Kulturë

“PrizrenFesti” nis me rrëfimin nga Ukraina, teatri bashkon njerëzit

 “Maidan Inferno” ka qenë shfaqja e cila ka ngritur perden e edicionit të dytë të festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur, “PrizrenFest”. Trupa ukrainase ka zbarkuar në Kosovë teksa ka shpalosur një rrëfim që lidhet me luftën atje, por vjen si thirrje ndërgjegjes. Në ceremoninë e hapjes – ku aktori Enver Petrovci është nderuar për vepër jetësore – është veçuar fuqia e teatrit për t’i bërë njerëzit bashkë

Me synimin për të festuar fuqinë e bashkëpunimit, si dhe gëzimin e krijimit të kujtimeve të paharrueshme nëpërmjet artit dhe kulturës, është hapur edicioni i dytë i festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur – “PrizrenFest”.

Në këtë frymë ka qenë edhe shfaqja e parë e këtij edicioni, “Maidan Inferno” nën regji të Clément Peretjatkos, realizuar nga Teatri i Akademisë së Dramës dhe Komedisë në Dnjepër të Ukrainës dhe kompania “Collapse” nga Lioni i Francës. Organizatorët kanë shfaqur besimin se në këtë mënyrë krijohen ura që bashkojnë njerëz, përderisa artistët ukrainas pas performancës së tyre nuk kanë fshehur emocionet teksa janë shprehur mirënjohës për mundësinë e paraqitjes së rrëfimit nga atdheu i tyre para publikut në Kosovë.

Ndërkohë në audiencë të pranishëm kanë qenë edhe mbi njëzet gazetarë ukrainas të strehuar në Kosovë.

Në ceremoninë e hapjes së edicionit të dytë të “PrizrenFest”, drejtori artistik i Festivalit, Adrian Morina, ka theksuar se sivjet është dyfishuar programi i shfaqjeve në krahasim me edicionin e parë, ndërkohë që nata e parë shënon solidarizimin me popullin e Ukrainës. Duke përkujtuar edhe vuajtjet e popullit të Kosovës gjatë fundshekullit të kaluar, ai ka theksuar se luftërat tentojnë të krijojnë ndarje, derisa arti e teatri synojnë bashkimin e njerëzve.

për popullin ukrainas lufta është e sotmja. Lufta është e tashmja. Ne e mbajmë në mend kur e nesërmja jonë cenohej, prandaj të vetëdijshëm për gjithë këtë ne nuk lejojmë t’i mbyllim sytë për të nesërmet e ukrainasve, për të nesërmet që atyre iu vidhen çdo ditë. Dhe derisa luftërat punojnë natë e ditë për të ndërtuar mure për të na ndarë neve krejt bashkë, nuk ka asgjë më të fuqishme se teatri, nuk ka asgjë më të fuqishme se arti, i cili i rrënon ato mure dhe ndërton ura prej mureve për të bashkuar njerëz”, ka thënë Morina.

Kompletimi i mozaikut në “kryeqytetin e kulturës”

Edicioni i dytë i “PrizrenFestit” është hapur nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, dhe aktori veteran Enver Petrovci, i cili është nderuar edhe me mirënjohje për vepër jetësore.

Kryetari Totaj ka theksuar se prania e artistëve ukrainas në këtë festival shkon edhe përtej artit, pasi ka të bëjë me humanizëm. Njëherësh ka veçuar rëndësinë e mbajtjes së kësaj ngjarjeje kulturore në qytetin e vjetër.

“Ky festival kompleton mozaikun e festivaleve të tjera, të cilat Prizrenit i japin epitetin e kryeqytetit kulturor jo vetëm kosovar, por edhe mbarëkombëtar”, ka thënë Totaj.

Ndërsa aktori Petrovci ka vlerësuar vizionin e Totajt për mbështetjen e një festivali të tillë, që sipas tij ka munguar te liderët lokalë në trevat shqiptare.

e rëndësishme është edhe me e vërejt dikush se paska kënd me e përkrah. Se para tij, edhe në Ulqin, edhe kudo, ka pasë kryetar komune, por s'e kanë pasë atë sens, t'u them edhe sinqerisht s’e kanë dashtë popullin e vet, gjegjësisht qytetin e vet”, ka thënë Petrovci.

