Kulturë

Alban Ukaj në serinë skandinave për luftën në Bosnjë-Hercegovinë

Alban Ukaj

“A Life's Worth”, sipas “Variety”, zhvillohet në vjeshtën e vitit 1993, në mes të trazirave shkatërruese që shpërthejnë në Bosnje.  “Ushtarët suedezë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara nisin një mision të rrezikshëm për të sjellë paqen në një tokë të ndarë...”, shkruan “Variety”

“Yellow Bird”, e njohur për disa projekte të suksesshme, ka marrë përsipër realizmin e serisë së dramave që bazohen në ngjarje reale prej luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Lajmin për këtë projekt e ka bërë të ditur revista prestigjioze “Variety”. Në kastë është edhe aktori i njohur nga Kosova, Alban Ukaj, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Sarajevë. “’A Life's Worth’ ofron një portretizim intim të sfidave me të cilat përballen ata që janë në përplasje me luftën”, citohet të ketë thënë producentja Maida Krak

Kompania suedeze e prodhimit të filmave “Yellow Bird” në kuadër të gjigandit “Banijay”  do të prodhojë “A Life’s Worth”, një seri dramash frymëzuar nga ngjarje reale prej luftës në Bosnjë-Hercegovinë në vitet 1990. Seriali po prodhohet nga “Arte France” dhe “Viaplay Content Distribution”, e cila gjithashtu do të punojë me distribuimin ndërkombëtar të këtij produksioni. Lajmin për këtë projekt e ka bërë të ditur revista prestigjioze “Variety”. Në kastë është edhe aktori i njohur nga Kosova, Alban Ukaj, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Sarajevë. 

“A Life's Worth” sipas “Variety” zhvillohet në vjeshtën e vitit 1993, në mes të trazirave shkatërruese që shpërthejnë në Bosnjë.

“Ushtarët suedezë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara nisin një mision të rrezikshëm për të sjellë paqen në një tokë të ndarë. Seriali ndjek udhëtimin e një grupi ushtarësh të rinj dhe komandantit të tyre teksa luftojnë me kompleksitetin e luftës”, ka shkruar “Variety”. E ka paralajmëruar si projekt të fuqishëm duke u nisur edhe nga emrat që do t’i konkretizojnë rolet.  “Kryesohet nga një kastë e fortë duke përfshirë aktorët Edvin Ryding (‘Young Royals’), Maxwell Cunningham (‘Top Dog’), Erik Enge (‘Tigers’), Johan Rheborg (‘Solsidan’) dhe Toni Prince (‘Drugdealer’). Anëtarët e tjerë të kastit përfshijnë Alban Ukajn, Lazar Dragojeviqin, Ivana Rosçiq dhe Alena Dzebo”, ka shkruar kjo revistë.

Skenarin për “A Life's Worth” (Çmimi i jetës) e kanë shkruar Mona Masri (“Easy Money”) dhe Oliver Dixon e regjia i është besuar Ahmed Abdullahi ("Top Dog"). Është mbështetur financiarisht nga “Creative Europe Media” dhe “Nordisk Film & TV Fond” dhe është frymëzuar nga romani “A Life's Worth” i Magnus Ernströmit. Drejtori ekzekutiv  i “Yellow Bird”, Jakob Feeney, do të jetë producenti ekzekutiv i serialit tok me Maida Krakun si producente.

“’A Life's Worth’ ofron një portretizim intim të sfidave me të cilat përballen ata që janë në përplasje me luftën”, citohet të ketë thënë producentja Maida Krak. Sipas saj, seriali është i veçantë për disa arsye.

“Frymëzuar nga ngjarjet aktuale, është një nga serialet më të guximshme që kemi prodhuar, që përshkruan trupat suedeze të OKB-së në mes të një konflikti alarmues, ndërkohë që thellohet në dinamikën e miqësisë dhe dashurisë në një ekzistencë të pafuqishme”, ka thënë Krak, shkruan “Variety”.

Alexandre Piel, kreu i dramës në “Arte”, citohet të ketë thënë se “kjo është një histori që duhet të tregohet gjerësisht, veçmas pasi shërben si një kujtesë prekëse se sa i brishtë mund të jetë kontinenti ynë evropian”.

Alban Ukaj gjatë intervistës për “KOHËN”, në kafe-librarinë “KOHA” në Prishtinë, më 15 prill 2022   

Shtëpia filmike “Yellow Bird”, sipas revistës, ka lënë gjurmë me prodhime si:  “Headhunters” për CMore nga Jo Nesbø, pastaj seria e dramës kriminale “Bäckström”, si dhe të mirënjohurat “Threesome" dhe “The Truth Will Out”.

Ndryshe, Alban Ukaj tashmë është emër i njohur ndërkombëtarisht. Njëri prej sukseseve të para madhore qe roli në “Heshja e Lornës” të vëllezërve Jean-Pierre dhe Luc Dardenne të vitit 2008, që u shfaq dhe u vlerësua në Festivalin e Filmit në Cannes. Përderisa ka luajtur në prodhimet me më peshë në Bosnjë, sikurse edhe në filmat e Kosovës, vjet u rikthye në Cannes me “Tori and Lokita” po ashtu të dyshes së famshme. Filmi mori Çmimin Special të edicionit të 75-të, përderisa Ukaj u rikonfirmua si aktor botëror. Njëri tjetër sukses është roli në “Quo Vadis Aida?” i Jasmila Zhbaniqit, që sjell rrëfimin për masakrën e Srebrenicës, i cili dy vjet më parë u nominua për “Oscar” për filmin më të mirë ndërkombëtar. Ishte hera e dytë që një film nga Bosnja nominohej për “Oscar”, pas atij të vitit 2002  “No Man Land” i cili edhe arriti të shpërblehet në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”.

Rolin e përkthyesit Tarik në “Quo Vadis Aida?”, Ukaj do ta cilësonte si njërin më sfiduese dhe më me përgjegjësi që ka pasur ai personalisht, po edhe shumica e kolegëve që janë në film. “Është vënë re ai tension edhe gjatë provave të leximit, por edhe gjatë provave në lokacionet autentike ku është xhiruar. Nuk është vetëm një film, është pak përtej filmit. Është një homazh për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës”, kishte thënë Ukaj për KOHËN. I fundit produksion i Kosovës në të cilin ka luajtur Ukaj, është “Era” nën regji të Parta Kelmendit një rrëfim që e kthen kohën në fillim të viteve ‘90 në Kosovën përballë represionit serb. Në sheshxhirimi për rolin e Agronit, gazetarit të vëzhguar prej regjimit serb, Ukaj ishte në prillin e vitit 2022.