Kulturë

“Eksperience” në Hamburg me botën magjepsëse të artistit nga Kosova

Krijimtaria artistike e Shuk Oranit nuk është e panjohur në skenën gjermane. Në qytetin e Hamburgut, ku edhe jeton, ka ekspozuar disa herë. Tash vjen me “Eksperience”, që do të hapet më 15 mars dhe do të përfshijë vepra nga disa cikle që i ka punuar ndër vite. “U ofron vizitorëve mundësinë për t’u zhytur në botën magjepsëse të artit të Oranit”, shkruhet në paralajmërimin e ekspozitës

Ngjyrat e ftohta të kombinuara me nuancat e atyre të ngrohtave janë në disa prej veprave të artistit Shuk Orani, që do të ekspozohen në Hamburg të Gjermanisë. “Eksperience” është ekspozitë që e ndërlidh përvojën gjithëpërfshirëse të artistit konceptual. Bota artistike e Oranit do të eksplorohet nga publiku gjerman nëpërmjet tridhjetë pikturave me ngjyra vaji në pëlhurë.

Krijimtaria artistike e Shuk Oranit nuk është e panjohur në skenën gjermane. Në qytetin e Hamburgut, ku edhe jeton, ka ekspozuar disa herë. Dhe jo vetëm. Veprat e tij janë shfaqur edhe në Louvre e kanë mbërritur deri në Pekin. Orani ka bërë të ditur se koleksioni i ekspozitës “Eksperience”, që do të hapet më 15 mars, do të përfshijë vepra nga disa cikle që i ka punuar ndër vite.

“Janë nga ciklet e ndryshme dhe shumica janë të radhitura në ‘Atelier’, galeri përbrenda këtij kompleksi (‘Marktplatz der manufakturen’). Të prezantuara do të jenë pjesë nga ciklet ‘Transcendenc’, ‘The Game’, ‘Limitless’, ‘Homosaphia 2000’, ‘Omage GK’, ‘Personalitete nga historia’ dhe koleksione të tjera”, ka thënë Orani në një përgjigje për KOHËN.

Njëra prej veprave, bazuar në fotografinë e saj, krijon iluzione të shumëfishta, për objektin abstrakt që rri pezull në qiell. Artisti krijon një lloj perceptimi të dyfishtë me nuancat e ngjyrës së kaltër e me harqet që ka formësuar kur ka përshkuar ngjyrën në pëlhurë.

Kontrasti është vepra tjetër pranë e punuar me dy ngjyra dhe ku ka përfshirë nuancat e lehta të ngjyrave përkatëse.

Siç ngjan në ekspozitat e tij, edhe në “Eksperience” veprat vijnë në dimensione të mëdha.

“Në madhësi mbi dy metra do të jenë tridhjetë vepra, ndërsa gjithsej pritet të prezantohen diku rreth njëqind vepra”, ka bërë të ditur Orani.

Për ekspozitën bëhet e ditur se secila pikturë befason dhe ofron zhytje në botën e artistit Orani.

“Ekspozita aktuale u ofron vizitorëve mundësinë për t’u zhytur në botën magjepsëse të artit të Oranit. Ai përfshin një koleksion veprash të kuruara me kujdes të krijuara ndër vite dhe që përfaqësojnë cikle të ndryshme. Çdo pikturë befason me një madhësi prej më shumë se dy metra (deri në madhësinë 6 metërshe), duke i lejuar vizitorët të zhyten në një përvojë gjithëpërfshirëse”, shkruhet në komunikatën për media për ekspozitën “Eksperience” të artistit që prej vitesh jeton në Hamburg. Ai ka marrë pjesë në ekspozita dhe panaire të mëdha arti në mbarë botën, duke përfshirë MOCA – Muzeu i Artit Bashkëkohor në Pekin, Muzeu i Louvreit në Paris, “Galleria Farini Concept” në Itali, “TSI Museum” në Taipei, “NW Gallery” në Cambridge, “Sotheby’s Hamburg”, “Art International Zürich” e shumë të tjera. Gama e tij krijuese shtrihet nga pikturat me vaj në kanavacë, krijimet grafike digjitale te skulpturat dhe fotografitë.

Shuk Orani është artist multimedial që deri më tani ai ka marrë pjesë në rreth tridhjetë ekspozita në vende të ndryshme si në Kinë, Gjermani, Francë, Britani të Madhe, Zvicër, Itali, Spanjë, Kosovë e Kroaci. Disa nga ekspozitat e tij të njohura si “Long term” vazhdojnë të jenë të hapura nëpër vende të ndryshme të botës.

Ai ka bërë të ditur se ekspozita e projektuar dhe realizuar me bashkëpunim të ngushtë me “Marktplatz der Manufakturen” zë vend në një sipërfaqe prej dymijë metrash katrorë dhe “Atelier SO” të artistit.

“’Marktplatz der Manufakturen’ është një vend i ri për prodhimin dhe zejtarinë manufaktore në Hamburg. Është një nga tregjet më të njohura në skenën gjermane të dizajnit dhe artizanatit”, shkruhet në ueb-faqen e saj.

Brenda hapësirës së saj përshihen 15 studio atelie, galeri arti për artizanë e artistë. Ato përdoren për krijimin dhe prezantimin e punimeve artizanale, gjithashtu edhe për ekspozita arti dhe ngjarje të tjera, e sidomos për prezantimin muzeal të koleksioneve të mëdha të artit vendor e ndërkombëtar.

Pos ekspozitës kryesore, atë të Shuk Oranit, në të njëjtin ambient, do të shfaqet edhe një ekspozitë anësore me vepra bashkëkohore të artistëve të tjerë të skenës gjermane.

Artisti konceptual, Shuk Orani, po në Hamburg, në shtator të vitit 2022 kishte punuar drejtpërdrejt në mur një vepër murale me madhësi 12.5 me 4.5 metra. Brenda muralit “B17”, kishte krijuar edhe një pikturë në kanavacë e cila kishte madhësinë rreth 4 me 4 metra.