Përkthimi më i saktë i fjalës “Wonder” për kuptimin që merr në koncert, do të ishte “mrekulli”. Por, e qartë kuptim parësor ka emrin e të madhit Stevie Wonder, këngët e të cilit tashmë janë artefakte muzikore. Kuarteti i Fabrizio Bossos, me “We Wonder” – siç titullohet albumi dhe koncerti që i ka sjellë për të parën herë në Kosovë – muzikës së ikonës nuk i bën thjesht homazh a reproduktim: me jazz i jep një tjetër kuptim
Edhe pse mban emrin e njërit prej gjenive botërorë të muzikës klasike, “Chopin Piano Fest” nuk e kursen publikun edhe nga zhanret e tjera. Shkon përtej klasikes duke dhuruar stile të tjera muzikore. Kështu ngjau me koncertin e katërt të edicionit të 14-të. Mbrëmja qe e rezervuar ekskluzivisht për jazz-muzikë. Edhe publiku dukshëm më i relaksuar, pa seriozitetin e nevojshëm për performancat pararendëse të ngjeshura me materiale serioze të muzikës klasike.
Kuarteti i Fabrizio Bossos erdhi nga Italia për herë të parë para publikut në Kosovë me plot gjallëri dhe me një repertor të veçantë. Vetë Fabrizio Bosso në trumbetë, Julian Oliver Mazzariello në piano dhe sint, Jacopo Ferrazza në kontrabas dhe bas-kitarë, si dhe bateristi Nicola Angelucci luajtën një album të tërë të kuruar nga këngët e legjendarit Stevie Wonder. Natyrisht nuk kishte se si te ngjante ndryshe, publiku e priti krahëhapur performancën e katërshes e cila solli shumë elemente të cilat e bënë atë një koncert unik dhe të papërsëritshëm.
Koncerti i titulluar “We Wonder” – sipas albumit të kuartetit me po të njëjtin titull, të lansuar në vitin 2022 – erdhi në Kosovë si bashkëpunim mes Ambasadës Italiane në Prishtinë dhe Institutit të Kulturës Italiane në Tiranë. Koncerteve, siç ndodh tashmë, u paraprijnë fjalimet. Para se të niste jazzi me kumbimin e tij, fjala iu dha ambasadorit të Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.
“Chopin…” ai e sheh si një mundësi të mirë për talentet e reja që të njihen me artistët e afirmuar nga vendet e ndryshme të botës.
“Ky festival natyrisht që kishte filluar me muzikën klasike, por tani hapet dhe me kontribute të tjera të veçanta nga stile të tjera muzikore, duke u ofruar artistëve një platformë artistëve të rinj të talentuar, muzikantëve, dhe studentëve që të bashkëpunojnë me artistë të nivelit ndërkombëtar”, ka thënë De Riu.
Energjia dhe vitaliteti që karakterizon stilin e papërshkrueshëm të mbretit të soulit Stevie Wonder, erdhi si një kompozicion i tërë i jetësuar nga kuarteti i Fabrizio Bossos. Personaliteti muzikor i secilit muzikant të kuartetit, kujdesi ndaj muzikës i ilustruar në aranzhimet e luajtura me një lirshmëri që e mundëson vetëm eksperienca, qenë tregues i pasionit të këtyre artistëve karshi jazzit që i jep tjetër ritëm thesarit muzikor të R&B, pop, soul, gospel, funk dhe jazz, ku shtrihet muzika e Wonderit.
Repertori i mbrëmjes ishte i mbështetur në një periudhë nga fundi i ’60 deri në publikimin e fundit në vitin 2004 të ikonës Stevie Wonder me këngët “Another Star”, “Isn't She Lovely”, dhe “My Cherie Amour”.
Koncerti filloi me gjallëri që ndihej menjëherë prej momentit kur muzikantët dolën në skenë.
