Kulturë

Akademik Minir Dushi – pionieri i shkencës së xehetarisë

Minir Dushi në tetor të vitit 2016 gjatë një interviste për “Koha Ditore” (Foto: Alban Bujari)

Minir Dushi në tetor të vitit 2016 gjatë një interviste për “Koha Ditore” (Foto: Alban Bujari)

Do të bëhej shqiptari i parë që diplomoi në Fakultetin e Xehetarisë në Beograd e më pas edhe doktori i parë i shkencave në këtë drejtim po në këtë universitet. Me një karrierë të gjatë në minierën e “Trepçës”, themelues e profesor i Fakultetit të Xehtarisë dhe Metalurgjisë, akademik Minir Dushi hynë në plejadën e pionierëve të shkencës e zhvillimit të Kosovës. Akademik Dushi vdiq të hënën. Ai ishte 95 vjeç. Vdekja e akademik Dushit është parë si humbje e madhe për vendin

Në Kosovën e viteve ’40 një fillorist do të zgjidhte që t’ia mësynte shkollës së mesme teknike. Meqenëse ende nuk ekzistonte në vendin  e tij, Minir Dushi do të ndiqte mësimet në Nish. Do të bëhej shqiptari i parë që diplomoi në Fakultetin e Xehetarisë në Beograd e më pas edhe doktori i parë i shkencave në këtë drejtim po në këtë Universitet. Me një karrierë të gjatë në minierën e “Trepçës” e themelues e profesor i Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë, akademik Minir Dushi hynë në plejadën e pionierëve të shkencës e zhvillimit të Kosovës. Akademik Dushi vdiq të hënën. Ai ishte 95 vjeç. Vdekja e akademik Dushit është parë si humbje e madhe për vendin. Inxhinieri i parë shqiptar në Kosovë është vlerësuar lart edhe për kontributin e tij shkencor, duke lënë pas vetës djerra vepra e punimeve shkencore të botuara.

Fillet në kohën kur pak dihej për xehetarinë

I lindur në Gjakovë më 25 maj të vitit 1929, akademik Dushi po në këtë qytet do të përfundonte edhe shkollën fillore. Si 15-vjeçar do të angazhohej në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Sipas biografisë së Dushit të publikuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, ai Shkollën e mesme teknike e mbaroi në Nish më 1950, studioi në Fakultetin e Xehetarisë të Beogradit, ku diplomoi në vitin 1958. 

“Doktoroi në Universitetin e Beogradit në vitin 1965, që ishte njëri prej shqiptarëve të parë, e ndoshta i vetmi që ka doktoruar nga shkencat teknike në këtë Universitet”, shkruhet në biografi. Akademik Dushi pas diplomimit punoi në horizontet e minierës së Trepçës, ku ka drejtuar Repartin e mbushjes së boshllëqeve të krijuara nga nxjerrja e xeherorit. Ky repart ishte ndër më të rëndësishmit për prodhimin e xeherorit në Kombinatin e Trepçës. Ushtroi funksione të ndryshme udhëheqëse në kombinatin “Trepça” si në cilësinë e drejtorit të Institutit për zhvillimin tekniko-teknologjik të Trepçës.

Pas vitit 1986 ishte zgjedhur anëtar i Kryesisë së Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës, që ishte organi më i lartë drejtues i saj kohe. Sipas biografisë, ishte themelues dhe drejtues i disa institucioneve shkencore dhe mësimore-shkencore të Kosovës. 

“Këto ishin: Shkolla e Lartë Teknike në Mitrovicë (1961-1966), Instituti i Plumbi dhe i Zinkut i Kombinatit ‘Trepça’ (1966-1973), Fakulteti i Xehetarisë dhe i Metalurgjisë fillimisht në Prishtinë (1970) e më vonë në Mitrovicë (1975-1979) dhe sërish në Institutin e riorganizuar në Institutin tekniko-shkencor të Kombinatit “Trepça” 1978-1981”, shkruhet në biografi.

Në vitin 1969 u zgjodh profesor inordinar i Fakultetit Teknik të Prishtinës. Në qershor të vitit 1975 u zgjodh profesor ordinar i Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë dhe dekan për dy mandate. Qysh nga themelimi i Universitetit të Prishtinës (1970) ishte zgjedhur zëvendësrektor i parë, kurse në vitin 1981 pas demonstratave të pranverës studentore u zgjodh rektor (1981-1983). Anëtar korrespondent i ASHAK-ut u zgjodh që nga themelimi i institucionit në vitin 1975, kurse në vitin 1978 u zgjodh anëtar i rregullt.

