Ceylan Taci, këngëtarja me origjinë shqiptare, me tinguj e vargje ka sjellë jehonën e së kaluarës dhe gjurmët e tyre në të tashmen. Janë përtej këngëve, pasqyrojnë shpirtin artistik, rebelimin e protestën ndaj mentalitetit të shoqërisë dhe përplot mesazhe brenda një koncerti. Ka qenë një lloj albumi me përjetime emocionesh
Me mesazhe të fuqishme është mbyllur edicioni i gjashtë i “Prishtina International Vocal Festival”. Ceylan Taci, këngëtarja me origjinë shqiptare, me tinguj e vargje ka sjellë jehonën e së kaluarës dhe gjurmët e tyre në të tashmen. Janë përtej këngëve, pasqyrojnë shpirtin artistik, rebelimin e protestën ndaj mentalitetit të shoqërisë dhe përplot mesazhe brenda një koncerti. Ka qenë një lloj albumi me përjetime emocionesh.
Bashkë me bendin e udhëhequr nga poli-instrumentisti Astrit Stafai, që e ka aranzhuar muzikën dhe ka interpretuar edhe në kitarë, Xhemil Gjinin në perkusione dhe Adorel Haxhiajn në violonçel, koncertin ”Zëri i rrënjës” e kanë bërë tejet artistik.
Taci ngrit kontraste me këngë e poezi. Të fundit janë më se poetike, të thella, derisa tekstet e këngëve janë përplot shprehje e fraza popullore që vijnë si mallkime. Madje ajo mesazhet te publiku i jep në të njëjtën formë – duke përdorur fjalë të urta. Ngjan në koncert tejet relaksues dhe se para argëtimit, në qendër ka vetëdijesimin.
Koncerti ka nisur me këngën “U tuta” që flet prej konceptit abstrakt të frikës e deri në elemente konkrete. Flet për frikën prej njeriut, teksa këngëtarja Ceylan Taci i përcjell me tinguj të lehtë të kitarës së bashku me Astrit Stafain. Kur nis interpretimin e këngës “Këmbët” ajo lëshon instrumentin, heq takat dhe ngrihet në këmbë. Nis me lojë melodike të perkusioneve fillimisht e më pas në melodi u bashkohet edhe violonçeli, që sjell tinguj më emocionues dhe interpretimit i jep kah melankolie. Me perkusione mbahet ritmi. Këngëtarja fillimisht flet për këmbët e më pas për shoqërinë.
Theksi i saj vjen këndshëm. Edhe pse nuk flet shqip, fjalët e saj janë tejet të pastra dhe vijnë si version gegë i theksuar. Këngët kanë qenë tejet të këndshme bashkë me pjesët poetike që i kanë paraprirë interpretimit të disa këngëve. Ato i kanë bërë krijime edhe më artistike. Muzika në anën tjetër është përplot ritme moderne jazz-i.
Kënga “Mshile gojën” përmban thënie popullore. Ndërtohet me elemente të paragjykimeve tradicionale për vajzat e gratë. Një pasthirrmë që urdhëron për heshtje e kumbon këngën që duket se vjen si kundërpërgjigje, protestë e rebelim ndaj shoqërisë me këngë. Duket si një koleksion urdhrash të cilëve këngëtarja Taci nuk u bindet derisa “Lëkura” vjen si mallkim që për bazë të këngës merr shprehjen “Të raftë lëkura!”, që përsëritet shpesh në interpretim.
Ajo ka thënë se disa prej këngëve kanë të bëjnë me kulturën dhe vendin e gruas në shoqëri. Ka treguar se këngët i ka shkruar për t’u kthyer në rrënjët e gjuhës shqipe.
“Edhe pse jam lindur në Belgjikë e ndiej gjithmonë kulturën time dhe gjithmonë kam kënduar këngë shqipe e ritmet ballkanike me nënën time në shtëpi. Pastaj u mësova të këndoj dhe kur baba dhe nëna vdiqën desha të kthehesha në rrënjët e gjuhës sime, sepse për mua është shumë e rëndësishme. Fillova të mësoja disa fjalë dhe më pas u bë diçka që më frymëzoi. Një fjalë u bë një këngë”, ka thënë Taci, e lindur në Bruksel, por e rrethuar nga kultura ballanike që në fëmijëri.
