Një fond me libra të “Rilindjes”, me vite ka qëndruar në katin përdhes të objektit që aktualisht menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Ndodhen në një depo në Hajvali. Pas alarmit të shkrimtares Ervina Halili, pritet që të barten në Bibliotekën e Kosovës, si dhe t’u shpërndahen bibliotekave të shkollave të vendit
Kur po hulumtonte për ta realizuar dokumentarin “N’Rilindje”, shkrimtarja Ervina Halili u bë dëshmitare e shpërfilljes institucionale karshi një pjese të harruar të trashëgimisë. Materiale arkivore, përfshirë gazeta e libra, qysh prej pasuftës ishin lënë në bodrumin e ish-shtypshkronjës “Rilindja” nën rrezik të shkatërrimit dhe humbjes së memories kolektive.
Për të dytën herë ndjeshmëria kulturore e saj e zgjoi vëmendjen institucionale për ta shpëtuar një pjesë të tyre. Kësaj radhe bëhet fjalë për një fond me libra të “Rilindjes”, që me vite kanë qëndruar në katin përdhes të objektit që aktualisht menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Kjo trashëgimi asnjëherë nuk ka qenë në fokus të institucioneve dhe shpëtimi i një pjese të saj është bërë tek pas kërkesave individuale. Vitin që shkoi, me iniciativën e Halilit, gazeta që dokumentojnë rindërtimin e Kosovës në vitet pas luftës së 1999-s e për gati dy dekada kishin qëndruar në një kontejner në oborrin e ish-Pallatit të Shtypit – u shpëtuan nga shkatërrimi dhe u dërguan në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.
Halili, autore e dokumentarit “N’Rilindje”, ka marrë shkas ditëlindjen e shkrimtarit Anton Pashku, më 8 janar të 2021-tës, për ta rikthyer edhe një herë vëmendjen institucionale nga kjo pjesë e trashëgimisë. Kërkesa e saj për ta shpëtuar fondin me libra i është adresuar Ministrisë së Kulturës, Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe AKP-së. Pas alarmit të saj, përfaqësues të këtyre institucioneve janë takuar dhe kanë vendosur të bashkëpunojnë që ky fond me libra të vendoset në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Jozyrtarisht besohet që bëhet fjalë për rreth 10 mijë ekzemplarë që aktualisht ndodhen në një depo në Hajvali, në pako letre.
Halili thotë se arkivat e humbura të “Rilindjes”, si dhe vetë hapësira në të cilën ende gjenden gjurmë të materialeve arkivore, ka qenë preokupim i gjatë hulumtues i saj dhe gjatë thellimit ka shpërfaqur mospërfilljen e institucioneve që do të duhej të merreshin me trashëgiminë dhe arkivimin e këtyre materialeve.
“Është ditur që së shpejti kjo hapësirë e shtypshkronjës do të rinovohet dhe ato materiale të cilat nuk kanë pasur vend të lokalizohen e kohë të likuidohen, do të hidhen tani në nevojën për t’u liruar hapësira e shtypshkronjës, brenda së cilës do të vendosen zyrat e AKP-së, mu në ato vende ku shtypeshin ato libra. Jam thellësisht e zemëruar nga institucionet e trashëgimisë që krejt ky proces i kësaj trashëgimie që nga viti 2002 i është likuiduar para hundësh në formë krejt transparente dhe publike nga AKP-ja dhe fare lehtë do të mund të bashkëpunonin me ta për të shpëtuar dhe lokalizuar disa gjëra”, ka thënë Halili.
Ajo ka shtuar se nuk e fajëson AKP-në, sepse ka bërë punën e vet. Librat që i kishte hasur në depon e shtypshkronjës “Rilindja” gjatë hulumtimit nuk ka mundur t’i hulumtonte në detaje, por prej së largu ka vërejtur që bëhet fjalë për botime të viteve ’70 dhe dhjetëra lektyra shkollore, që ende janë në lexim.
