“Në ditët e festivalit të Prizrenit bëhet një botë e vogël”, thotë Linda Llulla, drejtoreshë e “DokuFestit”, në vlugun e punës për detajet e fundit të edicionit të 23-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, që nis sonte (e premte) në Prizren. Bota mblidhet në qytetin historik për nëntë ditë e njeriu bëhet një me të. Sivjet për “Rendin e ri”. Brenda fotografisë lëvizëse të filmit dokumentar e të shkurtër
Një vit kohë i duhen një festivali si “DokuFesti” për ta finalizuar në kohë një tjetër edicion të suksesshëm që nis sonte, e premte. Por, janë 22 vjet përvojë. Nuk zhgënjen asnjëherë, megjithëse konfirmimi përfundimtar do të jetë nata e 10 gushtit kur ndahen çmimet. Për ta arritur këtë po punon një ekip i tërë i festivalit bashkë me atë prej 120 vetash, i ngarkuar posaçërisht për këtë edicion, të 23-tin në radhë të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër në Prizren.
Gjersa numërohen së prapthi orët deri në ndezjen e projektorit kryesor në kinemanë “Lumbardhi”, janë prapaskenat e përgatitjeve që e bëjnë secilin detaj të flasë e të jetë pjesë integrale dhe shënjuese e ngjarjes. Fillimgushtit në Prizren ia shton gjallërinë festivali dhe e bën këtë periudhë të shënohet me emrin e ngjarjes.
“S’ka shtet që merr pjesë për herë të parë”
Shenjat e “DokuFestit” tanimë janë të shpërndara nëpër qytet. Paralajmërimi për edicionin fillon nga periferia e qytetit, ku shtizat janë ngritur për flamujt që ilustrojnë temën e sivjetme – “New Order” (Rend i ri). Edhe ekranet e rezervuara për reklama kanë këtë imazh, sikur edhe posterët e shpërndarë nëpër krejt qendrën historike, ku zë vend programi qendror i festivalit.
Atë pjesë e ilustron me ngjyrat e kinematografisë botërore. Të paktën për dhjetë ditë. Prej 2 deri më 10 gusht.
Të veçanta për festivalin janë edhe hapësirat e tjera të festivalit, pos atyre ekzistuese. Dy kinematë, “Lunar” e Sonar”, pranë Kalasë së qytetit, janë ngritur tashmë. Edhe “Kino Lumi” është gati. Kinemaja tejet atraktive e ngritur prej dërrasash mbi luginën Lumbardhi veçse është pajisur me altoparlantë e ekran. Biletaria është gati. Ulëset e rehatshme, larg prej atyre që zakonisht i shërbejnë publikut në një kinema formale, kanë zënë vend aty duke e bërë hapësirën me shumë ngjyra.
Peizazhi piktoresk i qytetit është ana tjetër. Jo veç për atë pjesë, por për secilën ngjarje. Mbi të gjitha, është energjia e ambientit që reflekton tek vizitorët dhe i bën aktivitetet edhe më të paharruara.
Cilësia e programit është pa diskutim etapa kryesore.
Ditë më parë është shpallur programi i filmave garues. Janë tetë kategori nëpër të cilat shpërndahen 103 filma. Hiç më pak se 3 mijë e 325 kishin aplikuar nga 119 vende të botës. Është numër rekord sipas Linda Llullës, drejtoreshë e përgjithshme e “DokuFestit”. Qe bërë e ditur se janë filma që reflektojnë botën e tronditur në të cilën jetojmë.
Llulla ka thënë se përgatitjet kryesore janë punë të kryera, kanë mbetur ato që ajo i quan cikërrima.
“I kemi përfunduar të gjitha pjesët më të vështira dhe më të mëdha, më problematike t’i quaj. Kanë mbetur edhe disa cikërrime të vogla të cilat rregullohet vetvetiu. Vendosen edhe pajisjet nëpër kinema, njerëzit janë të trajnuar se çfarë do të punojnë dhe do të bëjnë gjatë festivalit, sepse ne pos që jemi njëzet veta në staf gjatë vitit, i organizojmë edhe njëqind punëtorë të tjerë që angazhohen në punë të ndryshme gjatë festivalit”, ka thënë ajo.
