Gazmend Qyqalla beson se duke u bërë zë i fuqishëm i komunitetit të tij dhe duke kontribuuar në arsimimin e të rinjve, mund të arrijë barazinë të cilën e kishte ëndërruar si fëmijë. Për të arritur deri te fitorja, çdo ditë për të është një betejë e re kundër diskriminimit
“Të barabartë në shtator” shkruhet në murin e një prej ndërtesave që ndodhet shumë pranë lagjes ku është rritur aktivisti Gazmend Qyqalla. Rrëfimi i tij e dëshmon të kundërtën e kësaj. Kur ishte nxënës në shkollën fillore “Selman Riza” në Fushë-Kosovë, nuk ishte ndier i barabartë. As në raportin me nxënësit, as nga mësimdhënësit e kësaj shkolle. Thotë se për të dhe moshatarët e tij gjithmonë bankat në fund të klasës kishin qenë të rezervuara për ta.
“Fatkeqësisht, prej klasës të parë deri në të nëntën kemi qenë gjithmonë në bankat e fundit. Dhe kjo mendoj që është pjesë e madhe e diskriminimit”, e nis rrëfimin e tij aktivisti, kur flet për kohën e shkollimit fillor.
Imazhi i një “fëmijërie të lumtur”
Gati dy dekada pas, kur Qyqalla u kthehet kujtimeve, thotë se janë kapituj që lehtë e prishin imazhin e një “fëmijërie të lumtur”. Instinkti i vazhdueshëm për t’u vetëmbrojtur sot e ka bërë vigjilent ndaj gjithçkaje që ka të bëjë me komunitetet pakicë në Kosovë.
Gazmend Qyqalla, aktivisti që i përket komunitetit egjiptian, nuk është shkëputur as sot nga kujtimet e hidhura që kishte përjetuar si fëmijë. Diskriminimin që e lufton sot e kishte ndier nën lëkurën e tij si nxënës i shkollës fillore. Lufta dhe paragjykimet nga jashtë e kishin nxitur një luftë të madhe të aktivizimit brenda tij.
“Shkollën fillore e kujtoj me kujtime të mira dhe jo aq të mira, sepse ka qenë një periudhë menjëherë pas luftës dhe nuk ka qenë një periudhë e mirë për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, sepse marrëdhëniet me shokët, shoqet dhe nxënësit e tjerë nuk i kemi pasur të mira dhe kjo ka mundur të ndodhë edhe si pasojë e prindërve që nuk i kanë lënë fëmijët e tyre që të rrinë me ne”, tregon ai. Përveç nxënësve, thotë se diskriminimin e kanë ndier edhe nga arsimtarët gjatë mësimit. Njësoj edhe në vlerësim.
Jo rrallë thotë të jetë prekur edhe në orë mësimi. Jep shembuj konkretë për këtë. Termi “magjup” edhe në shkollë Qyqallën e kishte bërë shpesh të ndihej i ofenduar.
“Njëra nga arsimtarët që na e zëvendësonte orën e muzikës kishte thënë se ‘defi ka ardhë prej magjupëve dhe nuk është shpikje jona’. Mua më ka bërë të ndihem keq, sepse sa herë që është përdorur ky term, është nënkuptuar që po flitet për ne. Të kishte qenë defi krijim yni, kishte qenë nder për ne. Por, ajo edhe e përdor termin ‘magjup’ për ne, edhe thotë se defi është shpikje jona, sepse ‘këta merren vetëm me muzikë, sepse nuk dinë të bëjnë diçka tjetër’”, ka kujtuar Qyqalla.
“Ne diskriminohemi në shumë sfera, duke filluar në sferën e punësimit, ku komunitetet shpesh nuk pranohen në punë, sepse i përkasin një komuniteti ose për shkak të ngjyrës”
Shtëpia si i vetmi vend i sigurt
Me përçmim thotë se është shikuar gjithmonë nga të tjerët. Teksa rritej, ofendimet dhe nënçmimet filluan të bëhen një histori e përsëritur për Qyqallen. Si pasojë e kësaj, aktivisti egjiptian kujton se shtëpia ishte i vetmi vend i sigurt ku nuk sulmohej për shkak të përkatësisë së tij. Ai kujton se si pasojë e kësaj, një herë kishte përfunduar edhe në ambulancë i gjakosur.
“E mbaj mend që shumë shpesh jam rrahur edhe prej nxënësve të tjerë. Njëherë kam qenë edhe në ambulancë për shkak të kësaj. Këto kanë qenë periudha kur ne nuk kemi guxuar të dilnim shumë dhe prej shkollës. Është dashur të vinim direkt në shtëpi, sepse të kanë sulmuar njerëzit sapo e kanë parë që u përket komuniteteve”, ka rrëfyer tutje ai.
VIDEO:
Hapi i ri në jetë
Për fëmijët e lagjes ku jeton, Qyqalla sot është bërë një shembull inspirimi. Pikërisht aty pranë ka hapur edhe zyrën e punës – që të jetë i qasshëm kurdo për ta. Sapo i afrohet dyerve të saj, fëmijët e lagjes afrohen ta përqafojnë. Në drejtim të tij vërshojnë pyetjet për aktivitetet që i presin. Qyqalla kujton që aktivizmi për të filloi që prej moshës 14-vjeçare, ku për shumë vjet ka punuar si mësues në organizatën “Balkan Sunflowers Kosova”. Kjo ishte një mundësi që edhe Qyqalla të përfitonte njohuri të reja që ia kishte mohuar diskriminimi si fëmijë në shkollë.
