Premiera “Negotiating Peace” (Të negociosh paqen) vjen si shfaqje pikërisht në momentin e duhur. Kosova dhe Serbia gjenden në një moment kritik të negocimit të paqes. Lufta në Ukrainë i është ofruar vitit të tretë e nga Izraeli dhe Palestina çdo ditë vijnë lajme për qindra të vdekur. Diplomatët janë vënë në aksion. Në aksion janë diplomatët edhe në shfaqje, e cila hyn në prapaskenat e një realiteti absurd. Nuk bën teatër me dromca realiteti, por thjesht e dëshmon se me të tilla negociata paqeje që s’negociohen dot, jo rrallë bëhet teatër. S’e negociatorët shpesh janë veç aktorë
Kur një diplomat perëndimor goxha në emër shkel në një vend ku duhet dhënë fund një konflikti, përballet me treg pemësh. Secili shitës ka çmimet e veta dhe arsyetimin për çmim e ka të thjeshtë: “Kushtojnë kaq, pasi janë të miat”. Shpejt, negocimi i çmimeve të perimeve e kusuri i një pazari kthehen në negociata eshtrash e mbetjesh mortore që vijnë edhe si kusur. Pa dyshim, është krahasim i rëndë. Por te shfaqjet e Qendrës “Multimedia” skajshmëritë e temave i lidh një bosht. Në këtë rast negociatat.
“Negotiating Peace” (Të negociosh paqen) – e dhënë premierë të hënën mbrëma në teatrin “Oda” – vjen si shfaqje pikërisht në momentin e duhur. Kosova dhe Serbia gjenden në një moment kritik të negocimit të paqes. Lufta në Ukrainë i është ofruar vitit të tretë e nga Izraeli dhe Palestina çdo ditë vijnë lajme për qindra të vdekur. Diplomatët janë vënë në aksion. Në aksion janë diplomatët edhe në shfaqje. Krejt në fillim një gjeneral në mot të vranët e me korba që sillen sipër, vihet në kërkim të eshtrave të ushtarëve të vdekur. Është ai gjenerali i moçëm, personazh i Ismail Kadaresë te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Aty eshtrat janë thjeshtë mbetje mortore që pas luftës shkëmbehen me diçka. Jepet një numër i caktuar kufomash në shkëmbim. Me skenografi të thjeshtë, shfaqja nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt dhe tekst të Jeton Neziraj merr hov me negociatat që zhvillohen midis dy vendeve: Unmikistanit dhe Banovinës. Që të dyja kanë kontekst vendor, por edhe ndërkombëtar. Normale, diplomatët perëndimorë janë ata që mbajnë ritmin edhe me “dhunë” nëse është nevoja. E rëndësishme është që të ketë marrëveshje. Telashet e zbatimit janë periferike, edhe pse në realitet shpesh ato bëhen vetë qendra.
Ata që kanë bërë luftën e kanë të vështirë që të arrijnë paqen. Kanë edhe drojë për egon e tyre. Nuk preferojnë të humbin rëndësinë që kanë. Janë faktorë. Në një rast, prijësit e negociatave përdorin edhe karrem si premtimet që një yll i Hollywoodit do të paraqesë në film lavdinë e atij që ka udhëhequr një luftë. Është ironizim e parodi me thashethemnajën e një rasti të vërtetë të këtyre anëve. Ballkani është territor negociatash e humorit brenda tyre. Tekefundit edhe në luftë ka humor. Por pak më shumë në konferenca paqeje.
Skenat ndërrojnë shpesh, sa të kërkimi i kufomave sa te negocimi i paqes. Nuk mungojnë as aktivistët e shoqërisë civile që kujdesen për printim deklaratash e marrëveshjesh në letër të riciklueshme që të ruhet ambienti. Por shfaqja në thelb prek tema të rëndësishme pavarësisht që ato i mbështjellë me ironi e parodi. Bota njeh marrëveshje të rëndësishme paqeje që nuk kanë funksionuar. Midis tyre ajo midis Palestinës dhe Izraelit e njohur si Marrëveshja e Oslos e vitit 1993. Qe pa rezultat, dhe këto ditë lajmet prej asaj ane të botës janë të tmerrshme.
