Me 76 vjet mbi supe e me shëndetin e shkallmuar nga virusi COVID-19, poeti sarajevas Abdulah Sidran ka mësyrë Prishtinën. Mik i dikurshëm i poetit Ali Podrimja e i mirëpritur kudo në Kosovë, ai është nderuar me çmim për letërsinë e tij, me të cilën e universalizoi dhimbjen e Sarajevës, Srebrenicës e Bosnjës
Me një “faleminderes”, me gulçet e frymëmarrjes së rënduar, poeti boshnjak Abdulah Sidran ka gjetur forcë për t’iu shprehur mirënjohje Kosovës e shqiptarëve. “Avdo”, siç njihet akademiku, intelektuali e skenaristi sarajevas, është laureati i sivjetmë i Çmimit Ndërkombëtar për Letërsi “Ali Podrimja”, të cilin e ndan Kolegji AAB.
Në jurinë e përbërë nga poetët Halil Matoshi, Lulzim Tafa, Naime Beqiraj, Rrahman Paçarizi dhe Vlora Konushevci, poeti Abdulah Sidran është vlerësuar për arritjet e tij kulmore në letërsi.
Në ceremoninë solemne të mbajtur mbrëmjen e së premtes në teatrin “Faruk Begolli”, në Kolegjin AAB, të pranishmit e kanë vlerësuar Sidranin si poetin që besoi në fuqinë e vlerave njerëzore dhe ngadhënjimin e së mirës.
Në mbrëmjen e moderuar nga Zija Rexhepi, prorektor për administratë dhe marrëdhënie me publikun në AAB, poeti sarajevas është mirëpritur si mjeshtri i poezive, librave dhe filmave.
Sipari i mbrëmjes është hapur me një interpretim të violonçelistit Adorel Haxhiaj të një pjese muzikore të filmit “Sjećaš li se Doli Bel?” (A e mban mend Doli Bel?), filmi i vitit 1981, ku Sidran ishte skenarist.
Besimi në epërsinë morale të boshnjakëve
Lulzim Tafa, kryetar i Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB, ka mirëseardhur mysafirin boshnjak, të cilin e ka quajtur si një nga më të mëdhenjtë në Bosnjë e Ballkan. Derisa ka shprehur kënaqësinë që Sidran bëhet laureati i radhës i çmimit “Ali Podrimja” pas Ismail Kadaresë dhe Jevrem Bërkoviqit, ai ka vlerësuar poezinë e autorit nga Sarajeva.
“Bosnja, Sarajeva e Srebrenica në kujtesën njerëzore do të mbahen mend shumë gjatë si imazhe të luftës e të tmerreve që shkakton lufta edhe përmes poezive të Sidranit e të poetëve të tjerë boshnjakë”, ka thënë Tafa.
Ai ka theksuar se poezia e poetit sarajevas shërben për të bërë dallimin e madh mes tmerreve të luftës dhe ëndrrës për të bukurën në jetë. Me këtë rast, poeti i njohur për kryeveprën e tij “Sarajevski Tabut” është vlerësuar për guximin e tij për të demaskuar hegjemoninë serbe që i solli tragjedi të mëdha rajonit.
“Në poezi, ai vë gjithnjë në pah epërsinë morale e njerëzore të qytetarëve të vendit të tij që vuajtën nga tragjeditë e luftës”, ka thënë Tafa.
Sipas tij, përmes këtyre elementeve Sidran e ndërton poezinë e tij në atmosferën e luftës, ku përplasen vlerat e antivlerat.
Duke e falënderuar për “brilantet poetike e artin e madh” që ia dhuroi njerëzimit, Tafa ka përfunduar se në poezitë e mikut sarajevas spikati besimi se e mira do të fitojë.
“Zemër e çiltër, mendim i thellë”
“Forca e jetës i mund të gjitha forcat e tjera së bashku”, me këto fjalë të shkrimtarit nga Bosnja kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka evokuar takimin që zhvilloi me të gjatë ditës në mjediset e Kryeministrisë.
Kështu, Sidran kishte marrë rrugën drejt Prishtinës jo shumë kohë pasi e la respiratorin pasi ishte prekur nga koronavirusi.
“Sot, gjersa bisedonim për librin, evokuam kujtime për Sarajevën e sotme e atë të dikurshmen”, ka thënë Kurti. “Gjurmët e virusit tinëzar ia ngadalësonin frymëmarrjen, por kurrsesi mprehtësinë e mendimit”.
Tutje, ai ka thënë se Sidran me poezinë e tij na bashkoi me dhimbjet e katrahurat që pësoi populli boshnjak, e që për pak kohë do të bëheshin realitet edhe në Kosovë.
“Ndaj i vetmi njeri që do të gëzohej më shumë sesa Sidran e të tjerët për këtë çmim është Ali Podrimja, poeti ynë që na shërben e na shpërblen edhe kur nuk është fizikisht me ne”, ka theksuar Kurti.
