Kulturë

“Academia Albanica” mjeshtërisht nëpër një shekull muzikë shqipe

Në dirigjimin e maestro Eno Koços, koncerti i ansamblit të harqeve, “Academia Albanica”, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, qenë si një kaleidoskop i muzikës shqipe. Nëpërmjet disa prej veprave të gjashtë kompozitorëve erdhi një rrugëtim nëpër një shekull të krijimtarisë muzikore në Shqipëri e Kosovë

Për herë të parë ishte në Kosovë në vitin 1979. Përgjatë viteve erdhi edhe herë të tjera, e maestro Eno Koço të enjten mbrëma ishte në cilësinë e dirigjentit të ansamblit të harqeve “Academia Albanica” në koncertin e organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. Veprat e interpretuara qenë si një kaleidoskop i muzikës shqipe. Nëpërmjet disa prej veprave të gjashtë kompozitorëve erdhi një rrugëtim nëpër një shekull të krijimtarisë muzikore në Shqipëri e Kosovë. Përzgjedhja u la mbresa edhe të ftuarve në atë që konsiderohet edhe si festë e fundvitit e ASHAK-ut.

Para se të niste koncertin, artisti i lindur në Tiranë në vitin 1943 – i biri i sopranos së njohur lirike, Tefta Tashko Koço, dhe baritonit Kristaq Koço – kujtoi momente pikërisht nga ardhja e tij e parë në Kosovë. Tregoi se atëherë me orkestrën e madhe të Radio Televizionit të Shqipërisë i kishin rënë cep më cep Kosovës.

“Me këngëtar të asaj kohe, një pjesë e të cilëve nuk jetojnë më si Avni Mula, Gaqo Çako dhe atëherë kishim zgjedhur vepra entuziaste e në koncertin e sotëm kemi zgjedhur vepra që janë me ton minor, me ton human”, ka thënë Koço, i cili si atëherë si sot tregon se impresionohet nga mikpritja e ngrohtë që merr në Kosovë. Të enjten u bë hera e katërt e tij në vend.

Koncertin e nisi me veprën e kompozitorit të njohur korçar që u lind në fshatin Dardhë, nja 19 kilometra në juglindje të Korçës. “Academia Albanica”, solli “Ndjesi tradicionale shqiptare: ‘E qarë’ e ‘Gajdë’” të Thoma Nasit që jetën e tij e kaloi në mes të Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku edhe ndërroi jetë. E radhës ishte “Suite për orkestër harqesh” e kompozitorit nga Kosova, Zeqirja Ballata, në kompozimet e të cilit muzika shqipe është bazamenti i elementeve të së cilës u jep gjuhë të re. Mbrëmja vazhdoi me krijimtarinë e kompozitorit, Çesk Zadeja, i cili kohërisht i takon brezit të parë të kompozitorëve nga Shqipëria të shkolluar, duke i vënë bazat muzikës klasike shqipe. U interpretua vepra e tij “Tingëllim epik” për violinë me solist Lorenc Radovanin. Repertori i koncertit që zgjati rreth një orë e gjysmë u rikthye sërish në Kosovë, me interpretimin e “Simfonisë Camerale në Fa” të Rauf Dhomit, i pari nga vendi që kompozoi një vepër operistike.

Gjatë këtij koncerti u interpretuan gjithsej gjashtë vepra: tri të kompozitorëve nga Shqipëria e tri të kompozitorëve nga Kosova.

“Veprat e kompozitorëve të Shqipërisë shtriheshin në 100 vjet, vepra e parë është e shkruar në vitin 1921 dhe vepra e fundit në 2021. Kurse te Kosova ishte larmia e stileve. Këtu lejohej stil i larmishëm, Zeqirjaja shkruante muzikë avangarde e në Shqipëri ajo nuk lejohej. Këtu sigurisht mungonte ajo liria e madhe pasi që ju nuk ishit të lirë, por ishte një liri e vogël që lejoheshit që të shkruanit sipas stileve që kishit mësuar në këto shkolla të ndryshme të themi të ish-Jugosllavisë”, ka thënë Koço, duke vlerësuar edhe kompozimin e Dhomit, që sipas tij shkon nga neoklasikja. Ka theksuar se vendosën që ta përmbyllin koncertin me vepra të kompozitorëve më të rinj.

Image
“Veprat e kompozitorëve të Shqipërisë shtriheshin në 100 vjet, vepra e parë është e shkruar në vitin 1921 dhe vepra e fundit më 2021. Kurse, te Kosova ishte larmia e stileve”, ka thënë Eno Koço

“Një brez i mrekullueshëm është përpara”, ka shtuar ai. “Valle antike” nga Vasil Tole dhe “Shpirti i traditës” nga Valton Beqiri ishin veprat e fundit.

