Kulturë

“Abetarja” e Petrit Halilajt gati për New Yorkun që “ndez ëndrrat e shumëkujt”

Petrit Halilaj - piktura

“Qielli i New Yorkut hapet me ‘Abetaren’ e artistit Petrit Halilaj”, është titulli i njoftimit që stafi i emrit të shquar botëror ka bërë të shtunën kur kanë mbetur nja 48 orë para se instalacioni i tij të pushtojë institucionin prestigjioz, Muzeun Metropolitan në New York. 

“Abetare” është vepra e tij e cila do të zërë vend në MET dhe Halilaj – i cili ndër të tjera, përfaqësoi edhe Kosovën në debutimin e saj në Bienalen e Venecias më 2013 – është i pari artist kosovar që komisionohet dhe ekspozon punën e tij aty. Siç është shpjeguar edhe në njoftim, “Abetare” është një peizash skulptural prej figurash bronzi dhe hekuri dhe “do të jetë i përhapur anembanë tarracës së Muzeut MET, deri më 27 tetor 2024”. “Ky projekt gërsheton realitetin dhe imagjinatën përmes vizatimeve të fëmijëve, marrë nga shkarravinat e gjetura në bankat e shkollës në Runik, Kosovë, ku ai vijonte mësimet, si dhe në shkolla të tjera të rajonit”, shkruhet në njoftim. 

Për artistin Petrit Halilaj, “Abetare” është më i rëndësishmi i karrierës së tij. “Ajo që dikur ishte e pamaterializuar, intime dhe e bërë fshehurazi, tani është shkallëzuar në një peizazh skulptural mbi qiellin e qytetit që ndez ëndrrat e shumëkujt”, citohet të ketë thënë artisti. 

Në njoftim rikujtohet se për punën e suksesshme të Halilajt, “po shkruajnë edhe mediat e huaja prestigjioze, vlerësimet e të cilave po e ngrenë artistin kosovar në majë të artit bashkëkohor”.

Ka qenë edhe revista e njohur “Vogue” që në një bashkëbisedim me Halilajn, kishte shkruar se artisti i lindur në Kosovë, po sjell diçka të jashtëzakonshme, fantastike e poetike në çatinë e Muzeut MET. 

“Në anën tjetër, edhe pse pa shpalosur shumë detaje nga MET, as Halilaj nuk mund ta fshehë entuziazmin e tij për këtë arritje. ‘Ajo që unë po sjell është më tepër ndjenja e ndërtimit të një harte personale dhe trajektoreje të jetës sime, duke ndërthurur ëndrrat dhe imagjinatën time me realitetin. Jam aq i lumtur që kam zbuluar një mënyrë për të shprehur jo vetëm ëndrrat e fëmijërisë sime, por edhe ato të shumë fëmijëve në të gjithë botën”, është cituar Halilaj, shkruhet në njoftim. Po aty citohet edhe drejtori i MET-it, Max Hollein, i cili “e quan artistin kosovar si tejet përparimtar dhe ndërkombëtar në fushën e tij”. “Rrëfimi që Petriti gjithmonë po tregon është historia e tij, por është gjithashtu historia e shoqërisë sonë. Ai na dhuron një përvojë emocionale dhe personale, dhe përmes artit të tij, e bën këtë si diçka me të cilën një gjeneratë e tërë mund të personifikohet. Dhe kjo e bën atë tejet të fuqishëm”, citohet ai.

Lexo edhe: