Kulturë

”Afterwar” për pasojat e luftës së Kosovës në “Berlinale”

“Afterwar”, që shihet edhe si testament kinematografik mbi pasojat afatgjata të luftës, kishte nisur si film i shkurtër rreth 15 vjet më parë. Ishin imazhet e fëmijëve që shisnin rrugëve për mbijetesë në periudhën e pasluftës. Materialet tutje, ato që e kanë çuar filmin në minutazhë prej një orë e 23 minutash. Filmi “Afterwar” është dokumentim i efektit të luftës nga perspektiva e regjisores daneze Birgitte Stærmose. Fragmente të jetës së katër personazheve gjatë 15 vjetëve janë dëshmi për efektet e luftës tek ata. Së pari herë ato do të shpalosen në kuadër të programit “Panorama” të festivalit ndërkombëtar të filmit në kryeqytetin gjerman

Rrëfimi mbi pasojat afatgjate të luftës në Kosovë do të jetë pjesë e mozaikut të filmave të festivalit prestigjioz “Berlinale”. Filmi “Afterwar” është dokumentim i efektit të luftës nga perspektiva e regjisores daneze Birgitte Stærmose. Fragmente të jetës së katër personazheve gjatë 15 vjetëve janë dëshmi për efektet e luftës tek ata. Së pari herë ato do të shpalosen në kuadër të programit “Panorama” të festivalit ndërkombëtar të filmit në kryeqytetin gjerman. Me të synon të ngacmojë rehatinë e audiencës nëpërmjet imazheve e tregimeve.

“Afterwar”, që shihet edhe si testament kinematografik mbi pasojat afatgjata të luftës kishte nisur si film i shkurtër rreth 15 vjet më parë. Ishin imazhet e fëmijëve që shisnin rrugëve për mbijetesë në periudhën e pasluftës. Materialet tutje, ato që e kanë çuar filmin në minutazhë prej një orë e 23 minutash, sipas bashkëproducentit Visar Arifaj, ndjekin edhe zhvillimin e tyre. Ata rriten, por efektet e luftës janë të pashmangshme.

Arifaj ka treguar se regjisorja daneze e kishte shkruar edhe skenarin në bashkëpunim me personazhet në film.

“Është një proces 15-vjeçar prej kur ka ardhur regjisorja Birgita në Kosovë dhe ka pasur rastin të takohej me protagonistët apo kastën e filmit që e ka premierën tash në ‘Berlinale’. Është një format i filmit hibrid që nuk mund të konsiderohet as si film dokumentar, por as film i zakonshëm fiktiv. Pra, është një kombinim i dy formateve të filmit”, ka thënë Arifaj për bashkëprodhimin midis Kosovës, Suedisë, Danimarkës e Finlandës. Ka vlerësuar se “Afterwar” nuk është mënyrë e zakonshme e krijimit e prodhimit të një dokumentari. Porse nuk mund të cilësohet as si film i bazuar në ngjarje të vërtetë. Sipas tij është gërshetim e të dyjave.

Efektet e pashmangshme

Ai ka treguar se krejt xhirimet janë kryer në Kosovë për 15 vjet dhe se produksioni “Kabineti” është i përfshirë në këtë projekt prej vitit 2019.

“Birgita ka qenë në Kosovë qe 15 vjet dhe prej atëherë ka filluar projektin filmik në një format të filmit të shkurtër. Me kalimin e kohës është zhvilluar në ide dhe në format të filmit të gjatë. Unë personalisht nuk kam qenë i përfshirë në një tematikë të tillë. Por, jemi të lidhur me luftën e pasluftën dhe nuk kemi se si t’i ikim”, ka thënë bashkëproducenti i filmit “Afterwar”.

Regjisorja e skenaristja e filmit, Birgitte Stærmose, ka thënë se gjatë punës “Afterwar” ka ndryshuar krejtësisht brenda periudhës 15-vjeçare. Ajo është cituar të ketë thënë se donte që audienca të dilte nga kinemaja duke mos harruar fatet e personazheve në film.

