kohëzgjatjen e saj prej 1 orë e 41 minutash, sipas një recensioni në “Guardian”, paraqet “një rindërtim shterues të masakrës së Srebrenicës gjatë luftës në Bosnjë”.

Një vikend suksesesh

Me çmime e shpërblime të shumta kudo në botë, “Quo Vadis, Aida?” vetëm gjatë vikendit fitoi çmimin “Grand Prix – by ORANGE and Critics’ Award” në Luxembourg City Film Festival, si dhe “Knight Marimbas Award” në Miami Film Festival.

Në “Quo Vadis, Aida?” – që vjen si bashkëprodhim mes 12 kompanive nga Bosnja, Austria, Gjermania, Franca, Holanda, Norvegjia, Polonia, Rumania dhe Turqia – interpretojnë aktorët Jasna Gjuriçiq, Izudin Bajroviq, Boris Isakoviq, Johan Heldenbergh, Raymond Thiry, Boris Ler, Dino Bajroviq, Emir Haxhihafizbegoviq, Edita Malovçiq etj,.

Kurse aktori Ukaj, i cili prej gati dy dekadash jeton në Sarajevë, interpreton rolin e Tarikut.

“Unë kam një rol modest, por të cilin unë e dua shumë”, kishte thënë ai për “Express” duke treguar që e kishte njohur edhe personalisht njërin nga përkthyesit e mbijetuar në Srebrenicë.

Ukaj kishte thënë se i kishte lexuar dy librat e përkthyesit në fjalë, ndaj edhe interpretimi në këtë rol kishte qenë përgjegjësi e madhe.

“Kur luajmë një rol e imitojmë dikë që nuk është më mes nesh, edhe imagjinata është ndryshe, por kur kemi të bëjmë me një njeri i cili është gjallë, atëherë nuk duhet ta imitoj, por të bëj një lidhje me atë dramën e brendshme të asaj kohe dhe të sotmes”, kishte thënë ai.

“Jo edhe aq radikale”

Duke vlerësuar nominimet e së hënës, kritiku i filmit në “The Guardian”, Peter Bradshaw, ka vlerësuar se ato nuk janë as për së afërmi radikale sikundër që mendohet.

“A do të reflektojnë ‘Oscars 2021’ Amerikën bashkëkohore dhe çështjet e sotme në mënyrën siç po kërkohet gjithnjë e më shumë në ceremonitë e çmimeve? Nuk jam i sigurt”, ka shkruar mes të tjerash Bradshaw.

Gjashtë aktorë e aktore me ngjyrë janë nominuar, duke u barazuar me rekordin e vënë para katër vjetësh.

Këtë vit, Kaluuya, Boseman dhe Davis janë tok me yjet amerikanë Andra Day, LaKeith Stanfield dhe Leslie Odom Jr.

Raz Ahmed është i pari aktor me prejardhje pakistaneze që nominohet për “Oscar” dhe i pari mysliman që garon për aktorin më të mirë.

“Jam i nderuar të jem i nominuar nga kolegët aktorë përkrah performancave të tilla frymëzuese, dhe i jam mirënjohës Akademisë për mbështetjen dhe inkurajimin”, ka shkruar Ahmed në llogarinë e vet në “Twitter”.

Kurse jug-koreania Yuh-Jung Youn është e para aktore nga shteti aziatik që hyn në këtë garë.
“Kurrë në ëndrrat e mia nuk kam menduar se një aktore koreane do të nominohej për një ‘Oscar’, dhe s’mund ta besoj që jam unë”, ka thënë ajo.

Në pritje të 25 prillit

Edicioni i sivjetmë, i 93-ti me radhë, ka gjithsej 23 kategori garuese. Disa nga kategoritë me kandidimet më interesante janë: regjia më e mirë (Thomas Vinterberg për “Another Round”, David Fincher për “Mank”, Lee Isaac Chung “Minari”, Chloé Zhao “Nomadland” dhe Emerald Fenell “Promising Young Woman”); aktorja më e mirë (Viola Davis në “Ma Rainey’s Black Bottom”, Andra Day në “The United States vs. Billie Holiday”, Vanessa Kirby në “Pieces of a Woman”, Frances McDormand në “Nomadland” dhe Carey Mulligan, “Promising Young Woman”); aktori më i mirë (Riz Ahmed në “Sound of Metal” Chadwick Boseman në “Ma Rainey’s Black Bottom”, Anthony Hopkins në “The Father”, Gary Oldman në “Mank” dhe Steven Yeun në“Minari”); montazhi më i mirë (“The Father”, “Nomadland”, “Promising Young Woman”, “Sound of Metal” dhe “The Trial of the Chicago 7”); skenari më i mirë (“Judas and the Black Messiah”, “Minari”, “Promising Young Woman”, “Sound of Metal” dhe “The Trial of the Chicago 7″); skenari më i mirë i përshtatur (“Borat Subsequent Moviefilm”, “The Father”, “Nomadland”, “One Night in Miami” dhe “The White Tiger”); dokumentari më i mirë (”Collective” “Crip Camp” “The Mole Agent” “My Octopus Teacher” “Time”) etj.

Ceremonia e edicionit të 93-të të “Academy Awards” do t’i nderojë filmat më të mirë të realizuar mes datave 1 janar 2020 deri më 28 shkurt 2021. Ajo do të mbahet në Los Angeles, në Dolby Theatre dhe Union Station, dy muaj më vonë sesa që ishte planifikuar më herët për shkak të pandemisë së COVID-19.

Image

Filmi “Mank”, i cili kryeson me dhjetë nominime, do të jetë në garë për filmin më të mirë tok me “The Father”, “Judas and the Black Messiah”, “Minari”, “Nomadland”, “Promising Young Woman”, “Sound of Metal”, si dhe “The Trial of the Chicago 7”