“Nuk po them që unë kam bërë ndonjë mrekulli të madhe. Por, mrekullia më e madhe e kësaj që kam lënë unë është se e kam bërë me shumë përkushtim dhe me shumë besim. Me pa ditë më mirë, e kisha bërë edhe më mirë. Kaq kam ditur”, do të thoshte akademik Rexhep Ferri në majin e vitit 2020. Se ka bërë shumë duke lënë trashëgimi një thesar në pikturë por edhe në letërsi, veprat janë dëshmi. Akademik Ferri vdiq të enjten, në moshën 86-vjeçare. Vdekja e artistit të gjeneratës që i vunë bazat e artit pamor të Kosovës është parë si një humbje e madhe për kulturën kombëtare e përtej saj. Por, trashëgimia e tij mbetet si aset prej më kuptimplotëve në mozaikun krijues
Ndoshta qëllimshëm e ndoshta edhe pse bëhej fjalë për rrëfim jetësor që nuk ndahej dot nga profesioni, Rexhep Ferri zor të kapërcente te veprat e tij pa gërmuar së pari nëpër historinë e shqiptarëve, qoftë edhe shpejtazi. Mund të dilte edhe te paraardhësit – luftëtarë të zotë të Plavës e Gucisë – pasi me të bëmat e tyre do të rritej. Rrëfimi jetësor i tij dhe i familjes është dramë. Jo veç si simbolikë, por edhe do të mund të inskenohej. Aty do të dilnin në pah copëzat e historisë së shqiptarëve që shpesh mbështeteshin për mur. Por, nuk dorëzoheshin. Një inskenim kësaj historie ia ka bërë vetë piktori. E ka paraqitur atë në qindra tablo. Edhe në shkrime të shumta.
Rexhep Ferri vdiq të enjten. Ai ishte 86 vjeç. Për afro shtatë dekada u dha ngjyrë marrëdhënieve njerëzore, figura e burrit dhe gruas e frymëzonte, përderisa mitologjitë e legjendat i zbërtheu duke i bërë të shkëlqejnë. Nuk u ndal me kaq. Ëndrrat prej piktori iu dukën pak. Synonte të kompletonte veten me dije e kontribut në shumë sfera të artit. Shkroi poezi, prozë e ese, duke u kompletuar si artist i mirëfilltë. Për dekada u angazhua si profesor duke nxjerrë gjenerata të tëra piktorësh.
Vdekja e artistit të gjeneratës që i vunë bazat e artit pamor të Kosovës është parë si një humbje e madhe për kulturën kombëtare e përtej saj. Por, trashëgimia e tij mbetet si aset prej më kuptimplotëve në mozaikun krijues të pionierëve.
Rrugëtimi jetësor që la gjurmë edhe në krijimtari
Akademik Rexhep Ferri u lind më 10 tetor 1937 në Kukës. Ishte i biri i mësuesit Shaban Ferri. I ati do t’i transferohej në disa zona për të hapur shkolla në gjuhën shqipe. Më pas familja do të kthehej në vendin prej nga e kanë prejardhjen, në Plavë. Me misionin e njëjtë, hapjen e shkollës shqipe. Një pjesë të Luftës së Dytë Botërore do ta kalonin atje, por do të zhvendoseshin prapë. Shkaku: pushteti i ri.
Familja e Shaban Ferrit do të zinte vend në Babaj të Bokës, afër Gjakovës, përderisa kryefamiljari do të ikte në Shqipëri për të shpëtuar kokën. Ndiqej nga pushteti si bashkëpunëtor i nacionalistëve e pasardhës i Jakup e Hasan Ferrit. Midis mjerimit ekonomik, duke shitur gjërat e pakta me vlerë, Rexhep Ferri do të rritej bashkë me motrat dhe të vëllain në Gjakovë.
Në moshën 17-vjeçare i vëllai Muharremi do të ikte për në Shqipëri, për të mos u kthyer më. Bashkë me të atin ishin pensionuar si mësimdhënës.