“Kemi krijuar këtë orkestër të harqeve dhe me të po mundohemi që të lëvizim dhe ta mbajmë gjallë shpirtin e muzikës”, ka thënë Koço.

E për muzikologun dhe etnomuzikologun, Vasil Tole, formacioni muzikor i “Academia Albanicas”, është një nga formacionet më prestigjioze të interpretimit të muzikës në gjithë hapësirën mbarëkombëtare shqiptare.

“Ishin gjashtë autorë të gjeneratave të ndryshme të cilët përmes interpretimeve, le të themi bashkëkohore, provuan që muzika shqiptare tashmë ka një gjuhë muzikore të konsoliduar në nivelin e kulturës sonë kombëtare në muzikë dhe njëkohësisht brenda saj gjenden stile të ndryshme të kompozitorëve të cilët e kanë formësuar këtë gjuhë dhe njëkohësisht kanë ruajtur edhe individualitetet e tyre krijuese”, ka thënë ai. Sipas tij, Çesk Zadeja, që në një formë është edhe babai i muzikës kombëtare, ka pasur një koncept shumë të qartë për krijimin e një lloj muzike me intonacione kombëtare dhe me mbështetje në trashëgiminë e madhe muzikore që prej viteve ’50, për të ardhur pastaj tek autorët e rëndësishëm në Kosovë, si profesori Ballata apo Rauf Dhomi, apo tek ata të gjeneratës më të re siç janë ai vetë dhe Valton Beqiri.

“Ajo që unë pohoj është se pas kaq shumë vjetësh përpjekje në kuptimin e konsolidimit të institucioneve të formacioneve të interpretimit dhe të krijuesve, profesionalistëve të muzikës, mund të themi se muzika shqiptare ka ritmet e saj që e shquajnë jo vetëm në rrafsh kombëtar, por edhe më gjerë”, ka thënë ai.

E sipas kompozitorit Beqiri, është ide shumë e mirë në këso rastesh pak më festive të kujtohen kompozitorët shqiptarë, edhe ata që janë në mesin tonë por edhe ata që nuk janë më.

“Mua më pëlqeu fillimisht përzgjedhja e repertorit dhe ideja, kështu që shpresoj që edhe në të ardhmen do të ketë koncerte të tilla pasi që edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri ka mjaft kompozime, mjaft vepra, e po ashtu edhe mjaft kompozitorë të rinj që janë duke e dëshmuar veten në skenën ndërkombëtare dhe u duhet pak përkrahje edhe në skenën vendore”, ka shtuar ai.

Liburn Jupolli, muzikant, kompozitor e producent aktiv në skenë tash e 15 vjet, thotë se është shumë me rëndësi të ceket se është një rast ku mund të shihet lidhja intelektuale e shpirtërore në mes të dy Akademive, rrjedhimisht në mes të dy kulturave të cilat shihet qartë prej programit që janë shumë të sofistikuara dhe kanë një histori të gjatë të zhvillimit.

“Është shumë kënaqësi me e pa një program të kuruar specifikisht për këtë natë, pikërisht në lidhje me këtë që e thash më herët, nga maestro, Eno Koço, ku shpërfaqet një histori më shumë se 100 vjeçare në program, pasi që natyrisht është edhe më e vjetër historia jonë e përbashkët e kulturës së muzikës klasike shqiptare”, ka thënë ai. Sipas tij në këtë program ka qenë e mundur që të shihet më të vërtetë një shekull muzikë.

“Me ngjyra të ndryshme stilistike si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, por edhe në të njëjtën kohë me pa se brenda këtij 100-vjeçari edhe pse ka zhvillime të ndryshme stilistike e elemente të ndryshme estetike muzikore prej kompozitorëve të ndryshëm prapë se prapë është një lidhshmëri dhe mundemi me e pa që me të vërtetë kemi një kulturë të denjë dhe të gjatë e të mirëfilltë të muzikës klasike shqiptare”, ka thënë ai.

Ansambli i harqeve “Academia Albanica” është formacion muzikor i ngritur pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si pjesë e njësisë kërkimore në fushën e muzikës dhe të interpretimit. Ndër objektivat kryesore të këtij organizimi artistik është nxitja dhe interpretimi i krijimtarisë së autorëve bashkëkohorë shqiptarë si dhe atyre të huaj, rajonalë e më gjerë. Gjithashtu, vëmendje të veçantë i drejtohet traditës shqiptare dhe asaj botërore.

Anëtarët e këtij ansambli, të përzgjedhur nga Universiteti i Arteve të Tiranës dhe nga Orkestra Simfonike e RTV Shqiptar, kanë bashkuar përvojën e tyre të gjatë interpretative nën drejtimin e dirigjentit Eno Koço, që ka bërë një punë kolosale në fushën e muzikologjisë.