Emocionet e përjetimet nuk kanë një fillim dhe mbarim. Madje, nocione si këto ngjajnë të huaja për përjetimin artistik. Ajo që u eksperimentua vjeshtën e vjetshme në festivalin “DAM” – projekti “Një muzikant, një dëgjues” – është në rrugë të mbarë për t’u arkivuar si një dëshmi se si arti i dha një përgjigje “fundit të kohërave” siç ishte psikoza e frikës nga COVID-19 zoriti gjithë botën. Por, ky komunikim i ri artistik nuk mbeti veç mbi dyshemenë e kinemasë “Lumbardhi” në Prizren. Ashtu siç ishin pajtuar dëgjuesit, skenat e incizuara janë përjetësuar në formën e një filmi dokumentar. “Afër” është titulli domethënës i tij…
E veçanta e një koncerti të përbërë nga një performues dhe një dëgjues nuk zbërdhulët nëse të tillë gjen me një kërkim të shkurtër në makinat e kërkimit: Bob Dylani më 2014 kishte performuar sall para një adhuruesi në Akademinë e Muzikës në Philadelphia.
Performancën “Një muzikant, një dëgjues” nuk e bën të veçantë as fakti që për aq sa shkojnë rekordet e mbamendjes nuk i gjendet shoqja në Kosovë. Provohet për të kushedi të satën herë se për përjetime të tejzakonta të ajthit të artit nuk është nevoja as t’u bëhet rixha artistëve emërmëdhenj nga bota.
Fundja kush do ta kishte menduar që Dooley Wilsoni me solo-performancën e tij në filmin e vitit 1942, “Casablanca” do të përftonte edhe pas 79 vjetësh ekstasi ndjesish nga më të bukurat? Dhe kjo ndodhi në një bar e jo në një sallë glorioze koncertale!
Kush do ta kishte menduar që Dooley Wilsoni me solo-performancën e tij në filmin e vitit 1942, “Casablanca” do të përftonte edhe pas 79 vjetësh ekstasi ndjesish nga më të bukurat? Dhe kjo ndodhi në një bar e jo në një sallë glorioze koncertale!
Dëshmi e së pazakonshmes
Në vjeshtën e vitit të kaluar, festivali ndërkombëtar i muzikës “DAM” e sprovoi vetën me diçka të thjeshtë, por kuptimplotë: një koncert që nuk zhurmonte nga zallamahia e publikut.
Përballë artistit-interpretues ishte mysafiri që mirëseardhej ngrohtësisht: “Mirëserdhe! Unë jam Agona dhe do të jap një koncert për ju”.
I quajtur “edicion tektonik”, “DAM” i zhvendosur me dy koncerte në Prizren, e bukurshkroi historinë e vet me projektin “Një muzikant, një dëgjues” që solli një përvojë të re të koncertit. Komunikimi i tij ishte intim në kufijtë e konfortit.
Në sallën e terratisur të kinemasë së brendshme të “Lumbardhit”, artistja Agona Shporta spikaste me një sharm klasik që japin zakonisht gjysmëhijet.
Secili nga dhjetë mysafirët kishte nënshkruar nga një deklaratë ku jepte pajtimin që pamjet e incizuara të përdoreshin për dokumentar.
Me maskat që disa nga dëgjuesit mbanin si të vetmet dëshmi të një kohe të pazakontë, koncerti “sy me sy” është përjetësuar edhe në celuloidin e filmit dokumentar “Afër” nën regjinë e Leart Ramës i xhiruar në ditët kur “DAM” po zhdrivillonte edicionin e vet.
I quajtur “edicion tektonik”, “DAM” i zhvendosur me dy koncerte në Prizren, e bukurshkroi historinë e vet me projektin “Një muzikant, një dëgjues” që solli një përvojë të re të koncertit. Komunikimi i tij ishte intim në kufijtë e konfortit
Tejkalimi i performatives
Ndërsa pret premierën e së hënës në “DokuKino” në Prizren, filmi që kohëzgjatet në 45 minuta sfidon plotin dhe kronologjinë konvencionale që ka ky zhanër.
Nocioni i zizgagut dramatik mund të jetë thuajse krejt i huaj për këtë film ashtu sikundër që një ndjesi, emocion e interpretim i bukur nuk tumir lehtë nocionet njerëzore të fillimit dhe mbarimit.
Më 1988, artistët Marina Abramoviq dhe Ulay krijuan një epikë të paharrueshme në analet e artit performues.
Nga njëri skaj në tjetrin të Murit Kinez, çifti artistik kaptoi në këmbë plot 5995 kilometra për t’u takuar diku te një tempull budist.
Ndërsa pret premierën e së hënës në “DokuKino” në Prizren, filmi që kohëzgjatet në 45 minuta sfidon plotin dhe kronologjinë konvencionale që ka ky zhanër.
Nga ajo kohë shumë ujë do të rridhte nën urë tok me memecërinë e ndarjes së dy artistëve. Ritakimi do të ngjante 20 vjet më vonë në mjediset e Muzeut të Artit Modern në New York: me sytë e përlotur të Abramoviqit dhe vështrimin zhbirues të Ulayt, takimi në të dy skajet e tavolinës ishte një hapësirë që sikur i bëri të kapshme për të gjithë emocionet, psikologjitë e thellësitë shpirtërore.
