Në mitologji ka kuptimin edhe të zotit të luftës. E në shfaqjen e baletit “Aeon”, njeriu është në luftë të vazhdueshme me kohën që nuk ndalet dot. Realizimi i saj e ka rikthyer në Baletin Kombëtar të Kosovës, koreografin portugez, Daniel Cardoso. “Ka të bëjë me lumturinë, mërzinë, jetën në përgjithësi, për ngritjet dhe rëniet në jetë, por edhe për idenë se sa speciale do të ishte nëse do të ishim të aftë ta ndalonim kohën. Ky është mesazhi final i kësaj vepre”, ka thënë ai
Me “Aeon”, Baleti Kombëtar i Kosovës vë jetën e njeriut në skenë. Gëzimet e hidhërimet, dashurinë e inatet janë aty. Koha është në majë të piramidës. Gjithçka zhvillohet, por koha nuk zmbrapset dot. Veç kur jeta merr fund, dhe kjo në shfaqje ngjan veç në sekuencat e fundit të koreografisë. Qëndron krejtësisht indiferente. Por kjo është veç një pjesë e konceptit të shfaqjes “Aeon” me koreografi të portugezit Daniel Cardoso, e shfaqur premierë të enjten mbrëma.
Baletin Kombëtar të Kosovës të fokusuar kohëve të fundit kryesisht në shfaqje bashkëkohore si rrjedhojë e kushteve në të cilat funksionon, e shtyn të sjellë vepra që i përshtaten hapësirës së skenës së ngushtë në njërën prej sallave të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet. Aty ku është drejtuar thuaja krejt skena kulturore e vendit. Krejt kushteve ekzistente, tash i është shtuar edhe një sfidë: vapa në sallë.
Me t’u hapur dyert, disa balerinë veçse kanë qenë duke e luajtur atë që ngjan në intro të shfaqjes. “Valles” në lëvizje rrethore në sallën e mjegulluar i janë bashkuar balerinët një e nga një. Ndalen një grimë duke vështruar dhe çdoherë më shumë, kompletohej ansambli. Lëvizjet e hapave janë koreografi më vete, para se i vetmi burim i dritës në sallë të jetë rendi i llambave anash skenës. Kur nisin lëvizjet akrobatike të trupës, zhvillohet një rrëfim i veçantë që duket tejet poetik nëpërmjet lëvizjeve të trupit.

Ngjan se lëvizjet kanë tendencë të bëhen paralele e të arrihet një lloj koordinimi midis interpretuesve, por ka diçka që nuk e lë të qetë shfaqjen. Ajo hap shumë tema të reja, por jo gjatë trajtohen. Vërehet një lloj temperamenti dhe dinamizmi. Ka qenë shumëdrejtimëshe. Në njërën anë, lëvizjet rrethore të balerinëve në tempin e akrepave të orës kanë qenë të pandalshëm në çdo sekuencë të shfaqjes.
Si dëshmi se vetë koha është e pandalshme. Abstraktja bëhej e dukshme. Koha bashkë me ndjenjat përzihen dhe projektohen në njerëz nëpërmjet baletit “Aeon”.
Autori i koreografisë, Daniel Cardoso, ka thënë se balerinët në shfaqje sjellin tik-taket e kohës. Se veprojnë si një orë që ecën e që nuk ndalet dot. E ka cilësuar shfaqjen një lloj kontinuiteti të pandalshëm, por që shpalos edhe aspektet e jetës.
“Ideja ka qenë kryesisht të shfaqen marrëdhëniet ndërmjet burrave dhe grave, veçmas midis dy karaktereve kryesore: Seadit dhe Aulonës. I ndërlidhëm me tema universale dhe të rëndësishme. Ka të bëjë me lumturinë, mërzinë, jetën në përgjithësi, për ngritjet dhe rëniet në jetë, por edhe për idenë se sa speciale do të ishte nëse do të ishim të aftë ta ndalonim kohën. Ky është mesazhi final i kësaj vepre”, ka thënë koreografi Daniel Cardoso për KOHËN pas shfaqjes.
