Kulturë

Shqipëria me “Titan” e pafuqishme për finalen e “Eurovisionit”

Besa Kokëdhima me këngën “Titan” nuk ka arritur ta fusë Shqipërinë në finalen e edicionit të 68-të të “Eurovisionit”, që po mbahet në Malmo të Suedisë. Është pjesëmarrja e 20-të e shtetit shqiptar, por nuk ka bërë vend në mesin e dhjetëshes së dytë të finalistëve, ku bëjnë pjesë Letonia, Austria, Holanda, Norvegjia, Greqia, Estonia, Zvicra, Gjeorgjia, Armenia sikurse edhe Izraeli, pjesëmarrja e të cilit ka çuar jo pak pluhur. Ka pasur edhe protesta kundër përfaqësimit të shtetit izraelit në festivalin që për moto ka “Të bashkuar nga muzika”

Midis 16 shteteve në garë për finalen e së shtunës, Shqipëria është ndalur në gjysmëfinale. Të mërkurën, në natën e dytë gjysmëfinale nuk ka bërë vend në dhjetëshen e dytë të finalistëve. Ka qenë Besa Kokëdhima me “Titan” që ka përfaqësuar vendin në edicionin e 68-të të Garës Evropiane të Këngës. Sivjet Shqipëria ka pasur përfaqësim jubilar, të 20-n.

Në finale janë kualifikuar: Letonia, Austria, Holanda, Norvegjia, Izraeli, Greqia, Estonia, Zvicra, Gjeorgjia dhe Armenia. Në finale i presin edhe Franca, Spanja, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar si pesëshja e madhe, si dhe Suedia nikoqire. Në natën e parë qenë kualifikuar Serbia, Portugalia, Sllovenia, Ukraina, Lituania, Finlanda, Qiproja, Kroacia, Irlanda dhe Luksemburgu. Sivjet garojnë 37 vende.

Me tekst të Gia Koka dhe muzikë nga vetë Besa Kokëdhima bashkë me Kledi Bahiti dhe Fabrice Grandjean, “Titan” është baladë me shumë kontraste përbrenda. Pavarësisht rezultatit, Kokëdhima ka sjellë performancë të fuqishme sa i përket anës vokale derisa interpretimi është përcjellë edhe me koreografi nga katër valltarë. Kënga ka ardhur e modifikuar nga ajo origjinale që vjet fitoi në edicionin e 62-të të Festivalit të Këngës në RTSH. Titullohej “Zemrën n’dorë”.

Shqipëria me “Duje” nga Albina Kelmendi dhe familja e saj vitin e kaluar kishte përfunduar e 22-ta nga 26 konkurrentë. Muzikalisht e si performancë skenike jepte mesazhin e ruajtjes së familjes. Megjithatë, kënga e shkruar prej Eriona Rushitit dhe muzikë të Enis Mullajt, pos finales, nuk kishte shënuar tjetër sukses. Kishte marrë 76 vota duke lënë pas Portugalinë, Serbinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë. Ishte arritja më e dobët e Shqipërisë në finale.

Shqipëria vazhdon të mbajë rekordin e përfaqësuar me Rona Nishliun në vitin 2012. Ajo me këngën “Suus” qe radhitur në vendin e pestë. Në top 10, Shqipëria hyri edhe në vitin 2017, e përfaqësuar nga Lindita Halimi me këngën “World”.

Shqipëria për herë të parë mori pjesë në “Eurovision” në vitin 2004. Atë vit u përfaqësua nga Anjeza Shahini me këngën “The Image of you” (Imazhi yt), me të cilën zuri vendin e shtatë. Kjo pozitë mbeti më e larta që arriti deri në vitin 2012.

Sa i përket “Eurovisionit” të sivjetmë, nata e dytë gjysmëfinale ishte edhe homazh për këngëtarin Jahn Teigen, që përfaqësoi Norvegjinë në vitin 1978. Ai vdiq më 2020.

