Argjenda Qena nuk ishte e vetmja familjare që nderoi nënën e saj, aktoren Leze Qena. Tok me të ishin edhe gjashtë “familjarë” të tjerë, aktorë e skenaristë, që për dhjetë vjet kishin punuar për së afërmi me aktoren e dashur. Në njëvjetorin e vdekjes artistja, e lindur në Prizren, është përkujtuar si një emër i veçantë që skenës, filmit dhe publikut ua dhuroi më të mirën e shpirtit të saj. Pozitiviteti i saj në “Familjen moderne” dhe jashtë saj, sipas skenaristes Visare Aliu, u përçua te çdo familje shqiptare
Kujtimet e ëmbla të shëmbëllesës së saj i kishin para syve edhe para varrit të saj ndanë të cilit ishte një qiparis. Me heshtjen e bardhë që theksohej edhe më nga bora në shpatet e varrezave të qytetit në lagjen “Arbëria”, homazhi kishte një përftesë më shumë sesa njëvjetorin e vdekjes së aktores që la trashëgimi buzëqeshjesh e mirësie.
Aktorë të kastit që për dhjetë vjet paslufte ishin pjesë e serialit të njohur televiziv “Familja moderne”, të enjten kanë bërë homazhe pranë varrit të aktores Leze Qena.
Në mëngjesin e 25 marsit të vitit 2020, kur aktorja e njohur kishte dhënë frymën e fundit, psikoza e frikës nga pandemia kishte privuar kolegë, miq e dashamirë që t’ia jepnin lamtumirën e fundit. Edhe varrimi ishte bërë veç në praninë e familjes së ngushtë.
Por edhe një vit më vonë pandemia ende dikton tekat e saj. Ndonëse rreth pesëdhjetë vjet jetë të Qenës kishin teatrin si fanar, Teatri Kombëtar i Kosovës nuk ka organizuar asnjë përkujtim për të shënuar përvjetorin e parë të aktores së njohur.
Adrian Morina, ushtrues detyre i udhëheqësit artistik të TKK-së, ka thënë se gjendja e krijuar me pandeminë e bën shumë të vështirë organizimin e planifikimin e ndonjë aktiviteti për shënimin e njëvjetorit.
“Shpeshherë edhe shfaqjet e repertorit të rregullt po detyrohemi t’i anulojmë”, ka thënë Morina për KOHËN, teksa ka shfaqur shpresën që do të vijnë ditë më të mira për të pasur mundësi për t’i kujtuar ata që kanë dhënë shumë për teatrin dhe artin.
E bija e aktores së ndjerë, Argjenda Qena, ka thënë se ende befasohet se sa shpejt është rrokullisur koha prej vdekjes së Lezes. Për të, ndjenjat në përvjetorin e parë ishin të përziera mes mërzisë dhe lumturisë, për faktin që njerëzit ende vazhdojnë ta duan.
“Është kjo dashuri që po i mbush zbrazëtirat tona”, ka thënë Argjenda, duke shtuar se edhe po të ishte gjallë nëna e saj do të donte që t’i shihte të gjithë të buzëqeshur.
Aktorja Vlora Merovci ka thënë se Qena iku nga kjo botë mu atëherë kur kishte filluar pandemia, pa përcjellje dhe nderime.
“Lum ajo për vete, për veprën e saj, por më dhimbset që iku në një kohë të pakohë”, ka thënë Merovci, e cila në serialin “Familja moderne” interpretonte rolin e Almes.
Ajo ka thënë se është mirë që aktorët e mëdhenj të marrin nderimin sa janë gjallë, porse ka shprehur bindjen se Lezja do të mbetet e pranishme për aq kohë sa kujtohet nga njerëzit.
“Ishte përherë e buzëqeshur e me pasion të madh për aktrimin”, ka shtuar Merovci.
Edhe dramaturgia Visare Aliu i mban të freskëta kujtimet për punën e bërë për dhjetë vjet në serialin e njohur dhe atmosferën që përçohej prej Qenes.
