Kulturë

Akuzat për buxhet: Ministria e Kulturës “dogji” 10 milionët e investimeve kapitale në subvencione

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, të martën ka raportuar ne Komision

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, të martën ka raportuar para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2023.

Përderisa investimet kapitale në kulturë mbesin pika e dobët, Ministria e Kulturës s’e shfrytëzon as gjysmën e atij buxheti dhe për më tepër, 10 milionë euro prej tij, i shpërndan në subvencione. Kjo është njëra prej pikave që ka konstatuar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit, por të martën ka qenë në serinë e çështjeve për të cilat ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, është përballur me deputetët e opozitës. Çalimi në realizimin e projekteve kapitale është tejet kapital, përderisa subvencionimet që bën MKRS-ja, dalin të kenë telashe jo të vogla procedurale.

Mosdorëzimi i raporteve të arsyetimit në vlerë prej mbi 2.5 milionë eurosh, dobësitë te procedurat e prokurimit, avancat e pambyllura për udhëtime zyrtare e shfrytëzimi i buxhetit të investimeve kapitale për subvencione, janë disa nga çështjet për të cilat deputetët i kanë kërkuar llogari ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku paraditen e së martës.  I pari i MKRS-së ka raportuar para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për vitin 2023.

Mbi 2.5 milionë euro pa arsyetim shpenzimesh

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit nxjerr në pah dobësi jo të vogla të raport me proceset se si menaxhohet paraja publike në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit. Çalimi në realizimin e projekteve kapitale është tejet kapital, përderisa subvencionimet që bën MKRS-ja, dalin të kenë telashe jo të vogla procedurale. 

Sipas Raportit, auditorët kanë gjetur se në 19 raste në vlerë prej 2 milionë e 585 mijë euro nuk ishin dorëzuar raportet për arsyetimin e shpenzimeve nga përfituesit e subvencioneve siç përcaktohet me marrëveshje. Raporti shpalos që në dy mostra të testuara në vlerë prej 849 mijë e 699.... eurosh kishte dobësi në procedurat e prokurimit. Vonesat në pagesa bashkë me 28 mijë euro si avanca të hapura të udhëtimeve zyrtare për vitin 2023, qenë baza e diskutimit midis deputetëve dhe delegacionit të MKRS-së të kryesuar nga ministri Hajrulla Çeku.

“Në disa raste këto janë vepra penale”

Deputeti Hajdar Beqa derisa ka përmendur gjetjet e auditorëve në mostrat e testuara ka thënë se në cilësinë e juristit mund të thotë se disa prej tyre “përbëjnë vepra penale”. 

“Ka shkelje, a ka përgjegjës aty, a s’ka, mbetet te ju. Në disa raste këto janë vepra penale. Në Raport disa herë përdoret termi ‘për shkak të neglizhencës’”, ka thënë Beqa. 

Në këtë rast ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se e pranojnë që ka vonesa. Por nuk ka pranuar se ka të bëjë me vepër penale. 

“Nuk arrij të kuptoj se ku ka vepër penale. Sikur të kishte në do të nisnim veprime pasi ka pasur raste kur kanë nisur procedurat. Janë mbi një mijë përfitues nga organizata e individët. Sanksion yni është që ata që nuk i mbyllin nuk marrin më subvencione.  Është rritur mbështetja ndër vite, kurse kapacitetet e administratës nuk janë rritur. Administrata jonë, ky numër që është, janë shumë më pak sesa obligimet që kanë. Shtrirja e madhe punës me këtë kapacitet i ka sjellë vonesat. Edhe dyshimi më i vogël për vepër penale do të na aktivizonte te institucionet e drejtësisë”, ka thënë ai. 

Por diskutim pak më të vështirë ka pasur me kryetaren e Komisionit, deputeten Hykmete Bajrami. Ajo ka thënë se mund të merret si i mirëqenë fakti që MKRS-ja nuk ka kapacitetet e duhura për t’i mbikëqyrur të gjitha subvencionet. Por sipas saj është interesante, pasi në vitin 2021 janë dhënë 15.4 milionë euro subvencione, në vitin 2022, 13 milionë euro dhe në vitin 2023 janë dhënë 23 milionë euro subvencione. 

“Për tre vjet janë dhënë 50 milionë euro subvencione e në ndërkohë, shpenzimet kapitale janë shumë më pak, janë 25 milionë. Kjo, pavarësisht që buxhetin te shpenzimet kapitale e keni pasur shumë më të lartë. Aty s’keni pasur kapacitete, por kur ka qenë puna te subvencionet jo që i keni ekzekutuar, por një pjesë të shpenzimeve kapitale i keni dërguar te subvencionet dhe kjo është tepër interesante, sepse Ligji i buxhetit nuk e lejon një gjë të tillë”, ka thënë ajo. Bajrami, profesoreshë universitare e ekonomisë, ka shtjelluar më tej këtë çështje, duke thënë se në vitin 2023 buxheti fillestar i Ministrisë së Kulturës për projekte kapitale ishte 32 milionë euro. Më tej, ka thënë se buxheti final për këtë linjë gjatë atij viti ishte 24 milionë dhe u ekzekutuan veç 12.9 milionë euro. 

"Te subvencionet buxhetin fillestar e keni pasur 14 milionë, buxhetin final e keni bërë 22 milionë dhe ekzekutimin e keni 22 milionë. Nëse nuk ka kapacitete, nuk është dashur të shpërndahet buxheti kështu. Si po e matni rezultatin e dhënies së 50 milionë eurove subvencione në tre vjet”, ka thënë ajo.

“Përmbajtja është më e rëndësishme se ndërtesa”

Në këtë rast, ministri Hajrulla Çeku ka thënë se MKRS-ja i ka dy instrumente të mbështetjes: investimet kapitale që janë kryesisht ndërtesa, dhe subvencionet me të cilat mbështetet përmbajtja. Sipas tij, ndërtesat mund të bëhen, por nëse nuk ka aktivitet ku është poenta. 

“Janë dy instrumente ku asnjëra nuk është më e rëndësishme sesa tjetra. Unë besoj se në kulturë përmbajtja është më e rëndësishme se ndërtesa. Kur ka përmbajtje, performanca mund të luhet edhe në shesh. Subvencionet tona shpërndahen në tri linja: institucionet vartëse, sporti ku janë mbi 40 federata dhe veç një pjesë hyjnë te thirrjet publike”, ka thënë ai. 

Sipas Çekut, vitin e kaluar niveli i shpenzimit të buxhetit të MKRS-së ka qenë te 74, 75 për qind e shumës totale. 

“Te subvencionet kemi qenë përtej parashikimit tonë. Por në fillim kanë qenë tavanet që i vendos Ministria e Financave por më vonë kemi kërkuar mirëkuptim. Shpenzimi te investimet kapitale kanë qenë mbi 54 për qind”, ka thënë ai. 

Në këtë rast, deputetja Hykmete Bajrami ka thënë se si ka mundësi që 10 milionë euro të investimeve kapitale të kalohen te subvencionet pa pasur fare rishikim të buxhetit.  E zyrtarja e financave në MKRS, Atifete Jakupaj, është arsyetuar, duke thënë se disa nene të Ligjin për menaxhimin e financave publike krijojnë mundësitë që deri në 25 për qind e buxhetit të lëvizet brenda linjave. E deputetja Bajrami ka kundërshtuar duke thënë se 10 nga 32 milionë janë afro 30 për qind e atij buxheti. 

Çështje më vete ka qenë financimi i organizatës joqeveritare “Ec Ma Ndryshe”, themelues i së cilës është vetë ministri Hajrulla Çeku. 

Sivjet ajo organizatë është përkrahur me 257 mijë euro për tre vjet. Deputetja Bajrami ka pyetur se a është ai themelues i kësaj organizate dhe nëse vëllai i tij punon aty. 

“Unë ju kisha lutur të mos bëheni pjesë e kësaj shpifjeje. Në momentin që një shpifje e tillë ka dalë në publik unë këtë informacion e kam përcjellë te Policia e Kosovës  e Agjencia Kundër Korrupsionit Kam thënë se ky është një pretendim për keqpërdorim timin. Kjo është shpifje”, ka thënë ai.  Sipas Çekut, bëhet fjalë për një keqkuptim të qëllimshëm kur barazohet një organizatë joqeveritare me një biznes. 
“Kur e themelon një OJQ je veç themelues. Kur themelon një biznes je pronar a bashkëpronar. Kam punuar rreth 15 vjet në shoqëri civile. Kam qenë pjesë e shumë organizatave vendore e ndërkombëtare. Nga viti 2017 e kam ndërprerë aktivitetin në shoqëri civile. Nga viti 2017 nuk kam asnjë angazhim në asnjë organizatë. Nuk ka pronar në organizata”, ka thënë Çeku. Sipas tij,  disa organizata ku ka qenë i angazhuar kanë përfituar fonde para se ai të jetë ministër, marrin fonde edhe sot e beson se do të marrin edhe më pas. 

“Kam qenë pjesë jo vetëm e ‘Ec Ma Ndryshe’, por edhe shumë të tjerave. Vëllai im nuk ka qenë pjesë e asaj organizate, por më 2018 dhe 2019 ka pasur angazhime për shërbime të jashtme”, ka thënë ai.

Kontratat njëburimore 

Çështja tjetër ishin kontrata njëburimore. Ato ku zyrtarët e MKRS-së thërrasin një kompani të caktuar dhe negociojnë në tavolinë për punët që do të kryhen. Avazi i këtyre kontratave ka marrë hov prej kur MKRS-ja udhëhiqet nga ministri Çeku. 

“Rastet më të shpeshta kur kemi përdorur mekanizmin ligjor për kontrata njëburimore i kemi realizuar kryesisht në dy vjetët e parë të mandatit kur Kosova i ka pasur mbi 200 monumente në rrezik”, është arsyetuar ministri Çeku.