Këtu e 15 vjet më parë Alban Muja do ta kapërcente kufirin Meksikë-SHBA dhe fotografia ku ai nuk prek në tokë do të bëhej vepër artistike që kapërthehej edhe si një lloj provokimi me titullin “Catch me” (Më kap). Prej atëherë kjo vepër u bë një prej më të shquarave të Mujës (40), por ani pse kanë kaluar kaq shumë vjet, qëndron aktuale me situatën që fakton dhe me pyetjet që hap. Kësisoj, ajo vazhdon të shëtisë nëpër galeri. Kësaj radhe dy qytete sllovene janë stacioni i radhës, në kuadër të ekspozitës kolektive “Beyond Borders”
“Beyond Borders” (Përtej kufijve) është titulli i ekspozitës së hapur në Slloveni e që bën bashkë një grup artistësh nga vende të ndryshme të botës. Titulli është njëherësh edhe qëllimi i ekspozitës pjesë e së cilës është edhe artisti nga Kosova, Alban Muja. Ai ka kohë që në krijimtarinë e tij merret edhe me çështjet e kufijve a të ndarjeve në çfarëdo konteksti. Në këtë ekspozitë që luan në një formë me kufijtë duke u shfaqur në dy hapësira, artisti 40-vjeçar paraqitet me veprën e vitit 2006 të titulluar “Catch me” (Më kap).
Ekspozita fillimisht ishte e hapur nga 29 nëntori i këtij vitit deri më 5 dhjetor në Qendrën për Art Bashkëkohor në Celje të Sllovenisë. Pas pesë ditësh udhëtoi rreth 50 kilometra më në veri të këtij vendi. Më 10 dhjetor u hap në muzeun e artit modern dhe bashkëkohor “Koroška” në qytetin Slovenj Gradec, nja 100 kilometra larg Lubjanës. Aty veprat e rreth 30 artistëve do të qëndrojnë të ekspozuara deri më 20 mars të vitit të ardhshëm.
Përveç artistit nga Kosova, në ekspozitën e kuruar nga Maja Antonçiç dhe Andreja Hribernik ekspozojnë edhe Tara Najd Ahmadi, Francis Alÿs, Nika Autor, Boris Beja, Lonie van Brummelen dhe Siebren de Haan, Qendra për Bukuri Politikane (Center for Political Beauty), Vesna Bukovec, Lana Çmajçanin, Ana Teresa Fernández, Josht Franko, Majd Abdel Hamid, Ibro Hasanoviq, Maja Hodoshçek, “IRWIN”, Dejan Kaludjeroviq, Alojz Krivograd – Futy, Andreja Kulunçiq, Richard Alexander Lou, Jure Markota, Valentin Oman, Mark Pozhlep, Lara Reichmann, Sandra Schubert, Jozhe Suhadolnik, “ŠKART”, Helene Thümmel dhe Ewelina Świnecka, Karl Vouk, si dhe Hannes Zebedin.

Muja, i cili njihet për krijimtarinë artistike brenda së cilës gërshetohen disa mediume – vizatime, piktura, fotografi, video-instilacione e performanca – ka thënë se përmes veprës së tij “Catch me” tregon aksionin fizik të artistit i cili kapërcen kufirin në mes të SHBA-së dhe Meksikës. Ai në këtë ekspozitë paraqitet me një fotografi.
“Unë vij nga një vend ku liria e lëvizjes nga një vend në tjetrin për shumë njerëz është veç një ëndërr, pak a shumë si meksikanët kur ata duan të kalojnë kufirin me SHBA-në”, ka thënë Muja, i cili në edicionin e 58-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecie më 2019 përfaqësoi Kosovën me veprën “Albumi familjar”.
Sipas tekstit kuratorial, historia e njerëzit mund të lexohet edhe si histori e përcaktimit dhe ndërrimit të kufijve territorialë. E ndër shekuj kanë ndryshuar edhe mënyrat sesi kufijtë janë përcaktuar, por edhe roli i tyre.