Përveç rrënjëve të saj muzikore shqiptare, ajo eksploroi ritmet afrikane, jazz-in dhe muzikën botërore, prej ku është ndikuar edhe koncerti “Zëri i rrënjëve”. Ajo ka bashkëpunuar me muzikantë belgë të skenës së jazz-it dhe muzikës botërore. Dashuria e saj për ritmin pasqyrohet në kompozimet e saj, tekstet e saj në shqip, anglisht dhe turqisht zbulojnë një univers shumë personal.
“‘Zëri i rrënjëve’ është një koncert tregimtar, një zgjatim i ‘Kthehu në rrënjë’, projekti i mëparshëm i artistes. Me këtë performancë, Ceylan përcjell audiencën në një hapësirë intime ku ngjall frikën, tabutë, kodet, zgjimin dhe dashurinë, ku e kaluara jehon në të tashmen”, shkruhet në prezantimin e “Pri Vocal Fest” për këtë koncert.
“Rrënja” flet për inatet e jetës dhe pasojat e tyre që çojnë në fenomenet negative nëpër familje. “Kajti daja” është inspiruar prej takimit të saj të parë me dajën në Maqedoni, që kishte qenë i afërmi i fundit që i kishte mbetur gjallë nga e ëma.
“Mr. Photograph” vjen si rrëfim i fuqishëm për fotografitë që mbajnë gjallë imazhet e të vdekurve. Për më shumë, protagonist i këngës është fotografi Medi Huduti, të cilin e kishte takuar gjatë festivalit “FemArt” , kur ajo po merrte pjesë.
“Kur isha në festivalin ‘FemArt’ në vitin 2020 ai ishte fotograf aty, patëm një lidhje artistike i cili e kuptoi shpirtin e teksteve të mia. Isha shumë e mërzitur kur dëgjova se kishte vdekur, ishte emocion dhe desha t’i prezantoja ato. Kështu kënga vjen nga emocionet, ishte shumë e fuqishme, sepse ishte pjesë e një eksperience shumë të bukur këtu në Kosovë dhe kur ai vdiq unë thashë se do të këndoj për personin e të gjitha fotografive”, ka thënë këngëtarja.
Krejt në fund, koncerti është përmbyllur me këngën “Rashë në bokë”.
Poli-instrumentisti Astrit Stafai e ka vlerësuar koncertin si eksperiencë shumë të bukur dhe të një stili më ndryshe. Ka thënë se krejt kishte nisur me këngën “Rrënjë”, prej ku edhe kishin nisur ciklin e këngëve për koncertin “Zëri i rrënjës”
“Ishte një përvojë e mrekullueshme, duke pasur parasysh që i takoj një brezi të muzikantëve që muzikën e kemi kultivuar shumë zhanre, duke i studiuar ato në të njëjtën kohë. Ka qenë eksperiencë e mrekullueshme duke pasur parasysh edhe zonjën Ceylan e cila para tre-katër muajsh na ka bërë ftesë për të bërë një koncert të tillë. Mua më pëlqeu ideja, koncepti, përmbajtja e teksteve dhe natyra e këngës sesi ajo e kishte ideuar. Më pas i mora vijat melodike dhe i realizova duke i bërë edhe aranzhimet e koncertit të sontshëm”, ka thënë Stafai, i cili njihet si virtuoz i jashtëzakonshëm i instrumenteve me tela, si dhe njohës i fushës së muzikës në përgjithësi.
Ai ka hapur kapitull të ri sa i përket botës së instrumenteve për arsye se ka përfshirë instrumentet e kulturave botërore duke i gërshetuar me ato shqiptare dhe duke sjellë koncerte premierë në skenën artistike vendore me instrumentet si lahuta, buzuki, udi, kitara e të tjera. Ai është bashkëpunëtor i Filharmonisë së Kosovës, i Ansamblit Kombëtar në Maqedoninë e Veriut, si dhe i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”. Ka një numër shumë të madh të bashkëpunimeve, koncerteve, performancave, incizimeve në vend e në skenën ndërkombëtare. Gjatë karrierës së tij deri tani ka performuar me formacione të ndryshme muzikore nga ato: klasike, korale, orkestrale, e të përziera. Ka koncertuar në vendet e rajonit e përtej si në Francë, Dubai, Katar, Stamboll, Londër e Skotlandë.