Libri i diplomatit me nam, Richard Holbrook “Të përfundosh një luftë” i ka hyrë shumë në punë dramaturgut Jeton Neziraj. Marrëveshja e Daytonit e vitit 1995 kur përfundoi lufta frontale midis Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë, po ashtu. Neiziraj njihet për hulumtim të temave aktuale dhe “përkthim” të tyre në performanca multimediale teatrore.
“Nis prej kontekstit tonë dhe ka mbi dhjetë vjet që jemi në procesin e negocimit të paqes. Një paqe që negociohet nuk është paqe, por nuk është as luftë. Mandej prek kontekste të vendeve të ndryshme e konferencave të paqes midis vendeve të ndryshme. Shumë marrëveshje nënshkruhen e mandej nuk implementohen”, ka thënë ai.

Hiret i ka të tilla edhe marrëveshja që negociohet në shfaqje. Por pakkush çan kokën se cila do të jetë e ardhmja. Synimi është që pos mesazheve nëpërmjet artit të gërmohen edhe prapaskenat.
“Për mua ka qenë e rëndësishme të investigoj se çfarë ndodh në këto konferenca pasi ajo që marrim ne si publik është e përpunuar, e filtruar dhe del si komunikatë. Ndërkohë brenda konferencave ka dinamika të ndryshme, tension, konflikte e stres. Për ne ka qenë me interes të shohim brenda këtyre dinamikave”, ka thënë Neziraj. Ai ka guxim të çojë në djall gjithçka nëpërmjet teatrit. Siç edhe e ka bërë me nobelistin Peter Handke gjithandej Evropës nëpërmjet shfaqjes “The Handke Project”, ku mohuesi i gjenocidit del tamam si idiot që shkel mbi varre dhe konteston nëse ato janë varre. Viktimat për të nuk ekzistojnë. Ose viktimë është agresori.
E viktimat preken edhe te “Negotiating Peace”. Nuk përfshihen në negociata. U takojnë atyre që ndezin lufta dhe kjo është pika e dobët që sjell në pah ky projekt teatror.
“Është ambicioze të pritet që shfaqja të ketë impakt te ndonjë konferencë e mundshme ose te njerëzit që janë pjesëmarrës aktivë të këtyre ngjarjeve. Megjithatë, është e rëndësishme që t’i komunikohet publikut kjo temë. Pra, fuqia e vendimmarrjes duhet të transferohet te viktimat ose viktimat të jenë palë në negociata. Realiteti ka treguar që marrëveshjet e paqes nënshkruhen nga pjesëmarrësit aktivë në luftë. Nuk mund të pritet që dikush që ka prodhuar konflikt mund të prodhojë paqe. Ideja e shfaqjes është që viktimat të jenë të përfshira në këto procese”, ka thënë Neziraj.
Në shfaqje është edhe një viktimë. Plana Nicë (Meli Qena) kësaj radhe nuk vjen si një grua prej fshatrave të Shqipërisë, por si një punëtore e hotelit “Grand” që është dhunuar nga një gjeneral të cilit i kërkohen eshtrat. Portreti i saj bart peshën e krejt viktimave. Qena e ka zotësinë ta bëjë këtë. Dikur edhe i sjell eshtrat e gjeneralit, bash sikurse plaka e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”. Hoteli i shfaqjes asocion fort edhe me hotelin që ndodhet në qendër të Prishtinës e ku gjatë viteve ’90 dhe gjatë luftës në Kosovë edhe janë bërë krime.
Aktorët Shkumbin Istrefi, Ema Andrea, Harald Thompson Rosentrom, Ejla Bavçiq, Martin Kõiv, Melihate Qena dhe Orest Pastukh vërtiten përballë publikut duke shpërfaqur ngjarje që gjatë negociatave nuk tregohen asnjëherë publikisht.
Aktorja Ema Andrea ka thënë se bash temat si kjo duhet t’i trajtojë teatri.
“Jam përpjekur, aq sa kam pasur mundësi, të jem pjesë e këtyre ngjarjeve artistike që e kalojnë misionin e artit në vetvete si kënaqësi për audiencën, por e lëvizin mendjen e audiencës jo vetëm të asaj lokale. Kjo është e bukura e kësaj shfaqjeje, sepse nuk flet për probleme e mendësi lokale por flet për një problematikë humane. Njerëzimi duket se nuk ka mësuar nga historia e vet dhe sërish konfliktohet për arsye absurde dhe paqja negociohet”, ka thënë Andrea. Në bindjen e saj teatri sensibilizon dhe ndikon në tema të tilla. Për këtë ka marrë shembuj konkretë.
