Kulturë

“Ajo çka rrëfejnë refugjatët është e llahtarshme...”

29 mars 1999

Ajo çka rrëfejnë refugjatët është e llahtarshme, për t’u dëshpëruar. Unë kam vendosur që specialistët tanë t’i marrin në pyetje refugjatët, të mbledhin dhe të vlerësojnë të dhënat për krime lufte, mizori dhe brutalitete të llahtarshme. Planifikimi i operacioneve të NATO-s (përgatitur nga ushtarakët, vendosur nga të gjitha shtetet anëtare në Këshillin e NATO-s), parashihte së pari koncentrimin e 50 për qind të sulmeve ajrore kundër mobileve ushtarake, 30 për qind kundër pajisjeve telekomunikuese dhe 20 për qind të sulmeve të tjera kundër pajisjeve furnizuese. Prej pajisjeve telekomunikuese, 70 për qind do të shtrihen në Kosovë dhe rreth 30 për qind në jug të Beogradit dhe në shkallën e 44-të gjeografike. Për këtë, në fillim qenë në dispozicion 260 aeroplanë. Prej tyre, rreth 40 për qind u përdorën për zbulim, për presion elektronik kundër mbrojtjes kundërajrore të kundërshtarit dhe për mbrojtjen e aeroplanëve tanë, si dhe si aeroplanë cisterna. Për shembull, një aksion i tornadove gjermane për luftimin e mbrojtjes kundërajrore të kundërshtarit dhe për mbrojtjen e aeroplanëve të tjerë të NATO-s, startonte në Piaçenca (Itali) dhe zgjaste pastaj midis pesë deri në shtatë orë. Të fluturosh në krye të një njësie, për të shkyçur, vënë nën presion elektronik dhe luftuar mbrojtjen kundërajrore të kundërshtarit, ishte tepër e rrezikshme. Këto fluturime ishin për pilotët një rëndim shumë i madh trupor e shpirtëror. Bisedat e mia me pilotët treguan se ata po e kryenin detyrën e tyre me vetëdije të madhe dhe profesionalizmin më të lartë. Tendosja dhe rëndimi, tregonin ata, binin poshtë në çastin e startit. Para dhe pas aterrimit, sidoqoftë, e tërë kjo ishte ndryshe...

Përballë rreziqeve dhe rëndimeve të aksioneve të tilla, kontributi ushtarak, planifikues dhe logjistik duket i paktë. Mirëpo, ai është parakusht për atë që startimet dhe aterrimet e disa qindra aeroplanëve në katërmbëdhjetë aeroporte në Itali, dhe të një numri po aq të madh të aeroporteve jashtë Italisë, të mund të koordinohen dhe të realizohen suksesshëm. Gjatë bisedës sime të mbrëmjes në selinë qendrore të NATO-s ekzistoi njëzëshmëri që numri i aeroplanëve duhet të rritet në mënyrë kontinuitive dhe me këtë edhe presioni mbi ushtrinë jugosllave dhe bandat kriminele, të cilat donin të çonin në fund veprën e përgjakshme të Milosheviqit.

Në ditën e njëjtë, Joschka Fischer i kishte quajtur si akt barbar të bërjes së luftës, në përmasën e tyre shokuese, njoftimet për spastrime etnike dhe dëbime: “Forma sesi tentohet në Beograd, për të krijuar fakte të përgjakshme, nuk mund të pranohet”.

Diskutimi publik rreth vënies në veprim të trupave tokësore u bë më i fortë përballë fotografive tmerruese nga Kosova dhe, para së gjithash, përballë numrit në rritje të refugjatëve. Qëndrimi i qeverisë federale lidhur me vënien në veprim të trupave tokësore nuk kishte ndryshuar. Nga ana tjetër, dhe këtë e dinim ne shumë më saktë sesa që mund ta paraqisnim publikisht, vënies në veprim të trupave tokësore, që nga fillimi, nuk i rrinte përkundër vetëm një vendim politik, por edhe kufij ushtarakë e logjistikë. Për krijimin e trupave u deshën shumë muaj, mbeti hapur nëse shtetet anëtare vërtet do të ishin në gjendje, në një kohë relativisht të shkurtër, të ngrenë në këmbë rreth 200 000 ushtarë ose madje edhe më shumë në cilado shtete për t’i stacionuar dhe për t’i vënë në veprim në Ballkan. Të gjithëve, të cilët diskutuan për trupat tokësore, u shpëtoi pa parë se përgatitja me muaj të tërë e trupave tokësore nënkuptonte gjithashtu sulme ajrore me muaj të tërë.

Ne e ndienim veten, përmes një ankete të parë, të vërtetuar shtesë në kursin tonë. Pastaj, gati 63 për qind e popullsisë gjermane mbështesnin ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë.

“Numri i refugjatëve rritet. Vetëm për në Shqipëri janë dëbuar dje rreth 60 000 njerëz...”