Pos programit qendror, atë të paraqitjes së vendeve garuese, në spektakël janë paraqitur edhe fituesja e edicionit të 2005-s, grekja Helena Paparizou me këngën “My number one”, Charlotte Perrelli me “Take me to your heaven” të vitit 1999 kur e kishte përfaqësuar Suedinë, si dhe kënga fituese e edicionit të 2003-tës, “Every way that I can” nga turkja Sertab Erener.

Si zakonisht, koha kur hapet votimi dhe ajo kur numërohen votat, shfrytëzohet për të kthyer në mend momente të veçanta gjatë historikut të ngjarjes. Në vendin nikoqir është kthyer ngjarja kur grupi i njohur suedez “ABBA” kishte tentuar të fitonte përfaqësinë e shtetit në “Eurovision” më 1973. Nuk ia kishte dalë. Veç një vit më pas do ta arrinte skenën e “Eurovisionit”. Kënga e tyre “Waterloo” do të shpallej fituese.

Gara Evropiane e Këngës që mbahet në Malmo të Suedisë pas fitores së Loreen me këngën “Tatoo” edicionin e kaluar, që ishte mbajtur në Liverpool të Anglisë, është shoqëruar edhe me protesta.

Mijëra protestues propalestinezë janë mbledhur kundër pjesëmarrjes së Izraelit, ka raportuar BBC.

Të mërkurën, këngëtarja izraelite Golan u fishkëllye gjatë provave të këngës së saj “Hurricane”. Një protestë më e vogël në përkrahje të Izraelit po mbahet po ashtu në Malmo. Aktivistja e klimës, Greta Thunberg, ishte në mesin e atyre që po merrnin pjesë në protestën propalestineze. Policia suedeze ka vlerësuar se rreth 12 mijë protestues po marrin pjesë. Thunberg i ka thënë BBC-së se “është obligim moral të veprohet” dhe të flitet për operacionin ushtarak të Izraelit në Gaza.

“Nëse ne mblidhemi dhjetëra mijëra në rrugët e Malmos, kur ‘Eurovisioni’ mbahet dhe themi se nuk do të pranojmë të vazhdojë kjo, atëherë është sinjal shumë i fuqishëm dhe bën dallimin”, ka thënë Thunberg. Një protestuese tjetër, Matilda Varatta, i ka thënë agjencisë Reuters se do të donte që Izraeli të diskualifikohej njëjtë si Rusia në vitin 2022 pas pushtimit të shkallës së plotë të Ukrainës. “Nuk është e vërtetë që ‘Eurovisioni’ nuk është politik, gjithmonë ka qenë politik dhe gjithmonë do të jetë”, ka thënë ajo. “Jam e përqendruar në muzikë, në energji të mirë dhe ka aq shumë njerëz që më përkrahin dhe ndiej se është nder i madh të prezantoj shtetin tim veçanërisht në këto kohë”, ka thënë Golan.

Në një videomesazh të postuar në rrjete sociale të enjten mbrëma, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i uroi sukses Golanit duke thënë se “ajo ka fituar tashmë” pasi “konfrontoi me sukses” atë që e përshkroi “valë të tmerrshme të antisemitizmit” në Suedi.

Malmoja ishte nikoqir edhe në vitin 1992. Në atë kohë vendin e kishte prezantuar grupi “Herreys”, që përbëhet nga tre vëllezër. Më 2012 po këngëtarja që sivjet e ka çuar ngjarjen evropiane të muzikës në Suedi, Loreen, ishte fituese me këngën “Euphoria”.

Tri netët e “Eurovisionit” po mbahen në “Malmö Arena”, që është një nga sallat më të mëdha në Skandinavi dhe shërben si vend për një gamë të gjerë ngjarjesh, duke përfshirë sportet, koncertet, ekspozitat dhe konferencat. Aty u mbajt ngjarja edhe në vitin 2013. Ajo ka kapacitet për rreth 13 mijë persona. Të enjten, kur është mbajtur nata e dytë gjysmëfinale, është bërë e ditur se shumica e blerësve të biletave për të ndjekur ngjarjen kanë qenë nga Britania e Madhe.

Edhe vitin e kaluar, “Eurovision” për moto kishte “United by Music”.