Kulturë

“Heshtjet...” nga Kosova në pritje të jehonës në Venecie

Pavijoni i Kosovës

Pavijoni i Kosovës me “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” të Doruntina Kastratit, kuruar nga Erërmirë Krasniqi në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, të mërkurën, një ditë para hapjes zyrtare (Foto: Majlinda Hoxha)

“Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”, është titulli i instalacionit të Doruntina Kastratit me kuratore Erëmirë Krasniqin, me të cilin Kosova sivjet përfaqësohet në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecie. Rrëfimi zë fill prej historive të grave punëtore në një fabrikë llokumesh në Prizren, “hedh dritë mbi narracionet e periferisë” e synon të kumbojë në Pavijonin e Kosovës, që sivjet – ndryshe prej pesë përfaqësimeve paraprake – është zhvendosur prej Arsenale, lokacion i cili bashkë me Giardinin janë qendrorët e Bienales që sivjet ka për temë “Të huaj kudo”

Në ditët kur bota e artit bashkëkohor i ka kthyer sytë nga Venecia, aty ngrihen pyetje e reflektohet për telashe ndërkombëtare, histori ekonomike, politike e çka jo tjetër. Te pavijonet kombëtare artistët përfaqësues shpalosin perspektivat e tyre mbi fenomenet shoqërore të vendeve nga vijnë.

Sivjet Kosova nëpërmjet skulpturave qan hallin e grave në punë në një realitet ku shteti pas socializmit nis t’i përshtatet një kapitalizmi të egër. Konfliktet aktuale në botë marrin vëmendjen më të madhe edhe brenda qytetit që këto ditë vërshon nga artistë, kritikë e gazetarë. Izraeli është bërë lajm ndërkombëtar pasi përfaqësuesja e këtij shteti refuzon të hapë pavijonin “protestues” në shenjë solidarizimi e thirrje për lirim pengjesh e armëpushim. Kurse pavijoni rus ngelet i mbyllur sikurse edicionin e kaluar.

“Të huaj kudo” si temë e përgjithshme e ngjarjes sivjet mbledh 87 pavijone kombëtare, kurse ekspozita e përgjithshme bashkon 331 artistë nga vende të ndryshme të botës.

Pavijoni i shtetit më të ri të Evropës merret me punën e feminizuar. Vepra konceptuale e artistes Doruntina Kastrati nis nga përvoja e së ëmës së saj (Foto: Majlinda Hoxha)

Dritësimi i narracioneve të periferisë

Kosova sivjet është jashtë hapësirës ekspozuese, Arsenale. Është aty afër, në Muzeun Historik të Marinës. Se sa mund të zgjojë kureshtje pavijoni i një vendi të vogël jashtë dy prej hapësirave ekspozuese – Arsenale e Giardini – mbetet të shihet. Me katër skulptura synohet vëmendje nga rreth 800 mijë veta që sivjet prej tash e deri në nëntor pritet ta vizitojnë Bienalen. Pavijoni i shtetit më të ri të Evropës merret me punën e feminizuar. Vepra konceptuale e artistes Doruntina Kastrati nis nga përvoja e së ëmës së saj. Puna e grave në një fabrikë llokumesh në Prizren kishte rezultuar me telashe të mëdha shëndetësore për to. Lëvozhgat e arrave e protezat e gjurit janë subjektet që ndërtojnë pamjen e Pavijonit të Kosovës në edicionin e sivjetmë të Bienales, të 60-in me radhë. Estetikisht nuk është ndonjë provokim i madh, përderisa rrëfimi brenda konceptit është tejet njerëzor.

“Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”- siç titullohet instalacioni skulpturor- vjen bashkë me materialin dhe format e protezave që kanë vënë gratë në gjunjë shkaku i qëndrimit të gjatë në këmbë.

Një ditë para hapjes së Pavijonit të Kosovës, artistja Doruntina Kastrati ka thënë se përqendrimi është te pasojat fizike të punës dhe te pabarazitë në vendin e punës, duke synuar të sjellin në pah narracionet e grave në margjinat e shoqërisë.

