Është ëndërr e secilit artist botëror që të ekspozojë në Muzeun Metropolitan të Artit në New York. Petrit Halilaj jo vetëm që e arrin këtë, por atje çon ëndrrat, imagjinatën e fëmijëve e nëpërmjet tyre zbërthen historinë e Kosovës. Me “Abetare” ka pushtuar qiellin e kësaj kryeqendre, nga tarraca e njërit prej institucioneve më prestigjioze të artit në botë. “Sigurisht këtë ua dedikoj shumë fëmijëve... që po përjetojnë kohë të vështira. Jemi duke jetuar kohë të errëta”, ka thënë Halilaj në inaugurimin e veprës e cila efektin e ka të menjëhershëm
Në vitin 2010, Petrit Halilaj qe yll në ngritje i artit bashkëkohor. Kishte nisur që rrëfimeve të Kosovës t’u jepte frymë nëpër botë. Në atë kohë, para 14 vjetësh, ishte nisur ta vizitonte familjen e tij në Runik të Skenderajt. Me të zbritur nga autobusi gjatë ecjes për në shtëpi kishte vërejtur se shkolla e fshatit po rrënohej. Me ndjenja të përziera do t’i afrohej ndërtesës ku kishte vijuar shkollimin fillor.
Bashkë me objektin po rrënohej edhe një pjesë e historisë kolektive të asaj ane. Bankat e klasave si një kodër mbeturinash ishin veçuar në një anë të oborrit derisa buldozerët ishin në punë e sipër për të rrafshuar gjithçka. Halilaj do t’u ofrohej bankave të viteve ’70 dhe në to do të shihte vizatime të të ndryshme ndër vite. Qenë histori gjeneratash. Për një artist si Halilaj, nuk ishin thjesht shkarravina. Në ato dërrasa të fabrikuara ai gjente imagjinatën. Disa prej atyre vizatimeve tash gjenden si instalacione në tarracën e çatisë së një prej muzeve më me nam në botë – Muzeut Metropolitan të Artit në New York. Është thjeshtë “efekti Petrit”. Vepra titullohet “Abetare” dhe ka shumë kuptime.
Historia e Kosovës dhe kohët e errëta
Prej së hënës mbrëma, një prej pikave më të vizituara të artit pamor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mban në hapësirën e vet më të bukur rrëfime të gjeneratave të ndryshme në Kosovë. “Abetare”, instalacioni poetik skulpturor i Halilajt ka dërguar atje merimanga, mbishkrime, tituj këngësh, zogj e çka jo tjetër. Përjetime, zhgënjime, shpresë e imagjinatë të fëmijëve që dikur jetonin në ish-Jugosllavi, mandej në Kosovën e viteve ’90 nën okupim, fëmijëve që përjetuan luftën e mesazhe lirie të viteve të para të këtij shekulli. Midis emocionesh Halilaj veprat ua ka dedikuar fëmijëve të Kosovës e atyre të krejt botës.
“Sigurisht këtë ua dedikoj shumë fëmijëve... që po përjetojnë kohë të vështira. Jemi duke jetuar kohë të errëta”, ka thënë ai duke ndaluar midis fjalisë ku edhe i janë mbushur sytë me lot. Qe 13 vjeç kur fshati i tij u dogj nga forcat serbe dhe bashkë me familjen ishin refugjatë në Shqipëri. Aty zë fill ndërkombëtarizimi i tij si artist dhe është prej atyre që luftën e ka ndjesi të përjetshme. Ose, traumë të pashuar.

Në ceremoninë e inaugurimit të instalacionit “Abetare” – siç shihet në video-materialet dërguar nga Muzeu – ka treguar se kur u ishte afruar bankave kishte parë shumëçka.
“Bankat kanë parë krejt periudhën jugosllave, segregacionin e viteve ’90, vitet e luftës dhe kishin shpëtuar. Isha i surprizuar të shoh vizatime për UÇK-në, NATO-n, futbollistë, e të tjera vizatime. Nuk e imagjinoja se pas disa vjetësh, disa prej atyre vizatimeve do të ishin këtu në tarracën e Muzeut Metropolitan të Artit”, ka thënë ai para të pranishmëve. Ka treguar se disa prej punimeve qenë më të vogla se një centimetër kurse tash vijnë si skulptura masive që në njëfarë forme pikturojnë qiellin.
“Fëmijët aty kishin shprehur pak nga lira e tyre jashtë programit shkollor e kurrikulës së mësimit”, ka thënë ai.
“Veprat vijnë nga një vend që më ka bërë ky që jam”
Instalacioni – siç shihet në pamjet e Muzeut – dominohet nga një merimangë e madhe e ndërtuar nga metali sikurse gjithçka tjetër. Artisti ka treguar se me të parë merimangën e vizuar në bankë i kishte kujtuar kujtua vepra e një artisteje shumë të dashur për të, francezo-amerikanes Louise Bourgeois. Louise Joséphine Bourgeois e lindur më 1911 në Paris dhe e cila vdiq në moshën 98-vjeçare njihet për veprën e saj “Spider” të vitit 1996.
“Kjo merimange këtu duket si një alien që ka ardhur këtu dhe thotë: tungjatjeta. Më pëlqen që po mban një zog që ka ardhur nga Shqipëria. Është një zog i lumtur”, ka thënë ai duke përshkruar një zog mbi merimangën që ka edhe formën e Jezu Krishtit. Shkronjat “IDGAF” janë edhe titulli i një këngë të pop-yllit botëror, Dua Lipa.
Halilaj ka treguar se edhe ajo vjen nga Kosova. I pranishëm në ceremoninë hapëse qe edhe babai i saj, Dukagjin Lipa, njëherësh menaxher i këngëtares.