Rexhep Ferri më 1958 përfundoi Shkollën e Mesme të Artit në Pejë. Në vitin 1962 botoi poezitë e para nga cikli “Shëtitësit e lodhur”, në revistën letrare “Jeta e Re” në Prishtinë. Në vitin 1966 u diplomua në Degën e Pikturës Monumentale në Akademinë e Arteve në Beograd, ndërsa në vitin 1970 përfundoi studimet pasuniversitare po në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1971 mori “Çmimin e dhjetorit” të Kuvendit të Kosovës për kontributin e tij në fushën e arteve figurative. E në vitin 2022 u nderua me çmimin “Muslim Mulliqi” për veprimtari jetësore nga Ministria e Kulturës. Në vitin 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë.
Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës u zgjodh në vitin 1996, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2000.
Biografia e tij përfshin ekspozita personale në Kosovë, ish-Jugosllavi, por edhe në Francë, Itali, Gjermani, Turqi, Egjipt e vende të tjera.
I dhënë pas letërsisë, u bë autor i vëllimeve poetike si: “Punë gjaku” (1978), “Qafa e diellit” (1981), “Këmisha e bardhë” (1984), “Trekëndësh me detin” (1988), “Në profil” (1992) dhe “Ndoshta ishte dashuri” (1997). Në prozë është autor i romaneve: “Atdheu im torzo” (1998), “Portreti i një vetmie” (2003), “Frikë nga Gernika” (2004), “Njeriu po kush tjetër” (2005), “Shapo Albane” (2006). “Britma e Munkut” (2011) dhe “Portreti në monedhë” (2013). Krijimtaria e tij përfshin edhe ese e studime.
“Në art nuk më pëlqen grimi. Duhet shpirtërorja”
Në krijimtarinë e tij piktura qe vokacioni i parë, me atë edhe u bë i njohur ndërkombëtarisht. Pikturës do t’ia kushtonte jetën. Personazhet e tij janë monumentale. I donte të tillë, të flisnin nëpërmjet heshtjes së tyre.
“Për pikturë kam dhënë shumë kohë, shumë vjet. Jam munduar ta shpreh veten me fjalët e mia. Qofshin ato edhe jo fort të shminkuara ose me grim, si i quani ju tash. Mua nuk më pëlqen grimi. As në jetë nuk më pëlqen grimi shumë dhe as në art nuk më pëlqen grimi. Duhet shpirtërorja”, do të thoshte ai në një bisedë për KOHËN në fundmajin e vitit 2020.
Shpirtërores i ka dhënë jetë në tablotë e tij. I ka shndërruar në metafora që mund të lexohen në perspektiva të ndryshme duke i bërë të përhershme. E nisi herët. Në Kosovën e pasluftës së Dytë Botërore analfabetizmi ishte në shkallë të lartë. Për art pamor zor kujt i binte ndërmend. Akademik Muslim Mulliqi do të hapte ekspozitën e parë personale më 1952 në Prishtinë, më pas më 1958 do të organizohej një ekspozitë kolektive e piktorëve shqiptarë të Kosovës, e një vit më pas ajo personale e Tahir Emrës. Në vitin 1967 qytetarët e Prishtinës do të shihnin ekspozitën personale të Rexhep Ferrit. Midis pionierësh ai do të dallohej goxha.
“Përmes tablove të tij Rexhep Ferri, si një artist i mirëfilltë modernist, arrin të ofrojë përvoja që nuk mund të përftohen me anë disiplinash të tjera artistike duke përcaktuar qartë karakterin e sintaksës dhe morfologjisë së gjuhës pamore që përdor, duke përzgjedhur mjete shprehëse dhe teknike tipike vetëm për artin e pikturës”, shkruante kritiku Gëzim Qëndro në monografinë kushtuar Rexhep Ferrit, të botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës më 2010. Personazhet e Ferrit në tablo ecin midis reales dhe abstraktes duke mos pasur një kufi të qartë në mes. Janë figura që duken se i ka rropatur jeta. Janë vetë shqiptarët ndër histori nëpërmjet legjendave dhe miteve me të cilat ishte rritur Ferri.
