177 vjet prej kohës kur Naum Veqilharxhi nxori në dritë “Ëvetarin” për mësimin e shkrim-leximit, mbi 170 abetare të ndryshme u botuan në hapësirat shqiptare. Shtysa kryesore në vitet e Rilindjes ishte përpjekja për të sheshuar rrugën drejt pavarësisë së Shqipërisë. Nga brezi në brez, autorët e këtyre teksteve përcollën parime të rëndësishme metodologjike, por deri në kohën e vendimeve të Kongresit të Manastirit mbizotëroi metoda fonetiko-silabike
Ishte viti 1844 kur rilindësi shqiptar që jetonte në Rumani, Naum Veqilharxhi, botoi të parën abetare shqipe. Me 33 shkronja sa kishte në dispozicion alfabeti që e kishte krijuar enkas për t’iu përshtatur tingujve të gjuhës shqipe, ai arriti ta nxirrte në dritë “Fare i shkurtër e i përdorçim Ëvetar shqip”.
Ky tekst do të përhapej fillimisht në Korçë e më pas edhe në Përmet e Berat. Madje një vit më vonë aktivistët e arsimit shqip i kërkonin Veqilharxhit që të dërgonte sa më shumë kopje të saj. Sipas historianëve vendës e të huaj, “Ëvetari” i 1844-s shënon fillimin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
“Fort i shkurtër e i përdorçim Ëvetar shqip. Për çdo sicilë që do të mpsonjë të kënduarit e të shkruarit shqip. Dhënë tani parherëmbi dritë, preji, gjendësit e bëntorit i këtyre të shkrumëve rea dhe këtij Ëvetarit. Naum Panajot Haxhi Llazar Bredhi, që i thonë Naum Veqil-Harxhi nga Bythkuqi i Kolonjës. Mot i parë 1844”, thuhet në hyrje të Abetares së parë shqipe.
Por ky nuk është vetëm një rrëfim romantik për të parin tekst për mësimin e shkrim-leximit ndër shqiptarë. Që nga Veqilharxhi e deri më sot janë botuar mbi 170 abetare në hapësirat shqiptare.
Historia e këtyre teksteve është shpalosur të martën nëpërmjet një ligjërate të profesoreshës nga Tirana, Mimoza Gjokutaj, në kuadër të punimeve të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Gjokutaj: “Gjëra përherë të reja”
Teksa e ka prezantuar mysafiren nga Tirana, drejtuesi i seancës, Haki Hysenaj, ka kërkuar mirëkuptimin e të pranishmëve për mungesën e një numri të seminaristëve të huaj.
“Ka pjesëmarrje jo edhe aq të kënaqshme në ligjëratë, por një numër i seminaristëve janë kthyer në vendet e tyre për shkak të gjendjes së rënduar me COVID në Kosovë”, ka thënë ai.
Në fjalën e saj hyrëse profesoresha Gjokutaj ka thënë se, pavarësisht trajtimit nga sa e sa studiues, kjo çështje është e tillë që sa herë hyn brenda saj zbulon gjëra të reja e këndvështrime të reja.
“Kanë kaluar 177 vjet nga botimi për herë të parë i ‘Ëvetarit’ të Veqilharxhit, por deri më sot janë botuar mbi 170 abetare, që i bie thuajse nga një tekst secilin vit”, ka thënë profesoresha nga Universitetin i Tiranës teksa ka shpalosur ligjëratën me titull “Rrugëtimi historik, gjuhësor dhe didaktik i abetareve të gjuhës shqipe”.
“Armë e fuqishme për Pavarësi”
Sipas studiueses nga Tirana, rruga e hartimit të abetareve shqipe kalon mes emrash të njohur të njerëzve që punuan brenda e jashtë vendit. Abetaret e shqipes kurdo që janë shkruar, ka vijuar ajo, kanë shërbyer jo vetëm si teksti i parë i mësimit të “ABC”-së, por edhe si armë e fuqishme për pavarësi.
“Autorët e tyre kanë qenë pedagogë, shkencëtarë, veprimtarë e luftëtarë të çështjes shqiptare, veçanërisht të shkollës shqipe”, ka theksuar Gjokutaj, e cila është autore e disa monografive dhe tekstesh shkollore e universitare.
Një plejadë e tërë autorësh të abetareve – që përfshin emra si: Veqilharxhi, Kristoforidhi, Kullurioti, Frashëri, Vreto, Gurakuqi, Qiriazi, Xhuvani, Logoreci, Deva, Pozhegu e të tjerë – e nisi punën nga shtysa kombëtare.
