Kulturë

Ismail Kadareja – shkrimtari i përbotshëm i shqiptarëve

Ismail Kadare (28 janar 1936 – 1 korrik 2024) në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë më 6 prill 2017 (Foto: Driton Paçarada)

Ismail Kadare (28 janar 1936 – 1 korrik 2024) në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë më 6 prill 2017 (Foto: Driton Paçarada)

Kaherë i janë dhënë epitetet që e çuan në piedestalin e letërsisë e të mendimit. Gjeni i letrave, kolos, mjeshtër i fjalës së shkruar, i mendimit, zë i shqiptarëve e i Kosovës. Janë rikthyer edhe mijëra epitete në ditëvdekjen e tij, të hënën, kur bota shtangu me kumtin për ikjen e tij në moshën 88-vjeçare. “Kadareja përkiste me veprën e tij në fondin e letërsisë së përbotshme. Është shkrimtari i parë shqiptar që theu të gjitha barrierat që nuk kanë qenë të vogla dhe që nga vitet ’70 e këtej vazhdimisht ka qenë në lëvizje”, ka thënë akademik Rexhep Ismajli. Akademik Ali Aliu ka thënë se ai është burim kolosal vetëbesimi ndër shqiptarë. Atë e ka kujtuar edhe akademik Rexhep Qosja për të cilin letërsia e tij është e  “e gjithmonshme dhe e gjithkohshme”

Kumti i së hënës nuk preku vetëm kulturën shqiptare. Janë rreth 50 gjuhë të lidhura me emrin e Ismail Kadaresë, që brenda pak kohësh lajmi për vdekjen e një shkrimtari shqiptar të marrë globin. Dhe  nuk ndodh shpesh. Madje, deri më tash, s’ka ndodhur në përmasa të tilla. Rrëfimet lokale të një populli të vogël veç Ismail Kadareja i ka bërë që të komunikojnë në të katër anët e botës. E për këtë duhej mjeshtri.

Mjeshtri i rrallë i fjalës së shkruar, pas një sulmi në zemër vdiq paraditen e së hënës. Ai ishte 88 vjeç. Prej gjigantit të letërsisë e deri te romancieri që ia  zbuloi shqiptarët botës, qenë epitetet globale që mori pak pas vdekjes.

E në hapësirat e veta, midis shqiptarësh, u përshkrua si gjeniu që u mungonte këtyre anëve deri në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.

Shpërthimi kadarean

I lindur në Gjirokastër më 28 janar të vitit 1936, Kadareja do të ishte fëmijë e në fillim të shkollës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rrëfimet e atyre ditëve që i dëgjonte nga të moshuarit e shtëpisë, ia tregoi botës. Qytetin e gurtë e ka rindërtuar në veprën e tij, duke bërë që hamendësimet, shpresat e qejfet e një vendi të vogël t’ua rrëfejë afro 50 gjuhëve. Qysh si i ri, do të binte në sy për letërsi. Fillimisht për poezi e më pas edhe me prozë. U diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe më pas studioi në Institutin e Letërsisë Botërore “Maxim Gorky” në Moskë. Pjesa tjetër është histori.

“Frymëzime djaloshare” (1954), “Ëndërrimet” (1957), “Shekulli im” 1961, “Përse mendohen këto male” (1964) janë vëllimet tij të para poetike. Por emancipimi kombëtar nëpërmjet letërsisë do të niste kur Kadare e mprehu penën për të shkruar prozë.

Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) vlerësohet si pikë kthese në prozën moderne shqiptare. Identiteti shqiptar, heroizmi, origjina e kamotshme e mbijetesa e popullit që i takoi, gjetën vend në mjeshtërinë e tij letrare.

“Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Vit i mbrapshtë”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Hija”, “Pasardhësi”, “Kush e solli Doruntinën”, “Kronikë në gur”, “Kështjella” “Krushqit janë të ngrirë”, “Ndërtimi i piramidës së Keopsit”, “Piramida” janë veç disa prej veprave të tij. “Dimri i madh”, “Koncert në fund të dimrit” e “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” po ashtu hyjnë te letërsia e tij elitare. Për veprimtarinë e tij është shpërblyer me çmimet më të njohura që ndan bota përfshirë “Nobelin” amerikan, siç quhet alternativisht çmimi ndërkombëtar i letërsisë “Neustadt”, “Pak Kyongni 2019”, një nga vlerësimet më të larta letrare në Korenë e Jugut. Po ashtu, presidenti francez, Emanuel Macron, ia kishte ndarë atij titullin “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”. “Princi i Austurias për Letërsi” po ashtu, u nda për të. Është përfolur si kandidat edhe për nominim për prestigjiozin “Nobel”. Krejt këto i ka arritur nëpërmjet rrëfimeve të një vendi që tek më 1912 është bërë shtet dhe pa pasur një shkrimtar model bashkëkombës që kishte depërtuar në botë.

Shkrimtari i parë shqiptar që i theu të gjitha barrierat

Në fund të viteve ’60 dhe në fillim të viteve ’70 – kur Evropës Perëndimore, qytetërimit të vjetër do t’i ofrohej një shkrimtar që vinte nga diktatura –  Kadareja qe një risi e madhe.

Akademik Rexhep Ismajli mban mend vitin 1972, kur ka qenë dëshmitar dhe ndërhyrës në kontaktet e Kadaresë me Alain Bosquet dhe intelektualët e tjerë francezë .

“Ishte një befasi edhe për kulturën frënge. Deri atëherë kishim pak letërsi shqipe të përkthyer, ishte përkthyer për shembull Migjeni që ishte çmuar për motivet sociale e aspekte të tjera. Por nuk ishin mësuar me një letërsi shpërthyese si atëherë ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ dhe po përgatitej ‘Kështjella’ me një titull tjetër, ‘Daullet e shiut’. Dukej një horizont i ri. Dukej diçka që duhej të zbulohej. Natyrisht depërtimi në Francë ishte çelësi me i mirë i mundshëm”, ka thënë akademik Ismajli të hënën në kabinetin e tij në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Sipas tij, Kadareja ka përcjellë, ka transmetuar një mesazh për kulturën shqiptare. Ka thënë se në veprën e tij e tërë historia shqiptare gëlon, është e trajtuar në mënyra të ndryshme dhe ka përcjellë edhe një mesazh i cili flet shumë për ekzistencën e një populli që nuk ishte i njohur, që kishte vlerat e veta që duhej të transmetoheshin.

“Por në të njëjtën kohë sillte edhe risi sa i përket mënyrës së shkrimit në një kulturë e cila sidomos në Shqipëri ishte etabluar si kulturë e realizimit socialist me skemat shabllone të caktuara ose kultura e romantizmit e trashëguar para Luftës së Dytë Botërore. Pra, Kadareja sillte diçka emancipuese”, ka thënë Ismajli. Në tërësi, sipas Ismajlit, Kadareja ka sjellë një emancipim në letrat shqipe.

Sipas tij, Kadareja ka qenë krijues dhe si krijues, natyrisht që as vetë nuk i ka përfillur stampat.

“Kështu që është model frymëzues dhe i dobishëm për letërsinë shqipe, për shprehjen, për gjuhën shumë të begatshme dhe vazhdimisht të pasuruar. Nëse e merrni për shembull ‘Prillin e thyer” ose veprat e vona ai ka një begatim të shqipes së letërsisë, nuk po them standardit, të shqipes së letërsisë me burime të shumta. Ai vjen nga Gjirokastra, por ka burime nga veriu. Do të thotë ka një hulumtim, një zhbirim brenda kulturës shqiptare”, ka thënë ai. Ka kujtuar se deri te shpërthimi i Kadaresë në Evropë, Ballkani ka qenë shumë pak i njohur në letrat perëndimore dhe ka qenë i njohur duke u dominuar nga modeli i Ivo Andriqit e Nikos Kazantzakis bashkë me disa poetë grekë, por nga bota shqiptare ka munguar një zë.

