“Të gjithë hapësirën brenda ish-shtëpisë së mallrave ‘Gërmia’ po e lirojmë dhe pastrojmë, për ta bërë gati për super-projektin, krijimin e muzeut dhe sallën e koncerteve”, ka shkruar të martën kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili kishte paralajmëruar nisjen e punimeve një herë në marsin e sivjetmë, mandej në prill. Por plani ideor ende nuk ka as miratim, përderisa hapi i radhës është plani detaj
Marsi e këtij viti e më pas prilli qenë afatet e përmendura nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, për nisjen e punimeve për sallën koncertale të kryeqytetit. Saktësisht për qendrën multikulturore “Gërmia”. Në mars të këtij vitit rrumbullakohen 12 muaj prej kur kryetari Rama kishte thënë se marsi i vitit 2024 është koha kur planifikohej të niste puna.
Prej asaj kohe e deri më tash nuk është bërë as hapi i parë procedural: Aprovimi i projektit ideor nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Pas kësaj, duhet dorëzuar për aprovim në të njëjtin institucion projekti i detajuar. Pas përfundimit të këtij procesi duhet hapur thirrja për kompani ndërtuese.
Në mars të vitit të kaluar, kryetari Përparim Rama gjatë takimit me arkitektin japonez Kengo Kuma dhe partnerin e tij nga Kosova, Bekim Ramku, kishte përmendur marsin e sivjetmë si afat të nisjes së punimeve.
“Mendojmë ta tenderojmë ndërtimin në fund të vitit (2023 v.j.) që në mars të vitit 2024 të nisim ndërtimin”, kishte thënë ai. Më pas në shtator të vitit të kaluar, gjatë seancës së Kuvendit Komunal, ku ishte miratuar buxheti për këtë vit, ai kishte përmendur prillin.
“Jemi në diskutime të njëpasnjëshme me komunitetin evropian që nëpërmjet fondeve IPA kjo të financohet dhe të fillojmë ndërtimin në prill të vitit të ardhshëm”, kishte thënë Rama. Të martën Rama ka bërë një postim në rrjete sociale.
“Të gjithë hapësirën brenda ish-shtëpisë së mallrave ‘Gërmia’ po e lirojmë dhe pastrojmë, për ta bërë gati për super-projektin, krijimin e muzeut dhe sallën e koncerteve”, ka shkruar ai krahas pozave të publikuara nga ish-shtëpia e mallrave “Gërmia”. KOHA i ka adresuar pyetje kryetarit Rama sa i përket kohës së nisjes së punimeve, por nuk ka marrë përgjigje. Por bazuar në afatet e përmendura, planet nuk janë duke shkuar as afër kohës së paraparë.

Kthimi prapa për cenim të monumentit
Aktualisht Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka në tavolinë projektin ideor të qendrës multikulturore, ku ndërtesa aktuale e “Gërmisë” kthehet në galeri e salla do të jetë objekt i ri prapa saj. Konsorciumi “O.U.D -Architects Sh.P.K; Kengo Kuma and Associates” kishte përgatitur projektin skematik në Komunë. Më pas lënda ishte përcjellë në Qendrën rajonale të Trashëgimisë Kulturore dhe në IKMM ishte pranuar më 13 tetor të vitit të kaluar. Arsyeja e kërkesës së pëlqimit bëhet për shkak se ndërtesa e “Germisë” është monument.
Komisioni i IKMM-së kishte ardhur në përfundim se projektuesit duhet të plotësojnë edhe disa kushte që t’u aprovohet projekti.
“Projekti ideor për ndërtesën qendrore ekzistuese ‘A’ duhet t’iu përmbahet rekomandimeve paraprake, të takimit më datë 24.5.2022, e sidomos pika 3 e këtij rekomandimi: Të ruhet sistemi konstruktiv, përkundër ridestinimit të ndërtesës. Zgjidhja e propozuar edhe me projektin e vitit 2023 bie ndesh me këtë rekomandim duke e cenuar ndërtesën ekzistuese ‘A’”, shkruhet në rekomandim.
Sipas Komisionit, referuar detyrës projektuese, auditoriumi në planvendosjen e propozuar me volumin dhe masën e tij ndërhyn në sistemin konstruktiv ekzistues të ndërtesës. Është rekomanduar të rishikohet mundësia që kjo pjesë të rimodelohet, duke ruajtur autenticitetin dhe integritetin e ndërtesës ekzistuese. Është kërkuar që projektuesi duke u mbështetur në dokumente, siç është detyra projektuese dhe kriteret e dhëna nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore e Prishtinës, të arsyetojë dhe argumentojë me shkrim zgjidhjen e propozuar. Dosjes po ashtu i mungonin kopja e planit dhe certifikata e pronësisë.
Arkitekti Bekim Ramku ka thënë se në projektin e dorëzuar tash u janë përmbajtur rekomandimeve të marra.
“Ne i kemi adresuar vërejtjet dhe pastaj para nja dy jave e kemi dërguar në Komunë dhe ata e kanë dërguar në QRTK e më pas në IKMM. Tash ne presim që të na jepet pëlqimi”, ka thënë ai.
Por KOHA ka parë se te dosja fizike e projektit prapë mungojnë dy dokumente të kërkuara: kopja e planit dhe certifikata e pronësisë. IKMM-ja pritet që këtë javë ta shqyrtojë projektin. Ramku ka treguar se prej momentit të aprovimit të projektit skematik sipas kontratës, ata si projektues kanë pesë muaj kohë për projektin kryesor.

