Kulturë

Alban Ukaj në Cannes: Artisti ka përgjegjësi të flasë për çështje sociale

Në qendër të vëmendjes ka qenë të martën filmi “Tori and Lokita” i Jean-Pierre dhe Luc Dardenne ashtu sikurse edhe aktori nga Kosova, Alban Ukaj. Është rikthyer në Festivalin e Filmit në Cannes, teksa ka parakaluar në tapetin e yjeve dhe ka theksuar rolin e artistëve. “Mendoj se përgjegjësia jonë si artistë është të kemi mundësinë që të flasim për çështjet sociale dhe të flasim për çështjet politike që po ndodhin viteve të fundit në gjithë globin”, ka thënë Ukaj, që luan në filmin i cili qysh në premierë ka marrë vëmendjen

Alban Ukaj shpesh del përtej rolit të aktorit. Si profesionist që tashmë është emër i njohur globalisht në film e teatër, edhe në Festivalin e Cannes ka ngritur zërin se artistët duhet të jenë njerëz aktivë në shoqëri. Këtë e ka bërë duke parakaluar në tapetin e kuq, të martën, pak para premierës së filmit “Tori and Lokita”, i vëllezërve Dardenne, që e ka kthyer Ukajn në Cannes pas 13 vjetësh.

Rrëfimi i dy të rinjve afrikanë si film i vëllezërve Jean-Pierre dhe Luc Dardenne pasditen e së martës ka ndezur projektorin e sallës “Lumiere” në Cannes, ku është dhënë premierë botërore. Bazuar në sukseset e kaluara të vëllezërve belgë në atë që njihet si festivali i festivaleve, “Tori and Lokita” si film në garë për “Palmën e Artë” është konkurrent i fortë në edicionin e 75-të si një prej ngjarjeve kryesore të filmit në botë. Fill pas premierës tashmë ka marrë vëmendjen botërore.

“Është ndjenjë e veçantë të kthehem pas 13 vjetësh”

Bashkë me pjesën tjetër të ekipit të filmit, aktori nga Kosova, Alban Ukaj, ka parakaluar në tapetin e kuq të Festivalit të martën para orës 15:00, kur edhe u dha premiera e filmit në të cilin ai portretizon kuzhinierin e quajtur Betim. Ukaj, i cili jeton në Sarajevë, i veshur me elegancë në ngjyrë të zezë, ka pozuar para fotoreporterëve të agjencive më me nam në botë. Shfaqja e “Tori and Lokita” ka marrë vëmendje të madhe si premierë filmi, por edhe për faktin që mban vulën e vëllezërve Dardenne.

Aktori Alban Ukaj në tapetin e kuq ka thënë se të punosh me vëllezërit belgë dhe të qenit në set me ta është një ndjesi e veçantë. I ka përshkruar si mësues, miq të mirë, regjisorë të mëdhenj e ndër intelektualët më të mëdhenj që ka takuar në jetë.

“Të punosh me dyshen Dardenne është një shkollë e re e aktrimit si te ‘Heshtja e Lornës’, po ashtu edhe tash me ‘Tori and Lokita’”, ka thënë Ukaj, i cili po me një projekt kinematografik të vëllezërve Dardenne ishte në Cannes edhe më 2008, kur së bashku me aktoren Arta Dobroshi luanin në filmin “Heshtja e Lornës”. Të martën ai ka thënë se të punosh me Jean-Pierre e Luc Dardenne nuk është i rëndësishëm vetëm një rol, por i gjithë rrëfimi.

“Të jesh sa më i vërtetë që është e mundur, kjo është ajo që kam mësuar me vëllezërit Dardenne”, ka thënë ai.

Image
Nga e majta: Nadege Ouedraogo, Alban Ukaj dhe Marc Zinga në tapetin e kuq, para premierës botërore të “Tori and Lokita” në edicionin e 75-të të Festivalit të Filmit në Cannes, të martën, më 24 maj

Aktori, i cili deri tash ka qenë pjesë e disa projekteve kinematografike që kanë bërë nam në ngjarje prestigjioze – njëri prej tyre “Quo Vadis, Aida?” i regjisores boshnjake Jasmila Zhbaniq, që ishte i nominuar për “Oscar” – në tapetin e kuq, ku bota e kinematografisë mban sytë këto ditë, ka veçuar rolin e artistëve në shoqëri.

