Aktori i mirënjohur nga Kosova, Dukagjin Podrimaj, e ka bërë të ditur pjesëmarrjen e tij në filmin “The Crow: Reboot” që do të jepet premierë në vitin 2024. Ai ka luajtur përkrah aktorëve të njohur të Hollywoodit, si Bill Skarsgård, FKA Twigs, Danny Huston, Laura Birn e David Bowels
Një natë para dasmës së tij, muzikanti Eric Draven (Brandon Lee) dhe e fejuara e tij vriten brutalisht nga anëtarët e një bande të dhunshme brenda qytetit. Në përvjetorin e vdekjes së tyre, Eriku ngrihet nga varri dhe merr mantelin gotik të “The Crow”, një hakmarrës i mbinatyrshëm. Duke gjurmuar banditët përgjegjës për krimet dhe duke i vrarë në mënyrë të pamëshirshme, Eric përballet përfundimisht me kryegangsterin Top Dollar (Michael Wincott) për të përfunduar misionin e tij makabër.
Është kjo ngjarja e filmit të regjisorit Alex Proyas, “The Crow”, e vitit 1994. Gati 30 vjet pas, një tentativë e radhës për të sjellë versionin e ri të këtij filmi ka nisur të realizohet dhe pjesë e kastës së filmit “The Crow: Reboot” të 2024-s është edhe aktori nga Kosova, Dukagjin Podrimaj.
Në një intervistë për emisionin “Nëpër Film” në KTV, Podrimaj ka zbuluar detaje rreth filmit. Ka thënë se emra të njohur të kinematografisë botërore kanë kaluar nëpër këtë projekt. Dhe përfundimisht kasta është vendosur me aktorin e njohur hollywoodian Bill Skarsgård në rolin kryesor dhe rolet e tjera me aktorët Danny Huston, Laura Bin dhe FKA Twigs.
“Ky është projekti më i madhi që kam arritur. Regjisori është Rupert Sanders. Përndryshe kjo është ‘The Crow: Reboot’, që do të thotë se është bërë një version i ri i filmit ‘The Crow’ të vitit ’94 që ka qenë i regjisorit Alex Proyas, ku për fat të keq aty në set ka vdekur djali i Bruce Lees. Ka pasur edhe tendenca të tjera për një version të ri, por asnjëri nuk ka qenë i suksesshëm. Ky projekt që ka filluar ka shumë emra të njohur që kanë qenë të bashkëngjitur duke filluar nga rolet kryesore: Bradley Cooper, Jason Mamoa, Mark Wahlberg, Luke Evans e shumë emra të tjerë bashkë me regjisorë të tjerë. Ka përfunduar me Bill Skarsgård në rolin kryesor edhe Rupert Sanders”, ka thënë Podrimaj.
Podrimaj ka treguar për rolin e tij në film dhe ka theksuar se është një projekt ndryshe nga të tjerët. Ka thënë se gjatë xhirimeve nuk ka mundur të mos bëjë krahasime me përvojat e mëparshme.
“Unë përmes agjentes sime e kam bërë një audicion për një rol tjetër dhe ata më kanë përzgjedhur për rolin e Detective Milch . Kam shkuar në Pragë dhe nuk po flas për trajtimin, sepse është një projekt 100-milionësh edhe kam pasur 4 ditë xhirime dhe kam skenë me Billin, me rolin kryesor. Një skenë është goxha e gjatë, për në film nuk e di. E kanë të drejtën edhe ta largojnë, por është një rol kyç për fillimin fitimit të fuqisë së Eric Draven”, ka thënë Prodrimaj.
Pas filmit të 1994-s ka pasur tentime të shumta për të rifreskuar historinë e “The Crow”. Asnjëra prej tyre nuk ka rezultuar në një film apo edhe nuk ka vazhduar në faza të realizimit. Kjo ka bërë që fansat e këtij filmi të ndahen në dy grupe: ata që e presin një version të ri dhe ata që mendojnë se nuk do të duhej një gjë e tillë.
“Një film që ka shumë kritika midis fansave që e dëshirojnë një version të ri dhe atyre që nuk e dëshirojnë një version të ri, sepse mendojnë që ai film i vitit ’94 ka mbetur si kult”, ka bërë të ditur Podrimaj.
Bill Skarsgård është një aktor suedez. Ai është i njohur për portretizimin e Pennywise në filmat horror “It” dhe “It Chapter Two”, bazuar në romanin e Stephen King me të njëjtin titull. Paraqitjet e tjera horror i ka në filmin “Barbarian” dhe serialet “Hemlock Grove” dhe “Castle Rock”.
Ndërsa filmi “The Crow: Reboot” ka hyrë në fazat e zhvillimit në dhjetor të vitit 2008. Regjisorët Norrington, Juan Carlos Fresnadillo, F. Javier Gutiérrez dhe Corin Hardy fillimisht u nënshkruan si regjisorë për filmin, ndërsa Bradley Cooper, Luke Evans, Jack Huston dhe Jason Momoa ishin të menduar të gjithë si roli kryesor, Eric Draven, gjatë momenteve të ndryshme të zhvillimit. Skarsgård e mori rolin e Draven në prill 2022, së bashku me Sanders si drejtor. Xhirimet kanë nisur në korrik të vitit 2022, dhe janë realizuar në Pragë dhe Munich.
"Ka qenë një eksperiencë jashtëzakonisht e mirë. Për dijeninë time unë jam aktori i parë që kam luajtur në projekt të tillë dhe vij prej Kosovës. Ka edhe emra të tjerë si Arben Bajraktaraj, Blerim Destani, Nik Xhelilaj, do të thotë ka që kanë luajtur në projekte të tilla por jo që jetojnë në Kosovë. Është njëfarë dere që kur e hap thua se paska, qenka një derë diku”, ka përfunduar Podirmaj.
“The Crow” do të dalë nëpër kinema në vitin 2024 nga Lionsgate Films, në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa të drejtat e shpërndarjes ndërkombëtare të filmit janë blerë nga blerës të ndryshëm në Festivalin e Filmit në Cannes në maj të vitit 2022.
Dukagjin Podrimaj u lind më 2 janar të vitit 1986 në Prishtinë. Gjatë viteve 2010-2014 ka studiuar për Aktrim në Universitetin e Prishtinës. Puna e Podrimajt përmban një portofol kryesisht të ndërtuar mbi teatrin klasik, fizik, muzikal dhe filmin. Njihet për filma si “Zonjusha”, “Diamanti, “Adnan Kafazi”, “Nëntor i Ftohtë”, “Illyricvm” e “Escort”.