Kulturë

Adem Jashari pa shembull të dytë në histori

“Një prej njerëzve që ka dhënë shembullin pa të dytë në historinë e botës mbase, se sa larg mund të shkojë lufta e dikujt që ka një vetëdije të lartë për liinë”, ka thënë të martën historiani Durim Abdullahu në ligjëratën “Jasharët e Prekazit dhe Epopeja e UÇK-së: një skicë historike”, ku në mënyrë kronologjike ka shpalosur fotografi e fakte për Jasharët e luftën e tyre

Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lidhet pazgjidhshmërisht me emrin e familjes Jashari. Duke qenë se kjo familje kishte fituar nam edhe në të gjallë, ajo nuk kishte qenë larg as syrit të fotoaparateve e kamerave të disa prej mediave ndërkombëtarë por edhe atyre të vendit. Bazuar në dëshmi e dëshmitarë të shumtë të kohës, kjo ngjarje sot dihet deri në detaje. Megjithatë, një studim shkencor i kësaj periudhe historike është parë si një nevojë e domosdoshme nga profesorët e historisë.

Një konstatim si ky ka dalë në ligjëratën “Jasharët e Prekazit dhe Epopeja e UÇK-së: një skicë historike”, të cilën të martën në Fakultetin Filozofik në UP e ka mbajtur profesori i historisë Durim Abdullahu, në shënim të 25-vjetorit të UÇK-së. S’ka qenë ligjëratë klasike, por nëpërmjet imazheve Abdullahu ka bashkuar rrëfimin për kryepersonazhet e familjes së heronjve. Rrëfimin e ka ndërtuar në mënyrë kronologjike, duke filluar nga vitet 44-45, me në krye Murat Jasharin dhe djalin, Shabanin. Ishin vitet e zisë së bukës.

“Shaban Murati shkon të kryejë shërbimin dyvjeçar të ushtrisë së Jugosllavisë. Ai kthehet në ‘49-n në Prekaz, pasi ka kryer stërvitjet ushtarake. Meqë kishte studiuar për pedagogji, përveçse kishte marrë edhe mësime private në dy-tri fshatra të Drenicës, por saktësisht kishte kryer një shkollë pedagogjike në Prizren dhe Gjakovë dhe kishte një certifikatë për mësuesi, ai nis dhe ushtron detyrën si mësues”, ka thënë Abdullahu, duke u ndalur edhe te përditshmëria e tyre. Njëra prej tyre qe ajo që lidhet me arrestimin e Shabanit, kur i ati i tij Murati shet dy buallica për të korruptuar një zyrtar malazez të kohës.

“Viti 1969, në moshën 20-vjeçare, djali i madh i Shabanit (Rifati) do të migrojë në Gjermani, ku për 34 vjet do të punojë si saldues në fabrikën e makinave BMW në Bavari, prej këtyre 16 vjet në ndërrim të natës për pagë më të lartë. Ai kthehet në një burim shumë të fuqishëm të ardhurash për familjen e Shaban Jasharit, njërën ndër familjet më të kamura”, ka shpjeguar ai.

Pas Shabanit, Abdullahu kalon te djali i dytë i Shabanit, Hamza, teksa tregon edhe për dashurinë e tij ndaj arteve.

“Djali i dytë Hamza, i cili kishte kryer shkollën e lartë ekonomike, kishte një pasion për artet në përgjithësi, për muzikën, teatrin. Ai luajti si aktor amator në teatrin e qytetit. Dy fotografi që e tregojnë atë duke luajtur rolin e Dyl Mehmetit sipas një shfaqjeje të adaptuar nga Azem Shkreli”, ka shpjeguar ai teksa në ekran publiku mund të shihte një fotografi të Hamzës teksa luante Dyl Mehmetin. Detaje si këto kanë qenë intro deri te figura qendrore: Adem Jashari.

“Djali i tretë, më i vogli i lindur më 1955, Fazliu. Këtij ia vunë emrin e gjyshit, por qysh në fëmijëri familja nis ta thërrasë Adem dhe pastaj në një moment ia ndërrojnë emrin dhe e pagëzojnë Adem. E tepërt të thuhet se sa shumë shtresa kuptimore do të marrë emri i tij në vitet e luftës deri më ‘98-ën kur ai vritet. ‘Frymëzues’, ‘komandant i guerilëve’, ‘frymëzues i një ushtrie të tërë çlirimtarësh për Kosovën dhe një prej njerëzve që ka dhënë shembullin pa të dytë në historinë e botës mbase, se sa larg mund të shkojë lufta e dikujt që ka një vetëdije të lartë për liri”, ka thënë ai.