Sallë me 1.200 ulëse, auditorium me 400
“Me këtë ritëm që po punojmë ne kah mesi i prillit ose fundi i prillit e dorëzojmë projektin e detajuar”, ka thënë ai. Projekti i dorëzuar në IKMM tregon se krejt kompleksi do të ketë 17 mijë e 226 metra katrorë. Krahas ndërtesës aktuale që shndërrohet në galeri, prapa saj do të jetë ndërtimi i ri, salla koncertale me kapacitet prej 1.200 ulësesh. Një sallë më e vogël e quajtur auditorium do të ketë 400 ulëse. Do të ketë të paktën tri ambiente komerciale, kafehane e dyqane. Aty sqarohet se bazë për konceptimin e intervenimit është arkitektura vendore.
Kontrata midis Komunës së Prishtinës me projektuesit peshon fiks 1.6 milionë euro. Prej tyre gjysmën e shumës, 825 mijë euro do t’i paguajë Komuna e gjysmën Ministria e Kulturës në bazë të Memorandumit të nënshkruar midis dy institucioneve në prill të vitit të kaluar. Por ai memorandum tashmë ka rënë poshtë.
“Afati i realizimit të qëllimit të Memorandumit të Bashkëpunimit duhet të arrihet brenda vitit 2023”, shkruhet në këtë dokument. Komuna sivjet ka në buxhet 2 milionë euro për këtë projekt.
Ndryshim qasjeje me sallë e galeri
Sa i përket sallës koncertale, goxha jehonë kishte bërë publikimi i projektit të ri në fund të gushtit, kur kryetari Përparim Rama kishte publikuar imazhe të projektit gjatë vizitës së tij në Japoni tek arkitekti Kengo Kuma.
Komuna e Prishtinës e ka konkretizuar nismën për ndërrim të qasjes në raport me ndërtesën e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”. Menaxhmenti aktual i Komunës kishte hequr dorë nga shndërrimi i monumentit në sallë koncertale. Projekti i dyshes për transformimin e ndërtesës që gjendet në qendër të Prishtinës ishte shpallur fitues para dy vjetësh. Por ai plan ideor tashmë do të mbetet veç pjesë e historisë.
Kur në maj të këtij viti 2023 ishte nënshkruar kontrata, arkitekti Bekim Ramku kishte sqaruar se në fazën e parë do të bëjnë vlerësimin e statikës së ndërtesës, po ashtu edhe të vlerave të objektit.
Se Komuna do të ketë qasje të re, kjo qe paralajmëruar qysh në mars të vitit 2023 kur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte pritur në takim arkitektin japonez, Kengo Kuma. Në ditën e 12-të të marsit, Rama ia kishte bërë me dije Kumas se ndërtesën aktuale nuk do ta përdornin për sallë koncertesh.
“Ideja është që të ndryshojmë qasjen. Në vend që ta përdorim ndërtesën ekzistuese për sallë koncertesh, të shikojmë nëse mund t’ia shtojmë asaj sallën koncertale, në mënyrë që vetë atë ta përdorim si galeri të qytetit e sallë multifunksionale”, kishte thënë Rama. E Kuma me qetësi kishte konfirmuar se mund të veprohet kësisoj vetëm me “po”. Rama kishte pasur disa arsye për nismën e tij. Kishte thënë se me këtë nuk do të kenë nevojë për demolim të ndërtesës aktuale.
Historia e kësaj ndërtese të viteve ’70 është e vjetër. Ajo e shndërrimit në muze të artit bashkëkohor a në sallë koncertale ka hyrë në dekadën e dytë.
Juria në përbërje të Mohsen Mostafavi, Andrija Rusan dhe Han Tümertekin, profesorë të shquar të arkitekturës nga Harvardi, Zagrebi dhe Stambolli së bashku me dy përfaqësues të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, një nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, si dhe një tjetër nga Komuna e Prishtinës, kishin vendosur që në vendin e parë të renditej projekti i studios së Kumas në partneritet me arkitektin kosovar, Bekim Ramku, dhe me ekipin e inxhinierëve nga Stambolli dhe New Yorku, Ahmed Topbas dhe Akım Mühendislik. Ky projekt në prill të vitit 2021 kishte marrë 82.42 pikë, duke bërë që të shpërblehet me 50 mijë euro.“One Roof – Germia for Concert Hall” nxjerr dy salla koncertale brenda objektit, përderisa fasada e jashtme e monumentit ruhet.
Juria kishte vendosur që në vendin e dytë me 74.84 pikë të jetë projekti i operatorëve “Shkëlqim Osmani B.I – Vizion project, MA Studio & Partners”, që kishte shifrën 1897. Shpërblimi financiar qe 30 mijë euro. I treti është renditur projekti me operatorët “Arbër Sadiki B.I, G+A Architects” me shifrën 6.969. Kishte marrë 70.12 pikë dhe shpërblimin financiar – 20 mijë euro. Pos Sadikit, bashkautor është edhe Gëzim Paçarizi.
Te projekti i dyshes Sadiki e Paçarizi parashihet ajo që kishte kërkuar kryetari Përparim Rama: ndërtesa aktuale të jetë galeri e të shtohet salla koncertale.
Projekti i përzgjedhur llogaritej të kushtonte rreth 10.6 milionë euro që të zbatohej. Me ndryshimet e kërkuara nuk ka ende ndonjë përllogaritje paraprake.
Qysh prej shtatorit të vitit 2018, Komuna e Prishtinës kishte përmendur ish-ndërtesën e “Gërmisë” si vend ku do të mund të ngrihej salla koncertale. Në tetor të atij viti, pas një debati të madh midis komunitetit të arkitektëve dhe atij të muzikës, Ministria e Kulturës e kishte përfshirë ndërtesën në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në atë rast kishte ndryshuar situata.
Më pas, nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë”, Qeveria kishte vendosur që t’i ruhej pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohej në sallë koncertale.