“Instalacioni përbëhet nga katër vepra skulpturore: dy të modeluara sipas gëzhojave të arrave që përdoren në prodhimin e llokumeve dhe dy të modeluara sipas protezave kirurgjike, të cilat reflektojnë operimet që u janë nënshtruar këto gra për shkak të orareve të gjata të punës në këmbë”, ka thënë ajo. Ka sqaruar se këto skulptura përcillen nga një material zanor që shërben t’i aktivizojë dhe janë të ndërtuara nga alumini, duke aluduar edhe te protezat kirurgjike, edhe te hapësira industriale e fabrikës, gjë që sjell ndër mend ftohtësinë e fabrikës dhe ftohtësinë e metalit të huaj ndaj lëkurës së punëtores.

“’Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës’ përfaqëson tëhuajtjen që përjetojnë gratë e klasës punëtore dhe ndërthur asocime, referenca dhe histori që gjykojmë se janë tejet të rëndësishme të theksohen, edhe brenda Kosovës, edhe në skenën globale”, ka thënë ajo nëpërmjet komunikatës të lëshuar nga Pavijoni.

Në konceptimin e kuratores Erëmirë Krasniqi, Pavijoni i Kosovës sivjet përqendrohet jo te lufta, po te pasojat e saj. Sipas saj, realitetet me të cilat përballen gratë në ekonomitë e parregulluara, të cilat kanë për kapital të vetëm shoqëror dhe ekonomik punën që ofrojnë, kanë shërbyer si pikënisje për artisten dhe janë thelbësore për hulumtimin që informon punën kuratoriale.

“Si kuratore, zhvillimi i një projekti që hedh dritë mbi narracionet e periferisë dhe që i përfshin ato përmes një këndvështrimi të informuar në mënyrë kritike nuk është vetëm i shënueshëm, por përbën edhe pikënisjen tematike. Vënia e këtyre çështjeve brenda një konteksti më të gjerë ka rëndësi të madhe, meqë nis biseda që shkojnë matanë lokales”, ka thënë ajo, siç citohet në komunikatë.

Se sa mund të zgjojë kureshtje pavijoni i një vendi të vogël jashtë dy prej hapësirave ekspozuese – Arsenale e Giardini – mbetet të shihet (Foto: Majlinda Hoxha)

Gjurmë lufte në artin botëror

Kosova ka çuar në Venecie rrëfime lufte, të pagjeturish e izolimin që e ka vuajtur deri sivjet. Luftërat afektojnë në Bienalen Ndërkombëtare të Artit vazhdimisht. Konflikti midis Izraelit dhe Gazës është bërë temë në edicionin e sivjetmë të Bienales që mbahet në qytetin italian me 121 ishuj e 435 ura. Izraeli sivjet përfaqësohet nga artistja Ruth Patir. Videoinstalacioni i saj është një protestë kundër asaj që po ndodh midis izraelitëve e palestinezëve. E titulluar “(M)otherland” vepra në GIardini do të hapej të shtunën në Pavijonin e Izraelit, por ajo do të qëndrojë e mbyllur.

“Artistja dhe kuratorët e pavijonit izraelit do ta hapin ekspozitën kur të arrihet një marrëveshje armëpushimi dhe të bëhet lirimi i pengjeve”, thuhet në një tabelë të vendosur në dritaren e Pavijonit të Izraelit që ruhet nga forcat italiane.

Nëpërmjet një shkrimi të publikuar në ueb-faqe, Patir ka thënë: “Vendimi i artistes dhe i kuratorëve nuk ka për qëllim ta anulojë ekspozitën, përkundrazi, ata zgjedhin të mbajnë një qëndrim në solidaritet me familjet e pengjeve dhe komunitetin e madh në Izrael që po bën thirrje për ndryshim”. Lufta në Linde të Mesme e ajo midis Rusisë e Ukrainës kanë prodhuar shumë refugjatë. Titulli i sivjetmë i temës së Bienales, “Foreigners Everywhere” (Të huaj kudo) u shkon për shtat rrethanave. Kuratori i përgjithshëm, braziliani Adriano Pedrosa, të mërkurën në mesditë në konferencën hapëse për media ka thënë se arti nuk mund të jetë indiferent ndaj ndodhive në botë.