Por “Afër” – me koncept dhe ide të Dardan Selimajt – që ruan trashëgiminë e vjetshme të “DAM”-it, ka diçka tjetër që e tejkalon performativen: është një reflektim mbi përmbajtjen e këngëve dhe tingujve.
“Sa esencial është prodhimi i hapësirave të përbashkëta kur mundësia për t’u bërë bashkë është zhdukur?”, është pyetja që sipërfaqësohet në fillim të filmit dokumentar. Po kështu, në “zeitgeistin” e ethshëm të vitit të kaluar bota dukej sikur kishte pushuar rrotullimin e saj, por megjithatë, realiteti i mëparshëm shoqëror u bë edhe më i dukshëm.
“Afër”, që ruan trashëgiminë e vjetshme të “DAM”-it, ka diçka tjetër që e tejkalon performativen: është një reflektim mbi përmbajtjen e këngëve dhe tingujve
Xhirime nga “shkretëtirat” urbane
Kështu, artistët Agona Shporta dhe Visar Kuçi me meloditë e tyre bëhen si “qilim fluturues” drejt botërave të reja si antidot ndaj ndodhive të vitit të çmendur 2020.
“Meloditë e tyre rrjedhin nëpër një boshllëk periferik, duke ndërhyrë në të tashmen”, thuhet në hyrjen e dokumentarit.
Bashkë me kamerën që përcjell nga kënde të veçanta interpretuesen, dëgjuesin dhe mjedisin në gjysmerrësirë, regjisori Rama ka ndërfutur vazhdimisht xhirime nga “shkretëtirat” urbane siç u dukën qytetet tona në muajt e izolimit të plotë.
Është një ndërveprim që luan me kontrastin: ngurosja heshtake (për të mos përdorur fjalën angleze “stillness”) përcillet me një interpretim kënge që ka mes rreshtash shpresë e meditim. Është ndërveprim që luan edhe me njëjtësinë: në skena zymtie me rrugë plot nemitje nga boshatisja kumbon kënga e përvajshme “Çohu Rexhë” duke shpalosur tragjizmin e baladës së moçme shqiptare.
Bashkë me kamerën që përcjell nga kënde të veçanta interpretuesen, dëgjuesin dhe mjedisin në gjysmerrësirë, regjisori Rama ka ndërfutur vazhdimisht xhirime nga “shkretëtirat” urbane siç u dukën qytetet tona në muajt e izolimit të plotë
Relacioni i shpresës dhe transcedencës
Por aty kur duket sikur melankolikja fiton truall, është relacioni artist-dëgjues që sjell shpresë e transcedencë. Në secilin “koncert”, dëgjuesit gjithnjë janë të qetë, të vëmendshëm e shpesh në cepëzat e buzëve iu vizatohet edhe një qeshje e butë.
Në vitet ’60, shkrimtari e semiologu italian, Umberto Eco, nxori në dritë librin e tij “Opera aperta” (“Vepra e hapur”), në të cilën ai rrihte të shpjegonte ndryshimet rrënjësore në karakter mes artit modern dhe atij tradicional.
Idenë qendrore e shembullzoi në formën më të skajme të asaj që Eco e quante “vepër në lëvizje”, për çka citon muzikën aleatore të Stockhausenit, Berios, Pousseurit, Calderit e Mallarmes.
Sipas tij, e përbashkëta e veprave të atilla është vendimi i artistëve për t’ia lënë aranzhimin e disa prej elementeve të tyre ose publikut, ose rastësisë. Kështu dëgjuesve nuk u jepet një rend i vetëm, por një shumësi rendesh të mundshme.
Por arti tradicional ose klasik, siç argumenton po aty Eco, ishte në thelb joambig. Ai mund të përftonte përgjigje të ndryshme, por natyra e tij ishte e tillë që t’i kahëzonte këto përgjigje në një drejtim të caktuar. Kësodore, për lexuesit, shikuesit dhe dëgjuesit ishte vetëm një mënyrë për të kuptuar për çfarë ishte një tekst, një pikturë, skulpturë apo copëz muzikore. Ndërkohë, pjesa më e madhe e artit të ditëve tona është qëllimisht dhe sistematikisht ambige. Një tekst si “Zgjimi i fineganëve”, që për Econ është shembull tipik i veprës së hapur moderne, nuk mund të thuhet se është i lidhur me një subjekt të përveçëm; teksa një vistër kuptimesh potenciale mund të bashkëjetojnë në tërësinë e tij dhe asnjëri syresh nuk mund të jetë mbizotërues.
Kështu edhe filmi dokumentar “Afër” duket se vërtitet si “Opera aperta”: sado që artistin dhe dëgjuesin i afron në një sferë gati intime, ndjesia që jepet është e tillë me një dyzinë kuptimesh e emocionesh të reja. Dhe ajo që jepet në krye të dokumentarit mbetet si eho edhe në fund: “Sa esencial është prodhimi i hapësirave të përbashkëta kur mundësia për t’u bërë bashkë është zhdukur?”