“Kjo magazinë ka qenë vetëm shkas sa për të ngritur një zë mbi këtë trashëgimi, e cila do të duhej t’i delegohej secilit institucion përkatës e jo të ruhej nëpër magazinat e AKP-së nëpër Hajvali dhe gjetiu. Institucionet e Kosovës, përgjegjëse për trashëgiminë, librin dhe arkivat, e kanë barrën më të madhe të kujtesës së kësaj shoqërie. Si ka mundësi që parasysh u zhduket trashëgimia më e madhe e librit?”, ka thënë Halili.
Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ka thënë se të mërkurën, bashkë me përfaqësues të Zyrës Rajonale të AKP-së, e kanë vizituar depon ku ndodhet fondi i librave.
“Tani Ministria e Kulturës e ka marrë përsipër të ndërtojë një lloj komunikimi dhe të shpjegojë të gjitha procedurat e mundshme që do të duhej realizuar mes AKP-së dhe MKRS-së që Biblioteka Kombëtare ta tërheqë këtë fond. Ky është një fond i vlefshëm për Bibliotekën e po aq i vlefshëm për t’u shpërndarë në biblioteka publike shkollore të Kosovës që aq shumë kanë nevojë”, ka thënë Gajraku. Sipas tij, nga ajo që ka arritur të shohë gjatë vizitës, bëhet fjalë kryesisht për botime të viteve ‘99-2000, kur për shkak të shpërthimit të luftës ishte e pamundur që librat të shpërndaheshin nëpër Kosovë.
“Themelore për ne është që, siç e dimë, Biblioteka është udhëhequr me masa të dhunshme serbe për 10 vjet (89-99) dhe botimet shqip në Kosovë të shtëpisë botuese ‘Rilindja’ dhe të shtëpive botuese private nuk lejoheshin të vendoseshin në koleksionet e Bibliotekës Kombëtare në atë kohë. Shumica e këtyre titujve ndodhen në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë dhe informacione për bibliotekën shpeshherë nxjerrim prej databazës së tyre”, ka shpjeguar Gajraku. “Kështu që për ne e para është e rëndësishme që flitet për tituj – me gjasë – që i mungojnë bibliotekës. Është një rast i shkëlqyeshëm që këta tituj të hyjnë në fondin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”, ka shtuar ai.
Gajraku ka shtuar se iniciativa e Halilit duhet përshëndetur, teksa pranon që mobilizimi institucional do të duhej të bëhej para dy dekadash.
“Do të duhej të kishim një reagim me kohë qysh pas luftës që ta sillnim këtu, por do të jemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm që këtë fond ta përpunojmë dhe sistemojmë në biblioteka varësisht se për çfarë bëhet fjalë”, ka thënë Gajraku.
Departamenti i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës e ka kthyer vëmendjen te kjo pjesë e trashëgimisë tek pas iniciativës së Halilit. Vjollca Aliu, udhëheqëse e këtij Departamenti, ka thënë se janë duke bashkëpunuar me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe AKP-në për t’i nxjerrë librat nga depoja.
“Kemi realizuar një takim pune me Zyrën Rajonale të Prishtinës dhe jemi dakorduar që të procedohet më tutje. Edhe jemi informuar që ky fond nuk është më në ndërtesën e ‘Rilindjes’, por ishte vendosur në një depo. Në bazë të informatave dhe fotografive shihej që librat ishin të paketuara, të mbështjella dhe në gjendje relativisht të mirë”, ka thënë Aliu.
Sipas saj, para se të shpërndahet nëpër biblioteka e shkolla, ky fond do t’i nënshtrohet procesit të inventarizimit dhe vlerësimit për të parë nëse ka tituj që Biblioteka Kombëtare e Kosovës nuk i posedon.
“Jemi udhëzuar që një letër-kërkesë t’i dërgohet drejtorit menaxhues të AKP-së në mënyrë që të kemi fillimisht miratimin e tyre për të vazhduar më tutje. Gjithsesi besoj që do ta miratojnë. Në bazë të përvojës që kemi me AKP-në, besoj që do të nënshkruhet një memorandum dhe fondi do të tërhiqet”, ka thënë Aliu, duke shtuar se kërkesa për drejtorin menaxhues të AKP-së tashmë është dorëzuar.