A bëjmë dhuratë nëse e dijmë që nuk do t’na kthehet? Çfarë realisht japim dhe çfarë presim të marrim kur i bëjmë dikujt një dhuratë? Çfarë fryme përcjellë dhurata që e shtyen pranuesin e saj ta kthej dhuratën? Si i përcakton kultura traditat e dhurimit dhe llojet e dhuratës? Në vitin 1924, sociologu francez Marcel Mauss botoi një ese për dhuratën dhe kulturat e dhurimit. Që nga atëherë ky tekst u kthye në kryevepër të antropologjisë, që tani sapo ka ardhur edhe në shqip: “Dhurata: forma dhe fryma e këmbimit në shoqëritë arkaike”, botuar nga CUNEUS.
I bazuar në shumë vëzhgime etnografike mes komuniteteve në Amerikën Veriore, Melanezi e Ishujt Trobriand dhe me studime antropologjike e referenca nga e dreja gjermanike, kelte, e kineze, “Dhurata” e Marcel Maussit trajton tema si parimet dhe intensiteti i këmbimeve, tri detyrimet e dhurimit: për të dhënë, për të marrë dhe për të kthyer, peshqeshi, bujaria, shkëmbimi dhe kulturat e dhurimit.
I përkthyer në shqip dhe i pajisur me një parathënie dhe me shumë shënime sqaruese nga Arton Ahmetaj, “Dhurata” e Marcel Maussit është një vepër me shumë rëndësi për të gjitha shkencat sociale e dijet humane. Me aq shumë lloje dhuratash në të, “Dhurata” e Marcel Maussit, është një dhuratë për lexuesin shqiptar, që mund të kthehet si kundërdhuratë veçanërisht duke e lexuar dhe dhuruar!