Sipas Gjokutajt, këta patriotë që krijuan një traditë abetaresh vunë themelet e mësimit të lexim-shkrimit fillestar, por edhe përpjekjet për të kontribuar në standardin e gjuhës shqipe në mbarë hapësirat shqiptare.
“Abetaret e shqipes kanë qenë të njohura që në shekullin e nëntëmbëdhjetë me ‘Ëvetarin’ e Veqilharxhit, por shpesh ka të dhëna që mund të ketë pasur abetare të mëparshme”, ka thënë ajo.
Ruajtja e gjuhës si pasuri kombëtare
Dhjetë vjet më vonë, përkatësisht në maj të 1854-s, për gjuhën shqipe do të hapej një epokë e re: gjuhëtari gjerman, Franz Bopp, në kumtesën e tij të paraqitur në Akademinë e Shkencave në Berlin pohoi se gjuha shqipe i përkiste familjes së gjuhëve indoevropiane.
“Abetarja është e lidhur emocionalisht me traditën dhe çështjet e abetares, me mësimin dhe ruajtjen e gjuhës si një pasuri kombëtare”.
Pas Veqilharxhit do të kalonin 16 vjet të tjera derisa një shqiptar tjetër të ndërmerrte nismën për një abetare të re. Shkrimtari arvanit nga ishulli i Hidrës, Panajot Kupitori, botoi më 1860 “Abetaren e gjuhës shqipe”. Nga viti 1867 deri më 1872, Konstandin Kristoforidhi botoi një abetare gegërisht dhe një tjetër në toskërisht, në të cilat përdori shkronja latine.
“Fillimi i standardizimit të shqipes”
Por studimi për abetaret nuk është vetëm historia e botimit të tyre. Ai plotësohet vetëm kur ndriçohet përmbajtja e tyre dhe metodat e përdorura për mësimin e lexim-shkrimit.
“Tani funksionet e këtij teksti i kapërcejnë kufijtë e një qëndrimi emocional e patriotik. Me botimet e abetareve u vendos një traditë dhe përpjekje për standardizimin e gjuhës duke vendosur në duart e shqiptarëve kudo që ndodheshin librin e të mësuarit të gjuhës shqipe”, ka vijuar më tej ligjëratën profesoresha nga Tirana.
Sipas Gjokutajt, abetarja si teksti i parë mësimor, ku shihen vizualisht shkronjat dhe lidhen fonetikisht tingujt përkatës, u quajt me terma të ndryshëm nga hartues të ndryshëm si: ëvetar, alfabetar, alfabetare, abecedare, ABC, shkronjat e para e emra të tjerë.
“Në pikëpamje etimologjike ky term lidhet me alfan dhe betan të greqishtes, me dy shkronjat e para të alfabetit të tyre, por gjithsesi ky është një neologjizëm i pastër i shqipes”, ka theksuar ajo.
Larushi metodash
Breza hartuesish të abetareve, përveç synimit kombëtar, përcollën te njëri-tjetri parime të rëndësishme metodologjike e strategjish për të mësuarit e shkrim-leximit.
“Nisur nga metodat e përdorura, si ato alfabet-fonike, alfabetike, silabike, fonike-silabike, analitike, sintetike etj., autorët shqiptarë të abetareve kanë arritur standardet më të mira të zhvillimit të mendimit të tyre shkencor dhe didaktik duke përligjur zgjidhjet që kanë bërë në punimet e tyre”, ka theksuar Gjokutaj.
Ajo ka nënvizuar, më tej, se në periudhën prej hartimit të alfabetit të Stambollit e deri në vendimin e Kongresit të Manastirit, abetaret ishin nën ndikimin e metodës fonetiko-silabike që i mëshonte punës me shkronjën e rrokjen e më pak fjalës apo strukturave më të gjëra gjuhësore si fjalia apo teksti.
“Ndikimi i kësaj metode u ndje edhe në abetaret që u botuan pas Kongresit të Manastirit, por në këtë periudhë gjithnjë e më shumë nisi të respektohej parimi fonetik”, ka thënë mes të tjerash Gjokutaj.
Në orët e mëpastajme të punimeve të Seminarit është mbajtur edhe një tryezë në nderim të 80-vjetorit të vdekjes së Gjergj Fishtës. Në seancën e udhëhequr nga profesor Osman Gashi, Klara Kodra ka paraqitur kumtesën “Motivi i lumit te Fishta dhe te Noli: ‘Gurrat e Jordanit’ dhe ‘Anës lumenjve’” dhe Agron Gashi “Gjergj Fishta: Mrizi e Parrizi”.