"Vrasja e një shteti” mban titullin historia me të cilin nis libri i ri i gazetarit, publicistit, shkrimtarit e politikanit Veton Surroi. Vrasja e të atit, gazetarit, shkrimtarit e diplomatit, Rexhai Surroi, ka edhe simbolikën e vrasjes së një shteti. Libri “Viti i qirinjve” me nëntitull “Si e filluam rezistencën paqësore”, që vjen në prag të edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit, është një prej titujve të rinj të Botimeve KOHA në ngjarjen më të madhe të librit në Kosovë. “Vese në peshojë” i Ibrahim Kadriut dhe “Fadil Vokrri – Legjenda që nuk shuhet kurrë” i Bekim Aliut janë, po ashtu, pjesë e botimeve të reja. Bashkë me dy botime të vitit të kaluar, shtandi i Botimeve KOHA sivjet pret lexuesit me mbi 140 tituj, e deri në 80 për qind zbritje.
Rrëfimi zë fill në aeroportin e Madridit, ku dy të rinj po shkonin për të parë trupin e të atit që, sipas narracionit zyrtar, kishte vdekur në një aksident trafiku. Në ditën e parë të dimrit të 1988-s, ish-Jugosllavia kishte mbetur pa ambasadorin e saj në Spanjë. Rexhai Surroi – që pak ditë para kishte marrë njoftimin se stazhi i punës i kishte përfunduar dhe duhej dalë në pension, ndërkohë që publikisht bëhej fushatë kundër personalitetit të tij – do të vdiste në aksident trafiku. Makina me të cilën udhëtonte, në mot të thatë do të dilte nga autostrada, pa kurrfarë përplasje paraprake, duke shkuar metra më tej për t’u përplasur me një shtyllë.
“Vrasja e një shteti” mban titullin historia me të cilin nis libri i ri i gazetarit, publicistit, shkrimtarit e politikanit, Veton Surroi. Vrasja e të atit, gazetarit, shkrimtarit e diplomatit, Rexhai Surroi ka edhe simbolikën e vrasjes së një shteti. Libri “Viti i qirinjve” me nëntitull “Si e filluam rezistencën paqësore” që vjen në prag të edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit, është një prej titujve të rinj të Botimeve KOHA në ngjarjen më të madhe të librit në Kosovë. “Vese në peshojë” i Ibrahim Kadriu dhe “Fadil Vokrri – Legjenda që nuk shuhet kurrë” i Bekim Aliut janë, po ashtu, pjesë e botimeve të reja. Bashkë me dy botime të vitit të kaluar, shtandi i Botimeve KOHA sivjet pret lexuesit me mbi 140 tituj e deri në 80 për qind zbritje.
Temë e sivjetme e Panairit që nis të mërkurën është “Përgjigjja është libri”. Është pikërisht libri i Veton Surroit, “Viti i qirinjve” që jep shumë përgjigje për kohën, kur tash shtetit më të ri në Evropë, iu mor autonomia, e intelektualët vendorë nisën lëvizjet e mëdha. Sipas përshkrimit që i bëhet librit, sikur në “Këmbët e gjarprit”, ky rrëfim autentik flet për vitin kthesë 1990, dhe lindjen e lëvizjes demokratike të shqiptarëve të Kosovës.
“Si u formuan organizatat e para demokratike? Pse u bë lider Ibrahim Rugova? Si u përcaktua rezistenca paqësore ndaj Millosheviqit dhe si i iku Kosova luftës më 1990? Pse u ndezën qirinjtë e vringëlluan çelësat? Çfarë kërkuan amerikanët prej demokratëve kosovarë dhe çka ata prej Amerikës?” janë disa nga pyetjet të cilave ju përgjigjet libri. Nëpërmjet kujtimeve personale, si akter i ngjarjeve të asaj kohe, por edhe bazuar në fakte të verifikueshme, Surroi në librin e tij të 13-të me radhë, u jep përgjigje edhe pyetjeve se si u shndërrua Kosova në pikë të politikës së jashtme amerikane, si u lind e u zhvillua iniciativa për Deklaratën e 2 Korrikut, si u prit ardhja e Adem Demaçit nga burgu, pse mungoi përgjigjja e organizuar ndaj pezullimit të autonomisë së Kosovës dhe midis të tjerash si hyri Kosova, pas grevës së pakoordinuar të përgjithshme në autopilot? Libri me redaktorë Flaka Surroin e Xhevat Sylën zbërthen ditët e vështira të Kosovës, shpalos veprime dhe i sjell analiza duke bërë që historia e asaj kohe – nyje kur ish-Krahina mori orientim perëndimor – të jetë më e qartë dhe të zbardhet nga disa perspektiva. Ilustrimi ballinës me fotografinë e Hazir Rekës të shkrepur më 17 dhjetor 1989 gjatë themelimit të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ramiz Sadikut” është imazhi prej ku lexuesi më pas nis të hyjë të “pixelsat” e ngjarjeve të “Vitit të qirinjve”.
Përderisa Surroi merret me pushtetin serb që ia fut flakën ish-Jugosllavisë, shkrimtari Ibrahim Kadriu, në këtë Panair vjen me një roman që merret me pushtetin nga një tjetër perspektivë.
“Vese në peshojë” përshkruhet nga Botimet KOHA si roman i realizuar me dinamikë, thyerje të befasishme e shpesh dramatike përshkruan raportet kundërthënëse në mes të pushtetshmëve dhe vartësve të tyre ku, të parët e shfrytëzojnë autoritetin që e kanë, herë-herë duke sharruar në korrupsion, por edhe në imoralitet.
