Kulturë

Salla koncertale me projekt të ri, pa detaje të nisjes së realizimit

Kryetari i Komunës së Prishtinës nga Japonia nëpërmjet rrjeteve sociale ka ndarë me publikun imazhe të projektit të sallës koncertale që pritet të zërë vend afër ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”. Sipas asaj që shihet në projekt, ndërtesa aktuale, me status të monumentit, do të shndërrohet në galeri. Në bazë të asaj që shihet në imazhe, studioja e arkitektit japonez Kengo Kuma dhe ajo e partnerit të tij kosovar, Bekim Ramku, i janë përshtatur kërkesës së Komunës për të pasur dy hapësira kulturore.

“Salla Koncertale dhe Muzeu i Artit të kryeqytetit po bëhen realitet! Jam shumë i lumtur që po hedhim hapat e parë për krijimin e dy hapësirave të rëndësishme kulturore të kryeqytetit, Sallën Koncertale e Muzeun e Artit.

Gjatë takimit me arkitektin e njohur botëror, Kengo Kuma, diskutuam detajet e fundit për realizimin e këtij projekti tjetër të madh drejt transformimit të Prishtinës”, ka shkruar kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, në rrjete sociale. Si gjithnjë sa herë prezantohen projekte në rrjete sociale merr hov euforia e lëvdatat, pavarësisht se sa i përket infrastrukturës kulturore tash e dy dekada pas luftës vetëm imazhe janë prezantuar.

“Arkitektura unike e ndërtesës ikonë të kryeqytetit do të ruhet tërësisht si pjesë e trashëgimisë sonë. Por, në të njëjtën kohë ne do të krijojmë një sallë koncertale e muze të artit supermodern. Ne po realizojmë një kërkesë të kamotshme të artistëve tanë, që të kenë një ambient të përshtatshëm ku do të mund të shprehnin artin e tyre, në kushte shumë më të favorshme, ashtu siç do të bëjnë artistët me renome botërore”, ka përfunduar Rama pa dhënë sqarime shtesë. Nuk është përgjigjur as në interesimin e KOHËS për detaje të tjera. Njëjtë ka vepruar edhe arkitekti Bekim Ramku, i cili bashkë me stafin e Ramës po qëndron në Japoni.

Komuna e Prishtinës e ka konkretizuar nismën për ndërrim të qasjes në raport me ndërtesën e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”. Menaxhmenti aktual i Komunës kishte hequr dorë nga shndërrimi i monumentit në sallë koncertale. Kostoja e projektimit të ri është 1.6 milionë euro. Kaq peshon edhe kontrata që nëpërmjet procedurës së negocimit i është dhënë “O.U.D -Architects Sh.P.K; Kengo Kuma and Associates”. Sipas kontratës me titull “Hartimi i projektit të detajuar për qendrën multikulturore ‘Gërmia’ në Prishtinë”, studioja e arkitektit japonez, Kengo Kuma, dhe partnerit të tij vendor, Bekim Ramku, do të finalizojnë projektin. Projekti i dyshes për transformimin e ndërtesës që gjendet në qendër të Prishtinës ishte shpallur fitues para dy vjetësh. Por, ai plan ideor tashmë do të mbetet veç pjesë e historisë.

Kur ishte nënshkruar në maj të këtij viti kontrata, arkitekti Bekim Ramku kishte sqaruar se në fazë të parë do të bëjnë vlerësimin e statikës së ndërtesës, po ashtu edhe të vlerave të objektit.

Sipas tij, do të mundohen që të mbajnë sa më shumë nga struktura ekzistuese.

“Objekti kryesor të kthehet në një hapësirë ekspozuese, galeri, hapësirë instilacionesh, kurse salla e koncerteve do të jetë e vendosur në pjesën ku tash është parkingu i kompleksit”, kishte shpjeguar Ramku. Sipas tij, programi nuk ka ndryshuar nga ai fillestar, veçse janë shtuar metrat katrorë të hapësirës.