30 mars 1999

Numri i refugjatëve rritet. Vetëm për në Shqipëri janë dëbuar dje rreth 60 000 njerëz, në ankth.(...) NATO-ja kishte krijuar dje një “zonë të posaçme luftimi” në rajonin kufitar me Shqipërinë dhe Maqedoninë, gjithashtu edhe për të vështirësuar dëbimin. Atje duhet të luftohen në mënyrë gravituese caqet ushtarake, edhe për të vështirësuar dëbimin e mëtutjeshëm të njerëzve nga Kosova. Në mbrëmje në rezidencën e kancelarit: kancelari federal bisedonte me Primakovin, ministri i Jashtëm me kolegun e tij Ivanov, unë bisedoja me kolegun tim rus Sergejev. Bisedat janë serioze dhe frustuese. Partnerët tanë rusë të bisedimeve nuk kanë sjellë asgjë nga Beogradi, çka do të nënkuptonte kthimin e refugjatëve, garancitë ndërkombëtare për sigurinë e tyre, fundin e dëbimeve dhe një garanci të qëndrueshme për të drejtat e njerëzve dhe minoriteteve në Kosovë.

Më vonë është kritikuar publikisht se qeveria federale dhe kancelari federal i kishin “kryer shërbim” kryeministrit rus. Ne e dinim që më parë, nga burimet tona të shërbimeve sekrete, se gjatë përgatitjeve të bisedimeve në Beograd kishte pasur kontakte ruse me Milosheviqin. Kjo është madje krejtësisht e zakonshme. Sidoqoftë, nuk do të ishte befasuese, nëse lajmet nga Beogradi do të ishin në thelb të pakta ose bile josubstancionale: nëse NATO-ja i ndal aktivitetet e saj, atëherë pala jugosllave bie dakord për rifillimin e bisedimeve, sidoqoftë në një territor neutral. Siguri për një armëpushim ose për kthimin e refugjatëve në atdheun e tyre nuk kishte, pra vrasja do të kishte vazhduar. Duke marrë parasysh këto parainformacione dhe informacionet të cilat ne i morëm pak pas udhëtimit të delegacionit rus nga Beogradi, ne harmonizuam qëndrimin dhe reagimet tona me partnerët e NATO-s. Schröder e Fischer propozuan të shpjegohej kujdesshëm qëndrimi i NATO-s dhe të parashtroheshin edhe një herë caqet politike. Ne do ta nderonim kontributin rus për ndërmjetësim, por s’do ta pranonim rezultatin, dhe njëkohësisht do ta lusnim Rusinë të vazhdojë përpjekjet e saj. Nga ana tjetër: duke marrë parasysh vlerësimet e ndryshme brendapërbrenda qeverisë ruse dhe konfliktin midis qeverisë ruse dhe parlamentit rus, ne donim që prej tash të koncentroheshim para së gjithash në qëndrimin e kryetarit rus dhe sjelljes së tij të ardhshme.

Politika barbare dhe pika kulmore e kasaphanës

31 mars 1999

Në mbledhjen e kabinetit folën hollësisht mbi gjendjen në Kosovë. Mua më elektrizon një informatë se, siç duket, ekzistojnë fakte që armata serbe/jugosllave po zbatonte një plan operativ të përcaktuar prej kohësh. Në konferencën për shtyp, Joschka Fischer e quan politikën e Milosheviqit “barbare dhe pikë kulmore të kasaphanës”. Kush dëgjon më saktë, njeh konturat e para të shoshitjeve tona, e posaçërisht të punës së Ministrisë së Jashtme, në një katalog kushtesh, pas plotësimit të së cilave mund të ndalen masat ushtarake dhe mund të mundësohet kthimi në një stabilitet afatgjatë në Ballkan. Fischer përmend dy shtylla: një pakt regjional sigurie të garantuar ndërkombëtarisht, i cili përfshin të gjitha interesat e sigurisë së popujve pjesëmarrës dhe minoriteteve. Një strategji zhvillimore ekonomike, e cila ua mundëson popujve të Ballkanit një afrim në integrimin evropian, të lidhur me një strategji demokratizimi.

Unë paraqes rezultate të marrjeve në pyetje të refugjatëve. Në mënyrë interne, unë kisha kryer shoshitjet e para, për të filluar bashkëpunimin me Tribunalin Ndërkombëtar në Den Haag dhe për t’ia vënë në dispozicion Gjykatës së Lartë këto informacione, shkruan KOHA.

