Kulturë

“Ajo që ia thotë këngës…” për lidhje gjeneratash në Galeri

Skenë nga “Melted into the Sun”

Skenë nga “Melted into the Sun”, Saodat Ismailova, video, 2024. Kjo vepër është njëra prej veprave të 23 artistëve që sjell ekspozita “Ajo që ia thotë këngës…” në kuadër të ekspozitës së 17-të ndërkombëtare të fotografisë dhe imazhit lëvizës “Gjon Mili”, që do të hapet më 23 janar në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Galeria Kombëtare e Kosovës e hap programin vjetor të saj me ekspozitë të frymëzuar nga tradicionalja, që bën homazhe dhe që “manifeston” gjestet e trashëguara. “Ajo që ia thotë këngës…” në kuadër të ekspozitës së 17-të ndërkombëtare të fotografisë dhe imazhit lëvizës “Gjon Mili” mbledh veprat e 23 artistëve kryesisht nga Ballkani, por që “rrënjët” e kontekstit të saj janë në Kosovë. 
Kjo ngase bëhet e ditur se ekspozita është frymëzuar nga “tepsia” – praktikë muzikore tradicionale e Kosovës që ishte performuar kryesisht nga gratë. 

“Kjo formë unike kombinon meloditë vokale me rrotullimin ritmik të tepsisë. Këtu tepsia bëhet metaforë e gjesteve të trashëguara – që janë përcjellë prej nënës tek e bija – që lidhin gjeneratat me brezat e kaluar. E përqendruar në një këngëtare të panjohur, ekspozita eksploron traditat gjinore dhe përmbysjen e tyre të vazhdueshme duke shqyrtuar fotografinë, imazhet lëvizëse dhe praktikat zanore si mediume të fuqishme dhe arkiva që përfshijnë narrativa të brezave të ndryshëm”, bëhet e ditur në komunikatën e Galerisë Kombëtare të Kosovës për ekspozitën me kuratore nga Valentine Umansky  nga “Tate Modern” të Londrës, e cila do të hapet të enjten e 23 janarit. 

Aty shpjegohet se ekspozita në njërën prej veprave bën homazh. “Ekspozita i bën homazh filmbërëses Trinh T. Minh-ha e cila në grua, vendase, tjetra e përshkruan recituesen – tregimtaren, perëndeshën mitologjike, gruan fallxhore – si dikë, të vërtetat e së cilës i shpalos koha. ‘Po pate durimin të dëgjosh, ajo do të gjejë kënaqësi duke folur për ty’. Veprat në ekspozitën ‘Ajo që ia thotë këngës...’ mishërojnë këto arketipa, duke e ftuar publikun të lidhet më thellë me historitë e paraardhësve të cilat na i kanë treguar gjyshet”, shkruhet në komunikatën e së enjtes. 

Artistët pjesëmarrës në ekspozitë janë: Ivana Basiq, Kristina Benjocki, Semâ Bekiroviq, Angela Blazhanoviq, Zheljka Blakshiq, Vera Hadzhiyska, Majlinda Hoxha, Astrit Ismaili, Saodat Ismailova, Shejla Kameriq, Lebohang Kganye, Ana Likar, Glorija Lizde, Maria Mavropoulou, Klodiana Millona e Endi Tupja, Joanna Piotrowska, Stanislava Pinchuk, Iva Radivojeviq, Lala Rashqiq, Simon Shiroka, Huda Takriti dhe Clarissa Tossin.

Në komunikatë është bërë e ditur sipërfaqësisht se çfarë mund të presë publiku në ekspozitën e parë të Galerisë për sivjet. Aty flitet për përmbajtjen e veprave dhe strukturën e ekspozitës. 