“Mendoj se përgjegjësia jonë si artistë është të kemi mundësinë që të flasim për çështjet sociale dhe për çështjet politike që po ndodhin viteve të fundit në gjithë globin. Isha me fat që kam punuar me njerëz kaq të fuqishëm që ngritin zërin për të folur për minoritete e njerëzit që në njëfarë mënyrë janë të margjinalizuar”, ka thënë ai. Ukaj njihet si artist aktiv, i cili nuk hesht përballë situatave shoqërore e politike. Beson se arti mund të bëjë ndryshime. Në një intervistë për KOHËN muajin e kaluar kishte thënë se nëse nuk do ta kishte këtë besim, nuk do të merrej me art.

E kthimin në Cannes e ka përshkruar si diçka speciale.

“Është ndjenjë e veçantë të kthehem pas 13 vjetësh, kur isha me ‘Heshtjen e Lornës’ dhe pas kohës së COVID-it. Tash pas dy vjetësh pandemi ndihem i lirë të marr frymë. Ditën e fillova me stres, por tash jam shumë i relaksuar”, ka thënë ai pak para se ekipit t’i bëheshin pozat e fundit derisa futeshin në kinema.

Mjeshtërit e njohur të festivalit të madh

Filmi më i ri i vëllezërve Dardenne nxjerr në pah miqësinë që bashkon dy të rinj që kanë udhëtuar vetëm nga Afrika dhe e gjejnë veten duke u përballur me kushtet mizore të mërgimit të tyre në Belgjikë. Është një rrëfim për emigrantët në Belgjikën moderne. Midis të tjerësh, pjesë e kastës janë edhe Marc Zinga, Claire Bodson, Baptiste Sornin. Kritikat për filmin, pak orë pas premierës ka zënë vend në media si “Variety”, “Screen Daily” e “The Guardian”.

“Në vështirësi të rënda financiare, ata (Tori dhe Lokita v.j.) fitojnë para duke shitur drogë gjatë natës për hajdutin dhe kuzhinierin e restorantit Betimin (njeri i heshtur, kërcënues në heshtje, Alban Ukaj), por janë gjithashtu në borxhe ndaj kontrabandistëve afrikanë Justine (Nadège Ouedraogo) dhe Firmin (Marc Zinga), ndërsa Lokita është e dëshpëruar dhe i dërgon para nënës së saj në shtëpi”, ka shkruar midis të tjerash “Screen Dayli”.

Në tapetin e kuq vëllezërit Dardenne, që janë skenaristë e regjisorë të filmit, kanë treguar se synimi i tyre si gjithmonë është të trajtojnë dramat sociale.

“Filmi e bën të mundur ndarjen e tregimit me krejt audiencat pa barriera. Protagonistët vijnë nga Afrika për një jetë më të mirë. Filmi flet për miqësinë e tyre dhe realitetin me të cilin përballen”, ka thënë Jean-Pierre Dardenne. E vëllai i tij, Luc Dardenne, ka thënë se temat që trajtojnë vijnë nga realiteti pasi sikurse të gjithë njerëzit lexojnë gazetat dhe e shohin përditshmërinë e më pas shoshitin ide që mund të shndërrohen edhe në filma.

“Diskutojmë idetë dhe pastaj zgjedhim një prej tyre për trajtim. Për këtë film kemi punuar shumë”, ka thënë Luc Dardenne.

Vëllezërit belgë i janë kthyer Cannes pas dy “Palmave të Arta” me “Rosetta” më 1999 dhe “L’enfant” në 2005. Më pas ata me “Heshtjen e Lornës” kishin fituar Çmimin për skenarin më të mirë më 2008 e “Grand Prix” me “Le Gamin au Velo” më 2011. Historia e tyre më këtë festival ka vazhduar me Çmimin për regjinë më të mirë për filmin “le June Ahmed” më 2019.

Ata që portretizojnë personazhet kryesore të “Tori and Lokita”, të martën janë shprehur të ngazëllyer me pjesëmarrjen e tyre të parë në Cannes.