“Kadareja ka dalë shumë fuqishëm në këtë pasqyrë dhe është imponuar gjithandej në letërsi sidomos tani vonë në letërsitë anglo-amerikane, spanjolle dhe si të themi ndonjëherë sintoni, ndonjëherë konkurrencë, ndonjëherë konfrontim me letërsitë latino-amerikane. Pra është një letërsi që është në frymën e kohës. Dhe neve na bën nder si kulturë gjithandej nga është e përhapur”, ka thënë Ismajli, një prej gjuhëtarëve më të shquar në këto anë.  Sipas tij, shuarja e Kadaresë është një humbje për letërsinë pavarësisht a është shqiptare apo tjetër.

“Kadareja përkiste me veprën e tij në fondin e letërsisë së përbotshme. Është shkrimtari i parë shqiptar që theu të gjitha barrierat që nuk kanë qenë të vogla dhe që nga vitet ’70 e këtej vazhdimisht ka qenë në lëvizje”, ka thënë Ismajli. Ka nënvizuar se Kadareja ka bërë një emancipim edhe gjuhësor, sidomos gjuhësor në radhë të parë për shkak se në prozën e tij ka sjellë një urbanizim edhe të gjuhës, të shprehjes.

“Urbanizimi i shprehjes është i domosdoshëm për prozën moderne, për prozën e kohës. Kadare nuk ka ngurruar që të lëvizë në mënyrë sovrane nëpër përmasat e letërsisë së kohës sonë që nga klasikja deri te modernia në të gjitha aspektet të formave e të tjera. Ka problematizuar shumë çështje, ka lënë për kulturën shqiptare një vepër me rëndësi të dorës së parë”, ka përfunduar ai për KOHË-n.

Një burim kolosal vetëbesimi ndër shqiptarë

Akademiku Ali Aliu, nëpërmjet një lidhjeje telefonike ka folur për një tjetër virtyt të letërsisë së Kadaresë. Ka thënë se vepra e tij është një burim kolosal vetëbesimi ndër shqiptarë. Sipas tij, është vetëbesim që e ka në vete gjeniu mbi origjinën shqiptare, mbi lashtësinë, antikitetin, “të cilën për fat të keq janë munduar shumë fqinj dashakeq ta heqin atë vetëbesim”.

“Më kujtohen disa deklarata të projekteve famëkeqe për ne që të mos e lejojnë si burim frymëzimi origjinën, ilirizmin, Skënderbeun e Nënë Terezën. Pikërisht këtë e ka bërë vepra e Kadaresë për këta 60-70 vjet. Në mënyrë të pahetueshme e krijoi dhe vazhdon ta krijojë këtë vetëbesim”, ka thënë Aliu. Në këtë rast ka shtuar se për herë të parë me Kadarenë, shqiptarët e gjetën veten se nuk janë vetëm fatkëqij që kryeveprat e Homerit, Eskilit, Dantes e të tjerëve t’i lexojnë të përkthyera.

“Por për herë të parë kemi një gjeni në këtë familje që e lexojmë në origjinal dhe që të tjerët duhet ta kenë të përkthyer. Që nga kjo fillon funksioni e rëndësia e veprës së Kadaresë”, ka thënë Aliu.

Gardian i kombit, sidomos i Kosovës

Shkrimtari e studiuesi, Ali Aliu, ka thënë se Kadareja ka pasur bindje për rrënjë antike e fisnikëri kombëtare në kuptimin më të mirë të fjalës.

“Ishte zë mbrojtës edhe në fusha të komunikimit të përditshëm me gjuhën politike e diplomatike duke u bërë gardian i kombit, sidomos i Kosovës. Sa herë që i është dhënë rasti e ka mbrojtur të vërtetën. Letërsinë në kohën e diktaturës përjashta e konsideronin si letërsi pa vlerë e ideologjike. Kur filloi Kadareja në fillim të viteve ’60 filluam ne të ndihemi mirë dhe edhe të tjerët e kuptuan se nuk është gjeni i rastit por ka lindur nga tradita më rrënjë të lashta”, ka thënë ai. Ka shtuar se funksioni i veprës së Kadaresë është madhështor.

“Për Kadarenë vlen thënia antike që nga Homeri se: për gjenitë nuk ka censurë. Për 50 vjet diktaturë ai e tha krejt çka donte ta thotë me mjeshtri dhe figurë gjeniale”, ka thënë Aliu.

Krijimtaria e gjithmonshme dhe e gjithkohshme  

Shpeshherë është komentuar njëfarë rivaliteti e zënke midis Kadaresë e Rexhep Qosjes. Por akademik Qosja, të hënën mbrëma i ka bërë një përkushtim mikut të vjetër, tek ka shkruar se Ismail Kadare dhe ai kanë pasur takime kur e kur edhe familjare, bashkëbisedime, vlerësime e nderime të ndërsjella. Sipas tij, mirëkuptimi dhe nderimi i ndërsjellë mes Ismail Kadaresë dhe vetë Qosjes në masë të madhe do të bazohej në qëndrimin Qosjes ndaj tij kur ai do të shpërngulej prej Tiranës në Paris.

“Mospajtuesve që do ta kritikojnë Ismail Kadarenë me familjen që ishin larguar prej Atdheut unë do t’u përgjigjem: ky është qëndrim i atdhetarit dhe i krijuesit Ismail Kadare dhe këtë qëndrim të tij ne duhet ta respektojmë me mendje e me zemër. Unë jam i sigurt se frytet e shpërnguljes së Ismail Kadaresë në Paris ne do t’i shohim dhe përjetojmë shpejt në kulturën tonë kombëtare”, ka shkruar ai në Facebook.

Ka treguar se Ismail Kadare dhe ai kohë pas kohe kanë shkruar për krijimtarinë e njëri-tjetrit. Ka bërë të ditur se e kanë propozuar përkthimin e romanit të tij “Kështjella” në gjuhën serbo-kroate dhe ka shkruar një parathënie shumë vlerësuese për romanin dhe krijuesin e tij Ismail Kadarenë.

“Ismail Kadare, ndërkaq, e ka shkruar parathënien për romanin tim ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’ të botuar në Paris. Por, mes Ismail Kadaresë dhe meje kohë pas kohe ka pasur edhe gjykime e vlerësime polemike si pasojë e pikëpamjeve tona të ndryshme për çështje të ndryshme kulturore dhe letrare në përgjithësi. Në letërsinë evropiane është bërë historike bindja e pranuar prej krijuesve më të shquar evropianë se ata që polemizojnë me njëri-tjetrin ata polemizojnë sepse e nderojnë dhe e duan njëri-tjetrin”, ka shkruar ai. Ka thënë se emri i tij dhe jetëshkrimi i tij janë të gjithmonshëm, sepse janë emër dhe jetëshkrim të pavdekshëm, janë historikë.

“E gjithmonshme dhe e gjithkohshme është edhe krijimtaria e shumëllojshme e Ismail Kadaresë: proza letrare, shkrimet publicistike, trajtesat historiko letrare dhe kritike e eseistike. Të gjitha këto –  emri Ismail Kadare, jetëshkrimi i tij, krijimtaria mendore, veprimtaria kulturore, shoqërore, etike dhe kombëtare në përgjithësi përbëjnë vlerën e madhe kulturore shqiptare”, ka shkruar midis të tjerash Qosja i cili në qershor ka mbushur 88 vjet jetë.

Evropa humbi përfaqësuesin më të spikatur të letërsisë moderne

Udhëheqës politikë në Shqipëri e Kosovë e kanë vlerësuar lart Kadarenë. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka shkruar se Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, “Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne”.  E ka cilësuar si kolos të mendimit e të penës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë me publikun mesazhin që i kishte përcjellë për ditëlindjen e fundit. Ka shkruar se pa pretenduar asgjë më shumë se sa shprehjen e mirënjohjes së madhe ndaj “Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare; për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerrë në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti...”, ka shkruar ai. Ka kujtuar midis të tjerash se Kadare edhe ka përkryer. Ka përmendur poezitë e Vladimir Majakovskit.