“Pjesa hapëse e ekspozitës shpalos vepra të Huda Takritit, Kristina Benjocki, Joanna Piotroëska, Lebohang Kganye dhe Angela Blazhanoviq, secila prej tyre në përfytje me kujtimet e fragmentuara dhe (pa)mundësinë e rigjurmimit të prejardhjeve familjare. Ashtu si rrotullimi i një tepsie, gjestet e tyre të ngadalta dhe të qëllimshme ringjallin tregimet stërgjyshore që janë në rrezik për t’u humbur. Pastaj ngrihet era. Shtohen ulërima dhe gumëzhima. Teksa skulpturat e qelqit të Ivana Bashiqit që u ngjasojnë mushkërive flasin për frymën që i formoi ato, amuletet e Saodat Ismailovës, si hajmali, pëshpëritin një këngë që udhëton përtej kohës”, shkruhet në komunikatë për veprat. 

Bëhet e ditur se titulli i ekspozitës është frymëzuar nga vepra e artistes kroate Lala Rashqiq derisa shpjegohet gjithashtu puna e saj dhe e artistëve të tjerë, përfshirë edhe artistin Astrit Ismaili. 
“Instalacioni i Clarissa Tossinit ringjall instrumentet frymore të Majave parakolumbiane përmes kopjeve të printuara në 3D të atyre që mbahen në koleksionet e muzeut, duke rigjallëruar sistemet e njohurive indigjene, duke lejuar që tingulli të tingëllojë edhe një herë. Lala Rashqiq, puna e së cilës frymëzoi titullin e ekspozitës, së bashku me Sema Bekiroviq dhe Astrit Ismailin, luftojnë me tepsinë si një objekt, duke kërkuar mënyra për të ‘shpërthyer’ traditat shtrënguese dhe strukturat shoqërore shtypëse”, shpjegohet në komunikatë. 

Bëhet e ditur se derisa ekspozita i afrohet fundit, e zhvendos fokusin e saj në “arketipat e rebelimit dhe çlirimit”. 

“Nga puna e pamëshirshme e punëtorëve të fabrikës në veprën e Zheljka Blakshiqit deri te plagët e pashlyeshme të luftës në instalacionin e Stanislava Pinchuk, këto vepra marrin në pyetje figurën e qëndrueshme të shtrigës dhe fallxhores – gra të pamartuara, pa fëmijë, të pavarura që shpesh të përbuzura për veprimet e tyre. Këtu ajo që kallëzon tregimin shndërrohet në gruan merimangë”, shkruhet në komunikatë. 

Me këtë rast do të përzgjidhet artisti fitues i çmimin “Gjon Mili”. Juria përbëhet nga filozofja e artistja sllovene Marina Grzhiniq, historiani i artit e kuratori grek Stamatis Schizakis dhe profesori i historisë së artit dhe i pikturës, Zef Paci, nga Shqipëria. 

Kjo është ekspozita e parë e Galerisë Kombëtare të Kosovës për këtë vit. Vjet Galeria më 19 janar e kishte hapur ekspozitën “Dita Natë, Nata Vjet” të kolektivit “Haveit” e bartur nga programi i vitit paraprak. Më 29 shkurt qe hapur ekspozita kolektive “Ngjarja e një fijeje: Narrativat globale në tekstil” me artistë ndërkombëtarë. Në mars është publikuar vëllimi i tretë i botimeve “Palimpsestet e Historisë” nga Sezgin Boynik dhe Tevfik Rada. Më 15 maj Galeria hapi ekspozitën retrospektivë të artistit Gjelosh Gjokaj të titulluar “Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokaj“, të kuruar nga Shkëlzen Maliqi. 

Programi i pjesës së dytë të vitit nisi me ekspozitën personale “Udhët që më njohin” të artistit Rron Qena, kuruar nga Lulzim Zeqiri, e cila u hap më 17 korrik. Më 19 shtator u hap ekspozita personale e artistit Dren Maliqi me titull “Spätwerk“, e kuruar nga Catherine Nichols. Programin vjetor e mbylli me artisten kroate Sanja Ivekoviq. Në krejt hapësirat e Galerisë u shtri ekspozita “Shtëpia e grave”.