“Që nga fundi i kufijve socio-feudalë, kufijtë janë lidhur kryesisht me kombësi dhe identitete kombëtare, por sot ata fillimisht përcaktohen si kontroll i lëvizjeve të njerëzve dhe prandaj shfaqin një fenomen më të komplikuar socio-politik që ka ndikim vendimtar në jetën e njerëzve. Në definimin e një identiteti individual apo kombëtar, kufijtë shfaqen si një element i përfshirë ose në reprezentimin e vështirësive historike për qytetarët dhe vështirësive heterogjene kulturore ose në utopitë apo idetë që transformojnë urgjencën e botës për demokraci të përbashkët”, është shkruar aty.
Sipas së njëjtës, ekspozita “Beyond Borders” paraqet fragmente të reflektimeve mbi ndikimin e kufijve që përcaktojnë hapësirën ku njerëzit do të jetojnë, i shtyjnë ata drejt margjinave sociale, ua bëjnë të vështirë që të jetojnë me dinjitet dhe ua ndryshojnë identitetin e tyre.
“Ne dëshirojmë që të inkurajojmë reflektimin mbi disa fusha të caktuara të kufijve që kanë ngritur probleme të përhershme në këta 30 vjetët e fundit ose kur situatat në lidhje me kufijtë janë përkeqësuar”, vazhdon tutje zbërthimi i konceptit. Aty tregohet se në veprat e tyre artistët theksojnë rrëfimet reale dhe dëshmitë e individëve apo grupeve, jeta e të cilëve është prekur nga kufijtë politikë.
“Përmes intervenimeve artistike të prezantuara, ata interpretojnë shkakun dhe pasojat e ndarjes në aspekte të ndryshme gjeopolitike. Ata theksojnë situata që lidhen me kalimin e kufijve dhe udhëtimin, dhe çështje të të drejtave të minoriteteve, gjuhës, shtetësisë, punës dhe ndarjen e familjeve. Ata flasin për situatën e tanishme me vrullin e refugjatëve në Evropë. Në disa projekte, ata lëvizin nga potenciale utopike te zgjedhjet me një ton aktivizmi”, është shkruar aty.
Tregohet se hulumtimet artistike dhe interpretimet e situatave të kufijve të jashtëm dhe të brendshëm të Evropës, po ashtu edhe kufijtë në mes SHBA-së dhe Meksikës, shfaqin përshtypjet mbi kufijtë, rrëfime personale ose tragjedi familjare, dhe pikturojnë një pikturë të hartës sesi këto ndarje të mprehta përjetohen.
“Veprat kapin një rimendim të të vërtetave historike dhe fenomeneve gjeopolitike, por edhe zgjidhjeve alternative që ne dëshirojmë t’i theksojmë si hapësira të potencialitetit, nëse jo të së ardhmes”, vijon tutje shkrimi.
Muzeu i artit modern dhe bashkëkohor “Koroška” u themelua në vitin 1957 si galeri, por me krijimin e koleksionit shpejt ky institucion u shndërrua në muze. Përgjegjësit për themelimin e Galerisë dhe ekspozitës së parë dhe ngjarjeve që erdhën më pas ishin anëtarët e të ashtuquajturit “Grupi Akademik” (themeluar në vitin 1954), që përbëhej nga arkitektët Marjan Gnamush dhe Mirko Zdovc, filozofi Primozh Simoniti dhe piktori Karel Peçko. Tani Muzeu fokusohet në mbledhjen dhe studimin e artit që nga gjysma e dytë e shekullit XX e tutje dhe ka një rol të rëndësishëm në shoqëri si agjent që adreson pyetjet dhe thekson çështje që shpesh neglizhohen në diskursin e përgjithshëm.
Në anën tjetër Galeria e Artit Bashkëkohor është themeluar në vitin 1993 dhe sipas përshkrimit është një nga hapësirat më të rëndësishme sa i përket artit bashkëkohor në rajon. Si mision të saj e konsideron studimin, prezantimin dhe realizimin e veprave bashkëkohore.