Pop-ylli britanik me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, do ta kryesojë skenën “Pyramid” të premten mbrëma. Duke e ndarë entuziazmin e saj me fansat, me t’u bërë i ditur lajmi, këngëtarja 28-vjeçare shkroi në Instagram: “Të premten mbrëma në skenën kryesore të festivalit ‘Pyramid’. Kam ëndërruar për këtë moment gjatë gjithë jetës. Diçka që ka jetuar vetëm në ëndrrat e mia më të largëta po bëhet realitet”
Festivali më i madh i muzikës në Mbretërinë e Bashkuar, “Glastonbury”, do të nisë sonte dhe do të mbledhë në një vend fansat e muzikës nga e gjithë bota. Këtë verë në festivalin i cili mbahet në Somerset performojnë emra të shquar të skenës muzikore si Dua Lipa, “Coldplay”, SZA, Shania Twain dhe të tjerë.
Adhuruesit e ngjarjes vjetore tashmë e dinë që një mori skenash do të mirëpresin muzikantë, si dhe atraksione të tjera të veçanta, të organizuara enkas për argëtimin e publikut të pranishëm që pritet të jetë i madh në numër. Por në zemër të gjithë festivalit është sigurisht “Pyramid Stage”, skena kryesore e festivalit më të popullarizuar në botë.
Pop-ylli britanik me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, do ta kryesojë skenën “Pyramid” të premten mbrëma. Duke e ndarë entuziazmin e saj me fansat, me t’u bërë i ditur lajmi, këngëtarja 28-vjeçare shkroi në Instagram: “Të premten mbrëma në skenën kryesore të festivalit ‘Pyramid’. Kam ëndërruar për këtë moment gjatë gjithë jetës. Diçka që ka jetuar vetëm në ëndrrat e mia më të largëta po bëhet realitet. Është një nga manifestimet më të rëndësishme në jetën time. Jam shumë e emocionuar dhe mezi pres t’ju takojë në vendin tim të preferuar dhe bashkë ta kalojmë një natë të paharruar. Faleminderit të gjithëve. Përgjithmonë ‘Glastonbury’”.
Ndërsa në një intervistë të fundit për “The Mirror”, këngëtarja ka zbuluar pak detaje nga performanca e saj në festival.
“Do të sjell shumë energji në skenë, ky është plani. Nga sekondat e para thjesht dua t’i mbaj njerëzit duke vallëzuar, dhe të sigurohem që e njëjta energji t’i përcjellë gjatë gjithë natës. Dua ta përjetoj çdo moment të interpretimit. Dua që njerëzit të argëtohen në maksimum”, ka thënë ylli i popit.
Kjo do të jetë hera e parë që Lipa është në mesin e performuesve kryesorë të festivalit. Gjithashtu për herë të parë në historinë e kësaj ngjarjeje, dy artiste zënë vend në tri performancat kryesore të festivalit.
Ylli i hitit “Levitating” del në skenë në ora 22:00 dhe interpretimi i saj zgjat deri në 23:45 minuta, duke e finalizuar ditën e parë të festivalit. Ajo do të performojë pas bendit “LCD Soundsytem”, që pushtojnë skenën nga ora 19:75 deri më 21:00, dhe artistes së shquar PJ Harvey (e cila ka performuar edhe në “DokuFest” më 2011 dhe ka një projekt për Kosovën v.j.) e cila interpreton në skenë nga ora 18:00 deri në 19:00.

Performuesit e tjerë në skenën “Pyramid” në ditën e parë të ngjarjes janë: Paul Heaton, grupi nga Koreja e Jugut “Seventeen”, Olivia Dean dhe rock-bendi “Squeeze”.
Rock-bendi me karrierë të suksesshme, “Coldplay”, zë vend si perfomues kryesor të shtunën e 29 qershorit. Nga ora 21:45, Chris Martin dhe anëtarët e tjerë të bendit ngjiten në skenën “Pyramid”, duke e përfunduar interpretimin e tyre në orën 23:45.
Kjo nuk është pjesëmarrja e parë e grupit në “Glastonbury”. Në të kaluarën ata kanë qenë performues kryesorë të festivalit në vitet 2002, 2005, 2011 dhe 2016, derisa vokalisti Chris Martin ka bërë paraqitje solo në skenë në mbështetje të kolegëve Kylie Minogue dhe Stormzy.
Gjatë karrierës “Coldplay” i ka shitur më shumë se 100 milionë albume në mbarë botën, duke i bërë ata një nga bendet më fitimprurëse. Po ashtu i kanë fituar shtatë çmime “Grammy” nga gjithsej 36 nominime. Grupi, i cili u themelua në vitin 1997, konfirmoi se albumi i tyre i dhjetë i incizuar në studio, “Moon Music”, do të jetë i disponueshëm në dyqane dhe nëpër platformat muzikore nga 4 tetori i këtij viti. Incizimit të ardhshëm i paraprin kënga “Feels Like I’m Falling In Love”, e cila u lansua të premten e kaluar.
