Kulturë

“Agminepolisi” i eksodit në Stacionin e Trenit, “Ora e vdekjes” në burg

Kanë dy ngjarje të ndara në Festivalin e Teatrove në Ferizaj, por që në tematikë bashkohen në një pikë – vuajtjen e shqiptarëve. “Agminepolis” nën regji të Kreshnike Osmanit, në Stacionin e Trenit, nëpërmjet vargjeve e këngës zbërthen ndjesinë e dëbimit të shqiptarëve më 1999, e “Ora e vdekjes” nga Ilir Bokshi në mënyrë direkte vjen si homazh për të burgosurit

Stacioni i Trenit ka lidhje të shumëfishtë me Ferizajn. Kronikanët japin jo pak dëshmi se fillimisht qe stacioni e pastaj u lind qyteti. Madje edhe emri i moçëm, të cilin deri vonë e kanë përdorur gjeneratat e vjetra, Tasian, lidhet me stacionit. Por në historinë e re të vendit, Stacioni i Trenit edhe në Ferizaj ka tjetër simbolikë. Atë të dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve nga regjimi serb.

Për t’i mbledhur copëzat e këtyre ndjenjave ka shërbyer performanca “Agminepolis” nën regji të Kreshnike Osmanit. E pikërisht jashtë Stacionit të Trenit, murali i punuar nga Pranvera Sylejmani e vizualizon udhën e vështirë që nisi nga aty. Copëzat e xhamave të thyer janë mu në mes të një prej dhomave të stacionit. Të hënën mbrëma, kalimtarët që i kanë rënë përskaj kanë dëgjuar pikërisht melodi që lidhen me braktisjen e vendit. Në dhomën gjithë shkarravina janë interpretuar këngë e lexuar vargje që shpërfaqin dashurinë për skutat e atdheut. Se si copëzat e atdheut merren me vete e rrugët nuk shqiten kurrë nga kujtesa vjen si rrëfim në vargjet e Nora Prekazit e që kanë hapur performancën. “Agminepolis” është punuar intensivisht për tri ditë për t’u shfaqur premierë në edicionin e 52-të të Festivalit të Teatrove të Ferizajt.

“Tematika ka qenë migrimi, ikja e dëbimi i shqiptarëve. Jemi munduar që përmes poezisë dhe këngëve të tregojmë se me çka janë përballur shqiptarët dhe si janë larguar nga vendlindja”, ka thënë regjisorja Kreshnike Osmani.

Publiku i ulur në tri këndet e njërës prej dhomave të objektit të Stacionit të Trenit e ka ndier nga afër shpalosjen e emocioneve dhe të vargjeve të Gjergj Fishtës e Ali Podrimjes. Njomza Tmava dhe Arbër Krasniqi kanë bërë bashkë interpretimin e këngës me poezinë – për të përcjellë tematikën e migrimit. “Baladë për nënën” e Selami Kolonjës është interpretuar me kitarë nga Krasniqi në një version që prek ngjyrimet e rockut. Kënga ka ngjallur emocionet e kthimit në atdhe dhe mungesën e nënës. Vargjet e poezisë “Atdheu” të Fishtës kanë ndjekur këngën në interpretimin e aktores Tmava. “Kur e përcolla ylberin”, ka qenë një kalim tjetër në tematikën e njëjtë. “Zgjohu Kosovë” e Podrimjes ka qenë një pikë tjetër për të prekur emocionet, e kënga “Mallëngjimi” e Muharrem Qenës flet për atdheun që s’krahasohet me asnjë vend tjetër.

"Kemi bërë një përzgjedhje të poezive dhe këngëve të cilat janë perlat e kulturës sonë shqiptare. Ka qenë një punë e shkurtër intensive dhe shpresojmë që ka rreh atje ku duhet dhe që publiku e ka ndier trishtimin e eksodit”, ka thënë aktori Arbër Krasniqi për KOHËN.

Image
FolegjendaFerFestNata3_2: “Ora e vdekjes” edhe në Ferizaj ia ka dalë ta rikthejë burgun në të cilin përplasen fatet njerëzore (Foto: Etnik Nrecaj)

Kjo shfaqje është dhënë në kuadër me konceptin “Retroteatër” që Festivali e ka integruar si kujtesë kolektive e ngjarjeve socio-kulturore e politike, të cilat kanë shërbyer edhe si thirrje shprese të një shoqërie në kohë aparteidi, por edhe si rikujtim i zhvillimeve shumë të rëndësishme të qytetit të Ferizajt.