Pablo Schils, që në film vjen si Tori, ka thënë të jetë tejet i lumtur dhe me një ndjesi speciale derisa ka ecur në tapetin e kuq.

“Nuk më është dukur shumë si punë, por më shumë si lojë ajo që kemi bërë. Është gjë fantastike të luaj në këtë film”, ka thënë i riu, që nuk është aktor profesionist.

Joely Mbundu, që portretizon Lokitan në film, ka thënë se Festivali që sivjet nisi më 17 maj dhe përfundon të shtunën, është një ëndërr për të gjithë.

“Kurrë nuk do ta besoja që do të jem këtu dhe jam shumë e lumtur që kam punuar me vëllezërit Dardenne. Kemi punuar shumë në skena dhe kemi mësuar shumë”, ka thënë ajo.

Image
Skenë nga filmi “Tori and Lokita”

Karahoda e përshkruan premierën si moment të paharruar

Filmbërësi kosovar, Samir Karahoda, i cili së bashku me Eroll Bilibanin po qëndrojnë në Cannes në kuadër të partneritetit që “DokuFest” ka me këtë festival, e ka parë premierën botërore te “Tori and Lokita”.

Ai ka thënë se bëhet fjalë për një tregim të zakonshëm, por të rrëfyer në një formë të veçantë.

“Migrimi akoma është temë aktuale si te ne ashtu edhe në Evropë. Një film që e tregon anën e thellë të emigrantëve dhe luftën për leje qëndrimi”, ka thënë ai. Karahoda ka shtuar se ishte kënaqësi dhe shumë emocionuese të shohësh një aktor kosovar si pjesë të një filmi aq serioz.

“Duartrokitjet në sallën ‘Lumiere’ e bënë gjithë këtë projekt një moment të paharruar dhe shumë motivues për mua personalisht”, ka thënë Karahoda.

Sivjet “DokuFesti” si festival ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër nga Kosova është partner i Festivalit të Cannes. Si pjesë e “Cannes Docs”, “DokuFest” është në “Tregun e filmit”, që është edhe tregu më i madh në botë i fushës së kinematografisë.

Çdo vit gjatë festivalit, “Cannes Docs” ofron një vend të posaçëm dhe program ngjarjesh për të gjithë profesionistët e filmit dokumentar, përfshirë emrat më të rëndësishëm të industrisë. Stafi i “DokuFest” rikthehet në Cannes pas suksesit të vitit 2021, që ishte historik për Kosovën, pasi për herë të parë një film vendor ishte në garë për “Palmën e Artë”. Filmi i shkurtër i Samir Karahodës, “Pa Vend”, ishte pjesë e konkurrencës zyrtare në kategorinë e filmave të shkurtër. Po ashtu, vjet u dha premiera botërore e filmit “Luaneshat e kodrës”, nën regji të Luana Bajramit në “Director's Fortnight”, organizim paralel brenda Festivalit të Cannes.

Në ceremoninë e sivjetme të hapjes së Festivalit virtualisht ka marrë pjesë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i cili është paraqitur nëpërmjet një video-lidhjeje para se të niste shfaqja e filmit “Final cut” i francezit Michel Hazanavicius, projekt ky me të cilin janë ndezur projektorët për këtë edicion.

Me paraqitjen e tij të zakonshme sa i përket veshjes, duke simbolizuar ngjyrat e ushtrisë, Zelenskyy nga zyra e tij në Kiev ka folur qartë se si industria e filmit gjithnjë ka informuar drejt e ka dhënë mesazhe me peshë.

“Është e domosdoshme që kinemaja të mos qëndrojë e qetë”, ka thënë njeriu që po u prin ukrainasve në luftën e tyre ndaj invazionit rus. Ukraina deri më tash, sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka jashtë shtetit mbi 6 milionë njerëz si refugjatë që gjenden nëpër shtete të ndryshme evropiane. E me refugjatët merret edhe “Tori and Lokita” duke i trajtuar vështirësitë e tyre e po ashtu edhe besnikërinë midis dy miqsh që nga Afrika ia mësyjë Belgjikës për kushte më të mira jetese.