Fabrizio Bosso, me trumbetën e tij qëndronte në qendër, i rrethuar nga anëtarët e tjerë të kuartetit – një pianist virtuoz, një kontrabasist ritmik dhe një baterist plot dinamikë e karakter. Secili prej tyre kontribuonte me stilin e tij unik, e rezultati – një sinergji e përsosur në skenë. Vetë Bosso jep përshtypjen se lidhja e tij me muzikën është e dukshme në çdo notë, bëhet një me instrumentin e tij të shndritshëm dhe në të njëjtën kohë dhuron tinguj të veçantë duke përdorur një sërë teknikash përgjatë performancës.

Fabrizio Bosso do të merrte në dorë për herë të parë trumbetën në moshën 5-vjeçare dhe do të diplomonte në konservatorin “Giuseppe Verdi” në Torino në moshën 15-vjeçare. I inspiruar nga babai i tij si një trumbetist autodidakt, Bosso do të vazhdonte rrugën e tij me jazzin pikërisht me këtë qasje jokonvencionale të formimit të tij si artist. Ai ndërlidh dashurinë dhe respektin për historinë dhe traditën e jazzit me dëshirën për të eksploruar “gjuhën” e tij muzikore me të tjera zhanre muzikore. Është vlerësuar me çmimin “Best Trumpeter of the Year në JazzIt Awards” në vitin 2011. Përkushtimi i tij muzikor shtrihet në projekte ndërdisiplinore si “Il Sorpasso in Jazz” dhe “Concerto per Jack London”.
Në koncert herë pas here Bosso shkëmben edhe disa fjalë me audiencën e cila i rri gati për duartrokitje gjatë tërë performancës. Ai gjeti kohë të falënderojë publikun prishtinas dhe të shprehte se sa i lumtur ndihej se ishte në Kosovë bashkë me anëtarët e tjerë të bendit.
Kështu u shpreh dhe bateristi i grupit, pas performancës.
Për Nicola Angeluccin duartrokitjet e publikut janë tregues se ata po sjellin një performancë të mirë.
“Audienca ishte shumë energjike, duartrokiste pas çdo pjese. Kjo gjë gjithmonë na jep forcë të dalim përballë një audience të tillë që na shtyn të performojmë më mirë”, ka thënë Angelucci në një prononcim për KOHË-n.
Përveç lojës ekspresive në bateri, po aq u tregua dhe në prononcim. Ftesën e Fabrizion Bossos për albumin dedikuar muzikës së Stevie Wonder ai e kishte pritur me shumë entuziazëm.
“Unë e dua Stevie Wonder, por kur na tha Fabrizio se çfarë mendoni që të regjistrojmë një album me këngët e tij, unë natyrisht që pranova, menjëherë i kam thënë: ‘Po patjetër, menjëherë, sot!” Normalisht e dua shumë Stevie Wonder, dhe muzikën e tij, ka qenë shumë ndjenjë e mirë të jem pjesë e këtij projekti. Luajmë bashkë tash e dhjetë vjet dhe kemi pasur një sërë projektesh por më duhet të them se Stevie Wonder është në zemrën time”, ka shtuar ai.
Edhe për festivalin “Chopin…” kjo mbrëmje ka dalluar nga të tjerat në disa aspekte. Por synim i organizatorëve është që publikut t’i sjellin mbrëmje të këndshme dhe të pasura për nga përmbajtja.
“Në aspektin organizativ ka qenë pak më e vështirë për shkak se është dashur të mendohet mirë për instrumentet ekstra, për hapësirën, mirëpo fatmirësisht kjo sallë e ka akustikën e mirë edhe pa zërim.Por sonte me pak më shumë përkushtim është dëgjuar edhe më mirë. Ne jemi shumë të hapur dhe për zhanre të tjera të muzikës, sidomos kur ato i organizojmë së bashku me partnerët tanë. Kështu që punojmë të gjithë së bashku për me dalë një natë e këndshme si kjo e sotshmja”, ka thënë
Shegë Shkodra, përfaqësuese për media dhe komunikim në “Chopin…”.
Një rikthim te klasikja do të ndodhë të hënën në mbrëmje me koncertin e radhës me një duo ndërkombëtare në piano dhe violinë.