“Rreth 5 vjet ishte në krye të Bashkësisë së Institucioneve Shkencore të Kosovës aty përveç koordinimit të bashkëpunimit të këtyre institucioneve shkencore ka drejtuar edicionin e botimeve të më se 40 veprave shkencore të punëtorëve të këtyre institucioneve kosovare. Ka marrë pjesë në simpoziume e konferenca shkencore në vend e në botën e jashtme”, shkruhet në biografi. 

Opusi shkencor dhe profesional i akademik Minir Dushit arrin mbi 180 njësi bibliografike. Nga fusha e xehetarisë ka botuar 8 vepra e afro 70 punime shkencore dhe profesionale. Ka të botuara 18 libra shkencorë, 4 janë tekste universitare – tre në gjuhën shqipe dhe një në gjuhën serbokroate – kurse 14 të tjera janë vepra të veçanta të botuara nga ASHAK-u, Universiteti i Prishtinës dhe nga Bashkësia e Institucioneve Shkencore të Kosovës.

Sipas biografisë, akademik Minir Dushi është nderuar me 28 shpërblime të ndry-shme, mirënjohje, diploma, pllaketa e dekorata. 

Akademik Minir Dushi është shpallur qytetar nderi i dy qyteteve të Kosovës, Mitrovicës dhe i Gjakovës.

Në 25-vjetorin e Universitetit të Prishtinës, Senati i këtij Universiteti ia dha titullin “Profesor Emeritus”, kurse Këshilli Shkencor-Mësimor i Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë në dhjetor të vitit 1996 e ka shpallur “Dekan Nderi”. 

“Që nga themelimi (1980) me një ndërprerje të shkurtër deri më 2016 ka qenë kryeredaktor i revistës ‘Kërkime’ që botohet në ASHAK, dhe kryeredaktor i revistës ‘Plumbzinku’ të Institutit të Plumbit dhe Zinkut të kombinatit ‘Trepça’. Po ashtu bashkërisht me gjeologët S. Kovaçinën dhe B. Dragën kanë qenë themeluesit e Muzeut të Kristaleve në Minierën e Trepçës në Stantërg (1964)”, shkruhet në biografi.

“Transporti në miniera”, “Makinat minerare”, “Pajisjet minerare ngitëse”, Makinat minerare transportuese”, “Sistemet ciklike të transportit”, “Trepça”, “Universiteti i Kosovës (1981-1983)”, “Zhvillimi i shkencave të xehetarisë dhe të metalurgjisë në Kosovë”,  (1970-2005), “Veprimtaria shkencore në ‘Trepçë’ 1950-1987”, “Pasuritë minerale të Kosovës I-II”, “Qymyri i Republikës së Kosovës”, “Boksitet e Dukagjinit”, “Hajdar (Beg) Dushi, Jeta dhe veprimtaria patriotike e Heroit të Popullit”, “Xeheroret e Nikel-Kobalit të vendit tonë” dhe “Shtigjet e jetës sime”, janë midis veprave të akademik Dushit.

Inxhinieri i parë shqiptarë si dritë shprese në “Trepçë”

Profesori i xehetarisë në Universitetin e Mitrovicës, Izet Zeqiri, përmend faktin se ishte miniera e Devës që i ndau bursën dhe e kushtëzoi që të studionte për xehetari, pasi akademik Dushi në shkollë të mesme ishte në drejtimin e elektroteknikës. Bashkëpunëtori i Dushit, Zeqiri, ka thënë se gjatë gjithë kohës së tij në Trepçë, akademik Dushi ka krijuar shumë shokë e miq nga radhët e minatorëve me të cilët ka pasur biseda të përzemërta duke iu dhënë zemër për ditë më të mira që do vinin. Sipas deri atëherë minatorët ishin mësuar të punonin vetëm me inxhinierë të huaj.  

“Gjithmonë i ka këshilluar të kultivojnë gjuhën shqipe e të mos e përziejnë me sllavishten siç ishin mësuar të vepronin asokohe. Ata më kureshtarët që ishin, hapnin derën e zyrës së tij vetëm për të pa si duket inxhinieri shqiptar. Ndërkaq, disa nga punëtorët deklaronin se me ardhjen e inxhinierit të parë shqiptar në minierën e ‘Trepçës’ ishte hapur një dritare për nga ka hyrë drita e shpresës në minierë”, ka thënë Zeqiri. 

Sipas tij, në veprën monografike “Trepça” shprehet synimi i sinqertë dhe serioz i përkushtimit të madh dhe dëshira për të pasqyruar në mënyrë të shumanshme tërësinë e zhvillimeve, duke u mbështetur gjithnjë në  dokumentacionin e besueshëm burimor.  

“’Trepça’” është një vepër monografike e cila tërësisht i kushtohet veprimtarisë komplekse industriale mbi bazën e hulumtimeve, të shfrytëzimit e të përpunimit të xeherorëve të plumbit dhe zinkut dhe të shoqëruesve të tyre nga vendburimet e numërta. Minierat e Trepçës ishin mbështetje e fortë nga të cilat janë ngritur një tërësi ndërmarrjesh aktive, ndërmarrjet përpunuese të metaleve bazike, të përfshira në Sistemin Integrues Tekniko-Teknologjik ‘Trepça’”, ka thënë ai. Sipas profesor Zeqirit, në thelb në këtë monografi ndërthuret në një kompozit të përbashkët historiku xeheror i formimit të mineralizimeve dhe trupave xeherorë të plumbit dhe zinkut në vendburime të ndryshme, historiku i zbulimit të përqendrimeve industriale në to si dhe tërë historia e zhvillimit të industrisë së nxjerrjes dhe përpunimit, deri në shkallën e finalizimit të përdorimit të metaleve aq të çmueshëm për ngritjen e gjithanshme të ekonomisë dhe të shoqërisë drejt niveleve më të larta prodhuese e qytetëruese.

Figura e shquar 

Historinë e tij në raport me jetën e karrierën, akademik Dushi e kishte shpalosur në një intervistë të gjatë për “Oral History Kosova” më 2018. Do të tregonte se në kohën kur ai ia mësyu të studionte për xehetari, pakkush e njihte këtë fushë. 

“Më pyetshin tanë po çka ashtë kjo xehetaria? Askush nuk dike në Gjakovë, e Pejë, e Kosovë, çka ashtë xehetaria. Ai profesion i cili ishte më së shumti i nevojshëm për Kosovën për shkak të pasurive të jashtëzakonshme të territorit, sot të Republikës së Kosovës. Dikush dike me thanë: ‘po a di bre shka o ajo, po madenet  bre, madenet që i nxjerrin në Trepçë me atë tjerrësin”, do të kujtonte ai. Miniera e Dëvës së Gjakovës e kishte pajisur me bursë, por ai absolvent ajo do t’i ndërpritej me arsyetimin se ishte “fëmijë e kapitalistëve” pavarësisht se kishte qenë partizan. Siç rrëfente Dushi, do t’i drejtohej minierës së “Trepçës” dhe do ta merrte mbështetjen. Dushi do të kujtonte se punëtorët hapnin derën e zyrës për të parë se si duket një inxhinier shqiptar. Lidhja e akademik Dushit me Mitrovicën qe e fortë. 

Komuna e Mitrovicës nëpërmjet një telegrami të ngushëllimit, ka kujtuar akademik Dushin. 

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademikut Minir Dushi, inxhinierit të parë shqiptar dhe një figure të shquar në fushën e mineraleve. Dushi ishte një personalitet i njohur dhe i nderuar, themelues i shkollës së lartë teknike në Mitrovicë, drejtor në Trepçë dhe inxhinieri i parë shqiptar, i cili la një trashëgimi të vyer në zhvillimin e industrisë dhe shkencës”, shkruhet në telegram. Sipas telegramit, kontributi i tij do të mbetet i paharruar dhe frymëzues për brezat që do të vijnë. Sipas njoftimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, sot (e martë) inxhinieri i parë shqiptar do të nderohet në Mitrovicë, ku nga ora 12:00 deri në orën 14:00 do të bëhen homazhe në shtëpinë e kulturës “Rexhep Mitrovica”. Më pas të mërkurën në orën 10:00, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës do të mbahet mbledhje komemorative dhe më pas, po në mjediset e Akademisë, do të mbahen homazhe, deri në orën 11:30. Po atë ditë në Gjakovë, në shtëpinë e kulturës “Asim Vokshi”, nga ora 14:00 deri në orën 15:00 do të mbahet mbledhje komemorative. Varrimi i akademik Dushit do të bëhet në varrezat e qytetit të Gjakovës në orën 16:00.