“Titulli ka shumë kuptime. Për shembull, ngado që shkoni keni përreth të huaj ose kudo që shkoni thellë në vete ndiheni si i huaj. Pastaj jemi në Venecie ku vizitorët janë më të shumë në numër sesa vendorët. Bienalja është po ashtu e tillë”, ka thënë ai. Pedrosa ka sqaruar se titulli është marrë nga një seri e veprave të nisura në vitin 2004 nga “Claire Fontaine”, kolektivi i artistëve nga Parisi, të cilët jetojnë në Palermo. Veprat e tyre përbëhen nga skulptura neoni me ngjyra të ndryshme që përkthejnë në një numër gjithnjë e më të madh gjuhësh fjalën “Të huaj kudo”.

Nga ana tjetër, tema po ashtu vjen edhe nga emri i një kolektivi nga qyteti i Torinos që luftoi racizmin dhe ksenofobinë në Itali në fillim të viteve 2000. “Stranieri Ovunque”, siç është emri i kolektivit fjalë për fjalë, përkthehet “Të huaj kudo”.

Vjet Kosova në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës kishte prekur edhe temën e refugjatëve. Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri ishte dyshja e cila në pavijonin e tyre “RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 – lokaliteti transcendent) merr në trajtim ndikimin e emigrantëve në zhvillimin e vendeve të tyre të lindjes. Dyshja nëpërmjet instalacionit ka trajtuar transcendencën jo veç si term filozofik, por edhe në rrafshin praktik.

Sa i përket përfaqësimit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, gjithçka kishte filluar më 2013. Asokohe Petrit Halilaj kishte paraqitur instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Më 2015-n, përfaqësuese e Kosovës ishte artistja Flaka Haliti me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër). Më 2017 ishte Sislej Xhafa me veprën “Lost and Found”, një thirrje e fuqishme për fatin e të zhdukurve gjatë luftës. Me histori lufte, Kosova ishte përfaqësuar edhe më 2019-n nga Alban Muja me “Family Album” (Albumi familjar). Më 2022, Jakup Ferri temës së përcaktuar nga Bienalja do t’i përgjigjej me “Monumentalitetin e përditshmërisë”.

Marrëdhënia e Kosovës me Bienalen ka nisur më 2012. Në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, Kosova debutoi atë vit. Asokohe shteti ishte prezantuar me “Punuesi i filigranit”, të kuratorit Përparim Rama – tash kryetar i Prishtinës – dhe për komisioner ishte caktuar arkitekti Bekim Ramku. “Punuesi i filigranit” mëtonte të hidhte dritë mbi trashëgiminë kulturore të Kosovës. Më 2014, Gëzim Paçarizi kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria - Modernizmi i imponuar). Kulla e punuar nga 720 stola përcillte historinë arkitekturore të Prizrenit. Vënia në dukje e ndryshimeve që ka pësuar ky vend gjatë një shekulli ka qenë ajo që ishte prezantuar në konceptin kuratorial. Dy vjet më vonë, sherri i Ministrisë së Kulturës që nuk ishte kujdesur për procedurat, Kosova s’u përfaqësua, për t’u rikthyer më 2018 me Eliza Hoxhën, me veprën “Qyteti është gjithandej”, që zhvendosi atje shtëpinë kosovare të viteve ’90. Në edicionin e 2020-s, Maksut Vezgishi me “Containporary” zbërthente pyetjen se si mund të jetojmë së bashku.

Jetesa nga një perspektivë vjen edhe në “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”. Në Pavijonin me komisionere Hana Halilajn, Kosova prek problemin e grave si fuqi punëtore që shfrytëzohen pa mëshirë. E kjo mënyrë jetese u hakmerret në shëndet.

 Me katër skulptura synohet vëmendje nga rreth 800 mijë veta që sivjet prej tash e deri në nëntor pritet të vizitojnë Bienalen (Foto: Majlinda Hoxha)