Teksa në ekran janë shfaqur fotografi të ndryshme të Adem Jasharit, Abdullahu ka treguar diçka edhe nga personaliteti i tij dhe mënyrën e tij të jetesës.

“Adem Jasharin e gjejmë tejet aktiv në të gjitha aktivitetet e kohës. Ai është pjesëmarrës edhe në varrimin edhe në të pamen e Elfete Humollit, një rast shumë i njohur i një vajzë të re që vritet më 1 shkurt të vitit 1990 në Lupç të Poshtëm të Podujevës. Siç e gjejmë edhe nëpër organizime të Pajtimit të Gjaqeve. Ai është tipi i një heroi që nuk është, le të themi një ushtarak i mirëfilltë, por është dikush i cili armatoset dhe lufton si gueril për lirinë e vendit të tij. Çerçiz Topulli ishte një prej figurave që ai e idealizonte dhe në jo pak fotografi e vërejmë që në mënyra të ndryshme edhe e ka imituar”, ka thënë Abdullahu, derisa janë shpalosur fotografi kur Adem Jashari kishte qenë ende i ri, fotografi ku shihej i armatosur por pa rroba ushtrie, gjatë shërbimit ushtarak në Mal të Zi, së bashku me Jetullah Gecin, fotografi nëpër dasma, nëpër tubime a mes miqsh: Mujë Krasniqit, Rexhep Selimit, Sahit Jasharit e shumë të tjerë.

Duke ecur nëpër vitet e historisë, Abdullahu në ligjëratë është ndalur te rrethimi dhe vrasja e 52 anëtarëve të familjes Jashari.

“Rrethimi është i hekurt. Është i shumëfishtë. Diku 12-15 mijë trupa policore marrin pjesë në rrethim. Fillimisht vendosen njësitë e snajperistëve të policisë nëpër ndërtesat e larta edhe në Podujevë e Prishtinë, përpara se të bllokohen të gjitha rrugët që të shpienin drejt Skenderajt, Klinës, që lidhin këto qytete me Mitrovicën me Pejën. Përpara se edhe vetë Prekazi të rrethohej në disa rrathë, para se të rrethoheshin edhe lagjet përbrenda, që të pamundësonin komunikimin e brendshëm të fshatit”, ka thënë ai duke sjellë detaje edhe për palën tjetër.

“Aty është Ademi, Hamaza. Janë Shabani, një dajë i tyre, daja Osman. Janë gjithsej 13 persona të armatosur brenda, të ndarë në tri pjesë. Të paktën në ditën e parë. Kemi Shabanin dhe dajën Osman që vendosen te Oda apo te Kulla, Ademi tek shtëpia e parë, por që pasi nisin luftimet, pozicionet e tyre nuk janë statike. Ata lëvizin gjatë gjithë luftimeve. Janë Besimi dhe Fitimi të vendosur tek furra pranë shtëpisë së parë. Një grup të dytë me Hamzën tek shtëpia e dytë dhe një grup i tretë me djem dhe disa fqinj te shtëpia e tretë”, ka shpjeguar duke shfaqur në monitor foto të shtëpive dhe vendeve për të ka folur. Ligjëratën e ka përfunduar me fotografi të rivarrimit të familjes Jashari, kthimin e anëtarëve që gjendeshin në Gjermani dhe disa momente të tjera të periudhës së pasluftës.

Një ligjëratë e tillë, sipas rektori i UP-së,“Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi, ka disa kuptime të rëndësishme. “Sigurisht në kuptimin aktual, institucional, duam që të shpërfaqim kujdesin e duhur institucional për të kaluarën tonë historike. Në kuptim intelektual ne manifestojmë, shpërfaqim mirënjohjen tonë ndaj një ndodhie me pasoja vendimtare për aspiratën tonë kolektive të lirisë dhe mëvetësisë në dimensione të tjera, humane. Ne kujtojmë sakrificën më supreme të familjes Jashari dhe heroizmin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë rektori Qerimi.