“Në pikturën time është thjesht ndërtimi i një shtëpie të re me gurët e gdhendur që i ka pasur shtëpia, kulla e gjyshit, katragjyshit e babës, që është rrënu”, do të thoshte ai në majin e vitit 2020.
Shpejt ishte bërë emër në Kosovë e ish-Jugosllavi. Më 1977 do të mbërrinte në Paris, në galerinë “Lambert”, me një ekspozitë shqitëse. Ishte kthyer me çantat bosh. Shpesh përmendte një bisedë me të zotin e galerisë.
“Më pati thënë: gjynah që nuk jeni spanjoll, pasi do të bëheshe shumë i famshëm’”, citonte ai parisienin. Këtu Rexhep Ferri do të nxirrte një mësim. Atë për të punuar edhe më shumë.
“Thashë, unë duhet të punoj edhe më shumë se të tjerët që të arrij”, kujtonte ai.
“Ai nuk përsëritej asnjëherë, ishte gjithnjë në kërkim”
Akademik Eqrem Basha numëron rreth një gjysmë shekulli njohje me Ferrin. Ai do të mbajë edhe fjalën për të në komemoracionin e Akademisë që mbahet sot (e premte), në orën 11:00, fiks dy orë para lamtumirës së fundit në varrezat e kryeqytetit.
“Do të thosha që në fillimet e tij dhe në fillimet e mia si krijues dhe si i interesuar në artet pamore filluam të njihemi mirë. Kjo afërsi lidhej gjithashtu edhe me interesimet e Ferrit për letërsinë. Ishte i formuar si piktor, por paralelisht merrej edhe me poezi. Botimet e para të poezive të tij datojnë që nga viti 1962, te atëherë e mirënjohura revistë letrare ‘Jeta e Re’, që del sot e kësaj dite”, ka kujtuar ai të enjten, në sallën e konferencave, në ambientet e Akademisë. E ka përshkruar Ferrin si një njeri të plotësuar.
“Ferri ishte një person i veçantë, një piktor, por do të thosha një artist i kompletuar që paralelisht njihte të gjitha fushat e artit ashtu siç do të duhej të ishte në fakt një artist i mirëfilltë”, ka thënë ai.
Sipas shkrimtarit, studiuesit e kritikut Basha, duke ndjekur me nga afërsia dhe me pasion krijimtarinë e Ferrit, ka vërejtur se në vitet ’70 ai realizoi disa ekspozita që ishin me të vërtetë të rëndësishme për përhapjen dhe për autoritetin që krijuan artistët figurativë të Kosovës në qarqet e atëhershme jugosllave, por edhe përtej. Ka kujtuar se Ferri ka realizuar disa ekspozita personale të rëndësishme edhe jashtë kufijve të Kosovës dhe ish-Jugosllavisë.
“Për mendimin tim, vepra e Ferrit shquhet për një qasje do të thosha moderne, një qasje që shkon në një vijë midis abstraksionit dhe konkretes. Është një piktor figurativist, por që në figurën e tij zhvillon një dinamikë të jashtëzakonshme të vizatimit”, ka thënë Basha. E ka përshkruar si piktor që kishte në bazë vizatimin dhe ai këtë e realizonte me mjeshtërinë ku gjithmonë kishte një mbështetje të sigurt për realizimin e tablove.
“Ai nuk përsëritej asnjëherë. Ishte një artist gjithnjë në kërkim, në zhvillim të veprës së tij. Deri në ditët e fundit ai krijonte dhe krijonte gjithnjë më ndryshe. Prandaj vepra e tij është aq e rëndësishme dhe aq e vlefshme për të studiuar njëkohësisht edhe zhvillimin e arteve pamore në përgjithësi te ne”, ka thënë akademik Basha. Ka përmendur se artistët e Kosovës krijuan autoritet gjithandej nga u paraqitën me individualitete të jashtëzakonshme. Kujtojmë Muslim Mulliqin, Agim Çavdarbashën, Xhevdet Xhafën, Tahir Emrën e të tjerë.