Kur janë bërë veç disa javë më shumë se një vit prej kur Baleti Kombëtar i Kosovës zbërtheu koreografinë e koreografit portugez me shfaqjen “Correr o Fado”, e cila sillte kulturën e shtetit të Ishullit Iberik në vend, e ka freskuar publikun me “Aeon”. Përderisa aty ishin ritmet e elemente të kulturës portugeze, krejt ndryshe ngjan me shfaqjen që u dha premierë të enjten në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Nën ritmin e këngëve “fado” të cilat sillnin ndërmend kulturën e vallëzimit portugez, trupa i kishte dhënë formë shfaqjes bashkëkohore. Uji si element i asaj shfaqjeje dhe ora që funksionalizohet prej njeriut në shfaqjen “Aeon” bën të duket se Cardoso kujdeset që koreografitë e tij të jenë të shënjuara prej një elementi të tij, si vulë e punës së tij.

“Ishte më sfiduese ta bëj këtë pjesë pasi herën e kaluar kur e punuam ‘Correr o Fado’, ishte një vepër ekzistente ku e ndërlidhëm kulturën tonë në vendin tuaj. Ndërsa kjo vepër është më universale. Ka të bëjë me kohën që vazhdon dhe nuk ndalet. Është diçka në të cilën nuk kemi kontroll. Qëllimi im ishte të dërgoj këto mesazhe te publiku”, ka thënë më tej koreografi portugez, Daniel Cardoso, emër i shquar i koreografisë së baletit bashkëkohor.
Ai ka qenë kërcimtar kryesor më Baletin e Peter Schaufuss në Danimarkë, ku ishte vlerësuar lart për paraqitjet e tij. Ka performuar vepra të koreografëve të njohur në gjithë botën si dhe ka rimodeluar baletin “Maple Leaf Rag” të Martha Graham në Brazil. Në vitin 2005 ka themeluar “Quorum Ballet” ku është drejtor artistik dhe koreograf rezident. Ka krijuar mbi 40 vepra duke marrë vlerësime të larta nga kritika.
Me muzikë në shfaqje nga artistë të huaj si Olafur Arnalds, Kangding Ray, Hania Rani, Moderat, Sandrayati Fay, Ben Lukas Boylsen dhe Christian Loffler, e pasur dhe e larmishme ka qenë koreografia e shfaqjes “Aeon”. Është zhvilluar në drejtime të ndryshme. Meloditë e muzikës techno e deri në ato orientale i kanë shoqëruar valltarët e madje i është dhënë hapësirë e veçantë anës muzikale.
Trupës i është bashkuar drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, balerini e muzikanti Sinan Kajtazi, në klarinetë. Bashkë me të edhe balerini Muhamet Bikliqi ka luajtur në darabukë.
Kajtazi ka thënë se kjo formë është një shteg më ndryshe për të sjellë diçka të re.
“Performanca ime si muzikant në skenë ka qenë kërkesë e koreografit të provoj diçka të tillë, bashkë me mua në darabukë ka luajtur Muhameti, njëkohësisht edhe në shfaqje. Besoj se ka qenë diçka me të cilën jemi inkorporuar në shfaqje. Artistë inovativë siç është Danieli gjithmonë gjejnë shtigje prej më të ndryshmeve, hulumtojnë mundësi për të krijuar diçka që i bën përshtypje publikut”, ka thënë drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi.
Derisa e ka quajtur shfaqjen të jashtëzakonshme për nga niveli i saj, ka thënë se rrugëtimi i shfaqjes fillon qysh në muajin korrik ku Baleti do të debutojë në Portugali, ndërsa në shtator në Festivalin Botëror të Vallëzimit në Korenë e Jugut.