Shkurtimisht ka përmendur ceremoninë e hapjes. Ka thënë se do të jetë interesante.
“Kështu që të gjitha ato punë janë kryer dhe tash po merremi vetëm me finesa. Jemi duke e përgatitur edhe hapjen e festivalit, kështu që do të jetë diçka shumë interesante”, ka thënë Linda Llulla, drejtoreshë e “DokuFestit”.
Interesante e atraktive kishte qenë ceremonia e hapjes së edicionit të kaluar kur njeriu ishte zëvendësuar me “robot” si simbol i Inteligjencës Artificiale, kur tema ishte “I AM AI AM I” (Unë jam IA a jam).
Llulla ka thënë se edhe sivjet pritet që festivali të grumbullojë audiencë jo vetëm të shumtë në numër, por edhe të gjerë nga vende të ndryshme të botës. Sipas saj, vetë Prizreni në ditët e festivalit bëhet “një botë e vogël”.
“Ka shumë njerëz që vijnë sivjet në Prizren, por edhe ata që vijnë për herë të parë gjithmonë kthehen, kështu që kemi njerëz nga vitet e kaluara, qoftë filmbërës, producentë apo njerëz nga festivale të rëndësishme. Kemi pasur nga Cannes e nga festivalet e Amerikës”, ka thënë ajo.
Sa i përket programit të filmave, organizatorët kanë bërë të ditur se nuk ka shtete që marrin pjesë sefte në festival, ngase ngjarja veçse ka prekur kinematografinë botërore.
“Për ne është interesante që ka filma nga vendet që nuk janë në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, sepse e dimë se kinematografia dhe filmat prodhohen shumë atje. Në vendet si Ukraina, Palestina, Tajvani, nuk jemi mësuar t’i shohim shumë në Kosovë dhe këta janë filmat që na interesojnë dhe intrigojnë dhe e kanë një vend të veçantë në program”, ka thënë Llulla.
Janë mbi 200 filma që do të shfaqen në përgjithësi në kuadër të edicionit bashkë me programet e veçanta, të cilat janë pjesë e pandarë e festivalit, krahas atij garues.
“DokuTalks” sivjet me dy panele diskutimi bën bashkë rrëfime që eksplorojnë shpirtëroren, filozofinë e lidhjet ekzistenciale të komuniteteve në kopshtin e shtëpisë së kulturës “Shani Efendi”, ku zakonisht zhvillohen.
“DokuNights” është një lloj kolone zanore e “DokuFestit”. Sivjet ritmet muzikore të ditëve të festivalit do të shijohen ndryshe, nëpër hapësirat ku shfaqen edhe filma.
“DokuNights” si kolonë zanore
Ajo çfarë lidhet me edicionin e sivjetmë që fokus të veçantë ka edhe filmat nga Ukraina e Palestina si territore ku po zhvillohen luftëra në kohë moderne, është pjesëmarrja e bendit palestinez “47 Soul”, që do të interpretojë me 3 gusht në kinemanë “Lumbardhi”, në natën e dytë të festivalit.
Programi i “DokuNights” nis me artisten e lindur në Zvicër, Aisha Devi, në natën e parë të festivalit në “Lumbardhi Bahçe”, për të vazhduar më tej me Agona Shportën në platenë e “DokuKinos” e pastaj me dyshen e përbërë nga Aleksi Perala nga Finlanda dhe Eljesa Beka.
Artistja angleze “Actress”, pioniere e kompozimit elektronik, do të sjellë ritmet e teknos së Detroitit midis Prizrenit, në “Lumbardhi Bahçe”. Hapësira brenda dhe jashtë kinemasë, një ditë më pas, më 7 gusht do të ketë muzikë nga bendi danez “Efterklang” dhe ai turk “Gezegen”.
Emra të tjerë në kuadër të programit janë edhe italiani Gianmarco Donaggio e orkestra “Shkodra”.
Leart Rama, kurator i “DokuNights”, sivjet ka bashkuar forcat me Nita Dedën, një prej themeluesve të programit, për ta kuruar të sivjetmin, si segment i rëndësishëm i festivalit “DokuFest”.
Rama ka thënë se programi muzikor i festivalit ka ardhur si format i rikonceptuar.