Atë çka e shpjeguam unë dhe Fischer gjatë konferencave të përbashkëta për shtyp, u vërtetua dhe u kalua edhe nga ajo çka më kishin njoftuar vëzhguesit gjermanë, gjatë një takimi paradite në Hardthhe, lidhur me përvojat e tyre në Kosovë. Këta burra patën mjerisht ndrydhje më pastaj në bisedën me gazetarët, që të shpreheshin me qetësinë e njëjtë, e cila kishte mbretëruar gjatë takimit tonë. Vëzhguesit ishin penguar përherë e më fort në punën e tyre, kishin provuar t’u shtinin frikë që të mbahen larg nga verifikimi i informatave, të cilat ishin për t’u marrë seriozisht, lidhur me shkatërrimin e katundeve të tëra. Për shembull, gjatë një endjeje përkatëse, vëzhguesit ishin ndalur dhe ishin detyruar të ktheheshin me forcën e armëve. Familjet, tek të cilat kanë qenë të strehuar vëzhguesit e OSBE-së, pas tërheqjes së OSBE-së, fajësohen si gjoja kolaboracionistë të NATO-s dhe thjesht vriten. Përkthyesit po ashtu. Një vëzhgues i yni shpjegonte me zë belbëzues e lot në sy, se në çfarë mënyre shtazarake i kishin sakatuar kufomat dhe ua kishin thyer kafkat me shkopinj bejsbolli, për t’i bërë të paidentifikueshëm. Të vdekurve iu mor kështu edhe mbetja e fundit e dinjitetit të tyre.

Ndërrimi në postin e inspektorit të përgjithshëm të Bundesverit nga gjenerali Bager në gjeneralin von Kirchbach, i lidhur me një ceremoni mbrëmjeje në akademinë udhëheqëse të Bundesverit në Hamburg, nuk ishte devijim. Vërtet ka pasur edhe biseda të shtendosura, mirëpo, mua nuk më lëshonin mendimet për Kosovën dhe për rrëfimet e vëzhguesve të OSBE-së. Gjatë kthimit me aeroplan për në Bon, bëj shënime të mëtutjeshme. Natën mora një thirrje nga Ministria e Mbrojtjes: pilotët janë kthyer të sigurt.

“Takimi midis Milosheviqit dhe Ibrahim Rugovës, nuk më duket asgjë tjetër përveçse një nxjerrje e neveritshme sheshit...”

1 prill 1999

Lajmet për rrëmbimin e tre ushtarëve amerikanë më kanë trembur. A do të ushtrohet tash nga mediat jugosllave, përkrah dezinformatave sistematike, presion mbi politikën dhe publikun perëndimor edhe me fatin e këtyre tre ushtarëve? Telefonova menjëherë me Bill Cohenin dhe e sigurova atë për dhembshurinë dhe mbështetjen e qeverisë federale.

Në gjendjen udhëheqëse ushtarake diskutojmë sërish informatat mbi dëbimet sistematike; një vargan refugjatësh, me mbi një mijë njerëz, është rrugës nga Mitrovica, në veri të Kosovës, për në Shqipëri ose Maqedoni. Sulmet ajrore do të përforcohen dhe, si rrjedhim i kësaj, është e nevojshme mbrojtja e gjithanshme e aeroplanëve të NATO-s. Prandaj, unë vendosa t’i transferoja edhe dy ECR-Tornado të tjerë për në Piaçenca. Takimi midis Milosheviqit dhe Ibrahim Rugovës nuk më duket asgjë tjetër përveçse një nxjerrje e neveritshme sheshit, për ç`gjë Rugovën e kanë detyruar.

Kryetari rus Jelcin, në sytë e mi, i kishte drejtuar një mesazh të konsiderueshëm Dumës ruse dhe kishte bërë që Rusia nuk dëshironte të lejonte të përfshihej në luftë. As kooperimi i Rusisë me Shtetet e Bashkuara nuk do të vihet në lojë. Kjo përputhje me përshtypjet e mia nga biseda në Bon me ministrin rus të Mbrojtjes Sergejev, gjatë së cilës ky më kishte informuar që Rusia do të dërgonte në Detin Mesdhe një anije sqaruese. Me këtë ai relativizonte paralajmërimet që tingëllonin dramatike, se Rusia mund të transferonte flotën e saj të Detit të zi për në Detin Mesdhe. Që kryetari Jelcin autorizonte tash kryeministrin rus Primakov për të ndërmarrë edhe një përpjekje tjetër ndërmjetësuese tregonte se: Rusia do të angazhohet në mënyrë politike e diplomatike, e jo ushtarakisht. Në këtë linjë shtriheshin edhe kërkesat e Jelcinit që G-8 do të duhej të mblidhej. Ai me këtë kërkonte një rrafsh të ri politiko-diplomatik, për të gjetur një zgjidhje së bashku me shtetet perëndimore të cilat i takonin Grupit të Kontaktit, sidoqoftë, pa u detyruar që Grupi i Kontaktit, pas dështimit të bisedimeve, sërish dhe zyrtarisht të sillet edhe një herë në lojë.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë. Rudolf Scharping, i lindur me 1947, një politikan i njohur socialdemokrat gjerman, ndërsa në periudhën e luftës së Kosovës ai mbante postin e ministrit të Mbrojtjes dhe zëvendëskryetarit të SPD-së. Në ditarin e tij “Wir dürfen nich wegsehen: Der Kosovo-Krieg und Europa” (“Nuk guxojmë të shikojmë mënjanë: Lufta e Kosovës dhe Evropa”) pasqyron ngjarjet e vjeshtës së vitit 1998 dhe të gjysmës së parë të vitit 1999 dhe gjithashtu shpjegon sfondin politik dhe diplomatik të misionit luftarak. Përgatiti: Sylë Ukshini