“Po ndalem këtu dhe duke uruar sot bashkë me ditëlindjen e tij edhe që gojëdhëna se Ismaili nuk shkruan më, të jetë vetëm një lojë e tij e radhës me personazhet e jetës reale, ku ai gjithnjë ka qenë si një i huaj me prejardhje e me pasaportë shqiptare, fjalën e fundit të këtij urimi ia le Majakovksit të shqipëruar prej Kadaresë...”, ka shkruar ai, për të përfunduar se “tani nuk është më gojëdhënë, Ismaili nuk shkruan më”.

Lartësuesi i gjuhës dhe i popullit shqiptar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkruar se në historinë njerëzore, shkrimtarët shpesh u kanë dhënë kahun kombeve në çastet më të vështira të historisë, duke artikuluar idenë e lirisë.

“Ismail Kadare ishte gjeniu shqiptar, njeriu e shkrimtari i cili tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve, duke krijuar një trashëgimi të pakundshoqe adhurimi e lavdie ndaj vendit e kombit të vet”, ka shkruar ajo.

Sipas presidentes Osmani, me këtë dashuri, të cilën ai e ka shprehur gjithandej veprave të tij, ai i ka paraqitur vlerat e popullit të tij nëpër botë, duke e lartuar gjithandej gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe dhe vetë popullin shqiptar, ndërsa të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për të jetuar i lirë e i mosvarme e mbrojti gjithandej botës, në qarqe intelektuale e kulturore, në ambiente politike e në letërkëmbimin e tij me personalitete të shquara botërore.

“Populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi. Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës”, ka shkruar ajo. Ka kujtuar se vjet kishte nderin t’ia dorëzonte shtetësinë e Kosovës sikurse edhe t’i bënte dekorimin me urdhrin “Hasan Prishtina”.

Triumfi për Kadarenë në Prishtinë

Në atë ditë fillimqershori në Presidencë, Kadareja kishte thënë se është një fat i rrallë që një popull të të nderojë dhe të të bëjë bashkëvajtjes i të drejtave të tij, të lirive të tij, sidomos kur ky popull e ka një histori të vështirë.

“Për fat të keq Shqipëria ka pasur një rrugë të gjatë historike të shkelur me këmbë nga forca të tjera të huaja të jashtme. Por, për fat të mirë gjithashtu, ajo i ka kapërcyer gjatë shekujve në mënyra të ndryshme. I ka kapërcyer vështirësitë e retë e errëta të historisë dhe gjithçka tjetër që mund ta provojë një popull”, kishte thënë shkrimtari i madh. Nderimin e tij dhe mbledhjen në Presidencë i kishte përshkruar si triumf.

“Vetë mbledhja jonë këtu në këtë sallë nga shqiptarë, nga të gjitha zonat e tregon këtë triumf të kombit shqiptar. Nga ky triumf asnjë popull nuk heq dorë. Ky është një triumf për gëzimin e të ardhmen e një populli. Me një fjalë, është një triumf për qytetërimin njerëzor e universal për të gjithë popujt ku jetojnë”, kishte thënë ai.

Kurse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar se shqiptarët humbën shkrimtarin më të madh të të gjitha kohëve e bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë.

“Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë. Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë”, ka shkruar ai. Sipas Kurtit, arti dhe kultura shqiptare i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. “Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë”, ka shkruar ai. Në një krahasim të tillë, anija letrare e Kadaresë mban vela të forta. Ka kohë që ka kaluar oqeane e dete. Ishte nisur nga një trevë e vogël dhe me telashe të mëdha.

Por qe mjeshtëria ajo që triumfoi. Mjeshtëria që mban emrin: Ismail Kadare.