Përderisa Ministria e Kulturës në Kosovë po e vazhdon fushatën me thirrje për kthimin e eksponateve që mbahen peng nga Serbia duke shkelur konventat ndërkombëtare, Ministria e Kulturës në Serbi shpërndan akuza se gjoja kishat e manastiret serbe në Kosovë janë në rrezik. Në kuadër të fushatës që ka nisur para disa muajsh, MKRS-ja nëpërmjet një fotografie në “Twitter”, ka bërë thirrje për kthimin e thesarit arkeologjik dhe etnografik, duke publikuar imazhin e një kopse të zbuluar në lokalitetin arkeologjik te Ulpianës.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë janë duke u përplasur në rrjete sociale sa u përket eksponateve të Kosovës që shteti serb i mban tash e 24 vjet. Përderisa Ministria e Kulturës në Kosovë po e vazhdon fushatën me thirrje për kthimin e eksponateve që mbahen peng nga Serbia duke shkelur konventat ndërkombëtare, Ministria e Kulturës në Serbi shpërndan akuza se gjoja kishat e manastiret serbe në Kosovë janë në rrezik.
Në kuadër të fushatës që ka nisur para disa muajsh, MKRS-ja nëpërmjet një fotografie në “Twitter”, ka bërë thirrje për kthimin e thesarit arkeologjik dhe etnografik, duke publikuar imazhin e një kopesë të zbuluar në lokalitetin arkeologjik te Ulpianës.
“Kjo kopse e punuar nga argjendi, e shekullit VI, e zbuluar në Nekropolin Verior të Ulpianës, Republika e Kosovës, është ndër 1247 eksponatet e koleksionit të trashëgimisë kulturore të mbajtura ilegalisht nga Serbia për më shumë se dy dekada. Serbia duke mos i kthyer në vendin e origjinës po shkel Konventat e UNESCO-s, marrëveshjen për kthim dhe dokumentin e Ahtisaarit”, ka shkruar në “Twitter” Ministria e Kulturës në Kosovë e cila udhëhiqet nga ministri Hajrulla Çeku.
Nuk është dashur shumë kohë që të përgjigjet Ministria e Kulturës në Serbi. Siç ndodh rëndom, ka akuzuar Kosovën për shkatërrim të trashëgimisë kulturore që frekuentohet nga komuniteti serb në Kosovë.
Ka publikuar fotografi të një kishe në Gurrakoc të Istogut.
“Për shkak të keqpërdorimeve të vazhdueshme nga institucionet e përkohshme në Prishtinë, në përpjekje për të përvetësuar trashëgiminë kulturore, Ministria e Kulturës rikujton se Serbia është anëtare e UNESCO-s dhe nënshkruese e konventave kulturore, të cilat i respekton dhe i zbaton me përkushtim”, shkruhet në reagimin e Ministrisë së Kulturës të Serbisë që udhëhiqet nga Maja Gojkoviq, njëherësh zëvendëskryeministre.
Në reagim shkruhet se e vërteta për marrëdhëniet e “Prishtinës me trashëgiminë kulturore në tërësi pasqyrohet më së miri në faktin se trashëgimia kulturore serbe në Kosovë dhe Metohi është ekspozuar ndaj përdhosjes dhe shkatërrimit sistematik për dekada me radhë, me qëllim të fshirjes së gjurmëve të ekzistenca e popullit serb në hapësirën e Kosovës dhe Metohisë”. Reagimi vazhdon duke thënë se Ministria e Kulturës në Serbi konstaton se “kjo është arsyeja pse është jashtëzakonisht hipokrite që Prishtina t'u referohet konventave të UNESCO-s, veçanërisht duke pasur parasysh qëndrimin e saj ndaj trashëgimisë dhe faktin se kishat dhe manastiret serbe janë në listën e UNESCO-s të trashëgimisë kulturore në rrezik”.
Si zakonisht, Ministria e Kulturës në Serbi asnjëherë nuk përmend faktin se Kosova ka ligj për zonat e veçanta duke u ofruar status të veçantë krejt hapësirave të trashëgimisë kulturore që frekuentohen nga besimtarët e komunitetit serb. Kosova po ashtu, posedon edhe njësit të veçantë të policisë që kujdeset për sigurinë e këtyre ndërtesave. E pas trazirave të marsit të vitit 2004, Kosova ka investuar në krejt ndërtesat e trashëgimisë kulturore duke konservuar e restauruar ato nga dëmet që kishin pësuar.
KOHA gjatë ditës së hënë ka kërkuar qëndrim nga Ministria e Kulturës në Kosovë sa i përket reagimit të shtetit serb, por deri në mbrëmje vonë nuk ka pasur ndonjë përgjigje.
Në kuadër të fushatës që ka nisur Kosova vitin e kaluar ishte hapur edhe një ekspozitë.
Nëpërmjet ekspozitës “Return us home” (Kthenani në shtëpi), Ministria e Kulturës dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeve në majin e vitit të kaluar. Këtij aktiviteti qendror për shënimin e kësaj dite, i kishte paraprirë një punëtori nëpërmjet së cilës është bërë e ditur se shteti është duke punuar për një program kombëtar të muzeve në Kosovë.
Në vitet ’90 profesionistë nga Serbia bashkë me ata që shërbenin në atë që ishte Muzeu i Prishtinës, kishin bërë matje të hapësirave ekspozuese të atij që tash është Muzeu Kombëtar i Kosovës. Kishin konceptuar një ekspozitë të përhershme në këtë institucion.
Por ekspozitës së përhershme të Muzeut Kombëtar të Kosovës do t’i paraprinte një ekspozitë e përkohshme e eksponateve në Beograd. Vitrinat e punuara për ekspozitën e përkohshme në Beograd, të paktën sipas planit publik, do të vinin bashkë me eksponate në Prishtinë. Por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Tash e 23 vjet, shteti serb në kundërshtim me reversët dhe konventat ndërkombëtare, të paktën zyrtarisht, mban 1247 eksponate të Kosovës, të cilat paraqesin kulturën e kësaj treve këtu e 8 mijë vjet më parë.
Me ekspozita të përkohshme, Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Ministria e Kulturës tash e 20 vjet kërkojnë kthimin e eksponateve.
“Kthehu” titullohej ekspozita me imazhe të eksponateve që mungojnë, e cila u hap më 2002 në Muze si thirrje për kthimin e këtyre artefakteve. Aktivitetet e tilla vazhduan me ekspozitën “Kosova antike” në vitin 2004, e atë “Edhe unë dua të kthehem në shtëpi tani” në vitin 2009. Zyrtarisht janë 676 eksponate arkeologjike e 571 të tjera etnografike, të cilat mbahen në Muzeun Kombëtar në Beograd e atë Etnografik të këtij qyteti.
Paraprakisht më 2021 Muzeu Kombëtar të Kosovës ia kishte drejtuar një shkresë Muzeut Kombëtar në Beograd, atij Etnografik dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve. Në letër propozohej krijimi i një grupi punues për përpilimin e draftplanit për kthimin e artefakteve.
Vetë ministrja e Kulturës në Serbi, Maja Gojkoviq, shkresat i kishte komentuar si “provokim të rrezikshëm për trashëgiminë kulturore”.