“Projekti si total do të rritet për rreth 5 mijë metra katrorë e në përgjithësi do të jetë rreth 14 mijë e 500 metra katrorë”, kishte thënë ai. Sipas Ramkut, projektimi do të jetë gati për 8 muaj nëse gjithçka shkon sipas planit dhe nuk ka vonesa nga Komuna për aprovime, informata shtesë e nevoja të tjera.

Se Komuna do të ketë qasje të re, kjo qe paralajmëruar qysh në mars të këtij viti, kur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte pritur në takim arkitektin japonez, Kengo Kuma. Në ditën e 12-të të marsit, Rama ia kishte bërë me dije Kumas se ndërtesën aktuale nuk do ta përdornin për sallë koncertesh.

“Ideja është që të ndryshojmë qasjen. Në vend që ta përdorim ndërtesën ekzistuese për sallë koncertesh, të shikojmë nëse mund t’ia shtojmë asaj sallën koncertale, në mënyrë që vetë atë ta përdorim si galeri të qytetit e sallë multifunksionale”, kishte thënë Rama. E Kuma me qetësi kishte konfirmuar se mund të veprohet kësisoj vetëm me “po”. Rama kishte pasur disa arsye për nismën e tij. Kishte thënë se me këtë nuk do të kenë nevojë për demolim të ndërtesës aktuale.

Historia e kësaj ndërtese të viteve ’70 është e vjetër. Ajo e shndërrimit në muze të artit bashkëkohor a në sallë koncertale ka hyrë në dekadën e dytë.

Juria në përbërje të Mohsen Mostafavi, Andrija Rusan dhe Han Tümertekin, profesorë të shquar të arkitekturës nga Harvardi, Zagrebi dhe Stambolli së bashku me dy përfaqësues të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, një nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, si dhe një tjetër nga Komuna e Prishtinës, kishin vendosur që në vendin e parë të renditej projekti i studios së Kumas në partneritet me arkitektin kosovar, Bekim Ramku, dhe me ekipin e inxhinierëve nga Stambolli dhe New Yorku, Ahmed Topbas dhe Akım Mühendislik. Ky projekt në prill të vitit 2021 kishte marrë 82.42 pikë, duke bërë që të shpërblehet me 50 mijë euro.

“One Roof – Germia for Concert Hall” nxjerr dy salla koncertale brenda objektit, përderisa fasada e jashtme e monumentit ruhet. Juria kishte vendosur që në vendin e dytë me 74.84 pikë të jetë projekti i operatorëve “Shkëlqim Osmani B.I – Vizion project, MA Studio & Partners”, që kishte shifrën 1897. Shpërblimi financiar qe 30 mijë euro. I treti është renditur projekti me operatorët “Arbër Sadiki B.I, G+A Architects” me shifrën 6969. Kishte marrë 70.12 pikë dhe shpërblimin financiar – 20 mijë euro. Pos Sadikit, bashkautor është edhe Gëzim Paçarizi.

Te projekti i dyshes Sadiki e Paçarizi parashihet ajo që kishte kërkuar kryetari Përparim Rama: ndërtesa aktuale të jetë galeri e të shtohet salla koncertale.

Projekti i përzgjedhur llogaritej të kushtonte rreth 10.6 milionë euro që të zbatohej. Me ndryshimet e kërkuara nuk ka ende ndonjë përllogaritje paraprake.

Qysh prej shtatorit të vitit 2018, Komuna e Prishtinës kishte përmendur ish-ndërtesën e “Gërmisë” si vend ku do të mund të ngrihej salla koncertale. Në tetor të atij viti, pas një debati të madh midis komunitetit të arkitektëve dhe atij të muzikës, Ministria e Kulturës e kishte përfshirë ndërtesën në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në atë rast kishte ndryshuar situata.

Më pas, nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë”, Qeveria kishte vendosur që t’i ruhej pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohej në sallë koncertale.

Image