“Energjia që reflektohej prej saj kombinohej me disiplinën që kishte”, ka thënë Aliu, e cila kishte qenë skenariste në “Familjen moderne”.
“Që të dyja këto rezultuan me një produkt si ky serial që rrezatoi energji të mirë edhe te familjet në Kosovë”.
Duke evokuar momentet se si Qena vinte përherë e përgatitur në prova, ajo ka theksuar se këto kujtime sjellin buzëqeshje edhe në përkujtime si këto.
“Është thjesht i vobektë fjalori në krahasim me të bëmat e saj si aktore”, ka shtuar Aliu.
Edhe aktorja tjetër që kishte luajtur në këtë serial, Blerta Syla – Surroi, ka thënë se kolegët ruajnë kujtimet më të mira për Qenen.
“Ishte si një motor i pashtershëm i energjisë dhe gëzimit gjatë provave”, ka thënë Syla – Surroi. “E karakterizonte një shpirt i madh dhe ishte gëzim për të gjithë ne”.
Syla – Surroi ka kujtuar se si aktorja e dashur i qasej me seriozitet rolit të saj në serial. “E përjetonte si në jetën reale, kaq e natyrshme ishte energjia e saj”, ka shtuar ajo.
E lindur më 1 mars të vitit 1935, në Prizren, Elizabeta Spaqi mbaroi shkollimin fillor dhe atë të mesëm në vendlindje, për të vazhduar më pas edhe në Prishtinë.
“Njëherë moti në një natë dimri afër pranverës, mu atëherë kur shkunden plakat, në një shtëpi të vogël romantike ka lindur një fëmijë. Të gjithë u gëzuan për të, por më së shumti nëna. Linda më 1 mars 1935, në qytetin më të bukur në botë, në Prizren”, kishte thënë Qena pesë vjet më parë në emisionin “PRO X”, në Kohavision.
Si e dyta në familjen me shumë fëmijë, Qena kishte thënë se ajo kishte qenë gjithherë e përkëdhelura e prindërve të saj.
“Vërtet kushtet nuk kanë qenë sikur sot, por për mua ato ishin shumë të kënaqshme. Kam qenë fëmijë i llastuar prej babait, i cili ma plotësonte çdo dëshirë”, evokonte fëmijërinë e saj në Prizren.
Duke filluar nga viti 1954, si aktore në Teatrin Popullor Krahinor (TPK), ajo u shqua me shkathtësitë e saj interpretuese në shfaqjet e zhanrit komedi. Kreacionet më të suksesshme i dha në shfaqjet “Borëbardha dhe shtatë shkurtabiqët”, “Pjata e drunjtë”, “Kur është gruaja memece”, “Hanka”, “Miu në xhep”, e të tjera.
Ka interpretuar edhe role jo të pakta dramatike, ku shquhet për rolin e Ana Frankut te “Ditari i Ana Frankut”. Në role kryesore ka interpretuar edhe në shfaqjet gjatë viteve ’60 si: “Fjala është për banesë”, “Kvej Llan” (në gjuhën serbe), “Kushëriri prej Amerike”, “E shoqja e Hasan Agës”, “Familja e pikëlluar”, “Autobiografia”, “Nuk martohem me pare”, “Tartufi”, “Duart e papastra”, “Othello”, “Antigona”. Në dekadën pasuese Qena ka interpretuar edhe në inskenime të tjera si: “Perkolgjinajt”, “Të ngujuarit”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Hotel Kashta”, “Zëri i ndërgjegjes njerëzore” e të tjera.
Pos përvojës së gjatë në skenën teatrore në vend, aktorja Qena do të bënte emër edhe në miniseri televizive e komedi. “Po e zëm, po e zëm” (1970), “Ditari i Lec Pazhecit” (1975), “I ikuri” (1980), “Qesh e ngjesh” (1982) dhe “Shkolla e fshatit” (1987) ishin disa prej performancave të njohura të Qenës me të cilat bëri për vete simpatinë e publikut.