Koncerti i tyre edhe ka shënuar fundin e edicionit të sivjetmë, të gjashtit me radhë, të “Prishtina International Vocal Festival”. “Edicionit të gjashtë të ‘Pri Vocal Festit’ i erdhi fundi. Festivali ka filluar nga data 4 deri sot më 14 tetor. I gjithë publiku ka pasur mundësi të ndjekë gjithsej shtatë koncerte, ka qenë laramani e artistëve, duke filluar nga ata të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, gjithashtu edhe jashtë vendit. Çdo gjë ka shkuar për mrekulli, nuk kemi pasur diçka të befasishme, gjithçka ka shkuar mirë”, ka thënë koordinatorja për media e Festivalit, Dea Xhemajli.
Festivali u hap më 4 tetor me mexosopranon e njohur Flaka Goranci e shoqëruar nga “Ansambli Primodern” nën drejtimin e dirigjentit dhe kompozitorit Kushtrim Gashi. Në natën e dytë, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, në bashkëpunim me Korin e përzier të Selanikut me solistë të shquar si Besa Llugiqi, Albane Carrere, Pablo Karaman dhe Julian Konstantinov nën drejtimin e dirigjentes Mary Konstantinidou, sollën veprën “Stabat Mater” të virtuozit italian, Gioachino Rossini.
Linjat virtuoze në vokal, melodi të theksuara, veçmas interpretimi i disa arieve kanë qenë prej specifikave të njërës prej kryeveprave botërore. Ndonëse është vepër me përmbajtje liturgjike, koncerti në “Klan Arena” shpesh ka qenë i mbuluar me pamje romantike me anë të Orkestrës dhe dy koreve.
Në natën e tretë, Kejsi Haxhija, Shinasi Ramadani dhe Harris Bajraktari, të shoqëruar nga pianisti Melos Buza, kanë sjellë mozaikun e kryeveprave botërore operistike. Interpretuesit kishin shëtitur nëpër copëzat e kryeveprave botërore. Arieve magjepsëse u janë bashkëngjitur edhe këngë unike.
Udhëtim në kohë është sjellë për publikun e “Prishtina International Vocal Festival” në natën e katërt të Festivalit. Titulluar “Early music night”, kuruar nga tenori i talentuar nga Maqedonia e Veriut, Ismet Vejseli programi gërmonte në kompozimet emocionuese të kompozitorëve të njohur nga epoka të ndryshme, duke kontribuar secili me stilin e tij të veçantë të muzikës së hershme. Vejseli, me pasion për ruajtjen e trashëgimisë muzikore, kishte marrë përsipër t’i prezantojë thesaret e lashta në hollin e bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani” nën shoqërimin e pianistit Shkëlzen Baftiari.
Në natën e pestë u zhvillua koncerti “A resounding return” ku ansambli “Attacca” u rikthye në skenën e “Pri Vocal Fest” pas gjashtë vjetësh. Koncerti u udhëhoq nga dirigjenti Hajrullah Syla dhe interpretuan solistët Adelina Paloja, Ismet Vejseli dhe Elonë Sadiku.
Sopranoja sllovake Zoya Petrova ka sjellë magjishëm pjesë të operave të shquara të cilat i ka interpretuar anekënd në teatrot botërore në natën e gjashtë të Festivalit. Me tingujt e pianos, luajtur nga Andi Duraku, i ka dhënë shpirt çdo vargu të arieve dhe jo vetëm. Ka ndarë edhe një copëz të historisë së saj me veprën “Vocalise”. Koncertit i ka dhënë peshë edhe me muzikë shqipe. Të premten mbrëma e ka interpretuar edhe veprën premierë “Gri” të Hajrullah Sylës, ku janë krijuar edhe kontraste stilesh në interpretim të veprave bashkëkohore.
Si festival që në qendër ka vokalin, “Prishtina International Vocal Festival” për shtatë net ka ndërthurur emocionet me muzikën. Është ngjarje që sjell së bashku artistë nga këndvështrimet më të ndryshme të muzikës vokale, duke krijuar një mjedis të pasur kulturor dhe artistik.