“Ishte kampi veror i vitit 2009, kur kam hyrë në ‘Ballkan Sunflowers Kosova’ dhe në atë kohë kam qenë unë personi që kam pasur më së shumti mundësi për këshilla. Edhe unë kam mësuar shumë gjatë kohës sa kam qenë si tutor, sepse gjatë shkollës kemi qenë të diskriminuar, nuk kemi pasur mundësi të mësonim shumë, ndërsa në qendër ka qenë një mundësi të mësojmë shumë”, pohon ai. Gati një dekadë pas, Qyqalla u bë gati për një hap të ri në jetën e tij. Synimi kryesor ishte t’i fuqizonte të rinjtë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas.
Nga inkurajimi i tyre në vitin 2020, ai mori zemër për ta hapur organizatën e tij për të rinjtë – “Qendra e liderëve të rinj të komunitetit”. Aktivitete të ndryshme rinore, sportive dhe kulturore u ndihmojnë të rinjve që të zhvillohen në fusha të ndryshme.
“E kam quajtur kështu në mënyrë që të ketë liderë të rinj prej komunitetit në mënyrë që të kenë mundësi që ta luftojnë diskriminimin, por edhe që t’i mbrojnë të drejtat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian”, shprehet Qyqalla. Zyrën e tij në Fushë-Kosovë e ka shndërruar në një vend atraktiv për të rinj. Tavolina e gjatë u jep mundësinë që në aktivitetet edukative të përfshihen sa më shumë të rinj. Zyrën shpesh e ndan me Ardijan Krasniqin dhe Burhan Gashin, ku diskutojnë për aktivitete që mund t’u shërbejnë komuniteteve, të cilave ata u përkasin.
Gazmend Qyqalla, aktivisti që i përket komunitetit egjiptian, nuk është shkëputur as sot nga kujtimet e hidhura që kishte përjetuar si fëmijë
Shembull në komunitet
Gashi, i cili është bashkëpunëtor i ngushtë i Qyqallës, e kujton gjithmonë mikun e tij si njeri që nuk dorëzohet, duke çuar përpara në kauzat për të mbrojtur parimet e tij. Sipas Gashit, lufta e vazhdueshme e Gazmend Qyqallës për ta luftuar diskriminimin e ka bërë nevrik në reagime kundër padrejtësive.
“E përshkruaj si njeri mjaft energjik, punëtor dhe kohë pas kohe si nevrik, mirëpo kjo ka ndikuar realisht për shkak të gjendjes në të cilën jeton komuniteti”, ka thënë Gashi.
Ardijan Gashi kishte qenë një prej nxënësve që kishte përfituar nga njohuritë e Qyqallës kur ai ishte tutor. Guximi i tij kishte qenë udhërrëfyes për të.
“Gazmendi na ka pyetur çdo ditë: ‘Si po ndiheni në shkollë dhe nëse na ofendojmë të shkojmë te mësuesja dhe drejtoresha e shkollës’”, ka treguar Gashi.
Edhe gjatë hapjes së organizatës, Qyqalla ishte paragjykuar se nuk do të mund t’ia dilte. Ai thotë se shpesh janë vlerësuar si komunitet që di të pastrojë vetëm xhamat e makinave në rrugë. Qyqalla thotë se emra të zotë të këtij komuniteti e dëshmojnë të kundërtën.
“Ne diskriminohemi në shumë sfera, duke filluar në sferën e punësimit, ku komunitetet shpesh nuk pranohen në punë, sepse i përkasin një komuniteti ose për shkak të ngjyrës”, ka treguar ai. Sipas tij, për të dalë triumfues përballë të gjitha paragjykimeve lypet mosdorëzim. Mbi të gjitha për të çelësi i kësaj është arsimimi dhe jo braktisja e shkollës. Pikërisht për këtë mundohet t’i motivojë gjeneratat e reja.
“Të rinjve gjithmonë u them ta duan shkollimin dhe të jenë nxënës të mirë sepse vetëm në këtë mënyrë arrijnë t’i largojnë paragjykimet e njerëzve”, ka thënë ai. Ai vazhdon studimet në Fakultetin e Edukimit – drejtimi i Pedagogjisë. Dhe orientimi i studimeve të tij kishte qenë i kushtëzuar nga nevoja për t’i shërbyer komunitetit të tij në arsimim.
Gazmend Qyqalla beson se duke u bërë zë i fuqishëm i komunitetit të tij dhe duke kontribuuar në arsimimin e të rinjve, mund të arrijë barazinë të cilën e kishte ëndërruar si fëmijë. Për të arritur deri te fitorja, çdo ditë për të është një betejë e re kundër diskriminimit. Dhe Qyqalla nuk mund të dorëzohet përballë betejave të tilla.
“Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Human Rightivism”, që implementohet nga Integra dhe mbështetet nga Fondi për Zhvillim Komunitar - CDF dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë.”