Kulturë

Ag Apolloni në 13-shen e Çmimit të BE-së për Letërsi

Me romanin e tij të fundit, “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur”, shkrimtari Ag Apolloni është nominuar për Çmimin e BE-së për Letërsi. Publikimi i nominimeve u bë në “Bologna Book Plus” dhe më pas u publikua edhe në faqen zyrtare të European Union Prize for Literature (Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsi).

Në listë janë edhe dymbëdhjetë emra të tjerë: Lusine Kharatyan nga Armenia, Martina Vidaić nga Kroacia, Hari N. Spanou nga Qiproja, Ondřej Štindl nga Çekia, Tõnis Tootsen nga Estonia, Iida Rauma nga Finlanda, Maud Simonnot nga Franca, Anna Ospelt nga Lihtenshtajni, Jeff Schinker nga Luksemburgu, Ilija Gjuroviq nga Mali i Zi, Sabina Jakubowska nga Polonia dhe Marit Kapla nga Suedia.

“Të gjithë autorët e nominuar do të promovohen vazhdimisht në skenën evropiane, duke synuar të arrijnë një publik më të gjerë ndërkombëtar, si dhe të lidhen me lexuesit jashtë vendit të tyre fizik dhe gjuhësor”, shkruhet në njoftimin e publikuar nga EUPL-ja.

Apolloni në një prononcim për KOHËN ka falënderuar lexuesit.

“Është vërtet një gjest nderues nominimi për këtë çmim evropian. Kështu që, i falënderoj ata që e kanë lexuar me kujdes dhe e kanë nominuar romanin tim. Shpresoj që pas këtij nderi që më është bërë, romani im ta zgjerojë rrethin e lexuesve”, ka thënë Apolloni. Sa u përket pritjeve për të fituar, është shprehur shkurt: “Çdo i nominuar është në garë për të fituar. Unë nuk bëj përjashtim”.

Anëtarët e jurisë së Çmimit Evropian për Letërsi (EUPL) – në përbërje të Koukla MacLehose nga London Literary Scouting, Andrei Kourkov, shkrimtar ukrainas, Imre Barna përkthyes nga Hungaria, Sheila O'Reilly nga Irlanda, Svetlozar Zhelev, autor, botues dhe drejtor i Qendrës Kombëtare të Librit në Bullgari, Henrik Francke nga Agjencia Letrare në Oslo dhe Sharon Galant nga agjencia “Zeitgeist” në Bruksel – do të zgjedhin një fitues dhe pesë të tjerë që do të marrin mirënjohje të veçanta. Publikimi i tyre do të bëhet më 28 prill, në Panairin e Librit në Leipzig.

Në vitin 2020 këtë çmim e kishte marrë Shpëtim Selmani me romanin “Libërthi i dashurisë”.

EUPL-ja u themelua në vitin 2009 dhe organizohet nga Federata Evropiane e Botuesve (FEP), Federata Evropiane dhe Ndërkombëtare e Librarive (EIBF), me mbështetjen e Programit Kreativ Evropian të Bashkimit Evropian.

Çmimi i BE-së për Letërsi u ristrukturua plotësisht. Në vend që të shpërblehet një laureat në secilin nga vendet pjesëmarrëse, juria prej shtatë anëtarësh vendosi të shpallë vetëm një fitues. Ky çmim prej atëherë jepet në bazë të një liste librash, të nominuar nga niveli kombëtar, një për çdo vend pjesëmarrës. Ag Apolloni u nominua nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës.