Kulturë

Dramaturgjia pa energji të re, Kosova s’prodhon as 30 shfaqje në vit

Polip

Paneli në temën “Kontrata kolektive për dramaturgë” të dielën në teatrin “Oda” në ditën e fundit të “Polipit”

Formatimi i “Polipit” nga festival letërsie edhe në ngjarje për teatrin – por mbi të gjitha në një laborator kreativiteti – është një lloj kundërpërgjigjeje ndaj mangësive të skenës teatrore e kulturore në vend. Paneli i fundit në ditën e fundit, të dielën, ka vënë në pah se drama shqipe shkruhet pak, inskenohet edhe më pak. Se në Kosovë s’prodhohen më shumë se 30 shfaqje në vit nuk është vetëm statistikë, por edhe pasojë e një rruge qorre në formimin e kuadrove të reja, e goditjet që ka marrë teatri në botë s’janë të panjohura as në vend

Jo rrallë “Polipi” ka ngritur tema që e preokupojnë skenën kulturore në vend. Deri më tash, për temë ka pasur letërsinë. Në edicionin e parë si format që sjell edhe teatrin, kryefjala ka qenë dramaturgjia.

Paneli në temën “Kontrata kolektive për dramaturgë” me autorë të suksesshëm ndërkombëtarë ka trajtuar çështjet e bashkëpunimit të dramaturgëve me institucionet dhe anasjelltas, përgatitjen profesionale dhe gjendjen e dramaturgjisë sot. Se Kosova ka krizë, flasin edhe statistikat. Nuk prodhon as 30 shfaqje në vit, dhe atë shumica e teksteve nuk janë drama vendore. Reagimi i shtetit është parë i domosdoshëm. E për ta nxitur kreativitetin, “Polipi” i sivjetmë është formatuar.

Goditja pandemike e teatrit dhe reagimi i domosdoshëm

“Polip – Prishtina International Creative Hub” – që në edicionin e 14-të ka ardhur si festival që u kushtohet letërsisë e teatrit si dy fusha të lidhura ngushtë – me aktivitetin e parë të ditës së fundit të festivalit, të dielën ka vënë në qendër dramaturgët.

Me britanikun Jonathan Meth, holandezin Jibbe Willems, Jeton Nezirajn e Doruntina Bashën nga vendi nikoqir, kanë ilustruar gjendjen e dramaturgjisë në nivel global, të kaluarën dhe të tashmen e kësaj fushe.

Dramaturgu britanik e profesori i dramaturgjisë, Jonathan Meth, ka thënë se teatri ende i ndien pasojat e pandemisë në shumë aspekte.

“Teatri është ndikuar shumë nga pandemia në shumë vende në aspektin ekonomik. Institucionet janë të vetëdijshme se është në gjendjen më të keqe edhe psikologjikisht e emocionalisht. Mendoj se duhet të fillohet të ringrihet duke u fokusuar në atë se si është gjendja, cilat janë rrethanat dhe të mendohet se çfarë mund të bëhet në këtë drejtim”, ka thënë Meth, në panelin e mbajtur në teatrin “Oda”.

Sipas tij, dramaturgët e rinj duhet të fokusohen në cilësinë e prodhimeve të tyre, pasi ka rëndësi në çfarë lloj shfaqjesh kanë punuar paraprakisht.

“Për njerëzit me të cilët punoj është e vlefshme se çfarë kam bërë jashtë universitetit jo brenda tij. Mënyra më e mirë për ta ilustruar këtë moment është se çfarë kam punuar më parë dhe jo tani. Për 15 vjet kam punuar si drejtor në një organizatë të vogël që ka pasur përgjegjësi të zhvillojë dramaturgjinë në një vend që ishte edhe është i njohur botërisht për traditë të gjatë në dramë”, ka thënë Meth, i cili është edhe kurator e drejtor i rrjetit ndërkombëtar të dramaturgëve, “The Fence” themeluar më 2003, regjisor teatri më herët e dramaturg në shumë projekte në teatro kryesore evropiane.

Dramaturgu holandez, Jibbe Willems, ka thënë se janë të rëndësishme burimet e informacionit para orientimit në rrugën e dramaturgjisë.

“Duhet të mësosh më shumë për veten kur diplomon dhe fillon të punosh në fushën tënde që është e shumëllojshme dhe është gati e pamundur që profesorët t’i mbërthejnë të gjitha gjërat në një vend. Duhet të kesh shumë burime informacioni. Unë vetë jam profesor i ftuar në shumë akademi dhe e di që persona të tillë janë shumë të dobishëm për të kërkuar këshilla se si bëhen gjërat”, ka thënë Willems, autor teatri, adaptues tekstesh e përkthyes në teatro të ndryshme në botën ku flitet gjuha holandeze dhe përtej.

Prej diplomës me vulë të UNMIK-ut deri te heshtja e shtetit

Kur flitet për dramaturgjinë në Kosovë, biseda nis me përgatitjen akademike.

Gazetarja Aulonë Nuhiu që e ka moderuar panelin, e ka pyetur dramaturgen Doruntina Bashën për rolin e Universitetin e Prishtinës në përgatitjen e gjeneratave të dramaturgëve. Në këtë institucion, Basha kishte ndjekur studimet të cilat i kishte përfunduar në fillimvitet e shekullit të ri.

Ajo ka thënë se institucioni edukativ ishte shumë i paqëndrueshëm dhe jo i konsoliduar.

“Stafi akademik përfshinte profesorë nga shtetet e ish-Jugosllavisë të cilët ishin aty për të na mësuar gjëra bazike si për shembull se si të shkruajmë, si ta mendojmë shfaqjen dhe si ta lexojmë. Kjo është më e pakta. Kur mendon për teatrin dhe për dramaturgjinë nuk mendon vetëm për pjesën akademike, sepse gjatë shfaqjes ky sistem nuk është më aty. Po flasim për një të kaluar të afërt që ka të bëjë me dhjetë vjetët e kaluar, kur madje nuk kishte as struktura qeverisëse”, ka thënë Basha, derisa ka folur për gjendjen e institucioneve edukative nën administrimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë. Ka theksuar se këtij institucioni nuk i bënte për kulturë dhe se pikërisht kjo do të duhej të ishte pika e fortë e UP-së.

“Ishte situatë ku të gjithë punonin në nivel sipërfaqësor. Madje diploma ime mban vulën e UNMIK-ut. Mendoj se profesorët nuk kishin këshilla të mira atë kohë, nuk kanë mundur të na përgatisin si duhet, sepse askush nuk e dinte se çfarë po ndodhte rreth nesh. Ishte koha kur sistemi paralel u përmbys dhe nuk ishte model i mirë për të ndërtuar diçka”, ka thënë Basha.

Sipas dramaturgut Jeton Neziraj, në skenën vendore teatrore vështirë prodhohen tridhjetë shfaqje në vit në gjithë Kosovën.

“Nëse fillojmë nga informacione dhe të dhëna konkrete që posedojmë, në Kosovë brenda vitit ne nuk mund të prodhojmë më shumë se 30 shfaqje në gjithë vendin. Kemi gjashtë teatro funksionale që nuk prodhojnë më shumë se 30 shfaqje në sezon. Nga to, 20 janë shfaqje ndërkombëtare të përkthyera kryesisht nga autorë amerikanë e britanikë. Të tjerat vështirë janë të dhjetë të autorëve vendorë, ku dy deri tri janë adaptime nga novelat, dy-tri shfaqje klasike shqiptare e disa të komisionuara nga autorë vendorë”, ka thënë Neziraj në panel.

Skena e Shqipërisë pa dramë shqipe dhe Kosova “dramatike”

Sipas tij, është e vështirë ta organizosh komunitetin për të bërë më shumë se kaq. Ka thënë se të paktë janë ata që janë aktivë në fushën e dramaturgjisë e po ashtu edhe ata që studiojnë tash në këtë drejtim. Neziraj ka thënë se sot askujt nuk i intereson nëse bllokohet teatri për një sezon, ngase autorët do të kenë tjetër adresë për të zhvilluar shfaqjet. Për këtë e ka marrë shembull Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, por e ka vënë Kosovën në shkallë më të rëndë.

“E marr si shembull brutal Teatrin Kombëtar të Shqipërisë që për pesë a gjashtë sezone nuk ka prodhuar as edhe një shfaqje shqiptare. Kanë filluar këtë vit. Për rreth gjashtë vjet nuk ka pasur asnjë shfaqje vendore dhe askujt nuk i ka interesuar. Askush nuk ka kërkuar ndonjë ndryshim, përgjegjësi. Nëse e krahasojmë Kosovën me Shqipërinë, situata është shumë më dramatike. Kemi shkolla që ende prodhojnë dramaturgë, shkollat në Shqipëri prodhojnë paksa më shumë, por kjo është në shkallë dramatike. Të gjitha gjeneratat që ishin aktive dhe të shumtë në numër, po zhduken”, ka thënë Neziraj.