“Gjatë 15 vjetëve që i kam njohur dhe kam punuar me Xhevahiren, Gëzimin, Shpresimin dhe Besnikun kam qenë dëshmitare e efekteve afatgjata të luftës në jetën e tyre. Kur takojmë njerëz që vuajnë më shumë se ne, shpesh e përdorim keqardhjen për ta tejkaluar parehatinë tonë. Nëse na vjen keq për një person tjetër, na duket se e kemi kryer tonën. Doja të bëja një film që nuk e lejon këtë reagim dhe, në vend të tij, që krijon një hapësirë të parehatshme për shikuesin. Një hapësirë ku jeni të pasigurt dhe ballafaqoheni me pasivitetin tuaj”, citohet regjisorja daneze Birgitte Stærmose në një njoftim të produksionit “Kabineti”.

Stærmose është regjisore e skenariste e filmave të gjatë e të shkurtër, e vlerësuar ndërkombëtarisht. Filmi i saj i shkurtër, “Out of Love” (2009) është pararendës i “Afterwar”. Ishte dhënë premierë më 2009 dhe ishte vlerësuar me shumë çmime.

Gjatë pesë vjetëve të fundit Stærmose ka punuar në skenë ndërkombëtare si kryeregjisore në seri dramash për HBO-në, “Starz” e “Netflix”. Filmi i saj i gjatë më i ri, “Camino”, e pati premierën si film përmbyllës në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Gjenevë edicionin e vitit të kaluar.

Bashkëproducenti Visar Arifaj ka vlerësuar se premiera në “Berlinale” është fillimi më i mirë që mund të ketë një produkt kinematografik.

“Kjo jo vetëm për një produkt nga Kosova, por është me peshë shumë të madhe për krejt botën. Kështu që për këdo kjo do të ishte privilegj shumë i madh e sidomos për neve si produksion nga Kosova, por edhe përfaqësuesit e prodhimeve kinematografike të Kosovës. Është privilegj të marrësh pjesë, të kesh premierë ndërkombëtare në “Berlinale”, por edhe të kesh pjesë të ekipit një personalitet si regjisorja Brigite që ka një bagazh të krijimeve qoftë në filma, qoftë në seriale, që janë me famë botërore”, ka thënë Arifaj.

Portret kolektiv i një gjenerate

Filmi në festivalin ndërkombëtar të filmit “Berlinale” garon si formë dokumentari.

Filmi, sipas Qendrës Kinematografike të Kosovës, konsiderohet mahnitës në rrafshin kinematografik e mbërthyes në atë emocional. Institucioni kinematografik e ka vlerësuar si portret kolektiv të një gjenerate të tërë të të mbijetuarve që tërheq paralele me të gjithë fëmijët e prekur nga lufta.

QKK e ka përkrahur financiarisht këtë projekt.

Drejtoresha e këtij institucioni, Blerta Zeqiri, ka thënë se premiera e filmit “Afterwar” në Berlinale është dëshmi se po përkrahin projektet e duhura. Ngjarjen e ka konsideruar fillim të mbarë të QKK-së për sivjet.

“Për Qendrën dhe për Kosovën është shumë e rëndësishme që filmat që i mbështet të jenë pjesë e festivaleve të mëdha ndërkombëtare të kategorisë A. Për ne është shumë e rëndësishme edhe pse është produksion minor. Megjithatë kjo dëshmon që Qendra në vazhdimësi ka përzgjedhur projektet e duhura për t’i mbështetur, sepse ato thjesht marrin pjesë në festivale të mëdha dhe kjo na bën nder”, ka thënë Zeqiri derisa ka bërë të ditur se edhe sivjet institucioni e vazhdon traditën e prezantimit në Tregun Evropian të Filmit në “Berlinale”.

Gëzim Kelmendi, Xhevahire Abdullahu, Shpresim Azemi, Besnik Hyseni dhe Luan Jaha janë në qendër të filmit. Kasta përfshin edhe Leotrim, Shpëtim, Shkëlqim e Florim Krasniqin, Valon Selimin, Molika Maxhunin, Afrim Muçajn, Sadije e Lirije Abdullahun, Avni Berishën, Elana Gavazin, Elsa Kamberin, Arian Kelmendin e Vigjilencë Islamin.

