Kulturë

Akademik Idriz Ajeti vlerësohet lart nga bashkëpunëtorët

Veprimtaria që ka lënë pas në fushën e albanologjisë akademiku Idriz Ajeti, është vlerësuar lart nga bashkëpunëtorë të tij, raporton KTV.

Në mbledhjen përkujtimore të organizuar nga Instituti Albanologjik i Kosovës u tha se albanologu Ajeti do të kujtohet për trashëgiminë e begatë për gjuhën dhe kulturën shqiptare, për të cilën, sipas tyre ka punuar shumë.

Ndërsa, ish-drejtori i këtij instituti, ka thënë se akademik Idriz Ajeti ishte ndër udhëheqësit e parë të shumë institucioneve të rëndësishme të Kosovës.

Instituti ka bërë të ditur se nga ky vit do të fillojë me ndarjen e çmimit për veprën më të mirë në fushën e studimeve shqiptare, çmim ky i cili do të mbajë emrin e Akademik Idriz Ajetit.

Akademik Idriz Ajeti vdiq të mërkurën, në moshën 102-vjeçare.

Para se t’i jepej lamtumira e fundit albanologut Ajeti, edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës ka mbajtur mbledhje komemorative, në të cilën u tha se ai ishte përfaqësues i shquar i brezit të intelektualëve të Kosovës.

Kurse, edicioni i katërt i ceremonisë së shpërblimeve vjetore për gazetari dhe letërsi “Rexhai Surroi”, kishte shpërblyer për vepër jetësore akademikun Idriz Ajeti.

Aty ishte shfaqur edhe një dokumentar, në të cilin gjuhëtarët kishin folur në superlativ për veprat e Ajetit.