Image
Edicioni i dytë i “PrizrenFestit” është hapur nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, dhe nga aktori veteran Enver Petrovci, i cili është nderuar edhe me mirënjohje për vepër jetësore

Trokitja në ndërgjegjen e botës

Pas ceremonisë, të shtunën mbrëma, në skenën e hapur të “Kino Lumbardhit” është shfaqur drama “Maidan Inferno” me aktorët Valeriy Zybczyk, Yura Zakharov, Vlad Lebedev, Valeriya Kleimenova Lagoda, Angelika Nikolayeva, Oleksandra Verstyuk dhe Sofia Piri.

Shfaqja është bazuar në historinë e dy të rinjve të ndarë në “Të shtunën e përgjakshme” në fillim të Revolucionit të Dinjitetit në dhjetor të vitit 2013, që rezonon me mitin e Orfeut dhe Euridikës, ku në të vërtetë, një vajzë moderne kërkon të dashurin e humbur mes jetës dhe vdekjes, dhe ku ferri është ngritur mbi tokë për të marrë njerëzit në zjarr. Kjo shfaqje ekziston në tri realitete – reale dhe virtuale.

Në të parën ka heronj nga Maidani: një student i filologjisë, një alpinist, një muzikant, një rojë sigurie, një gazetar, një infermiere e një prift. Është dialog dinamik mes personazheve të përfaqësuara nga kukullat.

I dyti është realiteti i brendshëm i dy personazheve kryesore, Ania (studentja) dhe Oresti (alpinisti). Këta monologë luhen nga dy aktorë.

I treti është Facebooku teatror gjatë të cilit katër aktorët i drejtohen drejtpërdrejt publikut në formën e një kori.

“Kjo histori është një përpjekje për të kuptuar ngjarjet në Maidan dhe luftën në Ukrainë. Nuk është vetëm një revolucion, por edhe një tregues i ndryshimeve që po transformojnë ndërgjegjen e gjithë botës... Kjo shfaqje u krijua nga shtatori 2021 deri në fund të shkurtit 2022. Fjalët e fundit të performancës, ‘liri ose vdekje’ janë, përveçse një referimi të drejtpërdrejtë për Revolucionin Francez, dëshmia e një brezi revolucionarësh ukrainas që po luftojnë për vlerat demokratike, dinjitetin e tyre dhe pavarësinë e vendit të tyre”, thuhet në përshkrimin e dhënë nga organizatorët.

Për regjisorin Clément Peretjatko rikthimi në Kosovë ka qenë prekës.

“Jemi të emocionuar që jemi këtu. Disa prej jush e dini se vite më parë kam qenë këtu, jam angazhuar me projekte të ndryshme, dhe pas kësaj kam qenë duke lëvizur nëpër Ukrainë. Dhe sot të shohësh ekipin tim ukrainas dhe ekipin tim kosovar këtu është mahnitëse", ka thënë Peretjatko.

Drejtori i Teatrit, Serhii Volodymyrovych Mazanyi, ka theksuar se populli i Ukrainës nuk dorëzohet dhe se për ekipin e tij ka qenë nder i madh paraqitja në “PrizrenFest”.

“Sot Ukraina është në luftë. Edhe tani gjatë shfaqjes Rusia ka bombarduar shtetin tonë. Por ne nuk dorëzohemi, ushtarët tanë do të fitojnë. Kemi bërë 2000 kilometra nëpër katër shtete për ta prezantuar Ukrainën në Kosovë. Është nder i madh për ne. Faleminderit!", ka thënë Mazanyi

Programi i shfaqjeve në “PrizrenFest” ka vazhduar të dielën me katër shfaqje, tri vendore dhe një nga Çekia.

Sivjet janë njëzet shfaqje pjesëmarrëse nga Italia, Sllovakia, Ukraina, Shqipëria, Çekia, Mali i Zi, Greqia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut e Kosova, por programi nuk kufizohet vetëm te kjo pjesë. Organizohen edhe punëtori e konferenca.

Image
Sivjet janë njëzet shfaqje pjesëmarrëse nga Italia, Sllovakia, Ukraina, Shqipëria, Çekia, Mali i Zi, Greqia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut e Kosova, por programi nuk kufizohet vetëm te kjo pjesë