“Në këtë radhë është edhe Rexhep Ferri. Pra, është një plejadë që na bën nder dhe që na ka nderuar gjithandej ku janë paraqitur. Humbja e Ferrit është një humbje e madhe për ne si miq e kolegë, por edhe për artin dhe kulturën tonë”, ka thënë ai.
Krijimtaria e Ferrit – testament për brezat
Vdekjen e Ferrit e kanë parë si humbje të madhe për kulturën edhe udhëheqësit institucionalë.
Presidentja e Kosovës nëpërmjet një telegrami të ngushëllimit ka thënë se Kosova ka humbur akademikun, piktorin, poetin, prozatorin e eseistin Rexhep Ferri.
“Mjeshtëria e tij krijuese ka gërshetuar mrekullisht pikturën me letërsinë, të cilave nuk iu nda gjatë gjithë jetës. Akademik Ferri i takon brezit të artë të piktorëve të Kosovës, ndaj emri i tij do të mbetet i skalitur përherë në kujtesën tonë nëpërmjet krijimeve të tij artistike të larmishme, të cilat do të mbeten testament për ne dhe brezat pas nesh”, ka shkruar ajo.
Kryeministri Albin Kurti ka shkruar në Facebook se u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ferri dhe gjithë komunitetit artistik në emër të popullit dhe Qeverisë së Kosovës. Ka renditur biografinë e Ferrit dhe ka kujtuar se më 26 gusht 2023 kishte nderin ta takonte personalisht dhe të bisedonte me të për artin dhe trashëgiminë kulturore.
“Kontributet e tij si pedagog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës kanë lënë një trashëgimi të pasur artistike dhe edukative. Kosova humbi familjarin e dashur, akademikun, profesorin, shokun, kolegun dhe një nga figurat më të rëndësishme të artit dhe kulturës. Do të kujdesemi që vepra e tij të dokumentohet, të mbrohet dhe të njihet e studiohet nga gjeneratat e reja”, ka shkruar Kurti.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në Facebook ka shkruar se veprimtaria e Ferrit dhe kontributi si profesor janë të pamatshme. E ka vlerësuar si një nga piktorët më të mëdhenj të kombit.
Sipas tij, vlerat e vendosin Ferrin pa asnjë diskutim në mauzoleun e të pavdekshmëve.
“Është nder që njëra prej pikturave të Rexhep Ferrit gjendet pikërisht në ambientet e Kuvendit tonë. Veprat e tij i mbajmë me krenari. Ajo qëndron me një shkëlqim rrezatues duke na bërë të gjithëve, bashkë me çdo vizitor aty, dëshmitarë të bukurisë frymëzuese. Ngushëllime familjes për humbjen e më të dashurit të tyre! Kujtimi i Rexhep Ferrit do të jetojë përgjithmonë në veprën e tij sublime”, ka shkruar ai.
E ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka shkruar po ashtu në Facebook se vendi ka humbur një nga artistët më të veçantë të kombit.
“Ferri i takon brezit që ngritën skenën tonë artistike. Vepra dhe kontributi i tij do të vazhdojnë të jenë udhërrëfyes edhe për brezat e ardhshëm. Përherë mirënjohës për angazhimin dhe trashëgiminë që ka lënë pas”, ka shkruar ai.
Trashëgimia e akademik Rexhep Ferrit është peshërëndë. Nuk dinte ndryshe.
“Nuk po them që unë kam bërë ndonjë mrekulli të madhe. Por, mrekullia më e madhe e kësaj që kam lënë unë është se e kam bërë me shumë përkushtim dhe me shumë besim. Me pa ditë më mirë, e kisha bërë edhe më mirë. Kaq kam ditur”, do të thoshte ai në majin e 2020-s.
Përkushtimi e besimi i tij gjenden në prozë, poezi e tablotë e shumta. Personazhet e tij në piktura janë të tejkohshme. Duken shumë reale e deri diku edhe të deshifrueshme. Por, shpejt merret vesh se legjendat e mitet me të cilat rrethohen i bëjnë ato goxha mistike. Ferri e zotëronte këtë fuqi: ta monumentalizonte shpirtëroren.