Disa fansa janë të shqetësuar se hera e pestë që grupi kryeson festivalin “Glastonbury” mund të jetë një lloj lamtumire. Kjo, pasi Chris Martin sugjeroi se albumi i ardhshëm i grupit mund të jetë i fundit i tyre. Gjatë një interviste të realizuar në vitin 2021 me prezantuesin Jo Whiley në “BBC Radio 2”, Martin tha: “E di që mund t’ju them që albumi ynë i fundit do të publikohet në vitin 2025, dhe pas kësaj mendoj se do të realizojmë vetëm turne. Ndoshta do të realizojmë projekte bashkëpunuese, por katalogu muzikor i grupit ‘Coldplay’ përfundon atëherë”.
Reperi britanik, Little Simz, performon të shtunën nga ora 19:45 deri në 20:45. Michael Kiwanuka, Keane, Cyndi Lauper, Ayra Starr dhe Femi Kuti, po ashtu ngjiten në skenën kryesore të festivalit gjatë ditës, duke e argëtuar turmën e fansave që me padurim e presin koncertin e bendit “Coldplay”.
Ndërsa në natën finale të festivalit, të dielën mbrëma, publiku do të argëtohet nga artistja e shumëshpërblyer amerikane, SZA. Ajo e gëzon një karrierë goxha të suksesshme me fitimin e disa çmimeve të rëndësishme muzikore, përfshirë këtu katër “Grammy”. Albumi i saj debutues “Ctrl” është i dyti më jetëgjatë në historinë e toplistës së 200 albumeve më të mira “Billboard”, nga një artiste bashkëkohore e muzikës R&B. E vlerësuar si një forcë e veçantë në këtë zhanër, këngëtarja dhe tekstshkruesja SZA, po ashtu, ka arritur të përfshihet në disa lista të “albumeve më të mira”, me albumin e publikuar në vitin 2022, “SOS”. Tani ajo është përzgjedhur të performojë në natën e fundit të festivalit “Glastonbury”.
Të dielën, po ashtu, performon ylli kanadez, Shania Twain, e cila shfaqet në skenën “Pyramid” në kuadër të programit të rezervuar për legjendat e muzikës, ku në të kaluarën kanë interpretuar yje të tillë si Johnny Cash dhe Diana Ross.
Duke folur për revistën “Radio Times”, ylli i hitit “Man! I Feel Like A Woman” deklaroi: “Është një ftesë që ndodh një herë në jetë. Isha në ankth derisa u bë realitet. Jam e emocionuar, por edhe pak nervoze. Po shkoj atje edhe si një fanse e festivalit. Dua të brohoras e të duartrokas për kolegen time kanadeze Avril Lavigne, dhe mezi pres ta ndjek performancën e Cyndi Lauper dhe grupit ‘Coldplay’, të cilët nuk i kam dëgjuar asnjëherë live”.
Të dielën në skenën “Pyramid” do të performojnë edhe artistët Burna Boy, Janelle Monae, Paloma Faith dhe Seastick Steve.
Të martën u bë e ditur se performanca e Dua Lipës dhe e grupit “Coldplay” në “Glastonbury 2024” do të transmetohet live në uebfaqen BBC.com – duke i bërë ata artistët e parë ndonjëherë nga festivali që transmetohen globalisht në faqen e internetit.
Tara Maitra, shefe komerciale në studiot BBC, tha se transmetimi i drejtpërdrejtë i këtyre dy mbrëmjeve si asnjëherë më parë u mundëson fansave anembanë globit një vend në rreshtin e parë për koncertet kryesore të festivalit.
“Ky është vetëm shembulli më i fundit i fokusit tonë për të sjellë më shumë momente kulturore si festivali ‘Glastonbury’, për fansat në platformat tona jashtë Britanisë së Madhe, në mënyrë që përdoruesit të mund të përjetojnë më të mirën e kulturës britanike kudo që janë”, thuhej në një deklaratë për media.
Lorna Clarke, drejtoreshë e sektorit të muzikës në BBC, shtoi: “Transmetimi global i koncertit të Dua Lipës dhe grupit ‘Coldplay’ është një tjetër shtesë emocionuese e ofertës sonë, duke na mundësuar jo vetëm të bashkojmë fansat e muzikës në të gjithë vendin, por në mbarë botën, me mundësinë për t’i përjetuar këto performanca të klasit botëror në kohë reale”.
“Glastonbury” është një prej festivaleve më të mëdha që zhvillohet në Britani të Madhe e ku marrin pjesë këngëtarët më me zë nga bota. Skena “Pyramid” njihet si skena më prestigjioze e festivalit dhe krijimi i saj është i inspiruar nga piramidat e mirënjohura Giza, në Egjipt. Disenjator i kësaj skene ishte Bill Harkin dhe e krijoi në vitin 1971.
Marrë nga “Daily Mail”. Përktheu: Edona Binaku