“Pas rreth 10 vjetësh në ‘Andrra Stage’, këtë vit kemi vendosur ta rimendojmë konceptin e ‘DokuNights’ se si do ta ndërtojmë, kështu që kemi vendosur që gjithë programin ta zhvendosim dhe ta vendosim nëpër lokacione të ndryshme ku shfaqen edhe filmat. Performancat sivjet mbahen në Lumbardh edhe brenda, edhe jashtë, për herë të parë do të ketë edhe në platenë e ‘DokuKinos’, pastaj në Kala. Të gjitha këto lidhen drejtpërdrejt me lokacionin dhe me konceptin e bendeve dhe artistëve që sjellim se si përshtaten me atë lokacion”, ka thënë ai.
Është shprehur se megjithatë i njëjtë mbetet qëllimi, të sillen përherë të rejat e botës në muzikë, në kuadër të ditëve të festivalit.
“‘DokuNights’ që nga viti i parë që ka filluar si koncept gjithmonë ka qenë të sillet diçka e re në muzikë, në stilet e ndryshme muzikore, por asnjëherë nuk jemi fokusuar në një zhanër specifik të muzikës, gjithmonë jemi munduar të sjellim diçka të re në Kosovë. T’ia servojmë audiencës atë që nuk kanë mundur të dëgjonin deri tash, t’i njoftojmë me artistë nga bota, por edhe profile shumë të larta e avangarde të muzikës në botë”, ka thënë Rama, që edhe vetë është pjesë e programit. Do të interpretojë më 9 gusht në “Sonar Cinema”, bashkë me të tjerë artistë.

Edukimi kinematografik
Se programi për fëmijë “DokuKids” ka peshë të padiskutueshme dhe pozitë të veçantë në edicionet e festivalit “DokuFest”, për bazë mund të merret qoftë edhe vetëm ceremonia përmbyllëse e njërit edicion të ngjarjes. Publikut të festivalit i shfaqet imazhi i rezultateve të punës si rrjedhojë e punëtorive të zhvilluara përgjatë programit që “DokuFesti” ua kushton të vegjëlve të festivalit.
“DokuKids” është një tjetër adresë për krijuesit e rinj në fushën e kinematografisë. Animacioni është zhanri, njëri prej premtuesve në skenën vendore, por që tek vitet e fundit ka nisur të zhvillohet. Është njëra prej adresave të pakta që ia kushton hapësirën, bashkë me akademinë e animacionit e festivalin “Anibar” në Pejë.
Kuratorja e këtij programi, Malbora Krajku, ka thënë se kjo formë e punës me të rinjtë e zhvillon anën edukative në fushën e kinematografisë.
“Punëtori shumë të veçantë e kemi atë që quhet ’35 milimetër, filmi është ende gjallë’. Është ideja që në shiritat e vjetër filmikë, fëmijët të vizatojnë në ata filma dhe nëpërmjet tyre të krijojnë një film të shkurtër, ku të gjithë do të kenë mundësi ta shohin. Punëtoria tjetër ‘Smart Lens’, që është po ashtu me tinejxherë, në bashkëpunim me ‘IPKO Foundation’ dhe ‘Telegrafin’, ku fëmijët do të mësojnë se si të krijojnë një film dokumentar nga telefoni. Të gjithë hapat do të kryhen nëpërmjet telefonit, me ndihmën e tutorit”, ka thënë ajo, duke bërë të ditur se janë gjithsej tetë punëtori sivjet.
Shfaqjet e filmave janë tjetër pjesë e “DokuKids”. Sivjet janë 49 filma të animuar në program, bashkë me dy programe të veçanta me filma të dhuruar nga festivale prestigjioze.
“Një pjesë e tyre janë ata që kanë aplikuar në festival, por janë edhe dy programe të dhuruara, njëri nga ‘Kurzfilm Festival’ nga Hamburgu dhe tjetri nga ‘Clermont-Ferrand Film Festival’ nga Franca. Dy programe për grupmosha të ndryshme. Disa janë nga moshat 7-11 dhe tjetri nga 11-17. Fëmijët, duke qenë pjesë e ‘DokuKids’, do të kenë mundësi çdo ditë të shohin filma të animuar, të marrin pjesë në sesione të yogas dhe pastaj të bëhen pjesë e punëtorive për të cilat faktikisht kanë aplikuar prindërit e tyre”, ka thënë Krajku.
