“Besoj dhe uroj që të mos vijmë në masën më ekstreme të grevës sonë, por nuk e përjashtoj absolutisht masën e fundit sindikale: grevën e urisë. Më shumë se kaq si artistë nuk e dimë se çfarë mund të bëjmë përballë një ministri dhe Ministrie të Kulturës që tenton t’i riedukojë e t’i riformësojë artistët e TKK-së”, ka thënë të mërkurën aktori Adrian Morina, njëherësh anëtar i Këshillit Grevist. Ka konfirmuar se grevistët po përballen me qasje shantazhuese nga ana e MKRS-së
Masa e fundit sindikale, greva e urisë nuk përjashtohet në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Pas më shumë se 100 ditëve grevë e jofunksionalitet të plotë të institucionit më të lartë teatror në vend, midis aktorëve ka edhe të tillë që janë të bindur të hyjnë në grevë të urisë në rast se nuk u plotësohen kërkesat. Moskomunikimi i Ministrisë së Kulturës me grevistët, mosplotësimi i kërkesave të tyre, bashkë me siç thonë ata “kërcënimet me largim nga puna e ndalje pagash” kanë bërë që të mendohet edhe greva e urisë.
Këtë e paralajmëron aktori Adrian Morina, njëherësh anëtar i Këshillit Grevist.
“Besoj dhe uroj që të mos vijmë në masën më ekstreme të grevës sonë, por nuk e përjashtoj absolutisht masën e fundit sindikale: grevën e urisë. Më shumë se kaq si artistë nuk e dimë se çfarë mund të bëjmë përballë një ministri dhe Ministrie të Kulturës që tenton t’i riedukojë e t’i riformësojë artistët e TKK-së. E këtu besoj që e kanë shumë gabim. Artistët nuk mund t’i nënshtrojë asnjë pushtet e lëre më një Ministri e Kulturës”, ka thënë Morina, të mërkurën.
Para disa ditësh, aktorët i janë drejtuar me një letër ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku ka i kanë bërë me dije se ka kaluar koha ligjore e ndërmjetësimit. Kanë kërkuar që të dinë se deri ku ka shkuar procesi i plotësimit të kërkesave të tyre dhe janë shprehur të gatshëm për takim të përbashkët. Por MKRS-ja s’u ka kthyer zyrtarisht ndonjë përgjigje.
Të hënën e kësaj jave ministri i Kulturës në detyrë, ka pritur në takim Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Krejt aktivitetet e tjera të asaj dite janë bërë publike, pos këtij takimi. Nga dy burime brenda takimit, KOHA ka marrë vesh se ministri Çeku ka folur me përbuzje për grevistët dhe ka thënë se për dy-tri javë do të zgjidhet kjo çështje. Synimet janë që nëpërmjet një rregulloreje për sistematizim të vendeve të punës të bëhet ngritje e pagës për aktorët. Por, KOHA ka mësuar se nëpërmjet një akti nënligjor është e vështirë të ngrihen koeficientet që janë nga 8 e sipër. As të mërkurën, Ministria e Kulturës nuk ka kthyer përgjigje.
Aktori Adrian Morina ka thënë së nuk e kanë besuar asnjëherë që do të vijnë në këtë pikë. Madje as se do të futen në grevë.
“Prej paralajmërimit tonë kanë kaluar 6 muaj. Po shihet se nuk është marrë askush me këtë çështje pasi për gjashtë muaj ka mundësi që të ndalet edhe lufta në Ukrainë e lëre më të zgjidhet një çështje e ansamblit rezident e disa pozitave teknike brenda TKK-së”, ka thënë ai.
Njëjtë si kolegu i tij, Shkëlzen Veseli ka treguar se jozyrtarisht kanë marrë kërcënime që këtë muaj pritet t’u ndalen edhe pagat për aktorët dhe të tjerët që janë në grevë.