“Shumë spektatorë nga Tirana kanë filluar të kuptojnë se si është dëmtuar njerëzorja në luftën e Kosovës dhe atë të Sarajevës pasi kanë parë shfaqjet për këto tema. Pos që kanë kuptuar, edhe kanë provuar të bëjnë diçka”, ka thënë ajo.
“Negotiating Peace”, që pas Kosovës do të ketë një shëtitje nëpër qytete të vendeve të rajonit e ato të Evropës, e bën njëfarë zhveshjeje të negociatorëve, hipokrizisë në emër të paqes e demonëve që e pengojnë atë. Nënshtresat e saj bëjnë thirrje për tjetër qasje. Për paqe të plotë. Madje vetë procesi i punës për shfaqje, ekipi ndërkombëtar, bashkëprodhuesit ndërkombëtarë e turi që do të ketë, janë njëfarë konference paqeje.
“Ishte vërtet një projekt ndërkombëtar, ishte një lloj konference paqeje në vetvete. Janë dy shtete fiksionale që negociojnë paqen, por mund të themi se ka të bëjë edhe me Ballkanin dhe veçanërisht ndoshta me Serbinë dhe Kosovën ose me të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë që vazhdojnë ende të negociojnë paqen në mënyra të ndryshme”, ka thënë Mina Milosheviq, dramaturge e shfaqjes. Si serbe që për herë të parë ka qëndruar në Prishtinë, ka thënë se ka përjetuar situata që e kanë prekur atë vetë dhe po ashtu do të kenë ndikim edhe te shoqëria e saj.
Për këtë shfaqje nga Ukraina në Kosovë ka udhëtuar aktori Orest Pastukh. Bart disa personazhe në skenë. E në jetë është personazh i një populli që për gati dy vjet po përballet me agresionin rus.
“Për mua është një projekt shumë i rëndësishëm pasi po flasim për historinë moderne të vendeve tona. Janë problemet e njëjta gjithandej. Luftohet për pavarësi. Në këtë projekt ngrehim shumë çështje e dhe shumë pyetje”, ka thënë ai.
Palët që ulen në një tavolinë ovale janë nën presion të madh. Gati sa nuk kanë çare pa hedhur firmat. Është aso skene që para pak vjetësh qe transmetuar direkt në media, kur një prej presidentëve më të fuqishëm në glob i detyronte dy palë të kësaj ane të nënshkruanin një marrëveshje duke ju thënë: “Hajde djema...”. Shfaqja veç e fuqizon këtë anë. Shton ndonjë shuplakë për palët. Shihet si qasje e qëlluar artistike.
“Qasja apo koncepti i Blertës, por dhe i dramës së Jetonit, jo vetëm në idenë e bashkëprodhimit me një ekip artistësh ndërkombëtarë të këtij produksioni, por në veçanti në trajtimin e çështjes së bisedimeve apo negociatave për paqe dhe gjithë prapaskenave të tyre, paradoksale, groteske dhe shpeshherë të paparashikueshme e jo te drejtuara sipas një plani, pra kjo qasje universale, tejkalon nivelin vendor a lokal të trajtimit te kësaj teme dhe jam i sigurt se do të krijojë një hapësirë a stacion te ri diskutimesh në përballje me audiencën nga vende të ndryshme të botës”, ka thënë regjisori Erson Zymberi.
Krejt në fund të shfaqjes, ndërmjetësuesi u jep palëve 10 minuta kohë për të nënshkruar marrëveshjen. Prej tyre nja 5 shkojnë duke folur për telashe personale. Nënshkruhet një marrëveshje, më pas plotësohen disa nene. Më pas dalin telashe se s’ka mjaft letër të riciklueshme për të përmirësuar gabimet e çka jo tjetër. Në njëfarë forme negociohet sa për sy e faqe. Ose, negociohet për t’u marrë vesh se duhet negociuar. Ballkani e ka këtë ndjesi, ashtu sikurse shumë vende të botës. Por “Negotiating Peace” i zhvesh negociatat deri në skelet. Bash sikurse skeletet që mbledh gjenerali. Sikurse ai që merr nga plaka Nicë. Ajo është veç viktimë. S’merr pjesë në negociata as si fenomen. Dhe, ato dështojnë. Mbesin rreshta në letër, qoftë ajo edhe e riciklueshme. “Negociatat” vazhdojnë.