Në një rrethanë tjetër skicat do të ishin krejt të zakonshme në qëmtimin e rrugëtimit deri te realizimi i një vepre arti. Por jo edhe te Edi Hila, artisti i njohur shqiptar. Skicat e tij pos si vepra më vete bëhen artefakte të kapërcimit të Shqipërisë komuniste në demokraci, në një soj transicioni të çuditshëm. Skicat nuk janë vetëm dokumentim, aty çon krye estetika si një lloj kundërpërgjigjeje ndaj asaj që kap syrin i tij
Skicat e artistëve të mëdhenj nganjëherë edhe mund të ecin ndoshta paralelisht me veprat. Në këto anë ekspozimi i skicave ka nisur të marrë jetë viteve të fundit. Përtej anës konvencionale të letrës në dorë e një lapsi ku artisti bën ato shenjat që e kanë ngacmuar përballë një subjekti që më vonë mund të shndërrohet në vepër, Edi Hila ka vepruar ndryshe.
Në ditët e para të demokracisë në Shqipëri, energjia ishte e hovshme. Bashkë me të edhe mësymja për të ecur përpara në arkitekturë e çka jo tjetër. Ideja për zhvillim vlonte sidomos në infrastrukturë.
Me a pa leje ndërtimore, kush s’e çante kokën.
Në një rrethanë të tillë, artisti shkodran, në vend të letrave për skica klasike, kapi fotoaparatin dhe ua mësyu subjekteve që do të shndërroheshin në piktura. Tash pos skica, printimet në formatin A4 janë dokumentim. Edhe artefakte.
Në 25 sosh të ekspozuara në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë prej të hënën mbrëma, nën titullin “A4 Print”, Hila shpalos procesin e tij të punës. Përderisa vizitorët më herët kanë parë pikturat e tij, kësaj radhe janë kthyer te baza e tyre: skicimi.
Hila – një prej realistëve më të zotë në këto anë – vjen me fotografitë e viteve ’90. Krahas tyre ka vija, shënime e ilustrime. Subjektet, që zakonisht janë ndërtime të reja e të vjetra, e kanë ngacmuar piktorin për t’i shndërruar në piktura. Ka sjellë edhe dy të tilla sa për të treguar derivatin e fotografive. Bredhjet e tij me fotoaparat bashkë me realizimin në pikturë përbëjnë vepra të dyfishta. Fotot e kornizuara janë vepra më vete krahas pikturave.

Në një përshkrim të thjeshtë, Hila mund të konsiderohet si kronist i transicionit shqiptar. Do të ishte edhe kronist i zoti i periudhës së monizmit, por nuk e lanë. I lindur në Shkodër në vitin 1944, Edi Hila më 1967 do të diplomohej në Institutin e Arteve të Bukura në Tiranë. Prej vitit 1968 deri në vitin 1974 ka punuar në Radiotelevizionin Shqiptar dhe si ligjërues i jashtëm i vizatimit në Institutin e Lartë të Arteve.
Piktura “Mbjellja e Pemëve” në fillim të viteve ’70 do të bëhej subjekt i sherrit midis tij dhe pushtetit të kohës. Fillimisht në qarqet profesionale e studentore e më vonë edhe te kupola politike, vepra ku njerëzit thjesht mbjellin pemë do të cilësohej “si ikje nga vlerat kombëtare të artit dhe anim kah arti perëndimor”. Me këtë vepër do të merrej edhe pushteti në Plenumin e Katërt të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Por skenografinë e Festivalit të 11-të të Radiotelevizionit Shqiptar – edicion që i kushtoi shumicës së organizatorëve me dënime për qasje perëndimore – bëri që Hila të dërgohej në riedukimin e kohës. Punoi prej Pularisë së Tiranës në Laprakë e deri te Ndërmarrja e Dekorit në Tiranë e revista “Horizonti”. Në fund të viteve ’80 i kthehet profesionit, kurse në vitet ’90 punon profesor pikture në atë që ishte Akademia e Arteve. Pikërisht në këto vite realizoi edhe skicat e ekspozuara në Prishtinë.
“Është një titull ilustrativ i fotografive të kohës kur Shqipëria nga diktatura kaloi në demokraci. Atëherë sigurisht që u krijuan situata të reja në aspektin e peizazhit e figuracionit. Nuk ishte më peizazhi i dikurshëm, por ajo u pasurua edhe në arkitekturë dhe në jetën e përditshme. Aq më tepër që në atë kohë njerëzit kishin dëshirë të ndërtonin, të bëjnë diçka të re. Njerëzit kishin një energji të pashtershme në atë kohë”, ka thënë Hila. Ky moment specifik do ta bënte për vete duke bredhur me fotoaparat.