“Është një shfaqje e nivelit jashtëzakonisht të lartë. Pos në Prishtinë si premierë do të shfaqet edhe në Lisbonë më 27 korrik dhe pastaj në shtator të këtij viti do të shfaqet edhe në Korenë e Jugut në Festivalin Botëror të Vallëzimit. Besoj se shfaqja do të shkojë gjithandej nëpër qytete e teatro të ndryshme sepse është një produkt bashkëkohor, stil i krijimit që sot është aktual në trupat e baletit në gjithë botën”, ka thënë ai.
Kur ndriçimi jep efektin prej siluetash të balerinëve, sjell një lloj perspektive se vallëzimi është një lloj treguesi i identitetit a përcaktues për karakterin. Loja solo e balerinëve ka qenë e veçuar. Në qendër shpesh kanë qenë Sead Vuniqi e Aulonë Nuhiu. E shfrytëzojnë hapësirën për t’u shprehur nëpërmjet vallëzimit. Gjendja emocionale është aty derisa pjesa tjetër luan lëvizjet e akrepave të orës, krejtësisht indiferentë ndaj shkallmimeve të tyre për ta ndalur atë.
Balerina Aulonë Nuhiu ka thënë se shfaqja ka qenë stil krejt më ndryshe nga ajo paraprake të cilën e kishin punuar me koreografin nga Portugalia.
“Shfaqja ‘Aeon’ është premiera e dytë në të cilën kemi punuar me Danielin. Ka qenë shfaqja e suksesshme ‘Correr o Fado’. Mendoj se edhe ‘Aeon’ do të jetë një prej shfaqjeve të suksesshme me të cilën do të kemi udhëtime. Ishte eksperiencë e mirë të punojmë më koreografin. Është stil më ndryshe se shfaqja e kaluar. Kërkon shumë kondicion, punë, mjaft e lodhshme, në të cilën kemi punuar rreth një muaj e gjysmë nëse e kompletojmë pasi kemi punuar në kohë të ndryshme për shkak të udhëtimeve që kemi pasur”, ka thënë Nuhiu.

Shfaqja e sjell edhe një lloj diference të të qenit afër dhe larg qëllimit. Ata që ngjajnë si lojtarë jashtë loje e që ndërrojnë rolet, lëvizjet me ritmin e orës dhe performanca kryesore kanë qenë lloj segmentesh të shfaqjes.
Asaj i kanë dhënë jetë edhe balerinët Behie Murtezi, Blerta Fanaj, Donmir Bilalli, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Ilir Krasniqi, Isa Beg Gjocaj, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Leonora Rexhepi, Marigonë Beha, Mërgime Morina, Muhamet Rigon Krasniqi, Vjollca Llugiqi dhe Vlora Prizreni.
Koncepti i Cardosos bën të ditur se me shfaqjen ngritën shumë pyetje. Koha është në qendër.
“Koha – forca e pamëshirshme që marshon përpara, indiferente ndaj dëshirave tona, e pandryshueshme ndaj vullnetit tonë. Thelbi i një gjëje qëndron në momentet e dorëzuara për ta arritur atë. Po sikur të gjejmë atë person të çmuar, atë vend të çmuar, atë moment të çmuar, ku vetëm dëshirojmë të mund të ngrijmë kohën dhe të ndalim orën”, shkruhet në konceptin e shfaqjes.
Kur përmendet koha si një prej koncepteve çon në mendje shfaqjen “Time” me koreografi të Taulant Shehut të cilën trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës e kishte dhënë premierë në mars të vitit të kaluar. Në qendër kishte kohën, por në formën që i jepte secilit kohë e hapësirë të shpërfaqte dhimbjen, forcën e dashurinë.
“Aeon” në të njëjtën kohë sjell manifestimin e gëzimit të jetës dhe të vdekjes. Në të vallëzimi vjen si gjuhë që shpreh dashurinë pa fjalë. Transmeton lodhjen në jetë si rrjedhojë e një lufte të pakuptimtë.