“Pastaj kemi simbolin e NATO-s, e shumë gjëra të tjera, disa janë histori të rënda. Shkollat në vitet ’90 ishin mënyrë e rezistencës ndaj segregacionit. Ka shumë referenca historike. Krejt këto vepra ua dedikoj fëmijëve dhe vijnë nga një vend që më ka bërë ky që jam”, ka thënë ai.
Instalacioni me vepra statike në tarracën e Muzeut Metropolitan, i themeluar më 1870, bën që prej poshtë të duket sikur është pikturuar qielli. Janë rrëfimet e fëmijëve kosovarë që tash qiellit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i japin ngjyrë. Nga një tjetër perspektivë, janë rrëfime që shkojnë atje 25 vjet pasi pikërisht SHBA pati rolin kryesor të çlirimit të Kosovës dhe kthimin në shtëpi të rreth një milion refugjatëve. Në skulpturat e metalit ka histori të llojllojshme. Deri më 27 tetor të këtij viti, vizitorë nga e tërë bota do të kenë mundësinë që të shohin ekspozitën e Halilajt të komisionuar nga Muzeu Metropolitan i Artit.
“Petriti, krenari për Muzeun Metropolitan të Artit”
Max Hollein, drejtor i Muzeut, ka thënë se kjo tarracë është galeria më e popullarizuar që kanë gjatë verës. Sipas tij, bëhet fjalë për hapësirën kryesore të vizitorëve.
“Ofron mundësi që të shihet një pjesë e madhe e New Yorkut. Petriti është prej artistëve më të dashur dhe më të rëndësishëm për ne. Veprat e tij kanë të bëjnë me historinë, vendin e tij, kulturën, transformimin kulturor dhe këtë e bën duke menduar lokalisht, por duke i shndërruar rrëfimet në universale”, ka thënë ai. Sipas Hollein në skulpturat tredimensionale Petrit Halilaj sjell kompleksitetin e imagjinatës fëmijërore.
“Secili komisionim i ri është një mundësi për histori të reja për realitetin tonë. Nuk mund të kishim krenari më të madhe sesa të kemi Petritin këtu me këtë instalacion”, ka thënë ai.

Iria Candela kuratore e Muzeut për artin e Amerikës Latine dhe e Departamentit të Artit Bashkëkohor ka shpalosur një pjesë të biografisë së Halilajt. Ka treguar për përvojën e tij si refugjat në Shqipëri e vizatimet e asaj kohe që ishin një lloj shprehje e traumës.
“Eksperienca traumatike e Petritit e ka bërë atë që të mendojë shumë për vendin e tij dhe ndikon shumë në gjithçka që bën ai”, ka thënë Candela. Sipas saj, nëse ka një stil që e përshkruan Petriti Halilajn është transparenca për të rrëfyer histori.
“Dikur të gjithë ishim fëmijë. Ky instalacion ofron një kontekst specifik nga Kosova dhe Ballkani”, ka thënë ajo në ceremoninë e mbajtur majë Muzeut.
“The New York Times”: Një fantazi që arrin qiellin
Krejt ngjarja nuk u ka shpëtuar disa prej mediave më prestigjioze të globit. Revista “Vogue” ia ka kushtuar një test të gjatë, përderisa kritiku i artit i “The New York Times”, Holland Coter ka shkruar se në vend të skulpturave, ekspozita është ajo që do ta quante “lëmsh të hapur të linjave kaligrafike të errëta prej bronzi dhe çeliku që gjurmojnë imazhe e silueta – të zogjve, luleve, yjeve, një merimange gjigante dhe një shtëpie përrallore – kundër panoramës së Manhattanit. Sipas një prej kritikëve më të vjetër të artit në prestigjiozen “The New York Times”, ekspozita “është një fantazi fantastike që arrin qiellin”.
Qiellin artisti kosovar e kishte arritur edhe në nëntorin e vitit të kaluar. Zogjtë e Petrit Halilajt ka kohë që kanë shtegtuar nëpër muze të njohur botërorë. Në Meksiko City ekspozita e tij në muzeun “Tamayo” kishte mbushur hapësirën me zogjtë e Runikut të Kosovës. Emri i fshatit të tij qe edhe titull i ekspozitës së kuruar nga José Esparza Chong Cuy. Por ekspozita e parë e Halilajt në Amerikën Latine nuk përfundoi me kaq. Arti i tij fluturoi edhe në qiellin e dy Amerikave. “Nga Runiku me dashuri” ishte porosia që bartte një avion “Boing 737”. Kishte për ilustrim veprat e artistit nga Kosova. Një pulë ishte ilustruar në të dyja anët e avionit.
Halilaj i lindur në më 1986 në Runik të Skenderajt, vazhdimisht përcjell mesazhe paqeje nëpër botë. Veprat e këtij artisti që përfaqësoi Kosovën në debutimin e saj në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia më 2013, janë pazgjidhshmërisht të lidhura me vendlindjen. Çojnë anekënd botës përvoja të luftës dhe nevojën për një tjetër realitet – atë të lirisë.
E natyrshme që Petrit Halilaj ka dërguar edhe zogj në ekspozitën e tij në Muzeun Metropolitan të Artit në New York. I ka me vete kudo që shkon dhe nëpërmjet tyre dërgon edhe ndjesi lirie e dashurie. Janë mesazhe që nëpërmjet tij i jep një vend që numëron veç çerek shekull në liri.