“Fotografitë mbulojnë skicat e shpejta kur kemi marrë material me skica në dorë. Ky material kur bëhet pikturë e humb lidhjen me fotografinë. Fillon me një A4 dhe përfundon me një tablo”, ka thënë ai. Në transicion, Hila nuk do ta vriste mendjen për të ndërruar kahe si shumë artistë. Nuk e kishte atë kompleks.
“Kam ruajtur të njëjtat reflekse dhe aftësitë që kam marrë në shkollë. Kam thënë se atë di ta bëj dhe se nuk kam pse të kaloj në një qëndrim estetik tjetër”, ka thënë ai. Modestia nuk e lë të ndihet rehat nëse quhet kronist i kohës nëpërmjet tablove. Por fotografitë e tij përçojnë një poetikë të rrallë të periudhës kur janë realizuar. Shihet se synimi për të ndërtuar në demokraci ishte sa i çuditshëm aq edhe derdhje e një energjie të ngujuar për dekada nën monizëm.
Kuratori i ekspozitës, Shkëlzen Maliqi, thotë se në këtë rast bëhet fjalë për një paraqitje publike të jozakonshme.
“Aq më shumë që pikturat tashmë janë parë nëpër galeri e bienale prestigjioze dhe reflektuar dhe komentuar në libra e katalogë. Pastaj, kur dihet se maketet janë fotokopje me ngjyra të kursyera në letër të thjeshtë për dokumente ordinere, dikush do të mund të thoshte se ato qenkan kopje kopjesh të kopjeve, me distancë të madhe nga origjinali”, thotë ai në tekstin kuratorial. Por, sipas Maliqit, është e kundërta.
“Në renditjen ontologjike të ngjizjes së imazheve, letrat e formatit A4 kanë status thuajse primordial në regjistrimin e fenomeneve të paraqiten në to, të realizuara përmes një procesi ku syri, truri, fokuset e kuadrimeve dhe momentet e shkrepjeve të fotoaparatit në dorën e artistit përbëjnë një zinxhir ingjenioz të skenimit kreativ me pamje nga Shqipëria, si një vend me transicion tejet të habitshëm”, ka shkruar Maliqi. Sipas tij, ka një përputhje ndoshta jointencionale të praktikës së Edi Hilës, me teoritë dhe praktikat e artit konceptual botëror që është afirmuar nga mesi i shekullit 20. “Konceptualizmi e ka pas bartur kuintesencën e arteve pamore nga piktura ose ‘vepra’, si produkt final i krijimit, te ideja dhe koncepti që ngjizet në trurin dhe shpirtin e artistit. Koncepti është primar sepse vetëm në atë stad arti shquhet me kreativitet të pastër, si burim dëlirësie dhe sinqeriteti të pakorruptueshëm kundrejt statusit që arti e ka në botën kontemporane, ku çmohet para së gjithash si vepër e realizuar dhe kornizuar si pikturë, ose artefakt tjetër, pasi që pos vlerave ideo estetike, i nënshtrohet edhe tregut dhe vlerës monetare”, ka shkruar Maliqi.

Si artist me ndjeshmëri të lartë përballë ndodhive shoqërore Hila përshkruhet edhe nga bashkëvendësit e tij. I tillë është në sytë e historianit të artit Zef Paci. Sipas tij, Hila ka konstatuar të pazakontën e poezinë e çuditshme të një vendi në transicion.
“Tash këto fotografi nuk shërbejnë si objekte ndihmëse, por janë si artefakte. Është gjurma teknologjike e printimit bashkë me shënimet e tij e ngjyrat. Tash ato kanë fituar një dimension nga palosjet duke mos qenë më një print i thjeshtë, por brenda kornizës krijon një sens që sikur ankohet për një transicion”, ka thënë ai. Veprat e Hilës që bartin jo pak peshë të historisë së artit shqiptar në shekullin e kaluar e të fillimshekullit aktual janë ekspozuar në vende të ndryshme të Evropës. Kanë çuar atje edhe copëza transicioni.
“Kur vjen demokracia ai e rigjen veten si artist shumë specifik e i ndjeshëm që reflekton, pasqyron dhe është një prej artistëve me të cilin mburremi që është në mesin tonë”, ka thënë artisti Mehmet Behluli.
Reflektimet e Hilës në njëfarë mase janë reflektim i një artisti që nuk heq dorë nga të qenit kronist i zhvillimeve shoqërore. Në modestinë e tij nuk e ka në qejf të cilësohet i tillë. Kurse në veprat që ka punuar, del përtej kësaj.