Kulturë

“Abetare” e Petrit Halilajt pushton tarracën e Muzeut Metropolitan në New York

Petrit Halilaj

Sipas komunikatës së lëshuar nga Muzeu Metropolitan i Artit – një prej më të rëndësishmëve në SHBA dhe në botë – instalacioni eksploron ndërthurjen e realitetit dhe imagjinatës përmes botë së pasur të vizatimeve të fëmijëve

Instalacioni skulpturor i Petrit Halilajt është inauguruar në tarracën e çatisë së Muzeut Metropolitan të Artit në New York. Veprat e Haliljat që prezantohet si artist kosovar, shpërfaqin përjetimet dhe ëndrrat e nxënësve të ilustruara në bankat e shkollës.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Muzeu Metropolitan i Artit – një prej më të rëndësishmëve në SHBA dhe në botë – instalacioni eksploron ndërthurjen e realitetit dhe imagjinatës përmes botës së pasur të vizatimeve të fëmijëve.

“Skulpturat metalike janë frymëzuar nga shkarravinat dhe vizatimet e gjetura në bankat e shkollës, ku ai vijonte mësimet në Runik, Kosovë, si dhe në shkolla të tjera të rajonit, të cilat tani po pësojnë ndryshime të mëdha kulturore dhe socio-politike”, shkruhet në komunikatë.

Aty shkruhet se instalacioni “Abetare” i komisionuar nga Muzeu është i 11-ti në serinë e krijimeve të komisionuara për ambiente të hapura.

“Me entuziazëm të lartë, Muzeu komisionoi dhe zbuloi instalacionin skulptural të Petrit Halilajt në tarracën e Iris dhe B. Gerald Cantor, për të krijuar një bashkëbisedim të ndjerë në mes artistit, Muzeut, qiellit të Manhattanit, dhe jo vetëm”, citohet të ketë thënë Max Hollein, drejtor i Marina Kellen French i Muzeut Metropolitan të Artit T.

“Puna inspiruese dhe shumëdimensionale e Petrit Halilajt ka rrënjët në historinë dhe në vendlindjen e artistit, megjithatë është vizionare dhe ndërkombëtare. Ajo shtjellon fuqishëm kompleksitetin dhe rolin e imagjinatës së fëmijërisë në tregimin e ngjarjeve historike”, ka shkruar ai.

Kurse Halilaj ka folur për ëndrrat e nxënësve.

“Shkarravinat e zakonshme të nxënësve në bankat e tyre, në çaste monotonie apo shpërqendrimi, përmbajnë fantazitë dhe ëndrrat e kokës së tyre. Fillova ta hulumtoja këtë si praktikë më 2015, dhe ishte e rëndësishme atëherë për mua që ëndrrat e shkollës sime në Kosovë t’i bart në Evropë, nga e cila pjesë e botës, vendi im ishte ende i izoluar. Tani në vitin 2024, shkarravina të panumërta nga bankat shkollore nga gjithë Ballkani po zbulohen në një kontekst dhe kontinent të ri. Puna ime këtu në Muzeun MET u dedikohet të gjithë fëmijëve, në jetën e të cilëve luftërat në tërë botën lanë vragë të thella. Shpresoj që ëndrrat e tyre do të na fluturojnë në një të ardhme më të bukur” citohet të ketë thënë Halilaj.

Vizatimet e fshehura në bankat e fëmijëve janë shndërruar në skulptura metalike tredimensionale, secila duke ruajtur origjinalitetin e vet. Bashkë, ato sjellin në pah kujtesën kolektive dhe fuqinë e imagjinatës së nxënësve, jeta e të cilëve u shënua me konflikte traumatizuese dhe ndarje territoriale. Kosova përjetoi një seri luftërash në rajonin e Ballkanit në vitet ‘90, gjatë të cilave shumë fëmijëve iu mohua qasja në arsim për motive ideologjike. “Abetare” merr emrin nga libri që artisti dhe shokët e tij e përdornin për të mësuar alfabetin në shkollë, ku çdo shkronjë lidhej me një mësim të ilustruar dhe me tekst.

“Në ‘Abetare’, referencat kulturore specifike për ideologjitë e ndryshme politike, fetare dhe heronjtë kombëtarë koekzistojnë me simbole më universale dhe afirmative ndaj kulturës pop, historisë së artit dhe sportit”, shkruhet në komunikatë. . 

Sipas komunikatës, të përhapura rreth tarracës “vizatimet në hapësirë” bashkohen me arkitekturën dhe peizazhin përreth, duke krijuar një skenografi multivokale me një narrativë të hapur.