Publiku që ka pasur mundësinë ta ndjekë këtë shfaqje në Stacionin e Trenit nga aty ka marrë emocione të fuqishme që përkojnë me mesazhin e shfaqjes.

“Emocioni i paparë. Ky vend e ka historinë e vet dhe unë si 54-vjeçar kam mbërri që të përjetoj shumë ngjarje. I falënderoj të dy artistët se si me poezi ashtu dhe me këngë, për mua ishin të shkëlqyer dhe do të mbetet në kujtesën time”, ka thënë aktori Dashnim Rexhepi për KOHËN.

Festivali i Teatrove ka vazhduar agjendën e së hënës mbrëma në kinemanë e hapur të qytetit. Me shfaqjen “Ora e vdekjes” të Ilir Bokshit e ka përballur publikun me të kaluarën. Biseda burgjesh e transformojnë skenën vazhdimisht në një vendgjykim. Ndonëse në temperaturë të ulët, ku shfaqja është dhënë në ambient të jashtëm, publiku e ka ndjekur gjerë në fund shfaqjen. Emra të të burgosurve e të internuarve në kohën e komunizmit janë shpalosur në monitorin që ka ndarë publikun nga loja e aktorëve. Pjesa tjetër ka qenë rrëfim i përjetimeve nëpërmjet personazheve. Shfaqja e cila në qershorin e sivjetmë ishte dhënë premierë në ish-objektin e Burgut të Prishtinës, edhe publikun e Ferizajt e ka dërguar në labirintet e vuajtjeve e humbjet e jetëve të njerëzve që nuk kishin kurrfarë faji për ta pasur atë fat.

Aty janë të përmbledhura vuajtjet e të burgosurve në Krahinën e dikurshme të Kosovës. Aty janë integruar edhe histori të Shqipërisë që nga koha e pas Luftës së Dytë Botërore e deri në fillim të viteve ’90.

“Ne po mundohemi që në çdo vend ku shkojmë ta japim shfaqjen që ta përshtatim. Edhe pse ky vend nuk duket si ambient i burgut, është prapë jashtë dhe po besoj që kemi arritur ta afrojmë me gjendjen e përgjithshme të shfaqjes sonë”, ka thënë Bokshi, i cili ka shtuar se për të është gjithmonë kënaqësi të komunikojë nëpërmjet shfaqjeve të tij me publikun e Ferizajt.

Adrian Morina, Albulena Bokshi, Arben Dërhemi e Kushtrim Sheremeti për afro një orë shpërfaqin histori që për gjeneratat e reja apo vendet që nuk janë përballur me diktatura, pa dyshim që mund të duken të pavërteta.

Sipas Sabri Pajazitit, udhëheqës i sektorit të kulturës në Ferizaj, kjo shfaqje ka dhënë mesazhin e vet edhe për të rinjtë e Ferizajt që ishin goxha në numër të hënën mbrëma.

“Audienca është jashtëzakonisht e mirë dhe e priti shumë mirë, kishte edhe mosha të reja që nuk i kanë përjetuar këto gjëra, por ishte një përvojë e hidhur që e ka përjetuar populli shqiptar e që këtu erdhi në skenë”, ka thënë Pajaziti për KOHËN.

Për një orë zhvillohet gjyqi ndaj Tefta Tasit që në lojë vjen si Efta Sasi, portretizuar nga Albulena Bokshi. Gjyqi ngjall të qeshura me absurditetet e montuara nga regjimi. Akuzohet se ka sharë mollët në një dyqan. Zoti as nuk duhet të zihet në gojë, e për këtë Efta përdor hapësirën kur është e vetme për të kryer lutjet e saj. Për aktorët, ashtu si dhe për regjisorin skena e Ferizajt mbetet nga më të ngrohtat për të shpalosur rrëfimet e shfaqjes.

“Edhe vendi që zgjodhëm ta luajmë natyrisht që i rri shumë bukur, sepse duket paksa i izoluar dhe i krijon publikut njëfarë klaustrafobie. Është kënaqësi shumë e madhe, aq më tepër në këtë edicion ku po shihet një përkushtim shumë i madh në organizim”, ka thënë aktori Adrian Morina.

Edicioni i 52-të i Festivalit të Teatrove në Ferizaj do të vazhdojë me shumë aktivitete deri më 7 tetor, kur do të ndahen edhe çmimet për shfaqjet pjesëmarrëse.