Duke cituar vargje nga poezitë e përmbledhura në librin “Tabuti sarajevas”, kryeministri i Kosovës ka falënderuar Sidranin për “vargjet e bukura e të mprehta, për shkrimet e shkëlqyeshme që burojnë nga një zemër e çiltër dhe mendim i thellë”.
“Po këndoj nanë”
Pas kësaj, ansambli “Zanat” ka interpretuar këngën “Hapi sytë e zes’” nën përcjelljen e pianistes Pranvera Hoxha.
Përveç botës së artit poetik dhe gazetarisë, krijimtaria e Sidranit ka prekur edhe kinemanë: ai shkroi edhe skenarët e filmave “Otac na službenom putu” (Kur babai ishte larg me punë) dhe “Sjećaš li se Doli Bel?” (A të kujtohet Doli Bel?), filma fort të suksesshëm nën regjinë e Emir Kusturicës – i cili sot njihet si një prej zërave më nacionalistë serbë – si dhe për filmin “Kuduz” të Ademir Kenoviqit.
Me këtë rast, aktori dhe dramaturgu Enver Petrovci ka dalë në skenë për të interpretuar poezinë “Mora” (Ankthi) të mysafirit nga Sarajeva.
“Këndoj, nanë, si e kisha një shpi/ dhe tani nuk kam shpi. Këtë po e këndoj, nanë”, ishin disa nga vargjet e kësaj poezie.
“I praron fjalët deri në përkryerje”
Minutat në vazhdim, poeti e gazetari Halil Matoshi ka lexuar pjesë nga vlerësimi i jurisë për ndarjen e këtij çmimi për poetin Sidran.
“Duke marrë parasysh veprën e tij letrare dhe vlerat e pakontestueshme për letërsinë e përbotshme, për universalitetin e poezisë, për dhimbjen nga humbja e identiteteve kombëtare jo vetëm në Ballkanin e trazuar…”, ka shpalosur disa nga vlerësimet e jurisë për poetin boshnjak.
Tutje, Matoshi ka lexuar edhe një dedikim të vetin për Sidranin, duke thënë se vargjet e tij dëshmojnë se si do të ishte e mundshmja në të kaluarën e makthi i njeriut.
“Në vargjet e tij t’u e përbirue secilin fjalë si humanist, t’u e kullue mendimin, ai praron fjalët deri në përkryerje”, ka thënë Matoshi. “Poezia e Sidranit është ekspresive e rrjedh me gjakun e frymën e tij; secili varg është një vetje e dytë, sepse secila nga figurat stilistike është dhimta e tij”.
“Dhimbja e plagët të shndërrohen në margaritarë artistikë”
Me një tjetër deklamim të poezive të autorit mysafir nga aktorja Imelda Musiq, rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha, ka dorëzuar çmimin “Ali Podrimja”.
Me gjithë gjendjen shëndetësore të rënduar, Sidran ka gjetur forcë që të ngrihet në këmbë e të përshëndesë të pranishmit që po e duartrokitnin.
Mes emocionesh, ai është ndier borxhli të kujtojë mikun e tij, Ali Podrimja, “që shkroi poezitë më të mëdha pas humbjes së të birit”.
“Nuk është e vështirë të shkruash poezi të bukur, vështirë t’i përjetosh arsyet për ta shkruar atë”, ka thënë Sidran.
Me frymëmarrjen e rënduar, poeti boshnjak ka thënë se arti rrjedh nga dhembja e loti, “nga dhimbja e përbashkët e të dy popujve”.
“Shpresoj e uroj që këto dhimbje e plagë të shndërrohen në margaritarë artistikë”, ka shtuar Sidran.
I lindur më 2 tetor të vitit 1944, Abdulah Sidran është shkrimtar, poet, skenarist, dramaturg e gazetar. Ishte fëmija i dytë në familjen me katër fëmijë nga Sarajeva.
Kreu studimet në Departamentin e Historisë së Letërsisë jugosllave në Fakultetin e Filozofisë në Sarajevë. Ishte redaktor i gazetës studentore “Naši dani”, përvojë gazetareske që do ta vazhdonte edhe në Televizionin e Sarajevës. Sprovat e tij të para letrare ishin kah mesi i viteve ’70, duke u cilësuar si përfaqësues i brezit të ri të shkrimtarëve. Është fitues i një sërë çmimesh në Bosnjë e jashtë saj: për veprën e tij “Tabuti i Sarajevës” fitoi Çmimin e Lirisë nga PEN Qendra franceze, duke u radhitur me Vladimir Sakharovin, Alexander Solzenjicinin e Vaclav Havelin.
Është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Bosnjës, ndërkohë që shquhet edhe si dashamir i lojës së shahut. Më 2019, Sidran, tok me tridhjetë intelektualë botërorë, u takua me presidentin francez, Emmanuel Macron, takim ky që ishte nismuar nga filozofi e shkrimtari Bernard Henri-Levy.