“’Vese në peshojë’, roman me ngjyrosje edhe nga premisat e realitetit shoqëror e aktual; është i intriguar nga raportet shoqërore që ngrehin kokë në situata të ndryshme në sajë të moskuptimit të ndërsjellë të personazheve të nxjerra nga jeta e përditshme shoqërore e politike”, është përshkrimi që i bëhet këtij libri. Kurse vepra e Bekim Aliut, “Fadil Vokrri – Legjenda që nuk shuhet kurrë” sjell jetën e karrierën e futbollistit që u bë ylli më i shndritshëm i Kosovës në ish-Jugosllavi. Vokrri i cili pas fushës së futbollit kontributin e vazhdoi duke i prirë procesit të pranimit të Kosovës në organizatat kryesore në botë të futbollit, në libër vjen si figurë në disa dimensione.

Menaxheri i shitjes në Botimet KOHA, Fidan Imeri, ka thënë se sivjet janë përgatitur që të ofrojnë një gamë të gjerë zhanresh e temash në Panair.
Vepra e Flaka Surroit, “Ishte luftë” vjen si ribotim bashkë me “Lufta me fjalët e tyre”, njashtu si “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë” i Enver Robellit, “Kosova një histori e shkurtër” e Noel Malcolmit e “mcMafia” e Misha Glennyt.
“Si çdoherë jemi bërë gati që në shtandin tonë lexuesit të gjejnë vepra të zhanreve të ndryshme. Padyshim që sivjet presim që libri i ri i Veton Surroit të marrë vëmendje të madhe, siç ndodh çdoherë me këtë autor. Interesimi për të veç ka filluar”, ka thënë Imeri. Sipas tij, shtandi i Botimeve KOHA në mbi 140 tituj ofron letërsi për të gjitha gjeneratat.
“Pastaj ofertën për Panair e kemi shumë tërheqëse. Marrë parasysh telashet financiare shkaku i krizës me çmime ne mundësojmë që botimet tona të kenë deri në 80 për qind zbritje, në mënyrë që lexuesit të përballojnë dëshirat e tyre për pajisje me libra që duan t’i lexojnë e t’i kenë në bibliotekat e tyre”, ka thënë Imeri.
“Përgjigjja është libri” është tema e ngjarjes më të madhe të librit që sivjet do të mbahet prej 5 deri më 9 qershor në Prishtinë. Megjithëse Panairit i Librit në Prishtinë është në prag të çerekshekullit, organizimi i kësaj ngjarjeje po përcillet me jo pak sfida. Lokacioni mbetet i njëjti, Pallati i Rinisë dhe Sportit por jo lehtë i bëshëm. Prapaskena e organizimit është muhabet më vete, përderisa edicioni i 24-t pritet të jetë goxha pompoz. Studiuesi e shkrimtari i njohur shqiptar, akademik Rexhep Qosja bashkë me francezin Eric Faye, do të jenë të ftuar nderi sivjet. Promovimet e përvjetorët e figurave letrare shqiptare e botërore do të vazhdohen si traditë.
Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës që e organizon Panairin, muajin e kaluar i kishte thënë KOHË-s se organizimi i edicionit të sivjetmë është lajm i mirë që, përkundër sfidave të panumërta, Panairi i Librit vazhdon traditën.
Sivjet janë përcaktuar që tema e Panairit të jetë “Përgjigjja është libri”. “Pyetjet mund të jenë të pafundme, por përgjigjja është libri. Pyetja mund të jetë inteligjenca artificiale dhe gjithë ç’sjell me vete, problemet me të cilat përballemi, qoftë si shoqëri qoftë si individë, e ardhmja që duket gjithnjë e më dinamike, një botë që s'resht së ndryshuari gjithnjë e më shpejt, e çka jo”, ka thënë Zeneli. Sipas tij, historia si mënyrë për ta kuptuar të tashmen e rrugën që na shtrohet përpara, shpikjet e të arriturat, mendjet e gjenive përgjatë historisë gjenden në libra.
“Dëshirat, kënaqësia e kureshtja, aventurat, mësimet. Të gjitha pikëtakohen në një mjet që magjishëm bart përgjigjet brenda: librin”, kishte thënë ai.
Janë përcaktuar që sivjet të ftuar nderi të kenë shkrimtarin e njohur francez, Eric Faye, i njohur për lexuesin shqiptar me librin “Nagasaki”, përkthyer nga Blerta Hyska e botuar nga shtëpia botuese “Toena”. Zeneli e ka përshkruar atë si fitues i “Çmimit të Madh për Roman” nga Akademia Franceze. Vepra e tij “Parij”, botuar shqip nga “Buzuku”, përkthyer po nga Blerta Hyska është një tjetër krijim i shkrimtarit që flet në shqip. Është autor i mbi njëzet veprave, po ashtu, fitues i çmimit “Deux-Margots”.
“Këtë vit, pas 24 vjetësh, rikthehet si i ftuar në hapje dhe po njëjtë si fytyrë e panairit, shkrimtari i njohur Rexhep Qosja me shkas; botimi i veprës testament, publicistikës së zgjedhur si botim që vjen i dendur si vëllim. Përtej këtyre dy emrave që spikaten, janë dhjetëra autorë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e më gjerë që do të jenë të pranishëm në panair”, kishte thënë Zeneli. Qosja bashkë me Ismail Kadarenë ishin mysafirë të Panairit në edicionin e tij të parë më 1999.