“Kosova është plot me talentë për art. I gjithë ky popull është artist. Historia e ka bërë të tillë”, do të thoshte Abdurrahman Shala më 1979. Në fillim mbase edhe atë historia mund ta ketë bërë artist. Më pas ai bëri histori në filmin e teatrin e Kosovë. Detaje si këto prej intervistave, të dhëna të detajuara për jetën e veprën e tij, foto të papara deri më tash në publik, zbardhen në monografinë “Abdurrahman Shala – mjeshtri që e bëri punën sikur të ishte e lehtë” me autor Visar Krushën. Aty ai flet për veten dhe artin e tij, të tjerët flasin për të si një figurë e papërsëritshme në artin shqiptar
Figura e Abdurrahman Shalës është prej me të veçantave ndër aktorët shqiptarë. Me të parë portretin e tij, ata që janë pak më në moshë e lidhin atë me role filmash a shfaqjesh të cilëve u jepte shpirt.
Por, se ka pasur një fëmijëri të vështirë e se ka punuar prej hamalli në Portin e Durrësit, e ka bredhur me anije tregtare edhe në brigjet e Italisë para se t’ia mësynte artit, pakkush e di.
Prej mbrëmjes së të martës portreti prej njeriu e artisti i Abdurrahman Shalës është përmbledhur në monografinë “Abdurrahman Shala – mjeshtri që e bëri punën sikur të ishte e lehtë”. Me autor dramaturgun Visar Krusha e botimi i organizatës “Integra” hedh dritë mbi jetën dhe veprën e Shalës. Me 48 projekte filmike ku ka marrë pjesë si aktor, regjisor e producent, 58 shfaqje në cilësi të ndryshme, 24 radiodrama e këngëtar i nëntë këngëve, Shala i lindur më 23 dhjetor 1922 në Vushtrri është prej ikonave artistike me të cilat identifikohen teatri e filmi i Kosovës e përtej. Portreti i tij në skenë a sheshxhirim ishte i njeriut të ashpër me aso vija fytyre që thuajse bënin që njerëzit përreth tij të mos vëreheshin.
Monografia në më shumë se 180 faqe – me foto arkivore, shumë prej të cilave të papara në publik – përmbledh jetën e artistit të teatrit, filmit e të këngës. Shpalosen dimensione të shumta të Shalës. Ai besonte se midis shqiptarëve ka shumë artistë.
“E përsëris mendimin tim të shprehur para 25 vjetëve: Kosova është plot me talentë për art. I gjithë ky popull është artist. Historia e ka bërë të tillë”, do të thoshte Shala për “Zërin e Rinisë” më 1979 në një intervistë me gazetarin Qani Mehmeti.
Tek ai mund të ketë ndikuar edhe historia personale për t’u bërë artist.
Si i vogël do të shpërngulej në Shqipëri, kishte jetuar në Krumë larg familjes për një kohë, për t’u bashkuar në Durrës, më pas për të protestuar kundër pushtuesve italianë e për të rrokur armët. Luftën e pasluftës do ta bënte në beteja artistike. Sipas monografisë, shfaqja e parë ku kishte luajtur e njëkohësisht ishte asistent regjie qe “Personi i dyshimtë” më 1949 me tekst të Branislav Nushiqit, nën regji të Dobrica Radenkoviqit. Kishte rolin e Zhikës. Qe shfaqja e parë në shqip në Kosovë e cila premierë ishte dhënë më 1 maj para minatorëve të “Trepçës” e më pas në Prishtinë më 7 qershor. Komedia tallej me dinastinë e Obrenoviqëve. Kurse filmi i parë qe “Esqalon Doktora M.” në vitin 1955 nën regji të Zhivorad “Zika” Mitroviqit.
Autori i monografisë, Visar Krusha, ka thënë se ka qenë shumë kureshtar të njihte rrugëtimin e tij si artist e si njeri.
“Ajo që më ka fascinuar më shumë është se në të gjitha profilet që ka punuar si aktor, si regjisor teatri, si producent filmash, por edhe si këngëtar duket se ka punuar me shumë profesionalizëm dhe me nivel të lartë të performancës. Njëkohësisht me shumë përgjegjësi dhe shumë këmbëngulje për të çuar përpara dhe për të ngritur standardin e të krijuarit teatër dhe film në Kosovë”, ka thënë ai.
Sipas Krushës, pikëpamjet e tij për zhvillimin e teatrit dhe të filmit në Kosovë janë të paraqitura në intervista dhe disa edhe në monografi e që janë shumë moderne dhe shumë aktuale edhe sot për zhvillimin e teatrit dhe të filmit.

“Libri duhet të shërbejë edhe si referencë për gjeneratat e reja për të njohur më mirë traditën e teatrit dhe filmit që e ka krijuar Adburrahman Shala bashkë me krijuesit e tjerë të gjeneratës së parë në Kosovë”, ka thënë ai. Sipas tij, gjeneratat e reja janë shkëputur nga ajo traditë e ato vlera që ka krijuar gjenerata e Shalës.
