Ajo që shihet në skenë, është vetëm njëra anë e shfaqjeve të Baletit Kombëtar të Kosovës. Prapaskena është e mjerueshme. Përditë salla e “Shotës”, ku mbajnë provat tash e gati dy vjet, duhet të bëhet gati për balerinët duke e shtruar me llastik. Ushtrimet nisin me vonesë, improvizimet e kushteve janë kryefjalë për institucionin që themelet i ka para 52 vjetësh, e që tash sorollatet nëpër objekte të huaja
Nëse kërkohet ndonjë rast se si improvizohet në çdo hap për ta mbajtur funksional një institucion, shembulli gjendet te Baleti Kombëtar i Kosovës. Është mysafir për ushtrime e prova e po ashtu edhe për dhënien e shfaqjeve. Përtej përditshmërisë, që gati ka mbushur dy vjet, as në horizont nuk shihet ndonjë zgjidhje. Sivjet synohet të shfaqen në New York, Lisbonë e Kore të Jugut. Por për t’i përgatitur ato, nuk duhet veç punë. Duhet jo pak sakrificë.
Dy punonjës të skenës që i shërbejnë Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës, çdo ditë pak pas mesditës shkojnë në sallën e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve, “Shota”. Në orën 13:00, kur përfundojnë ushtrimet e provat e ansamblit të “Shotës”, ata nisin të shtrijnë mbi parket llastiqet prej linoleumi që duhet t’u shërbejnë balerinëve për ushtrime e prova. Mbi to më pas duhet të vendosen levat pa të cilat nuk punohet. Ajo që bëhet aty është mjerim për institucionin. Pos anës organizative që merr kohë, detyrimit për vendosje e heqje të llastiqeve në baza ditore, kostos së ngjitësit prej 20 eurosh çdo ditë, ambienti nuk është ai i ushtrimeve. Po qe se balerinët sforcohen për leva, ato lëvizin pasi në kushte normale duhet të jenë të ngjitura në mure. Dhe ky është imazhi i prapaskenës së institucionit shtetëror të baletit.

Muhabeti nëse u vunë a u hoqën llastiqet, është i përditshëm.
“Po shihet si po punojmë”, ka thënë të enjten solisti Fatmir Smani. E ka përdorur këtë fjali, që të lë të nënkuptohet se s’ka çfarë thuhet më shumë kur shihet ajo gjendje. Sipas tij, duhet një sallë ku mund të mbahen prova më gjatë pasi ndikon direkt në produktivitetin e trupës.
Në ato kushte gjatë marsit në bashkëpunim me primabalerinën dhe koreografen Chiara Ajkun është përgatitur shfaqja “Tango Nights”, e cila premierën botërore do ta ketë më 31 maj në teatrin “St. Jean” në Manhattan të New Yorkut.
“Pos kohës që merr, është barrë e madhe edhe për stafin teknik shtrimi e heqja e llastiqeve çdo ditë. Pastaj ka edhe kosto pasi ngjitësi kushton. Është njëlloj obligimi në baza ditore që në gjykimin tim është i panevojshëm. Por për momentin nuk kemi zgjidhje tjetër”, ka thënë drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi. “E kemi të domosdoshme ta vazhdojmë punën”, ka vazhduar ai.
Përtej kësaj, orari i ushtrimeve dhe i provave është barrë më vete.
Balerinët fillimisht duhet të mbajnë ushtrime për rreth një orë e më pas të nisin provat.
“Të nisim ushtrimet prej orës 13:00 është relativisht vonë. Por paradite salla shfrytëzohet nga ‘Shota’. Përtej kësaj balerinët kanë edhe obligime familjare. Çerdhet mbyllen në orën 16:00 e 17:00. Shpesh u bie të qëndrojnë edhe më vonë shkaku i provave”, ka treguar Kajtazi. Sipas tij, më këtë gjysmë orari të punohet për krejt projektet, është sfida e radhës.
“Tash dikush mund të thotë se a janë të nevojshme krejt këto projekte? Por mundësitë për të dhënë shfaqje në New York, Kore të Jugut e Lisbonë nuk është se na vijnë çdo ditë”, thotë ai derisa përmend prezantimet që sivjet BKK-ja do të ketë jashtë vendit.