Sipas Nezirajt, edukimi – që sipas tij nis fillimisht me edukimin e dramaturgëve e më pas me të tjerë pjesëtarë të teatrit – është fjala kryesore për ta ndryshuar gjendjen. Ka vlerësuar se mbështetja e Qeverisë mund ta stimulojë lulëzimin e dramaturgjisë. Në këtë pjesë është ndërlidhur dramaturgia Basha, e cila ka shtuar se është thelbësor dialogu midis të dyja palëve.

“Është i nevojshëm dialogu ndërmjet dramaturgëve dhe institucioneve publike, sepse në Kosovë nuk është se kemi skenë të pasur, diverse e të pavarur. Ne vërtet mbështetemi në institucionet publike dhe jo vetëm ne, por ka shumë njerëz që ndihen të dekurajuar nga ajo se si është situata tash. Teatrot publike nëpër qytete kanë repertor, prodhojnë shfaqje, por kërkohet dialog specifik për të vendosur agjendë”, ka thënë Basha derisa fjalën e saj e ka mbyllur me nevojën për të zhvilluar strategji për produksione të shfaqjeve.

“Nëse institucionet teatrore nuk kanë një plan, një strategji se si të zhvillojnë e të sjellin zëra të rinj, si të zhvillojnë e prodhojnë shfaqje, gjithçka ngec. Aty është keqkuptimi ndërmjet komunitetit dhe institucionit”, ka thënë ajo në fund.

Formatimi kreativ i “Polipit” për hapësira të reja

Pas panelit, me performancë muzikore ka përcjellë programin artisti “Llochi”, ndërsa është përmbyllur me performancë leximi. Janë prezantuar punimet që kanë ardhur si rrjedhojë e punëtorisë së shkrimit kreativ me poetin e shkrimtarin amerikan, Gregory Pardlo.

Pjesë e performancës kanë qenë Agnesa Mehanolli, Çlirimtare Januzaj, Leonita Kuçi, Eli Krasniqi, Fisnik Egër, Liridon Hyseni, Flamur Dardeshi, Daniela Gjopalaj, Anxhela Pipero, Sara Boci, Genta Abdiji, Saranda Mehmedi, Dhuraja Alija dhe Gorazd Kitanoski.

Festivali “Polip” që në edicionin e 14-të është zhvilluar nën temën “Rruga e kujtesës” ka lënë prapa 13 edicione si festival ndërkombëtar i letërsisë. Është zgjeruar edhe në teatër me synimet për t’u kthyer në fole kreative për artistë të rinj e profesionistë.

Aurela Kadriu, drejtoreshë e programit në qendrën “Multimedia” që e organizon festivalin, ka thënë se procesi i tranzicionit të festivalit ka zgjatur tre vjet. Por se ka rezultuar platformë e suksesshme në edicionin e 14-të si konfirmim se ka funksionuar siç mendohej.

“Ideja jonë ka qenë t’i shkrijmë dy pjesë të punës së qendrës ‘Multimedia’ që është letërsia dhe teatri, të mos funksionojnë si dy taborë të kundërt, mirëpo të gjejmë një mundësi t’i shkrijmë në njëra-tjetrën. Kështu kemi vendosur ta shndërrojmë festivalin në një laborator ndërkombëtar të kreativitetit apo krijimit. Kështu ka qenë i konceptuar ky edicion. Ka qenë edicion i vështirë, sfidues, pasi është shndërruar krejtësisht. Por ka shkuar mirë dhe ka qenë konfirmim që po funksionon”, ka thënë Kadriu.

Ka thënë se ka qenë goxha sfidues ky edicion, duke e vlerësuar atë freskues me format të ri. Sipas saj, festivali do të zgjerohet në edicionet e ardhshme.

“Kemi pasur tri-katër laboratorë të vegjël në krahasim me sa kemi synim të shtojmë për edicionet e ardhshme: laboratorë krijues të aktorëve të rinj, regjisorëve të rinj, aktorëve më të etabluar, por që e kanë provuar veten të bëjnë performanca poetike. Kemi pasur punëtori të ndryshme, kështu që për ne është e rëndësishme që po funksionon dhe si nevojë që të rinjtë kanë më shumë hapësirë për të krijuar e gjeneruar ide të reja”, ka thënë më tej drejtoresha Kadriu.

Sivjet festivali ka zhvilluar programin nga 17 deri më 19 maj. Ka përfshirë promovime librash, panele diskutimi, lexime poetike, performanca muzikore e punëtori.