“Fëmijët shndërrohen në të rritur para syve tanë. Megjithatë, ata mbeten pezull, të përhumbur nga kujtimet e luftës në Kosovë. Duke kombinuar realizmin e papërpunuar dhe performancën e vënë në skenë, ‘Afterwar’ është një meditim mbi pasojat afatgjata të luftës”, shkruhet në sinopsisin e publikuar në ueb-faqen e festivalit prestigjioz.

I gjithë programi i “Berlinales”, përfshirë orarin e shfaqjeve të filmave dhe lokacioneve, do të publikohet më 6 shkurt, sipas ueb-faqes.

“Panorama” në kuadër të të cilit “Afterwar” do ta ketë premierën botërore janë gjithsej 31 filma, prej të cilëve 25 janë premiera. Programi konsiderohet si kinema e jashtëzakonshme që ngërthen në mënyrë eksplicite çështjet politike, feministe e ato “queer”. Por që shkon përtej. Kërkon prodhime të reja, të guximshme e jokonvencionale. Në kuadër të programit ndahet edhe çmimi “Panorama Audience” për filmin dokumentar më të mirë. Si çmim që vjen si rrjedhojë e vlerësimit nga audienca dhe ndahet prej vitit 1999, konsiderohet si programi me “jurinë” më të madhe të festivalit.

Sa u përket seksioneve të tjera të festivalit, jurinë e sivjetme të “Berlinales” e udhëheq aktorja meksiko-keniane, Lupita Nyong’o.

“Në ‘Panorama’, audienca, filmbërësit, industria dhe shtypi janë të gjithë partnerë të barabartë. Këtu kinemaja bëhet një vend takimi publik për të gjithë ata që e duan filmin”, shkruhet për programin.

Kosova ka histori në festivalin me nam në skenën ndërkombëtare.

Më 2019, dokumentari “Në mes” nën regji të Samir Karahodës e kishte çuar Kosovën për herë të parë në konkurrencën zyrtare të festivalit ndërkombëtar të filmit “Berlinale”, ku edhe pati premierën botërore. Në 15 minuta “Në mes” trajton dy tema paralelisht: fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njëjta nga vëllezërit dhe migrimin, gjë që veçmas theksohet nëpër këto familje. Në Berlin filmi dokumentar ishte dhënë shtatë herë në salla me rreth 700 ulëse. Sa u përket filmave dokumentarë, ai i Karahodës del të jetë më i suksesshmi deri tash kur bëhet fjalë për produksione tërësisht vendore.

E emri i Kosovës në këtë festival ishte dëgjuar edhe nëpërmjet filmave të Visar Morinës, “Exil” e “Babai”, përderisa aktorët Ilire Vinca e Çun Lajçi ishin të parët nga Kosova, të cilët në shkurtin e vitit 2011 parakaluan në tepihun e kuq të “Berlinales”. Atje i çoi filmi ku ata luajtën “Falja e gjakut”, nën regji të Joshua Martsonit, i cili shkroi edhe skenarin bashkë me Andamion Muratajn. Produksioni shqiptaro-amerikan u shpërblye me dy çmime në festivalin prestigjioz.

Në edicionin e vitit të kaluar nuk ka pasur filma në konkurrencë, megjithatë Qendra Kinematografike e Kosovës ishte prezantuar në Tregun Evropian të Filmit në Festivalin e Filmit në Berlin – “Berlinale”. Kishte prezantuar produksionet e kishte lidhur marrëveshje, por edhe e kishte promovuar Kosovën si vend atraktiv për shesh xhirimi.

Edhe sivjet shtandi i Qendrës Kinematografike të Kosovës do të jetë pjesë e tregut si organizim i përvitshëm i “Berlinales”.

Edicioni i 74-t ndërkombëtar i filmit në Berlin do të hapet më 15 shkurt 2024 me premierën botërore të “Small Things Like These, me regji të Tim Mielants. Kasta përfshin aktorët: Cillian Murphy, Eileen Walsh, Michelle Fairley dhe Emily Watson.

Programi i edicionit të sivjetmë përmbyllet me 25 shkurt me ndarjen e çmimeve.