Paraprakisht në janar, kur salla e “Shotës” ishte në renovim, situata ishte edhe më e rëndë. Asokohe BKK-ja kishte mbetur praktikisht në rrugë. Po mbanin provat për premierën e shkurtit, “Rebounds. A Basketballet” nën koreografi të gjermanëve Friederike Lampert dhe Jochen Roller. Kishin para vetes dy opsione: ndërprerjen e provave dhe dështimin e shfaqjes ose gjetjen e një hapësire. I kishin kërkuar hapësirë një ndërmarrësi privat. Dhe kishin udhëtuar çdo ditë me autobus për të mbajtur prova në periferi të Prishtinës.
Edhe dhënia e shfaqjeve është sfidë. Këtë muaj në repertor kanë dy shfaqje. I japin në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, hapësirë që po shfrytëzohet nga Teatri Kombëtar i Kosovës. BKK-ja dhe TKK-ja kanë funksionuar në ndërtesën e Teatrit, e cila është mbyllur prej korrikut të vitit 2022 dhe ende nuk ka as projekt përfundimtar për restaurim.
“Sfidë tjetër në raport me repertorin është kufizimi në zgjedhjen e shfaqjeve. Hapësira që është e kushtet teknike na detyrojnë që të japim shfaqje të vogla”, ka thënë drejtori Kajtazi.

Për balerinët situata është dëshpëruese. Vërehet te secili prej 22 sa janë të rregullt e edhe tek ata që angazhohen në projekte.
“Po duhet ta shkurtojmë orarin, pasi nuk ekziston mundësi tjetër. Është tejet e vështirë dhe nuk dihet se çfarë do të ndodhë. Të paktën të kemi një vend pak më të përshtatshëm që na krijon mundësinë edhe për orar më të mirë”, ka thënë ai. Ka ironizuar duke thënë se kur ishin në ndërtesën e TKK-së edhe me pusetë brenda sallës ishte më mirë.
“Mos me qenë vullneti, nuk do t’ia dilnim. Kemi krejt këto vjet në balet e duhet të vazhdojmë”, ka thënë Sead Vuniqi, solist në BKK. Aktualisht po punojnë shfaqje me koreografin Daniel Cardoso.
Por përtej situatës aktuale sa i përket hapësirës se ku do të vazhdojnë punën, edhe e ardhmja është e mjegullt për këtë institucion. Në projektin në finalizim e sipër për restaurimin e ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk parashihet që aty të rikthehet Baleti. Qëllimi është që MKRS-ja ta dërgojë këtë institucion në atë që pritet të jetë Teatri i Operës dhe Baletit prapa Pallatit të Rinisë dhe Sportit, e që është ende larg tash e sa vjet. Në fund të këtij viti shënohet 15-vjetori i gurit themeltar për teatrin e operës dhe baletit “Ibrahim Rugova” te Fakulteti Teknik dhe mbi një milion eurove të shkuara huq pa llogaritur ato të konkurseve e jurive. Por, 2024-ta ka nisur keq me dështimin e përzgjedhjes së projektit. Krejt kjo sherri i shkeljes së procedurave, në radhë të parë nga vetë Ministria e Kulturës. Ky tentim qe pas konkursit të 17 vjetëve më parë, gurit themeltar të vitit 2009 dhe dy konkurseve të vitit 2019. Tash ka hyrë në episodin e radhës, pasi është rihapur thirrja për projektim.
Por në BKK synimin e kanë të qartë.
“BKK-ja është themeluar në atë që sot është Teatri Kombëtar i Kosovës. Deri sot nuk kemi një vendim zyrtar i cili thotë se BKK-ja nuk do të kthehet në Teatër. Përderisa nuk e kemi atë vendim, ne do të kthehemi aty. Nuk ka ndonjë hamendësim. Por nëse bëhet teatri i operës dhe baletit, atëherë kuptohet se do të jemi atje”, ka thënë Kajtazi.
Sipas tij, urgjenca ekziston te hapësira e tanishme e punës. Sipas tij, nuk u duhet gjë skena kur s’kanë ambient për ushtrime.
“Salla e ushtrimeve është laboratori ynë. Nuk bëhet gjë pa të. Baleti është specifik. Duhen ushtrime në baza ditore për të qenë të gatshëm për prova e shfaqje. Shpresa është që MKRS-ja të na gjejë një hapësirë”, ka thënë Kajtazi.