“Kjo është totalisht e jashtëligjshme. Ne në secilin hap u jemi përmbajtur ligjeve sindikale në konsulta me SBASHK-un e inspektoratin e punës. Besoj që ministri dhe Ministria do të duhej shumë më shumë të fokusoheshin dhe të punojnë në plotësimin e kërkesave tona krejt legjitime sesa të merreshin me plane kërcënuese e shantazhuese për largim prej punës të aktorëve dhe të të tjerëve që e përkrahin grevën. Kjo e shpërfaq edhe një herë mashtrimin e madh. Tash e gjashtë muaj e që tash s’ka një letër konkrete”, ka thënë ai. Ka përsëritur se kërkesa e tyre qysh në fillim ka qenë t’u jepen vetëm afatet kohore se kur do t’u plotësohen kërkesat.
“Nuk e kanë marrë mundin që të përgjigjen në letra, por më shumë janë marrë me këtë pjesën shantazhuese ku të gjithë punëtorët e MKRS-së na thonë se ‘do t’ju dënojnë këtë muaj, puna do të fillojë tash’”, ka thënë Morina.
Ka përsëritur se janë për t’i dhënë epilog kësaj gjendjeje. Ka thënë se është optimist që kjo do të marrë fund pasi kanë filluar kërcënimet dhe kjo tregon se kanë marrë vëmendje.
“I bëj ftesë ministrit të Kulturës që s’ka nevojë të na dërgojë fjalë nëpërmjet ndërmjetësve. Jemi aq të edukuar e të kulturuar, të paktën edhe ai e thotë këtë vetë, kemi mundësi të diskutojmë e të flasim bashkë. Me ndërmjetës ka keqkuptime. Jam i sigurt se ai nesër do të thotë: ‘Asnjëherë nuk i kam kërcënuar, madje unë i kam përkrahur, jam për grevë’”, ka thënë Morina. Sipas tij, pagat e aktorëve të TKK-së janë të nivelit të atyre që pastrojnë kostumet e shfaqjeve.
“Me gjithë respektin për çdo profesion, fytyrat e aktorëve të TKK-së barazohen me ata që lajnë gardërobën. Për të gjitha kategoritë e artistëve në nivel vendi janë rritur pagat, janë nivelizuar edhe shtëpitë amatore të kulturës me artistët e TKK-së dhe kjo është tragjedia e madhe. Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj aktorëve të TKK-së duke dashur të na poshtërojnë e fyejnë”, ka thënë ai.
Sipas Morinës, aktorët e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë gëzojnë pagë prej 1700 eurosh në muaj, Teatri Shqiptar e ai Kombëtar i Maqedonisë po ashtu kanë paga mbi 1600 euro, në Bosnjë e Hercegovinë aktorët e kategorisë së parë marrin mbi 1800 euro.
“Ju e dini që aktorët kanë protestuar kundër secilës qeveri e dikur qeveria e sotme na përkrahte pasi ishin opozitë. Sot na thonë: ‘Jeni të politizuar nga partitë që dikur ishin në Qeveri’”, ka thënë ai.
Ka thënë se ministri i Kulturës Hajrulla Çeku përmend milionat vjetore për skenën e pavarur kulturore e miliona të tjera për ndërtesat e teatrove.
“Njerëzit që janë jashtë mund të besojnë se Kosova është një parajsë kulturore. I gjithë ky rregullim pagash, siç na ka sqaruar menaxhmenti, për të gjitha pozitat në TKK ka kosto vjetore rreth 50 mijë euro. Është e pamundur të bëjmë zgjidhje për një shumë të papërfillshme, kurse tenderat me 8, 10 e 20 milionë ato zgjidhen brenda natës me negociata të drejtpërdrejta, me ligje e pa ligje, s’ka kurrfarë problemi”, ka thënë Morina.
Qysh para nisjes së grevës, aktorët konsiderojnë se janë degraduar me Ligjin për pagat në sektorin publik dhe kërkojnë “asgjë më shumë se kthim ku kanë qenë të ranguar”. Këtë kërkesë e kanë pasur edhe kur kishte nisur aplikimi i këtij ligji para 22 muajsh. Koeficienti i atyre të kategorisë së parë ishte përcaktuar të jetë 8, kurse kërkesat qenë për 11. Përkthyer në shuma: paga e kategorisë së parë me koeficient 8 është 880 bruto.
Deri te greva aktorët kanë ardhur pas paralajmërimit të parë në mes të shtatorit, kur provat kishin nisur me 10 minuta vonesë.