Ajo ka bërë të ditur se sivjet pritet që pjesë e “DokuKids” të jenë rreth 220 të rinj. Një pjesë e aktiviteteve të tyre sërish do të shfaqen në fund të festivalit, si frymëzim shtesë për t’u bërë pjesë e programit.
“Krijimet e fëmijëve do të shfaqen në ceremoninë e mbylljes, por edhe një përmbledhje totale e krejt punëtorive që fëmijët kanë punuar gjatë shtatë ditëve do të prezantohet në mbyllje dhe familjarët e publiku i gjerë do të ketë mundësi të shohin se si kanë punuar fëmijët. Të mos harroj ta cek se në punëtori do të ketë pjesëmarrës nga komunitetet e tjera, si turke, boshnjake e RAE”, ka thënë ajo.
“Bletët” e vullnetarizmit
Vullnetarët janë pjesa integrale e festivalit. Nisur prej faktit se vetë festivali ishte nismë vullnetare.
Malbora Krajku, që është edhe koordinatore e përzgjedhëse e vullnetarëve, ka thënë se kur janë në prag të nisjes së një tjetër edicioni madhor, kanë në dispozicion 120 të rinj që do të shërbejnë në departamente të ndryshme.
“Momentalisht i kemi 120 vullnetarë që kemi arritur t’i përzgjedhim dhe të cilët do të kontribuojnë në 22 departamente të ndryshme të festivalit. Duke filluar prej kinemave, evenimenteve, në mikpritje, marrëdhënie me publikun, në ‘DokuShop’, në departamentin e hulumtimeve ‘DokuKids’, ku do të kujdesen për më të vegjlit e festivalit. Interesimi është shumë i madh. Krahasuar me vitin e kaluar, interesim pak më të madh kanë vajzat dhe gjithmonë vit pas viti veç po rritet numri i tyre, të cilat i kemi të kyçura në festival”, ka thënë ajo.
Vullnetarët i ka konsideruar shtyllë të festivalit që ka vlerësim të veçantë nga ana e tyre.
“Punën vullnetare e vlerësojmë shumë, sepse vetë festivali ka filluar si punë vullnetare dhe ja ku jemi pas 23 vjetësh. Interesimi është shumë i madh dhe mundohemi që vullnetarët gjithmonë të jenë të kënaqur, sepse fundja ata janë në festival edhe për t’u kënaqur pos për ta ndihmuar festivalin, edhe të zhvillojnë shkathtësi të ndryshme e të krijojnë kontakte”, ka thënë ajo, duke cituar atë që është vërejtur edhe në edicionet e kaluara të festivalit – gjithëpërfshirjen dhe tejkalimin e dallimeve tek ata që përzgjidhen.
“Normalisht që kemi vullnetarë nga komunitete pakicë dhe gjithashtu të rinj me sindromën Down e ata me aftësi të kufizuara. Të gjithë janë të mirëseardhur të bëhen pjesë e ekipit tonë, gjë që ne e vlerësojmë edhe më shumë. Shumicën që e patë në këtë ambient, shumica kemi qenë vullnetarë, duke filluar edhe prej meje. Edhe sot punojmë si staf, jemi pjesë e ekipit të ‘DokuFestit’ dhe mundohemi që ato aftësi që i kemi mësuar si vullnetarë, tash në një formë më profesionale t’i zhvillojmë”, ka thënë ajo.
Ka bërë të ditur se ka pasur aplikime edhe nga të rinj nga shtetet e tjera, ndërsa ka treguar se dy të rinj nga Anglia tanimë janë bërë pjesë. Festivali numrin më të madh të vullnetarëve e ka nga qytetet si Prishtina, Gjilani, Peja dhe Gjakova.
Është çështje orësh nisja e “DokuFestit” të 23-të. E përjetimit të botës së kinematografisë në qytetin jugor të Kosovës. Bota mblidhet në Prizren për nëntë ditë e njeriu bëhet një me të. Brenda fotografisë lëvizëse të filmit dokumentar e të shkurtër.