“Në anën tjetër mendoj që kemi shumë për të mësuar nga ato. Në këtë kontekst, besoj se duhet të merremi më seriozisht me konsolidimin arkivave të krijimtarisë teatrore dhe filmike në Kosovë. Ato ekzistojnë, por nuk janë të sistemuara e të konsoliduara dhe të qasshme për publikun. Gjatë punës për këtë monografi e kam kuptuar se arkivimi i krijimtarisë artistike të një institucioni dhe qasja e publikut në të janë po aq të rëndësishme sa edhe vetë krijimtaria e artistike”, ka thënë ai.
Mbesa e aktorit, Miranda Shala, ka thënë se rreptësia në fytyrën e tij, prezenca e tij, zëri i tij kur i ka thënë ato pak fjalë kanë reflektuar seriozitet dhe kanë imponuar një autoritet të tmerrshëm.
“Ka qenë shumë i ashpër për gabime dhe sidomos nuk ka toleruar banalitetin dhe paragjykimet. Një shikim i tij ka mjaftuar të kuptosh se sa shumë ke gabuar. Pesha e heshtjes së tij të ka pushtuar”, ka thënë ajo. Ka treguar se në familje e kanë thirrur “Lalko”. Sipas saj, prapa kësaj çehreje të rëndë, Lalko në brendësi ka qenë tmerrësisht i butë.
“Mënyra se si ai na ka dashur, mënyra se si ai na ka përkëdhelur, si na ka përqafuar dhe si dhe kur na ka komplimentuar na ka përmbushur me dashuri dhe siguri që ende sot na përcjell. Porosia që ai ne na ka lënë ka qenë: ‘Kur e bën një punë, çfarëdo pune që është, bëjë me zemër’”, ka treguar Miranda Shala. E ka përshkruar aktorin si vizionar.
“Kur është themeluar ‘KosovaFilmi’ 55 vjet më parë ai atë e ka paramenduar si një vend ku do të ketë salla kinemaje, amfiteatër e shumë hapësira të tjera me qëllimin që të shkojnë fëmijët, të jetë vend ku njerëzit të shkojnë për vikend e ta kalojnë ditën. Lalko e ka ditur rëndësinë e artit për zhvillimin e shoqërisë”, ka thënë ajo.
Ka shpalosur se gjatë punës për monografi me Visar Krushën kanë zbuluar se ai ka shpëtuar shumë shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe është dënuar për atë që ka bërë.
“Ky ka qenë momenti që ai ka ndryshuar rrugëtimin dhe ka vendosur që t’i bashkohet motrës, Meribanës, në botën e artit”, ka thënë mbesa e aktorit. Ajo kohë ka qenë fatlume për vendin pasi do të fitonte një artist të përmasave më mëdha.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se Shala si aktor, regjisor, producent e drejtues nismëtar i një prej institucioneve më të rëndësishme të kulturës në Kosovë, “KosovaFilmi”, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e institucioneve publike kulturore.
“Si anëtar i Trupës së Aktorëve të Teatrit Kombëtar ai ishte një nga themeluesit e sektorit të dramës shqipe në këtë institucion. Bashkë me kolegët e gjeneratës së tij luajtën për herë të parë në skenë në gjuhën shqipe, por edhe në atë turke. Abdurrahman Shala është regjisori i parë shqiptar në këtë teatër, madje duke sjellë edhe tekstin e parë në shqip, ‘Nuk martohem me pare’ të Murteza Pezës”, ka thënë ai.
Sipas ministrit Çeku, kontributi i tij vazhdoi me pagëzimin dhe udhëheqjen e “KosovaFilmit” për pesë vjet, kohë kur ai vendosi themelet e këtij institucioni që edhe sot vazhdon të jetë pjesë kyç e Qendrës Kinematografike të Kosovës.
Monografia zbulon shumë të pathëna. Ose fakte të harruara. Si puna e filmit “Para shiut” të regjisorit Milço Mançevski. Kur edhe sot do të mund të dukej ëndërr një çmim “Oscar”, Abdurrahman Shala mund ta bënte realitet. Më 1995 ky film u nominua për çmimin e madh në kategorinë e “Filmit të huaj”, që tash quhet “Kategoria e filmit ndërkombëtar”. Shala luajti aty bashkë me Arben Kastratin në shqip. Paraprakisht më 1994, filmi mori “Luanin e Artë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecie.
Gjatë promovimit të monografisë shpesh është thënë se Shala – i cili vdiq në mars të vitit 1994- qe shembull i një artisti vizionar që në thelb kishte vlerat.
“Nuk guxon të ketë vetëkënaqësi. Motoja ime është një proverb francez që thotë: ‘Oreksi vjen duke ngrënë’”, do të thoshte ai në një intervistë për të përditshmen “Jedinstvo” në dhjetor të vitit 1979 për gazetarin Rajko Rosiq. Vetëkënaqësia duket se nuk ekzistonte për Shalën. Dhe porosia e tij ngelet tejet e vlefshme edhe 30 vjet pas vdekjes së aktorit, regjisorit e këngëtarit që hyn te baza e krijimtarisë artistike të kësaj ane. Te baza e pakontestueshme.