Teatri “Bekim Fehmiu” ka shfaqur premierën e shfaqjes për fëmijë “Afërdita përsëri në shkollë”, nëpërmjet së cilës synon argëtimin, por edhe edukimin e fëmijëve sa i përket përdorimit të duhur të pajisjeve elektronike. Me ndërlidhjen e karaktereve të ndryshme, shfaqja fton edhe prindërit që t’i shqyrtojnë veprimet lidhur me këtë temë
Përdorimi i tepruar dhe i pakontrolluar i pajisjeve të teknologjisë nga fëmijët ka nxitur reagimin artistik të teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren. Ky teatër ka realizuar premierën e shfaqjes për fëmijë “Afërdita përsëri në shkollë” të autorit Pashtrik Brahaj, nën regji të Kaltërim Balajt, që është dhënë në Qendrën Kulturore Boshnjake në formën e skenës “black box”.
Shfaqja artistike për fëmijë bazohet te personazhi i Afërditës, respektivisht i mësueses së autorit Sterjo Spasse, të ndërthurur me karakteret e shquara të filmave vizatimorë si Tomi dhe Xheri, Popaji e Plutoja. Në këtë rast Afërdita udhëton në kohë dhe vjen në ditët e sotme për t’i ndërgjegjësuar nxënësit lidhur me përdorimin e pajisjeve të ndryshme elektronike.
Aktori Alban Çela, i cili ka interpretuar rolin e Plutos, ka thënë se teatri “Bekim Fehmiu” është angazhuar për ta sjellë për publikun një shfaqje edukative dhe argëtuese, ku edhe interpretimi i rolit të caktuar nuk ka qenë i lehtë.
“Ka qenë një proces i mirë, i kënaqshëm, roli ka qenë i vështirë, por me ndihmën e regjisorit edhe bashkërisht me kolegët ia kam dalë, sepse është goxha vështirë për me e luajt Pluton se pak a shumë edhe fizikusi im po i përshtatet Plutonit. Ka qenë pak e vështirë, por e kam arritur”, ka thënë Çela.
Aktorja Beslidhje Bytyçi ka theksuar se interpretimi i rolit të mësueses ka qenë kënaqësi, shkaku edhe i porosisë edukative që ka shfaqja.
“Besoj shumë që do të arrijë shumë edhe kanë me e kuptu në mënyrën e duhur ose mjaftueshëm që teknologjia dhe përdorimi i të gjitha shpikjeve ka arritur me një fazë ku keqpërdorimi është tepër i madh, edhe normal që ndikon te fëmijët, ndikon te prindërit. Besoj që edhe prindërit kanë me u vetëdijesu që jo gjithmonë është mirë me ia plotësu kushtet deri në atë pikë fëmijës së tyre që me ia leju me i përdor telefonat, ipad-ët, laptopin, cilëndo, për shkak se jo gjithmonë përdoren për të mirë”, ka thënë Bytyçi.
Regjisori Kaltërim Balaj ka vlerësuar se tani është koha për të reaguar lidhur me përdorimin e tepërt të pajisjeve elektronike nga ana e fëmijëve dhe ndërgjegjësimin e prindërve për këtë çështje.
këtë fakt kam menduar se tash është koha të reagoj me një shfaqje, ku fëmijët marrin porosinë, idenë që duhet me i përdor aq sa na duhen edhe aq sa na lehtësojnë jetën, sepse për këtë është bërë teknologjia dhe jo me manipulu me të. Besoj që fëmijët e kanë marrë porosinë, por kjo shfaqje sonte ndodhi me një numër të kufizuar të publikut, pastaj ka me marrë hov me shkuarjen në shkolla, me ardhjen e publikut në masë të madhe të fëmijëve këtu edhe realisht ka me vazhdu kjo porosi për mirë në përdorimin e teknologjisë nga fëmijët”, ka thënë Balaj.
Drejtori i teatrit “Bekim Fehmiu”, Burim Mustafa, ka bërë të ditur se Qendra Kulturore Boshnjake ndonëse është inauguruar si ndërtesë, megjithatë nuk është funksionalizuar në tërësi, gjë që ka paraqitur një sfidë për faktin se ka qenë një ambient i papërshtatshëm.
“Jemi detyruar si teatër që ta përshtatim këtë hapësirë, me aftësitë dhe mundësitë tona, me stafin tonë. Kemi arritur të krijojmë një skenë e cila në botën teatrore kategorizohet si 'black box' me një kapacitet prej 72 ulëseve dhe me një skenë afro 100 metrash katrorë, gjë që është funksionalizuar mjaft mirë”, ka thënë Mustafa.
Shfaqja për fëmijë “Afërdita përsëri në shkollë” do të takohet me publikun në këtë ndërtesë, por edhe në shkollat e Komunës së Prizrenit. Kjo shfaqje është premiera e dytë pas fillimit të rinovimit të objektit të teatrit. Premiera e parë ka qenë shfaqja “Fausti”, bashkëprodhim midis teatrit “Bekim Fehmiu”, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit të Gjilanit.